E premte, 26.04.2024, 12:46 PM (GMT+1)

Faleminderit

Begzad Baliu: Profesor Shefki Sejdiu, romanist, ballkanalog, linguist

E hene, 22.11.2010, 10:56 PM


Ju prezantojmë

 

PROFESOR SHEFKI SEJDIU, ROMANIST, BALLKANOLOG, LINGUIST

 

Nga Begzad BALIU

 

Shefki Sejdiu u lind më 8.6.1936 në Albonë (ish-Pakashticë), Komuna e Besianës (ish-Podujevës), Kosovë. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, Progjimnazin në Besianë, Shkollën Normale në Prishtinë (1956), Filologjinë romane në Shkup (1962) dhe studimet pasuniversitare –Linguistikën e përgjithshme me përqëndrim të vaçantë në linguistikë romane, në Zagreb (1975), ku edhe u doktorua me temën «Formalna i semanti?ka podudaranja u denominacionim postupcima u fitonimiji romanskih jezika s albanskom i hervatskoserpskom fitonimijom».(1985) Përkimet formale dhe semantike në proceset emërtuese në fitoniminë e gjuhëve romane me fitoniminë shqipe dhe kroatoserbe.

Ishte mësues në rrethinën e Kumanovës (1956-1957), profesor i frëngjishtes dhe i latinishtes në Gjimnazin e Podujevës (1961- 1967) dhe në Gjimnazin e Prishtinës (1967-1972). Prej vitit 1972 është ligjërues, docent (1985) dhe profesor ordinar (1991) i Historisë së gjuhës frënge me frëngjishte të vjetër dhe i latinishtes pranë Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Frënge të Fakultetit (Filozofik) Filologjik të Universitetit të Prishtinës.

Ka mbajtur ligjërata si profesor i ftuar në disa institucione shkencore: në Universitetin e Sofjes (1987) dhe në atë të Veliko Tërnovo-s të Bullgarisë (1987), në Universitetin e Zagrebit (1990), në Qerthullin linguistik të Zagrebit (1990) dhe në Universitetin e Elbasanit (2000). është anëtar i disa asociacioneve shkencore: Është anëtar i Asociacionit të Profesorëve Universitarë për të Drejtat e Njeriut me seli në Cape Town (1988) dhe të Asociacionit të Ballkanistikës dhe të Sllavistikës të Rumanisë (1991). Me qëllim hulumtimi dhe thellimi të njohurive teorike qëndroi disa herë për specializim në shumë institucione shkencore të Ballkanit dhe të Evropës. Në Universitetin e Grenoble-it (1985); në Universitetin e Parisit (École des Hautes Etudes, Sorbonne III, IV) ku gjatë dy viteve universitare (1971/72 dhe 1974/75), ka përcjellë ligjëratat dhe ka ndjekur mësimet nga Gjuhësia e Përgjithëshme (dhe aksiologjia) te Andre Martinet, nga Indoevropistika (hetitishtja dhe italikishtja) te M. Bader dhe Michel Lejeune, nga Linguistika romane (frengjishtja e vjetër) te L. Wagner dhe nga semantika dhe linguistika logjike te Bernard Pottier; në Institutin e Linguistikës dhe në Universitetin e Lisbonës (Portugali) hulumtoi dhe studioi çështje të gjuhësisë iberoromane (1978/1979). Njohuri nga ballkanistika mori në Universitetin e Zagrebit, në Institucionet e Bukureshtit (1970, 1973, 1978, 1979, 1982) në atë të Sofjes (1987) dhe në Londër (1995) ku bëri hulumtime në fushë të antropolinguistikës dhe të etimologjisë.  

Profesor Shefki Sejdiu, në komunikimin shkencor përdor (me gojë dhe me shkrim) përveç gjuhës amtare edhe kroatishten dhe frengjishten, kurse literaturën profesionale dhe shkencore e shfrytëzon edhe në latinishte, italishte, portugalishte, spanjolle, rumanishte (dhe katalone, sardishte, retoromanishte), por edhe në anglishte, rusishte, bullgarishte, sllovenishte dhe polonishte.

Profesor Shefki Sejdiu përktheu dhe përshtati tekste të gjuhës frenge për shkollat fillore dhe të mesme dhe recensoi tekste të latinishtes për shkolla të mesme dhe fakultete; është autor edhe i tri studimeve monografike të domenit të onomasiologjisë. Fitonimia shqipe e Kosovës –lënda, ndarja, etimologjia, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1972; Fjalorth etnobotanik i shqipes, Prishtinë 1984; Çështje të onomasiologjisë fitonimike romane dhe ballkanike, Prishtinë, 1989; Sisteme, struktura, raporte (etnolinguistikë),Prishtinë, 2002; Sprova etimologjike, Prishtinë, 2002. Mori pjesë me kumtesa dhe ligjërata në dhjetëra tubime shkencore të mbajtura në Kosovë dhe jashtë saj (Prishtinë, Tiranë, Zagreb, Sofje, Zarë, Elbasan, Tërnovë, Donji Milanovac), si dhe i disa studimeve të karakterit monografik të botuara në revista shkencore.

Është anëtar i Asociacionit të Profesorë Universitar për të Drejtat e Njeriut me seli në Cap Tawn (1988) dhe i Asociacionit të Ballkanistikës dhe të Sllavistikës të Rumanisë (1991).

Për ta ndërtuar veprën e tij autori ka hulumtuar dhe studiuar shumë gjatë marrëdhëniet dhe huazimet leksikore romano-ballkanike në fushë të fitonimisë dhe marrëdhëniet e huazimet leksikore romano-sllavo e shqiptare në truall të shqipes në veçanti. Ai ka sjellë një sintezë të re të huazimeve fitonomike te shqipes. Veçantia e këtij studimi është se e nisë hulumtimin dhe studimin e trashëgimisë jo vetëm kombëtare (të burimit indoevropian dhe të formimeve të brendshme të (proto)shqipës, ballkanike dhe të Evropës Juglindore apo Mediterane. Sipas Sh. Sejdiut, një numër i madh i fitonimeve ka hyrë në (proto)shqipe drejtpërdrejt ose tërthorazi si Komercialwörter, Kulturörter dhe Apothekenwörter, prandaj studimet shqiptare huazimet duhet shikuar nga shumë aspekte: të natyrës, të klimës, të kushteve gjeografike, të raporteve shoqërore-ekonomike etj.

Ka botuar në revistat Gjurmime albanologjike (IAP), Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (Prishtinë), Studime(ASHAK), Folia Onomastica Croatica (Zagreb), Onomastika jugoslavica(Zagreb), Filologjia (Prishtinë) etj.

Për Shefki Sejdiun kanë shkruar: Idriz Ajeti, Radosllav Katiçiq, Rexhep Ismajli, Besim Bokshi, Vijomir Vinja, Shefkije Islamaj, Hasan Muja, Mehmet Halimi, Augustin Kovaqec, Mensur Raifi, Begzad Baliu etj.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora