E premte, 26.04.2024, 06:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Rozi Theohari: Në katedralen e Shën Gjergjit në Boston ligjërohet për ditën e flamurit

E shtune, 04.12.2010, 08:57 PM


NË KATEDRALEN E SHËN GJERGJIT NË BOSTON LIGJËROHET PËR DITËN E FLAMURIT

 

BISEDË ME TË PËRNDERSHMIN AT ARTUR LIOLINË KANCELAR

I KISHËS ORTODOKSE SHQIPTARE NË AMERIKË

 

Nga Rozi THEOHARI

 

Janë të paharrueshme dhe ngazëllyese shërbesat kishtare që zhvillohen nga Hirësia e Tij Peshkop Nikoni dhe i përndershmi, Kancelari At Arturi në kryekishën e Shën Gjergjit në Boston. Ligjërimet, lutjet e bekimet e tyre rezonojnë me zërin e kumbueshëm të Fan Nolit gjatë shërbesave, në ceremonitë përkujtimore, në ditët e festave kombëtare, në celebrimin e martesave, në pagëzimet e fëmijëve, në përshpirtjet mortore e të tjera. Ja pse në katedrale vijnë pjesëmarrës të brezave të ndryshm të mërgatës: pjesëtarë të brezit të vjetër, ardhur në shekullin e 20-të, pjesëtarë të brezit të dytë e të tretë, lindur këtu në SHBA, si dhe emigrantët e rinj ardhur kohëve të fundit.

Në historinë e saj, kisha ortodokse shqiptare, e krijuar nga Fan Noli, nën kujdesin e tij, hapi klasat e shkollës shqipe qysh para 100 vjetëve. At Liolini, pasues i Fan Nolit, e ka vazhduar këtë traditë dhe për një kohë të gjatë ka qenë drejtues i shkollës shqipe për mësimet që zhvilloheshin në katedrale. At Arturi, jo vetëm si fetar, por edhe si aktivist shembullor i mërgatës, me energjinë dhe përkushtimin e tij, e ka kthyer katedralen e Shën Gjergjit në një qendër kulturore të komunitetit, në një institucion kombëtar, me pjesëmarrje të shumë shqiptaro-amerikanëve pa dallin etnie dhe besimi fetar. Është për t’u lavdëruar gjithashtu mirësjellja e At Arturit për të ftuar në kishë edhe besimtarët joshqiptarë. Ai pohon: Shumica e pjesëmarrësve në kishë janë shqiptarë, por një pjesë tjetër janë joshqiptarë që na duan dhe janë një pjesë e pandarë e grigjës sonë. Edhe ky është një trashëgim i Nolit kosmopolitan.

Mjediset kuqezi të katedrales, duke filluar që nga flamuri shqiptar në altar e deri tek qilimat e kuq me motive të shembëlltyrës së shqiponjës dykrerëshe, qirinjtë e kuq dhe vështrimi i ngrohtë nga ikonat e pikturuara nga ikonografë shqiptarë, e kanë kthyer këtë tempull fetar në një shtëpi mikpritëse shqiptare.

Pyetje: I nderuar At Artur, keni shkruar e ligjëruar për dekada të tëra, jo vetëm në drejtimin fetar, por dhe në atë historik, kulturor dhe patriotik. Pas dy vjetësh presim të festojmë 100-vjetorin e pavarësisë. Në kryekishën tuaj është bërë traditë festimi, lutjet dhe bekimi i kësaj dite të madhe, tashmë për një shekull në Boston, në kryeqytetin e mërgimtarëve. Si e shikoni historikisht këtë datë?

At Arturi: Në ligjëratën time për Ditën e Flamurit kam përmendur se shpallja e pavarësisë më 28 Nentor 1912, e vuri popullin shqiptar përpara një prove të madhe. Nga vullkani ballkanik i atyre kohëve, lindi një shtet i ri, i cili u përpoq të qeveriste një komb të lashtë, që, fatkeqësisht, ishte i brishtë në shumë aspekte kryesore. Strukturat politike kombëtare ishin akoma të paformuara, arti i qeverisjes ishte i pazhvilluar, nuk ekzistonte arkivi kombëtar. Kufijtë ishin një burim grindjesh, dhe njohja e kombit në arenën ndërkombëtare debatohej me zjarr në kryeqytetet e huaja. Shkollimi në gjuhën amtare ishte mohuar prej shekujsh, burimet letrare dhe historike ishin te pakta, ndarjet fetare dhe ekzistenca e klaneve nxiste mbështetjen e traditave dhe aleancave lokale, e ardhmja ekonomike ishte e përcaktuar me modele arkaike dhe metoda të vjetruara.

Pyetje: I nderuar At Artur, sipas filozofisë suaj, cili ka qenë roli i figurave të njohura shqiptare pas ngjarjes së pavarësisë?

At Arturi: Ajo kohë kërkonte nga të gjithë një aftësi krijuese dhe shumellojshmëri qëndrimesh për ta transformuar gjendjen e trashëguar drejt virtyteve të qytetërimit, pra, drejt qëllimit për dije, siç vazhdon edhe sot.

Këto ishin problemet me të cilat u ndesh udhëheqja e re dhe qytetaria shqiptare në përpjekjet e tyre për të farkëtuar një shtet të unifikuar. Megjithatë, pavarësisht nga pengesat, njerëz të shquar dhe krijues u kalitën në vështiresitë historike, ku mbijetuan për të ëndërruar, planifikuar dhe përgatitur një të ardhme më të mirë për veten e tyre, për pasardhësit dhe për brezat që do të vinin.

"Pa vizion, populli bëhet i shfrenuar" e përmend Bibla~Dhjata e Vjeter: "Fjalet e Urta" kap 29: vjersha 18.

Pyetje: I nderuar At, ju jeni rritur dhe edukuar në Amerikë. Cili është opinioni i të huajve për Shqipërinë?

At Arturi: Një botues i shquar, dikur shkroi një sërë artikujsh, që me të drejtë i titulloi: "Shqipëria: një komb në krizë të vazhdueshme." Në to, ai rrëfeu përpjekjet e pareshtura të popullit tonë fisnik drejt pavarësisë, provat e mëdha që kaloi dhe mjerimet e shumta që ai hoqi gjatë kësaj sage. Siç shihet, duke kapërcyer shumë vështirësi në atë rrugë të mundimshme - disa pengesa rridhnin nga faktorë të jashtëm, të tjerat nga faktorë të brendshëm - populli shqiptar dhe veçanërisht rinia vazhduan të aspironin për një të ardhme të shëndetshme për veten e tyre dhe për atdheun e tyre.

Pyetje: Po për sot?

At Arturi: Edhe sot Shqipërisë vazhdojnë t'i dalin dhe i duhet të kapercejë shumë sfida joshjeje në përpjekjet e saj për një qeveri të balancuar dhe të stabilizuar. Të gjithë e dimë se pa një kushtetutë të mirëformuar nuk mund të përparojë një shtet. Nga arkivi i SHBA-së dimë se nismëtarët e Kuvendit Kushtetutues Amerikan kishin ndërmend jo të sotmen, por të ardhmen, deri larg, tutje. Duke mejtuar ashtu, ata ndihmuan edhe kohën e tyre. Ka një mësim në të: Ai që mbjell vetëm për nesër, nuk do të korrë asgjë; ai që përgatitet për të ardhmen, do të trashëgojë shumë. Rrugë e përshtatshme kjo edhe për shtetin shqiptar sot.

Pyetje: I nderuar At Artur, imami shqiptar i Waterbury-t, në Konektikat, zoti Gazmend Aga, gjatë një interviste më dha edhe lutjen që bëhet në xhami për të kujtuar Ditën e Flamurit. Po jap dy radhë nga kjo lutje: O Zoti ynë të na shtosh vëllazërinë dhe respektin për njeritjetrin. Bëje flamurin tonë të bukur kuqezi të valëvitet gjithmonë i lirë dhe krenarë. Përfytyroj se në lutjet për flamurin e ka themelin edhe toleranca fetare në Shqipëri, e cila është një tipar dallues i njohur tashmë në gjithë botën. Si janë lidhjet e katedrales suaj me liderët e tri feve të tjera?

At Arturi: Lidhjet fetare, domethënë ekumenike, kanë qenë në thelb të formimit të faltoreve tona- pa dallim feje- midis besimtarëve ortodoksë, myslimanë, katolikë dhe bektashianë që në fillim të shekullit të 20-të. Këtë traditë e kemi trashëguar nga marrëdhëniet e ngushta, më të mirat dhe të respektueshmet mes Imzot Fan Nolit, Imam Vehbi Ismailit, Baba Rexhepit dhe Monsignor Zef Oroshit, duke mos harruar At Gjergj Fishtën, i cili bëri një udhëtim në Boston, në vitet e Rilindasve.

Edhe sot, me këtl frymë kombëtare, të gjithë besimtarët dhe udhëheqësit e tyre bashkëpunojnë ngushtë për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe liritë njerëzore të garantuara prej vendimeve ndërkombëtare. Gjithësesi, autoritetet fetare të sotme në SHBA kanë vendosur të mos hyjnë krejt në fushën e politikës. Sa i vështirë mund të jetë ky qëndrim personalisht, sepse ata e shohin të papërshtatshme një ndërhyrje të tillë në kohën e sotme. Edhe sikur liderët e tjerë që jetojnë jashtë vendit tonë, në perëndim, mund të kapërcejnë kufijtë midis politikës dhe besimit, ne këtu në SHBA jemi tepër të rezervuar. Në këtë kontekst qëndrimi kryesor për çdo klerik është të ndërtojë e të mbrojë marrëdhënie sa më të mira e toleruese midis besimtarëve të konfesioneve të ndryshme.

Pyetje: I nderuar Atë, kam parë besimtarë myslimanë në shërbesat tuaja të zakonshme në katedrale. 

At Arturi: -Sot për sot nuk ndodhen në Boston ose në Massaçusetts klerikë ose faltore shqiptare të fesë katolike ose myslimane. Kështu, për t’iu përgjigjur nevojave shpirtërore, kemi qenl gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar bashkatdhetarët pa dallim feje. Të njëjtën detyrë shpirtërore bëjnë reciprokisht edhe klerikët e tjerë aty ku banojnë shqiptarët.

Në kishë dhe në xhami, lutjet e besimtarëve janë të sinqerta. Nëpër klube dhe kafenera, seminare dhe fakultete universitare, debatohet me intensitet. Megjithatë, ky është një

popull që vazhdon të luftojë dhe të shpresojë, të frymëzojë dhe të ëndërrojë.

Pyetje: Së fundi, i përndershmi At Artur, le të dëgjojmë lutjen tuaj në katedralen e Shën Gjergjit.

At Arturi: Në këtë jetë mbi tokë, ne i lutemi Zotit që përpjekjet e së kaluarës dhe vështirësitë e sotme të kthehen në mundësira për njohuri, reformim dhe rilindje në ditët që do të vijnë. Historia na ka mësuar se është në dorën tonë që të ndërtojmë ose të shkatërrojmë. Le të zgjedhim të parën si rrugë për të ardhmen, me ndihmën e Perëndisë.

Këto ditë, kur ne mblidhemi për të kujtuar atë kohë të shkuar lavdie, sakrifice dhe nderi, është e nevojshme që të vizitojmë ndërgjegjen tonë dhe të ringjallim në shpirtin tonë ndjenjat për një Shqipëri të përtëritur dhe kreshnike, që të meritoj punën dhe djersën e atyre burrave e grave që besuan në gjeneratat e ardhme.

Lusim Zotin që të jemi të gjithë të denjë për këto detyra të larta.

Ju faleminderit.

 

Boston, nëntor 2010, Botoi DIELLI



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora