E premte, 26.04.2024, 09:07 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Kryeministri italian, 8 orë në Tiranë. Bashkon politikën shqiptare në Pallatin e Brigadave

E merkure, 05.12.2007, 12:09 AM


Prodi: Nxitoni me reformat

VIZITA/ Kryeministri italian, 8 orë në Tiranë. Bashkon politikën shqiptare në Pallatin e Brigadave. Batutat mes Berishës e Ramës

Prodi dhe Berisha
Kryeministri italian, Romano Prodi, gjatë fjalës së tij në Kuvend i ka kujtuar politikës shqiptare se për t‘u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, Shqipëria duhet të realizojë reformat e kërkuara. Në dhjetëvjeçarin e fundit, ka theksuar Prodi, janë bërë shumë dhe padyshim sot Ballkani është më mirë se dje, më i qëndrueshëm, më modern dhe më i zhvilluar, por ende mbetet shumë për të bërë. Duke e përqendruar vëmendjen në Shqipëri, Prodi tha se "për sa i përket Shqipërisë, prioritetet janë të njohura, reforma e sistemit të drejtësisë, lufta ndaj fenomeneve kriminale, një sistem zgjedhor modern. Mbi të gjitha do të duhet t‘u tregohet atyre që akoma kanë dyshime, se vendi di t‘u bëjë ballë zotimeve, si dhe të marrë përgjegjësitë e tij". Prodi ka vlerësuar punën e Kuvendit të Shqipërisë dhe meritën që ky institucion ka bërë për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizimi-Asocimit me BE në qershor 2006. Por, ka shtuar ai, duhet punuar më shumë që t‘u përgjigjeni mosbesuesve me fakte. "Mbi të gjitha është e nevojshme të mos lejojmë kriza të reja në rajon. Ne kemi punuar shumë që rajoni të mbërrijë në pikën ku ndodhet. Më shumë se të tjerët do të hidhëroheshim ne nëse do të kishte hapa prapa", tha Prodi. Duke folur për integrimin, Kryeministri italian ka deklaruar se "temën e sotme, integrimin evropian të Ballkanit perëndimor, Italia e ka shumë për zemër dhe përbën një konstante në veprimtarinë e saj në Evropë". Kërkesa për Evropë, është shprehur kreu i qeverisë italiane në fjalën e tij në Kuvendin shqiptar, është shumë e fortë nga këto anë. "Mjafton të vëzhgosh qytetet, të flasësh me të rinjtë, është pra tejet e rëndësishme që kjo dëshirë për Evropën të mos zhgënjehet. Të mos mbetet peng i politikave jetëshkurtra, të paafta për të vendosur marrëdhëniet mes BE dhe Ballkanit perëndimor në perspektivën e duhur historike dhe kulturore", tha Prodi. Sipas tij, sfida e sotme është të përkthehen në akte dhe veprime konkrete angazhimet që të gjithë ne kemi marrë në Selanik katër vjet më parë. Të mos zhgënjehen shpresat e atyre që në rezultatet e atij samiti panë me të drejtë fillimin e një marrëdhënieje kontraktuale më të thellë mes Brukselit dhe vendeve ballkanike që nuk duhet lihen më dyshime mbi përfundimin e tyre. Brukseli, tha Prodi duhet të bëjë të prekshme menjëherë perspektivën evropiane, si dhe të vendosë bazat për kurorëzimin e saj në kohë sa më të shkurtër. Ndërsa vendet ballkanike, nga ana e tyre duhet të vazhdojnë modernizimin dhe reformat. Ta mbajnë dhe ato fjalën e dhënë dhe angazhimet e marra. Kohëzgjatja e këtij procesi do të varet në shkallë të gjerë edhe nga ritmi i këtyre ndryshimeve. "Kam thënë pikërisht në këtë parlament pesë vite me parë, si kryetar i Komisionit Evropian, tha Prodi, se integrimi evropian nuk do të jetë i plotë deri kur vendet e Ballkanit perëndimor të jenë anëtare të BE-së. E ritheksoj këtë me bindje akoma më të madhe sot si Kryeministër i Italisë. Italia, tha ai, do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj edhe në planin bilateral për të përshpejtuar këtë proces. Gjithashtu, Kryeministri italian ka vlerësuar edhe marrëdhëniet e mira mes dy vendeve fqinje, duke premtuar për vazhdimësinë e tyre. Vlerësime dhe falënderime Kryeministri italian ka marrë edhe nga Kryetarja e Kuvendit shqiptar, Jozefina Topalli, e cila në fjalën e saj ka theksuar se vizita e Kryeministrit italian në Shqipëri është mjaft e rëndësishme dhe domethënëse.

Batutat Berisha-Rama gjatë takimit me Kryeministrin italian

Dy orë pas mesazhit të dhënë nga Kryeministri italian në konferencën për shtyp në Kryeministri për bashkëpunim të politikës shqiptare si kusht për anëtarësimin në NATO dhe në BE, krerët e spektrit të djathtë dhe të majtë janë mbledhur në Pallatin e Brigadave në pritjen e organizuar nga Kryeministri Berisha për nder të Kryeministrit italian, Romano Prodi. Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, ulen në një tavolinë në Pallatin e Brigadave për nder të Kryeministrit Prodi. Në drekën e shtruar për nder të Kryeministrit Prodi kanë qenë të pranishëm të gjithë aleatët e PD-së, përfshi edhe ata të PS-së, përveç kreut të PSD-së, Skënder Gjinushit. Gjatë drekës nuk kanë munguar as batutat e Kryeministrit Berisha në adresë të rivalit të tij politik, Edi Rama. Duke e njohur Kryeministrin Prodi me krerët e politikës shqiptare, Kryeministrit Berisha nuk i kanë munguar as notat e humorit, kur është ndodhur përballë kreut të Partisë Socialiste. "Ky është kryetari i bashkisë së Tiranës dhe po përpiqet të bëhet edhe kryetar i Partisë Socialiste dhe që në të ardhmen aspiron edhe për vendin e Kryeministrit", është shprehur Berisha përballë Prodit dhe Ramës. Ky i fundit ka preferuar t‘i anashkalojë me buzëqeshje batutat e Kryeministrit shqiptar.

Vizita zyrtare e Prodit në Tiranë ka zgjatur rreth 8 orë. Delegacioni italian, i përbërë nga pesë bashkëpunëtorët e Kryeministrit Prodi, është pritur në orën 10.05 në Aeroportin e Rinasit nga ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ambasadori i Shqipërisë në Itali, Llesh Kola, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Gjergj Lezhja, dhe stafi diplomatik italian i akredituar në Tiranë. Katër makinave diplomatike të nisura nga Aeroporti i Rinasit u janë dashur vetëm 25 minuta për të mbërritur në godinën e Kryeministrisë dhe janë pritur në ambientet jashtë saj nga kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, i cili e ka konsideruar homologun e tij italian si "mik i madh shqiptarëve, italian i madh dhe evropian i madh".

Pas ceremonisë së mirëseardhjes, dy kryeministrat kanë zhvilluar një takim kokë më kokë në ambientet e brendshme të Kryeministrisë, takim ky që zgjati afro 40 minuta dhe që ishte një nga arsyet që ndryshoi itinerarin e axhendës së Kryeministrit italian. Në orën 11.10 u zhvillua në godinën e Këshillit të Ministrave takimi zyrtar i dy delegacioneve. Delegacioni italian përbëhej nga Kryeministri Romano Prodi, zëdhënësi i qeverisë italiane, Silvio Sircana, drejtori i kabinetit qeveritar, Daniele De Giovanni, këshilltari diplomatik, Ferdinando Gentlini, drejtoresha e informacionit, Sandra Zampa dhe koordinatori i axhendës, Giorgio Marini. Në delegacionin shqiptar ishin të përfshirë edhe tre ministrat e qeverisë shqiptare, Genc Pollo, Genc Ruli, Enkelejd Alibeaj dhe stafi i Kryeministrit. Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë para zhvillimit të konferencës së përbashkët për shtyp, në të cilën u prekën çështje të rëndësishme, si garancia e Italisë për Shqipërinë në NATO dhe BE-së, pavarësia e Kosovës, marrëveshjet e ekstradimit dhe të energjisë, përfshi edhe zgjedhjet më të fundit në Rusi. Ndonëse një orë me vonesë, Kryeministri italian është nisur drejt Parlamentit ku është takuar me Kryetaren e Kuvendit dhe ka mbajtur një fjalim në sallën e Parlamentit. Pasditen e djeshme, Kryeministri Prodi është takuar me liderin e PS-së në një nga lokalet në parkun "Rinia" në Tiranë, më pas është takuar me Presidentin Topi dhe më vonë është nisur drejt ambasadës italiane në Tiranë dhe në orët e fundit të pasdites është nisur drejt Rinasit për t‘i dhënë fund vizitës së tij të pestë në Shqipëri.

Batuta e Berishës

Gjatë drekës nuk kanë munguar as batutat e Kryeministrit Berisha në adresë të rivalit të tij politik, Edi Rama. Duke e njohur Kryeministrin Prodi me krerët e politikës shqiptare, Kryeministrit Berisha nuk i kanë munguar as notat e humorit, kur është ndodhur përballë kreut të Partisë Socialiste. "Ky është kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe po përpiqet të bëhet edhe kryetar i Partisë Socialiste dhe që në të ardhmen aspiron edhe për vendin e Kryeministrit", është shprehur Berisha përballë Prodit dhe Ramës. Ky i fundit ka preferuar t‘i anashkalojë me buzëqeshje batutat e Kryeministrit shqiptar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora