E premte, 15.11.2019, 08:23 AM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Këze Kozeta Zylo: Burgu i Spaçit një dramë çnjerëzore

E enjte, 24.06.2010, 08:59 PM


Burgu i Spaçit një dramë çnjerëzore

 

Nga Këze Kozeta Zylo

 

            Në një restorant komod me pronar z.Kemal Lepenica, në New Jersey u përkujtua 37 vjetori i revoltës së Spaçit, që ka ndodhur, më 21-23 Maj, 1977.

Z.Kemal Lepenica është nipi i trimit sypatrembur, nacionalistit Hysni Lepenica, të cilin Prof. Luzaj në një intervistë dhënë botuesit të gazetës “Illyria”, zotit Bajrami, do ta vlerësonte: “Se vetëm Skënderbeu mund të ketë qenë më trim se ai, dhe se e kam parë me sytë e mi tek ecte në këmbë me pushkë në dorë, ballë për ballë me armikun…”

Z.Kemal Lepenica me një bujari fisnike kishte shtruar për të pranishmit një drekë.  Ai tha se krimet duhen ndëshkuar.  Vuajtjet dhe torturat që kanë hequr të burgosurit nuk duhet të harrohen kurrë.  Shteti duhet të veprojë ligjërisht në mënyrë demokratike, për të vënë në vend figurat e mëdha të nacionalistëve, ku duhet të rishkruhet historia me fakte dhe të vërteta të pamohueshme.

            Edhe pse kanë kaluar pak kohë nga vajtja jonë atje, ka qenë e pamundur të ulesha dhe të shkruaja për atë ditë të dhimbshme dhe për tmerret që shfaqeshin në ekran nëpërmjet filmit dokumentar me titull: “Spaçi, simboli i qëndresës komuniste”, kam qenë totalisht e shokuar, e burgosur, jo fizikisht, por shpirtërisht për çfarë pashë në ekran….

Vetëm një shkrepëtimë e zezë në qiell dhe krisma automatikësh me pamjen e burgut që shfaqeshin në ekran, më dhanë një tronditje jo të pakët.

            Ish i burgosuri Pëllumb Lamaj, të cilit i hodhën hekurat në moshën 19 vjeçare, ka vuajtur 11 vjet ne burgun famëkeq të Spaçit.  Ai është një njeri i kulturuar, orator i shkëlqyer, është ciceroni kryesor i këtij dokumentari me vlera historike, kombëtare dhe më gjerë.  Ai kishte organizuar këtë ditë përkujtimore të konceptuar thjesht, por me mjeshtëri artistike dhe krejtësisht reale duke arritur që në këto 30 minuta të përjetoje një dramë të vërtetë, të tmerrshme, një dramë që të mbërthente fort, fort, dhe s’të lëshonte kurrë!

Të gjithë pjesëmarrësit ishin ish të burgosur të Spaçit, që kishin vuajtur një jetë të tërë burgjeve, internimeve, pushkatimeve, ata kishin parë tmerre me sy nga diktatura e egër komuniste.

            Ata kishin përjetuar një ferr të vërtetë, dhe para syve të mi dukeshin sikur po mbushnin qiellin me plagët e dhimbjes… dhe nga këto plagë do të lindin yje të tjerë, ndoshta ndoshta pak më ndryshe se deri tani, për të ndriçuar botën e territ në vende mbushur me mëkatarë.

Këto përjetime kanë një lloj krejtësisht të vecantë ndjeshmërie, të fusin në një udhë që duket sikur s’del dot, sepse udha është e rrethuar me tela me gjëmba, aty ku lidhën fjalën e lirë, aty ku kryen krimin. 

Para se të shfaqej dokumentari, Z.Lamaj ftoi ish të burgosurit të mbanin një minutë heshtje për ata që u pushkatuan pa gjyq në revoltën e Spaçit. 

Ata janë: Skënder Daja, Dervish Bejko, Pal Zefi, Hajri Pashai, heronj që u ngritën kundër diktaturës.  Para tyre me radhë shihja kumtin e përgjakur, hi amanetesh, gjurmët e krimit në kafka njerëzish…

Pamjet rrënqethëse nga burgu i Spacit të përpinin përmes zgavrave të djallit dhe s’të hiqnin nga thonjtë e vdekjes së zezë, unë si një shikuese tmerrohesha, aq sa së brendshmi thoshja: “Nuk mundem më, jo, nuk mundem t’i shikoj”…!

Në këtë takim ishin dhjetëra e dhjetëra të burgosur të cilët folën për tmerret që kishin pare me sy.  Në intervistat e ndryshme dhënë TV Alba Life, ata kujtonin me dhimbje çfare kishin parë me sytë e tyre dhe çfarë kishin ndjerë në trupat e rrahur nga goditjet e pamëshirshme të kamzhikut të diktaturës.

            Tepër e shokuar kam mbetur nga intervista e z.Rajmond Sejko birit të Teme Sejkos, ish kundëradmiralit të Flotës Luftarake-Detare, Gjeneral-majorit sypatrembur, i cili u pushkatua nga regjimi mizor i Enver Hoxhës. 

Ai pohoi se e kishin arrestuar ditën që i kishte vdekur nëna.  O Zot, m’u mor goja, nuk mundesha më të vazhdoja pyetjet për intervistën…

Z.Sejko fliste me urtësi dhe mënçuri dhe në fund falënderoi Zotin që i kishte dhënë tre fëmijë dhe bashkëshorten e mrekullueshme.  Ai me lot ne sy tha se, djalit ia kishte vënë emrin e babait Teme, njerës vajzë emrin e nënës, Shpresa, dhe vajzës tjetër emrin e gjyshes që e kishte shoqëruar kudo në burgje e internime.

Ndërsa z.Vilson Zeka një njeri tepër fisnik, nga Gjirokastra tha: “se ne kërkojmë drejtësinë, nuk kërkojmë hakmarrje, kërkojmë që këto viktima të komunizmit të vihen në piedestalin e Lirisë, në vendin që u takon të gjithë martirëve që sakrifikuan jetën e tyre për Atdheun”.

Edhe vëllezërit Luarasi, (Mujo) Eqeremi, Novruzi dhe Fatmiri kishin qënë të internuar familjarisht që nga qershori i vitit 1945.  Ata ishin liruar më 8 Nëntor 1989, ku siç pohuan ata perkonte me ditën e zezë të shiqptarëve.

Nëna e tyre vdiq në kampin e Çermës në Lushnjë, më 1980.

Babai i tyre ishte sekretar i Safet Butkës.  ndërsa vëllai, Eqeremi më shkruajti në bllokun e shënimeve të mia këto fjale:  “ Jetë me vuajtje pa mbarim, jetë pa kuptim.  Por, jemi gjallë”…

Z.Viliam Bregasi kujtoi para kamerave vitet e tmerrshme të burgut i cili kishte vuajtur për 19 vjet.  Ai kishte ardhur së bashku me djalin e tij, një intelektual i integruar me kulturë në Amerikë.  Ai i ishte mirënjohëse familjes së tij dhe bashkëshortes së shenjtë që e kishin pritur me aq mundime dhe halle të panumërta.  Fjala e tij e qetë, e mënçur ashtu siç është gjithe klasa e tij, të bëjnë të mendohesh thellë, ngase është koha për refleksione shpirtërore. Në atë ditë përkujtimore takuam dhe z.Ramazan Turdiu ku regjimi komunist i fshikulloi pa mëshirë trashëgimtarët e familjes së madhe Turdiu. Nacionalisti i shquar z.Turdiu ishte arratisur së bashku me Mehdi Bej Frasherin, më 1944.

            Tepër impresionuese për mua ishte dhe takimi me z.Dine Dine, djalin e ish kryeministrit shqiptar Fiqiri Dine i cili u arratis jashtë vendit, më 1945 i detyruar nga regjimi komunist.  Z.Dine Dine eshte dhëndëri i Dr.Lazer Radit, mbaruar për drejtësi në Itali, profesion që s’e ushtroi kurrë, nga se e burgosën dhe internuan për gjithë jetën.

Në vitin 1945 Fiqiri Dine u arratis jashtë vendit si kundërshtar i regjimit komunist.

Familja e tyre ka bërë me qindra vjet burg…

            Me vëmendje të madhe e dëgjoja dhe z.Nexhip Dauti, i cili e kishte kaluar jetën nëpër burgje, si në Gjirokastër, Berat, Rinas…  Ai tha se kjo ditë duhet të ngelet si nje ditë përkujtimore, një ditë ku të përkujtohen të gjithë ata që u vranë, u dëbuan, internuan, dhe u pushkatuan nga dora gjakatare.

Në këtë takim ishte dhe z.Musa Hoxha i dënuar me 5 vjet në burgun famëkeq të Spacit së bashku me z.Benjamin Cakrani ish të dënuar të regjimit.

Para kamerave foli juristi, ish i burogsuri i ndërgjegjes z.Muharrem Gjydollari i cili aspironte për një drejtësi perëndimore.  Z.Gjydollari kritikoi ashpër qeverinë dhe drejtesinë që akoma nuk po punojnë me ligjet juridike.

Gjithashtu  morën pjesë dhe ish të burgosur të Spacit z.Beniamn Cakrani, Cajup Bejko etj…

Para ekranit në burgun e Spaçit vazhdonin të shfaqeshin fytyra të lodhura, rrugë pa krye, batanie të kalbura, mure të prishura dhe si për ironi të fatit dhe një parullë: "Rroftë Enver Hoxha! - Lavdi Partisë së Punës së Shqipërisë"!

Në këtëdokumentar ishte sjellë pushkatimi i Liri Gegës dhe Dali Ndreut, marrë nga origjinali i  arkivave të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Fotot e të pushkatuarëve që nga Këneta e Maliqit, Kripores së Vlorës, dhe deri tek lirimi i  të burgosurve politikë më 1990 ishin tepër tronditëse.

Si qenie njerëzore ështëe pamundur të mos shtangesh dhe të qëndrosh i ngrirë, si grua lotët të rrjedhin valë-valë.  Krrokamat e portave të ndryshkura të Spaçit në këtë film dokumentar, më shtynin brenda, më mbyllnin pakuptuar, pavetëdije, gati-gati si një vdekëtare.  Ndërsa zërat me rënkimet e nëntokës dhe me shpirtrat e tyre ëngjëllore, luten që të mos përsëritet më kjo dramë çnjerëzore.

Bashkohen me ta edhe zërat e të mbijetuarëve që s’do të shuhen kurrë. 

Dhe mos shuarja e zërit është një lloj pavdekësie, është privilegj që e trashëgon vetëm kjo racë…

 

Qershor, 2010

New York



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Këze Kozeta Zylo: Homazh për Ëngjëllushen Islamike të Lirisë Këze Kozeta Zylo: Poeti që ndërton ura ylberi nga dehja e bukurisë… Shkrimtarja Këze Kozeta Zylo merr "Çertifikatën e Mirënjohjes" për Bamirësi Këze Kozeta Zylo: Qindra shqiptarë të “Anës së Malit”, në Parkun Roosevelt në New York Këze Kozeta Zylo: Kur krijimtaria letrare bëhet pjesë e halleve e gëzimeve të kombit tënd Këze Kozeta Zylo: Loti bie si një tingull kambane, për poetin Ndoc Gjetja Këze Kozeta Zylo: Të vallëzosh me yjet Këze Kozeta Zylo: Mos e pushkatoni fjalën e lirë! Dialog i Kozeta Zylos me poetin Pirro Loli Këze Kozeta Zylo: Toleranca fetare, dhuratë e çmuar e shqiptarëve Këze Kozeta Zylo: Shfaqje e filmit “Requiem for Kosova” në Manhattan Këze Kozeta Zylo: Kandidati për në Kongresin Amerikan, Dibrani Emin Egriu midis nxënësve të shkollës shqipe në New York Këze Kozeta Zylo: Arroganca e politikanëve Nikoleta Kovaçi: Flet gazetarja e radio “Blue Sky”, autore e “Kaleidoskop i letërsisë Shqiptare”, Vera Pelaj Këze Kozeta Zylo: Intervistë me At Arthur Liolin Këze Kozeta Zylo: Kandidati për në Senatin Amerikan, z. DioGuardi midis miqve shqiptarë në Staten Island, New York Këze Kozeta Zylo: Ali Pashë Tepelena, Bonaparti mysliman... Këze Kozeta Zylo: Qindra gra shqiptare në Staten Island, New York, u mblodhën për të festuar festat e 7-8 Marsit Këze Kozeta Zylo: In memoriam, për profesorin elbasanas, Tomorr Domin Këze Kozeta Zylo: Senatore e Diasporës

Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT