E shtune, 27.04.2024, 04:56 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Ukaj: Poezi e dhembjes dhe mallit për atdheun

E diele, 28.11.2010, 08:48 PM


Poezi e dhembjes dhe mallit për atdheun

 

Nga Ndue Ukaj

 

Letërsia shqipe, e cila krijohet në diasporë, përbën një dimension me rëndësi, brendapërbrenda korpusit të letërsisë shqipe, përgjithësisht. Mbase, ashtu siç e kam thënë edhe në një kontekst tjetër, letërsia shqipe e cila kultivohet jashtë hapësirave shqiptare, që në terminologjinë letrare zakonisht emërtohet si letërsi e krijuar në diasporë, tanimë, në kulturën e shkrimit shqip përbën një fenomen me rëndësi letrare dhe kulturore. Kjo letërsi, me trajtat e veçanta dhe diskursin specifik, përçon dukuri dhe tema specifike letrare, ashtu sikurse edhe mesazhe që bartin peshën e rënd të mungesës së atdheut, të kësaj Itake të shenjtë, në shtegtim të së cilës gjenden përherë krijuesit të kudo ndodhur. Prandaj, është pikërisht kjo Itakë, e cila bëhet muzë frymëzimi për shumë shkrimtarë ane e kënd rruzullit. Dhe sidomos për ata që janë jashtë saj, për ata që e kërkojnë atë, siç janë poetët shqiptarë të shpërndarë nëpër botë. Këndejpari, këtë letërsi e karakterizon një përvojë e dyfishtë, ajo e të jetuarit jashtë atdheut, jetë kjo që i bën krijuesit gjithherë të gjenden në shtegtim drejtë Itakës, me reminishenca, evokime; dhe tjetra, dhembje që përbën malli për rikthim në origjinë-dhembje kjo e cila është e përjetshme dhe universale. Nga ky korpus sasior dhe cilësor letrar, kemi një sërë autorësh që tanimë kanë bërë emër në letrat shqipe dhe e pasurojnë atë, sikundër në planin poetik, po ashtu edhe në atë tematik. Zaten, letërsia shqipe përgjatë gjitha fazave të zhvillimit të saj, ka pasur një hallkë shumë të rëndësishëm, letërsinë e krijuar në diasporë, prej së cilës kanë dal emrat eminente të saj që ndrisin panteonin e letërsisë shqipe.

 

Tipologjia e poezisë së Bashës

Autori i përmbledhjes me poezi “Zjarri në duart e mija”, Remzi Basha është njëri nga emrat e shumtë, i cili e kultivon letërsinë shqipe në diasporë, respektivisht në Suedi, ku është edhe anëtar i shoqatës së shkrimtarëve në rrethin ku jeton. Ky autorë, e shkruan me pasion poezinë, mirëpo edhe prozën dhe publicistikën. Njëherësh, ai njihet edhe si aktivist i çështjes shqiptare, në Skandinavi.

 

Ky poet dhe shkrimtar, autorë i disa vëllimeve poetike, bashkautorë i një romani, anëtar i shoqatës së shkrimtarëve në Suedi, vjen para lexuesit shqiptar me timbrin e një poezi që përshkohet fund e krye, nga një pasion i fuqishëm për atdheun. Në këtë aspekt, poezia e tij komunikon një gjendje specifike letrare dhe estetike, që buron dhe ngjizet nga konteksti kohor dhe kulturor ku subjekti krijues bënë pjesë.  Për t’u bërë, shpeshherë edhe pasqyrim i kohës së tij, i tallazeve të shqetësuara të njeriut të kohës së tij, të subjektit krijues, i cili në tallazet e jetës, sfidon kohët dhe të këqijat me poezi.

 Poezia e Remiz Bashës motivohet nga malli dhe dashuria për Atdheun, dy tema të fuqishme, që bëhen strumbullar paradigmatik i kësaj poezie. Si të këtilla, këto dy komponente të pandashme, janë si dy mushkri që i japin frymë një trupi. Në të vërtetë, këto dy koomponente etno-nacionale, brendapërbrenda poetikë së tij shfaqen herë si dhembje e herë si dashuri. Së pari, tematika dominamte poezisë së Bashës është ajo e dhembjes, e dhembje ngase atdheu i subjektit krijues kishte fatin tragjik nëpër histori, duke kaluar nëpër kalvare të mëdha, ndërsa së dyti, atëherë kur shfaqet si dashuri, motivohet nga shpirti i fuqishëm kombëtar, sepse poetit atdheu i jep nderë, me qëndresën, me personalitet e shumta,  të kalitura në rrugëtimet e atdheut, që për atdhe flijohen në altarin e lirisë.

Poezia e Remzi Bashës është e shkruar me dufin e shpirtit të trazuar, prandaj ajo shquhet për emocionalitetin shpërthyes, madje shpeshherë edhe në përmasa tragjiciteti. Autori pasionin për poezinë e ka të thundruar në shpirt, i vlon nëpër vargjet e tij, vargjet të cilat janë të mbushur a me dhembje e lot, mirëpo triumfalisht ngadhënjen e mira, sepse vetëm libri i poezisë është ai ku urrejtja mungon, shprehet autori të poezia, Libri i poezisë. Në fakt, i gjithë libri i tij është një grishje, një thirrje, një kërkim për të bukurën, e cila shëmbëllen më librin e poezisë, ku urrejtja nuk ka vend.

Kësisoj, duke lexuar poezinë  e Bashës, lexuesi gjen dufin e fuqishëm të autorit, i  cili shpreh me përkushtim dashurinë për atdheun dhe gjeografin e tij të ndare, për vendlindjen dhe mallin e pashuar që shkakton jeta prej mërgimtari. Në realitet, poeti dashurinë për këto përbërës të poezisë së tij e ka të madh, do të thosha një lloj dashurie që shkon deri në adhurim për atdheun dhe historinë e tij, për vendlindjen e tij dhe heronjtë e tij, me të cilat topika identifikohet poezia e tij fuqishëm dhe përcakton statusin letrar e ideor. Në këtë aspekt, poezitë për Kosovën, për Shqipërinë, për heronjtë e shumtë,  për  Nënë Tërezën dhe ato për Çamërinë, përbëjnë një gamë tematike në vete me tipare specifike dhe trajta poetike specifike ideore. Poezia e Bashës evokon kohët, kujtimet, për t’iu dhënë timbrin e artit poetik. Kështu përshembull në poezinë “Kujtimet”, poeti shpërfaq besimin e patundur se kujtimet në poezi marrin frymë dhe bëhen jetë, sepse: “Nuk vdesin/ Janë vragë/ I pikturon koha/ I gurëzon poezi”.

Poeti Remzi Basha vargun e ka të kondensuar. Në fakt, vargu i tij është kryesisht i shkurtër, nganjëherë i konstruktuar me rimë dhe ritëm të brendshëm, sipas shëmbëllimit të poezisë lirike tradicionale shqipe. Poezinë e tij e zotërojnë figurat e krahasimit, të cilat janë ambientale, marrin jetë nga gjallesa shqiptare, nga imazhet e kohës dhe hapësirës për rreth tij dhe shpeshherë përkojnë me imazhet e natyrës, ashtu sikurse është gjendja poetike e autorit. Siç e thash, krahasimet e zotërojnë stilistikën e vargjeve, ndërsa ritmi poetik, nganjëherë i formës tradicionale, siç thotë edhe studiuesi Fatmir Tereziu e ofron poezinë e tij me lirikën tradicionale shqiptare, e cila kryesisht është e tipit lirik. Në fakt, lirizmi i poetit është shumë i fuqishëm, aq sa me të drejt në vlerësimin e tij Riza Lahi thotë se poeti i shkruan vendlindjes së tij si një adoleshent që ka rënë në dashuri. Këtë mund të gjejmë të gjejmë në gjithë poezinë e tij, e shembull domethënës paraqitet te  poezia “Stina e dhembjeve”, ku poeti  këndon me hovet e shpirtit plotë pasion mungesën e atdheut: Epo çdo kohë ka dhembjet e veta/ Veç kjo e imja s’ka kalim/ Në kalendarët e pikëlluar.

Poezia e Bashës shpreh tërë dufin e njeriut të dashuruar për poezinë, prej së cilës shkreptijnë magjitë e fjalës poetike, magjitë e shkrimit, që i perceptojnë dhembshurisht vetëm poetët. Nëpër netët e zeza, ku vetmia të sfilit në rrethin e pafundmë të dhembjeve, poeti Basha këndon se Vetëm poetët/ Që shohin agun lëngshëm/ Atë agun e bardhë/ Pa ëndrra/ Pa gjumë/ Ata janë gjallë/ Me dhimbjet e përhershme” (Poezia, Natë). Këto vargje të bukura, asociojnë një gjendje të tendosur frymëzimi, ku poeti me muzën e tij të frymëzimit, me magjinë e vargjeve dhe figurave, sfidon dhembjet e përhershme, ato dhembje që në trajtat më dramatike i përjetojnë poetët, këta orakuj të botës, që këndojnë zjarrin e brendshëm në mënyrën e tyre të veçantë.

Në fakt, duke lexuar poezinë e Remzi Bashës, mund të vërejmë se shtegtimi lirikë, drejtë Itakës së munguar të autorit, nëpër të cilën ndërfutën sentimente, ndjenja dhe perceptime të gjithfarshme, bëhet lajtmotiv përshkues i kësaj poezie, që endet fund e krye në gjithë poezinë e tij. Në fakt, është pikërisht ky motivim dhe kjo topikë letrare që e bënë këtë poezi specifike, në kohë dhe hapësirë, si një tipar tematik që determinon edhe kodet e ligjërimit dhe diskursin lirikë. Poezia e Bashës korrespondon fuqishëm me dhembjet nacionale, prandaj bëhet pikturim i tyre, në forma e perceptime të ndryshme. Prandaj, vargjet dominante të kësaj poezie, ndërtojnë relacione me dhembjen e njeriut që ka humbur Itakën, apo jeta prej emigranti e sfilit, sikur del, me nuanca dramatike, në poezinë Larg teje, ku nëpërmjet krahasimeve dhe vargjeve lakonike, jepet imazhi i një dhembje, përmasat e së cilës janë universale, janë të tejkohëshme, janë drithëmuese. Subjekti krijues, shënjon kohën në shtegtim drejtë Itakës, me figura të gjetura dhe trajta adapte stilistike, siç janë vjeshta, ikja e zogjve, etj, që korrespondojnë fuqishëm me gjendjen e tij të brendshme subjektive:

Netët po ikin ngadalë/ Përbirohen mes syve të mijë/ Po ikin edhe zogjtë/ Po ikin pakthim/ Tashmë jam bërë vjeshtë/ Po me bien dhe gjethet/ Dhe shirat më rrahin/ Si për inat/ Gurët më digjen/ Rreh e rrotull meje/ Asnjë farë mendimi/ Shpresën nuk ma zgjat/ Kur jam larg teje.”

 Kjo largësi fizike, bëhet edhe shenjë e shënjues letrare. Dhe si e tillë, lëvizë në poezi dhe bëhet shenjë e motivueshme poetike, sepse poetit i mungojnë atdheu dhe liria, kësisoj në vargun e tij shpërthen me tërë hovin e shpirtit, pasioni për këto dy dashuri, që shtresohen në poezi, në variante e forma të ndryshme, si komponentë të shpirti të apasionuar për jetën, lirinë, dashurinë dhe atdheun. Për ta sforcuar diskursin lirikë, i cili shpërthen hovshëm, poeti pëlcet me dhembjen e tij, mirëpo ajo është një pëlcitje që sjell shkëndijat e një poezie rrezatuese, ku emocioni është i latuar poetikisht, sikur del te poezia e bukur Epitaf:

“Asgjë nuk kërkoj nga Ti/ Jeta ime prej poezie/ Ti more gjithçka/ E më le zhveshur/ Me vargjet dhe metaforat”. Në një rrugëtim poetik, ku dhembja ka peshën e saj prej guri, autori ka vargjet dhe metaforat për ta sfiduar atë, për ta goditur atë, pse jo edhe për të qetësuar tallazet e shpirtit të tronditur. Dhe këtë më së miri, poeti e bënë kur gjen shëmbëllim me vendlindjen, këtë topikë tematike që të implikon reminishencën letrare për prehjen që gjen Odiseu vetëm pas kthimit në Itakë. Njësoj shpërthen shpirti lirik i Remzi Bashës. Ai është det i trazuar, që prehet qetësisht vetëm në vendlindje, ku mëngjesit kanë trajtë magjike dhe ku fjala ka peshën e saj të duhur. Këtë ilustrim poetik e gjejmë tek poezia  Zemra ime”  dhe vargjet “Vetëm kur vij tek ti/ Vërej si zbardhen mëngjeset/ Si shfaqen mbrëmjet/ E si bie hëna në lumë/ Njëmend je me e dashur se zemra”. Gjithë këtë prehje e gjen një mërgimtarë i përjetshëm, me kupolën e mallit mbi kokë dhe duart e lidhura me pasione që i shpërthejnë krahas kohës dhe sfidave të saj. Prandaj, jeta e tij e gurëzuar vrojton botën, e sidomos atë shqiptare, shqetësohet me të, këndon me të, trishtohet me të dhe dashuron me të. Për këtë arsye, madje as Guri në poezinë e tij  Nuk është më i fortë/ Se ishte balli/ i babait tim/ që i shoshiti shekujt.” (Poezia Gur). Dhembje e subjektit krijues karshi jetës që sillet vërdallë tij, jetës prej mërgimtari, është pakrahasimisht e dhimbshme, prandaj shpërthen në vargje poetike të fuqishme, sepse subjekti krijues vrapon pas vendit të tij, si një uragan: “Veç për fat/ Nuk jam çmendur/ Nga dhembja e pafund/  E dija mirë se dashuria ime/ Do të fluturojë mes reshë/ Që të vijë në prehrin tënd” (Në tokën e huaj).

E thamë se tipar karakterizues, apo lajtmotiv poetik i poezisë së Bashës, është atdheu, i kënduar në disa variante, si dhembje, si dashuri, si përkushtim, si ëndërr, si nevojë për prehje, si ngushëllim, emocione këto që bëhen komunikim poetik dhe estetik. Nëpër këtë univers, prej ku merr frymë dhe shpirt poezia e Bashës, ai shtegton me vargje te tij, të cilat përcjellin dramën kombëtare. Këtë tipar poetik, autori i konsolidon fuqishëm në poezinë  “Dëshmori në bronz”, apo në poezinë e gjatë në disa variante “Kosovë, kënga ime!”

 

Përveç tematikës së gjerë të atdheut, të fatit të emigrantit, të këndimit të heronjve, një tjetër veçori e poezisë së Bashës, është poezia meditative-refleksive, ajo poezi që  përsiat për Zotin, metafizikën, fenomenin e jetës dhe vdekjes, dashurisë dhe dhembjet universale, nën substratin e së cilës autori shkruan poezi për relacionet e njeriut me dashurinë, për nënë, babën, për fëmijët, kohët që ikin, për vitet e tretura, për zjarrin e pashuar që ka për kthimin në vendlindje, etj. Në këtë dimension, vëzhgimet poetike të Bashës janë tejet humane, ku etika e vargut korrespondon thellë me kërkesat autoriale për altruizëm, për atë lloj të dashurisë që kërkon të shuaj urrejtjen e njeriut, në kohët e të cilit ai ka ngritur kokë, prandaj ai kërkon largimin e urrejtjes, në fakt, ai kërkon dashuri, siç del realizuar në poezinë Pa dashuri”, ku stigmatizimi i poetit për ata që vrasin dashurinë, është i madh, është i pamëshirshëm, është sfidues. Madje, poeti nuk heziton t’i quaj ujq: “Unë nuk dua të të ndërroj/ Kështu në jetë të jam qepur/ Dhe duke të dashur Ty/ Me shekuj s’kam fjetur/ Mendoja, pa dashur/ Mos bëhem ujk/ A djalli zi”. Apo, në trajtat tjera filozofike, del kështu: Kush do të mbijetojë?/ Një ditë si të humbur/ Ulim kokat/ Pa pyetur për fituesit”. (Vitet ikin).

 

Përfundim

Përmbledhja poetike “ Zjarri në duart e mija”, e autorit Remzi Basha vjen para lexuesit shqiptar me karakteristikat e saj tematike dhe letrare, që gjallon brenda një konteksti specifik kulturor dhe kështu ajo përçon gjendjen e tij, me tërë përmasat e saj të hovshme, duke flakur trishtimin dhe duke glorifikuar bukuritë e jetës dhe të vendlindjes. Në këtë aspekt, kjo poezi krijon lexuesin e kënaqësive (Roland Barti), atë lexues që kërkon të bukurën si mesazh dhe si tekst poetik. Poezia e Bashës është poezi e brumosur nga dhembja dhe dashuria për Atdheun, nga kujtesa historike si motivi funksional dhe i përhershëm i kësaj poezie, që transfiguron në vargje lirike copëza emocionesh për atdheun e shkallmuar, për atdheun e lirë, për atdheun si mall, për atdheun si nevojë për prehje, etj. Ndërsa filozofia e tij poetike është humane, përcjell mesazhe të bukura të dashurisë, të bukurisë që ofron jeta, dashuria, filozofia dhe arti, duke sfiduar urrejtjen, siç e paraqet bukur në poezinë “Uratë”, në të cilën kemi të paraqitur një shpirt të dëlir poetik, që do të shkrihet në duart e Zotit, “atje ku lumturia s’ka fund”, prej të cilit kërkon frymëzim për të luftuar urrejtjen. Ky koncepcion etikë për artin dhe kulturën, e bënë poezinë e tij një shtresë të fuqishme ku filozofia e jetës dhe e poezisë ecën paralelisht me etikën dhe përçon mesazhe të tilla.

 Përgjithësisht, poezia e Remzi Bashës përcjell mesazhe të bukura, madje poeti shkon deri në atë masë sa përkushtohet para dashurisë, si ndjenjën më sublime të njerëzimit. Mirëpo, dhembja poetin asnjëherë nuk e moleps, përkundrazi, në poezinë “Kutia e zezë” ajo sfidohet, nëpërmjet funksionalizmit të mitit për Pandorën: “Në të parë/ je si Pandora/ në të vërtetë/ nga Ti rrodhën mallkimet/ pikëllimet, tragjeditë/ je e gjallë a ëndërr e tretur/ o nga Ti/ nga ti / vetëm shpresë/ ka mbetur/ e ndryrë thellë/ në një kuti te zezë/ që na rri mbi kokë/ si qiell pritjesh”.

Kjo përmbledhje poetike, bart në vete me mesazhe të bukur poetike, është e shkruar me një frymëzim poetik dhe e karakterizon ritmi dhe rima e bukur poetike. Libri është e përpiluar nga krijimtaria e gjertanishme e autorit në fushën e poezisë dhe si e tillë, është një prurje e mirë për letërsinë shqipe që krijohet në diasporë, është një prurje e mirë për poezinë shqipe në përgjithësi.

 

(Ky tekst është shkruar si parathënie e librit në fjalë)



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora