Editorial
Engjëll Koliqi: Turqia i ka borxhe historike Kosovës
E shtune, 29.12.2007, 11:30 AM
TURQIA I KA BORXHE HISTORIKE KOSOVËS
Është koha t’i kërkohet Qeverisë së Ankarës, që të ndërmjetësojë te autoritetet e Moskës, për zhbllokimin e procesit të pavarësimit të Kosovës, përmes KS të OKB-së. Si hap i parë në këtë drejtim – Turqia duhet njohur dhe pranuar praninë disamilonëshe shqiptare në territorin e vet nacional dhe shqiptarëve atje t’u jepen të drejtat kombëtare që u mungojnë.
Shkruan: Engjëll KOLIQI
Engjëll Koliqi |
Perandoria Osmane nuk bëzante, sepse vetë kishte lejuar këtë kërdi mbi tokat tona, që edhe pse i kishte në administrim, në fakt nuk ishin toka të Turqisë, por ishin toka shqiptare. Në anën tjetër, fuqitë e mëdha të kohës “lanin duart” si Ponc Pilati, duke thënë se Serbia ka bërë spastrim etnik në territoret e Turqisë e Stambolli “nuk ka kërkuar ndihmë” për këtë çështje. Përfaqësuesit tanë, mjerisht, asokohe nuk e kanë pasur aftësinë as mundësinë diplomatike që të ndërmerrnin hapa adekuatë në këtë drejtim. Njësoj ka ndodhur edhe në vitet 1912/1913 me rastin e mvetësimit të Shqipërisë (në të vërtetë vetëm të një pjese të tokave shqiptare) dhe të ndarjes fatkeqe e të lënies të mbi dy të tretat të tokave tona nën administrim të gllabëruesve grekër dhe serbianë. Në fakt, Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912/1913) vetëm që kishte ripërligjur marrëveshjen famëkeqe ruso-turke të vitit 1878. Edhe në atë konferencë u tha se u bë ndarje e territoreve turke, sepse shqiptarët nuk patën fuqinë as aftësinë të argumentojnë para botës se nuk janë turq. Kështu pra, duke shfrytëzuar keqkuptimet, islamizimi i shumicës së shqiptarëve ishte identifikuar me asimilimin, respektivisht turqizimin e tyre.
Gjithashtu, me kartën e turqizimit është luajtur edhe me rastin e hartimit të projektit famëkeq të Çubrilloviqit, për spastrimin e tokave shqiptare nën administrimin e Jugosllavisë. Për realizimin e atij projekti janë bërë marrëveshje turko-jugosllave – edhe me kralevinën, edhe me regjimin komunist të Titos. Me zbatimin e këtyre marrëveshjeve, qindëramijëra familje shqiptare janë shpërngulur në Turqi. E keqja më e madhe e të gjitha këtyre kombinimeve famëkëqija është se ata në Turqi nuk kanë shkuar si shqiptarë, por si turq, duke qenë kështu të privuar nga të gjitha të drejtat kombëtare. Duke pasur parasysh këto marrëveshje turko-jugosllave, nuk kemi pasur kurrëfarë të drejtash për t’i kërkuar të drejtat për shkollim në gjuhën amtare (shqipe) dhe për kultivimin e kulturës shqiptare, edhe pse atje sot jetojnë miliona shqiptarë.
Edhe tash, kur në Turqi në kuadër të reformave demokratike, pakicat kanë fituar të drejtat e tyre kombëtare, ndërkaq shqiptarët kanë mbetur jashtë këtij procesi, sepse kanë shkuar si turq e jo si shqiptarë, por edhe çdo fëmi që lind në familjet shqiptare regjistrohet si turk e jo si shqiptar. Pra, miliona shqiptarë në Turqi nuk kanë kurrfarë dokumenti zyrtar, me të cilin do të mund të deklaroheshin shqiptarë. Kështu – mjerisht – si turq që figurojnë në të gjithë dokumentacionin e tyre, ata kurrë nuk do të kenë të drejtë që Qeverisë së Turqisë t’i kërkojnë të drejta kombëtare, të përkatësisë së tyre origjinale – shqiptare.
Duke pasur parasysh të gjitha këto që u thanë më lartë, e sidomos marrëveshjet famëkëqija, që Perandoria Osmane e më vonë Turqia ka bërë me Rusinë dhe me ish Jugosllavinë, në dëm të shqiptarëve, institucionet shtetërore të Kosovës (Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca), duhet të kërkojnë nga Qeveria e Turqisë në Ankara, që me akt zyrtar t’i shpall të pavlefshme, respektivisht t’i anullojë këto marrëveshje dhe përfundimisht të njohë identitetin kombëtar të miliona shqiptarëve që jetojnë në Turqi, duke u dhënë atyre të drejtat që u takojnë, me konventat ndërkombëtare. Njëkohësisht autoriteteve turke duhet kërkuar, që urgjentisht të ndikojnë – me tërë autoritetin dhe fuqinë diplomatike që kanë, te autoritetet e Kremlinit në Moskë, që t’i detyrojnë ata të heqin dorë nga bllokada e paligjshme, që Putin me kompani po i bën procesit të pavarësimit nga Serbia dhe të vendosjes së sovranitetit të shtetit të Kosovës. Janë shumë rrethana, që autoriteteve të Turqisë u japin instrumente, me argumente diplomatike, për të ndihmuar në këtë drejtim. Pa hezituar, as pa friguar fare, autoritetet e Prishtinës duhet t’ia kërkojnë këto Turqisë, që historikisht i ka shumë borxhe Kosovës dhe përgjithësisht kombit shqiptar.
Nëse Turqia nuk përfill këto kërkesa, atëherë përmes kanaleve diplomatike dhe të drejtësisë ndërkombëtare, duhet parashtruar pyetjet me kërkesat për dëmshpërblimet e luftës dhe të okupimit 535 vjeçar mbi tokat tona, si dhe sqarimin e rrethanave të dhënies së kredisë financiare të vitit 1998, me të cilën Ankaraja zyrtare ia mundësoi kryekriminelit Slobodan Millosheviq financimin e makinerisë së luftës në Kosovë!
Lecco, dhjetor 2007
Komentoni
Artikuj te tjere
Agim Gashi: Nji vizitë per Arbninë
Jeton Kelmendi: Kosova dhe Serbia duhet të njihen si dy shtete te pavarura nga Këshilli i Sigurimit
Ekskluzive - Albert Vataj: Në vend të një kartoline për Vitin e Ri
Agim Gashi: Çka po ndodhë me Shqipninë!?
Mërgim Korça: Dyfytyrësía e Bedri Spahiut sipas kundërthënjeve të tija
Albert Vataj: Mbetin “jetim” fëmijët e mëdhenj të filmit shqip
Ndue Ukaj: Kosova dhe Perëndimi
Agim Gashi: Rapsodi - Nobelistës së parë shqiptare
Këze (Kozeta) Zylo: Ambasadori i Shqipërise në Washington, shkëlqesia e tij z.Sallabanda zhvilloi një takim në Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit
Baki Ymeri: Shqiptarët, Altruizmi dhe Atdhedashuria
Agim Gashi: Këngë për Shukrije Obertincen
Mërgim Korça: Liri Belishova dhe Ramiz Alia, dje dhe sot
Mërgim Korça: Qëndrime tejet nacionaliste në distancë 50 vitesh
Keze (Kozeta) Zylo: Presidenti Amerikan George W. Bush përshëndet Ambasadorin e Shqipërisë...
Kastriot Frashëri: Kanadaja, shansi që s’duhet ta humbasim
Albert Vataj: Beogradi i jep shah pavarësisë së Kosovës
Mërgim Korça: Figura madhore e Hirësisë Tij, Peshkop Iriné Banushit
Ekskluzive - Albert Vataj: Beogradi i jep shah pavarësisë së Kosovës
Mërgim Korça: Rreth Patër Anton Harapit
Shqiptarët etnikë banojnë prej mijëra vjetësh në trojet e tyre