Kulturë
Vullnet Mato: Puthja e sinqertë
E marte, 28.09.2010, 06:51 PM
Vullnet Mato
PUTHJA E SINQERTË
Te puthja e sinqertë,
ku lidhin zemrat të rinjtë,
është hareja dasmore
me kumbim të afërt.
Janë dy unazat
me vezullim të florinjtë,
që u bashkojnë gjakun
dy fiseve të largët.
Te puthja e sinqertë
është varka me dantella,
ku çifti lundron
në liqenin e dashurisë.
Janë çarçafët e bardhë
nderur mbi tela,
që i tregojnë diellit
njollat e lara të virgjërisë...
Te puthja e sinqertë
janë rrezet e mëngjeseve,
tek zgjojnë beben
me erën kulloshtër.
Janë petalet
e buzëqeshjeve të njerëzve,
nga belbëzimet
dhe hapat e para të foshnjës.
Te puthja e sinqertë
janë zërat e familjes së nesërme,
që do popullojnë apartamentin
e vazhdimësisë fisnore.
Është gjerdani me përqafimet
e breznive të përjetshme,
që përcjellin dy buzë
në thithjen e dashurisë njerëzore.
Te puthja e sinqertë,
ku dehen të rinjtë nga gjinia,
dehet dhe rima çapkëne e vargjeve të mia.