E shtune, 27.04.2024, 12:03 AM (GMT+1)

Editorial

Kastriot Frasheri: “Rreziku Anglo-Amerikan për Shqipërinë” fiksacion i mendjeve të fantaksura që përfaqëson B. Fevziu

E diele, 30.12.2007, 12:46 PM


“Rreziku Anglo-Amerikan për Shqipërinë” fiksacion i mendjeve të fantaksura që përfaqëson B. Fevziu       
 
Nga Kastriot FRASHERI*

Kastriot Frasheri
Nuk është hera e parë që marr penën për të mbrojtur të vërtetën që përçudnohet çdo ditë e më tepër nga ata që, për hir të misionit apo profesionit të tyre, kanë për detyrë themelore përçimin e mëtejshëm të kulturës, vlerave dhe moralit në shoqëri.Përballja me këta njerëz, “opinionistë” klanesh apo interesash, sigurisht që është e vështirë. Armata e tyre sot po shtohet dita-ditës. Edhe pse problematika që kam trajtuar është e domosdoshme për konsolidimin e parimeve demokratike të zhvillimit të shoqërisë dhe institucioneve në Shqipëri. Në shumë raste kam menduar se nuk kam lënë shije të mirë tek lexuesi me shkrimet që kam përciellë, edhe pse gjithmonë kam ndjerë të kundërtën nga njerëzit në rrugë, të njohur apo jo. Shkaku i rradhës është përshtypja e hidhur që më la para disa ditësh (të enjte) Blendi Fevziu me “Opinion”-in e tij. Sigurisht që emisionet prestigjoze të çdo kanali TV-je, tërheqin vëmendjen e publikut dhe të adhuruesve të shumtë të ekranit, ato tejkalojnë kufijtë gjeografikë të një vendi, duke u shtrirë në mbarë qytetërimin botëror. Po çfarë rrezatonte emisioni i mbrëmshëm i Fevziut? Asgjë?!... Anonçuar me pompozitet të madh ditë më parë, madje në kundërshtim me etikën e gazetarisë edhe në edicionet kryesore informative të këtij kanali që pretendon se është prestigjoz, zoti Fevziu me një gjuhë që të kujtonte kohën e aksioneve dhe nismave të dikurshme komuniste nën titullin “Pse dështuan Anglo-Amerikanët”, në “Opinion” në TV-Klan, rrekej t’u tregonte (në fakt rikujtonte) shqiptarëve lavdinë dhe arritjet e ish-sigurimit famëkeq të shtetit përballë armiqve të Shqipërisë. Për çdokënd që ka ndjekur këtë emision ka kuptuar se do të jetë ndonjë lapsus, më pas ndonjë lajthitje, por kur kalonin minutat përgjatë gjithë emisionit, pothuajse të gjithë kujtuan se personazhi ynë “opinionist”, sapo ishte kthyer nga Myzeqeja për të treguar bëmat dhe përrallat e njohura me sigurimsa dhe diversantë.
Në praktikën e përditshme, kudo që kemi shkuar në vendet e qytetëruara, një emision televiziv përveç anës edukative dhe informative, duhet të dëshmojë patjetër qëllimin si një përpjekje serioze, jo vetëm për të njohur historinë, një realitet, një periudhë, madje më shumë se anët e errëta të një periudhe tragjike për shqiptarët, atë të regjimit komunist, por ky emision edhe këtë rradhë tregoi më së miri se nuk synonte të hedhë dritë mbi një aspekt të rëndësishëm të luftës dhe propogandës së ashpër së klikës komuniste për të mbajtur me çdo kusht pushtetin.
Është e papranueshme që ky gazetar i mërzitshëm, i quajtur Blendi Fevziu, nostalgjitë e tij për regjimin e kaluar dhe të atyre që përfaqëson ti shpallë si triumf të sojit të tyre. Me pasionin e një të marri gjatë gjithë këtij emisioni ai nuk pushoi së evidentuari në “zbulimin” e tij të radhës “rolin” e zyrtarëve të lartë të qeverisë britanike dhe CIA-s amerikane për destabilizimin e Shqipërisë. Nuk ëshë faji ynë që ky adoleshent i kohëve moderne termat dhe përpjekjet për zvëndësimin e regjimit komunist i cilëson si përpjekje për destabilizim të Shqipërisë. Ndoshta nuk ka faj! Vjen me “mundime” nga Myzeqeja..., kjo i ka humbur ekulibrin mbase përgjithmonë edhe pse pretendon se kryen studime, duke dëshmuar amatorizëm dhe mosnjohje të historisë, sepse, më tej, në këtë dokumentar cilëson “Mbret” një njeri që ishte deligjitimuar për mëse 10 vjet më parë. I njohur si turkoshak me formim të cunguar intelektual Blendi ynë me një zell të padëgjuar më parë, përsëriste dhe evidentonte pa pushim dështimin e dytë të anglo-amerikanëve për destabilizimin e këtij vendi?! Zoti Fevziu duhet ta dijë se Britania e Madhe nuk ka dështuar, por ajo me politikat e saj ka krijuar stabilitet në Shqipëri dhe Ballkan. Për të kuptuar më mirë rëndësinë e këtyre përpjekjeve dhe evoluimin e këtyre marrëdhënieve në zhvillime më të gjera, do të dëshiroja të paraqes në vëmendjen tuaj, një retrospektive të shkurtër të qëndrimit britanik në marrëdhënit midis dy vendeve tona.
Pas Luftës së Parë Botërore, Britania e Madhe ishte e interesuar të ruante çfarë ajo kishte fituar gjatë luftës. Kjo mund të arrihej vetëm duke ruajtur gjendjen e status quos në marrëdheniet ndërkombëtare dhe duke shmangur influencen e një fuqie të vetme në Europë. Një nga rajonet më problematike ishte Ballkani ku interesat konfliktuale përballeshin me njëra-tjetrën. Shqipëria ishte një vend i vogël ku përplasja e interesave të mëdha të fqinjëve ishte e vazhdueshme. Jugosllavia dhe Greqia kishin ambicie territoriale në Shqiperi, Italia e dëshironte Shqipërinë si një pikë të fortë për të ndërhyrë në Ballkan dhe më tej. Duke qenë një vend i vogël dhe i dobët, Shqipëria lehtësisht mund të bëhej viktimë e njërit nga tre fqinjët e saj.
Britania e Madhe e kuptoi që për të ruajtur stabilitetin ne Ballkan ishte e nevojshme të kishte një Shqipëri të pavarur dhe një qeveri të fortë për të përballuar agresivitetin e fqinjëve. Meqënëse Konferenca e Parisit 1919 demostroi që nuk mund të arrihej konsensusi midis interesave të fqinjëve në Shqipëri edhe po të sakrifikohej territori i Shqipërisë së vitit 1913, dhe të gjendur përballë protestave të shumta të shqiptarëve që kërkonin mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë të vitit 1913, diplomacia britanike e ndryshoi mënyrën e saj të së vepruarit. Tani e tutje ajo do të ishte në favor të një Shqipërie të pavarur brenda kufijve te vitit 1913. Meqënëse kjo ishte në kontrakditë me interesat italiane në Shqipëri, Londra nuk paraqitej si përkrahëse direkte e interesave të Shqipërisë, por vepronte në mënyra të ndryshme që Shqipëria të kishte një qeveri kombëtare të aftë për të mbrojtur interesat e saj pa u përfshirë në problemet e brendshme shqiptare. Britania e Madhe përkrahu dhe kontribuoi në organizimin e Kongresit të Lushnjës në janar 1920, një ngjarje që prodhoi qeverinë e parë kombëtare në Shqipëri. Pas kësaj, Londra në një mënyrë indirekte përkrahu kërkesën e qeverisë shqiptare për t’u bërë anëtare e Lidhjes së Kombeve. Duke pasur përkrahjen britanike në prapaskenë, Shqipëria u pranua si anëtare e Lidhjes së Kombeve në dhjetor 1920. Pas kësaj Britania e Madhe pati një kontribut të madh në formulimin e Deklaratës së 9 nëntorit 1921 për Shqipërinë në Konferencën e Ambasadorëve. Deklarata njihte shtetin shqiptar dhe kufijtë e vitit 1913 me disa rektifikime të vogla. Italia kërkoi që në këtë Deklaratë të përmendej fakti që në qoftë se Shqipëria nuk do të ishte e aftë që të menaxhonte pavarësisinë e saj, atëhere Italia kishte të drejtë të ndërhynte për të rivendosur pavarësinë e humbur. Me qellim që ta shmangte këtë sa më shumë që të ishte e mundur, Britania e Madhe këmbënguli që në këtë Deklaratë të përmendej në çdo rast Shqipëria duhej t’i drejtohej për ndihmë Lidhjes së Kombeve dhe kjo e fundit të merrte vendim për një mandat të Italisë në Shqipëri, ose jo. Ky akt, falë mbështetjes dashamirëse të qeverisë britanike, ishte një ndryshim i madh për të ardhmen Shqipërisë. Menjëherë pas vendimit të 9 Nëntorit 1921, Britania e Madhe informoi qeverinë shqiptare se Londra e kishte njohur qeverinë e saj dhe dërgoi në Shqipëri përfaqësuesin e saj të parë zyrtar, Harry Eyres si Ministër Fuqiplote. Kjo hapi rrugën për shtetet e tjera për të njohur zyrtarisht qeverinë shqiptare dhe për të vendosur marrëdhënie diplomatike me shtetin shqiptar.
Përfaqësuesit britanikë kanë qenë gjithmonë këshilltarët më të mirë e më të afërt të qeverisë shqiptare. Sidoqoftë, duhet të themi se Britania e Madhe nuk mund të sakrifikonte bashkëpunimin e saj me Italinë në rajonet e tjera të interesave të tyre të përbashkëta për shkak të Shqipërisë. Prezenca britanike në Shqipëri ishte aktive deri në vitet 1927-1928 kur Ahmet Zogu firmosi Traktatin e Dytë të Tiranës me Italinë fashiste. Nën presionin italian, diplomacia britanike e la Shqipërinë në fatin e saj. Nga kjo kohë e në vazhdim, përfaqësuesit britanikë ishin më shumë vëzhgues të zhvillimeve politike në Shqipëri sesa diplomatë aktivë. Kjo do të thoshte që Shqipëria u zhyt pothuajse plotësisht nën influencën italiane. Britanikët e pranuan këtë fakt meqë Italia pretendonte se kishte investuar shumë në Shqipëri dhe tani ajo duhej të mbronte investimet e saj. Kjo ishte katastrofike për fatet e Shqipërisë dhe çoi në pushtimin e saj nga Italia fashiste më 7 prill 1939. Por përpjekjet për stabilitet dhe shpëtimin të Shqipërisë, Mbretëria e Bashkuar i vazhdoi edhe në vitet e Luftës së II-të Botërore, ku është i njohur botërisht fakti mbi rolin e padiskutueshëm të misioneve ushtarake angleze që përfaqësonin dhe kryesonin aleatët, që çuan në çlirimin e vendit nga pushtuesit dhe nuk ëshë faji i tyre, për mënyrën e ndërtimit në të ardhmen të marrdhënive diplomatike midis dy vendeve tona. Nga një vështrim i shkurtër i këtyre marrëdhënieve nuk mund të mos kuptosh se përmes kërkimesh dhe burimesh të shumta arkivore tregohet qartë se si strategjia e marrdhënieve të bashkëpunimit midis dy vendeve tona, luhatej midis minimumit të depërtimit ekonomik dhe maksimumit të inteferimit politik, në një nga periudhat më të tensionuara të përtej dy luftrave botërore që kalonte Ballkani dhe Europa. Por Fevziut nuk i interesojnë hallet e këtij vendi të shumëvuajtur. Me spektaklet e shumta në shërbim të çdo padroni në fron ai identifikohet për herë e më shumë si një prej atyre të cilët punojnë për rënimin dhe mbajtjen e këtij vendi në errësirë. Ai ëndërrat me armiqtë e Shqipërisë i sheh tek “imperialistët” fund e krye globit. Po çfarë të keqe ka këtu që në këtë emision, larg qoftë të kishe pak pushtet, i shpalle luftë këtij boshti, vetëm e vetëm se pas 18 vjet pluralizëm (edhe pse herë pas here realizon “Dossier” në “Klan-TV”) arrite të mësosh më së fundi disa nga përpjekjet e shumta të Britanisë dhe Amerikës për ndryshimin e regjimit politik. Po çfarë të bënin këto vende lidere që drejtojnë qytetërimin botëror ta linin Shqipërinë në fatin e vet të zi? Çfarë faj kanë këta ndaj provokacioneve të regjimit? Po incidenti me minat në Korfuz me anijet britanike, që gati nuk shkaktoj një luftë të re? Po e ardhmja dhe fati i mëtejshëm i këtij vendi që vërtitej sa brigjeve të Azisë ashtu dhe stepave Sovjetike, duke u larguar dhe izoluar përherë e më shumë nga Europa, së cilës i përket? Po të drejtat dhe liritë e njeriut që shkeleshin dhe nëpërkëmbeshin çdo vit e më shumë nga ky regjim bunker me burgje dhe “demokraci popullore”? Për të gjithë është i njohur fakti se vitet 1945-1950 ishin një periudhe kohe që vetë Europa ishte e trazuar dhe po përjetonte ndarjet dhe sfidat me të cilat përballej shoqëria për shkak të lindjes dhe konfliktit të ashpër për krijimin e traktateve ushtarake. Janë këto pyetje e të tjera që domosdo duhet të ishin pjesë e llogjikës së atij emisioni për të kuptuar drejt vlerën dhe rëndësinë e përpjekjeve anglo-amerikane për formatimin dhe begatimin e një Shqipërie me frymë europiane. Por tipave si Blendi Fevziu nuk u intereson ky akt, kundrejt qëllimit me çdo kusht të pasurimit financiar të tyre nëpërmjet gjobave mediatike dhe sponsorizimeve marramendëse që sigurojnë, sepse këta vazhdojnë ende të tallen me jetën e atyre njerëzve të mjerë, të atyre personaliteteve të historisë, kulturës dhe politikës të cilët edhe pse në ekzil besonin dhe bashkuan idetë dhe fuqitë e tyre për zvëndësimin e atij regjimi për një jetë më të mirë të familjeve dhe bashkatdhetarëve të tyre, përpjekje të cilat kursesi nuk mund të quhen përpjekje për destabilizim apo pushtim të Shqipërisë.
Por Blendi Fevziut dhe atyre që u shërben nuk u pëlqejnë këto realitete. Ai është rritur dhe mësuar që me klientelizmin dhe me këto “zbulime”, që shet në këto vite të karrierës së tij të dështur gazetareske të duket interesant. Kush e ka ndjekur atë emision nuk mund të harrojë lehtë tonin sesi Fevziu demaskonte anglo-amerikanët. Dokumentari i tij nuk ndryshonte shumë nga kronikat dhe dokumentarët që prodhonte propaganda e regjimit të kaluar komunist për të demaskuar imperializmin amerikan. Ç’është kjo fobi e Blendit kundër boshtit anglo-amerikan? Gojë të liga japin versione të ndryshme për këtë... Disa të tjerë shkojnë më tej në tregimet e tyre me lloj-lloj anektodash se Blendi Fevziu refuzoi të shkonte në dasmën e motrës në USA para disa muajsh, vetëm e vetëm se ëndëronte të takonte presidentin George W. Bush gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Mos vallë këtu fillon antiamerikanizmi i Fevziut?! Me të drejtë lind pyetja: Kush ia siguron Blendit këtë akses të pakufizuar informacioni në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), në arkivin e Televizionit Publik, etj., për të prodhuar skenarë destabilizues që vijnë në kundërshtim me interesat tona kombëtare? A paguhen sipas ligjit këto institucione, nga Fevziu dhe Televizioni “Klan” për marrjen dhe shfrytëzimin e këtyre materialeve filmike? Për këto probleme sesi vepron mekanizmi i vjedhjes barbare të këtyre pasurive arkivore kombëtare le të merren institucionet kompetente.
Qarqe të ndryshme intelektuale, jo ato të emëruarat e “Klan”-it, që vegjetojnë nëpër tavolinat e kafeve të Rogner apo Sheraton-it, të cilat i shërbejnë për plotësimin e dekorit të emisioneve të tij vizitohen shpesh nga Fevziu, herë me kollare e herë si hienë, për të realizuar butaforinë e tij televizive, shprehën habinë e tyre mbi masovizmin e këtij njeriu. Për çdo kënd sot palaçollëqet e Fevziut shërbejnë vetëm si zbavitje për atë minorancë të vogël të mbetur nga armata e nostalgjikëve të dikurshëm, të cilët falë këtij frymëzimi klanist duartrokasin sukseset e tyre në këtë moment historik të kombit ku dora e ngrohtë anglo-amerikane ndihet më shumë se kurrë në mbarë hapësirat dhe zemrat shqiptare. *Drejtor, Instituti i Çështjeve Kombëtare 

*Drejtor, Instituti i Çështjeve Kombëtare



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora