E premte, 26.04.2024, 10:17 PM (GMT+1)

Faleminderit

Luan Çipi: Fati i njeriut të ndershëm

E shtune, 29.05.2010, 07:58 PM


FATI I NJERIUT TË NDERSHËM

 

Nga Luan Çipi

 

Kaluan shumë vjet nga koha kur zemra e Refit Hoxhës, mikut tim aq të mirë, nuk rreh më. Trupi i tij, i pajetë, shtrihet nën dhe, në Babicë të Vlorës.

Kur iku Refiti, aq papritur, në prag të pesëdhjetë vjetorit të jetës së tij, unë punoja në Fermën Bujqësore në Llakatund, ndërsa ai, në Kooperativën  e Bashkuar të Novoselës së Vlorës. Ishim dërguar për të ndihmuar fshatin, që ta bënim dhe atë, “të përparuar”, si qytetin.  Sapo ishte kthyer në mbrëmje për të fjetur në shtëpi, në Vlorë. Një atak në zemrën e tij të plagosur, i ndodhur pa ndihmën e parë, aq të domosdoshme në këto raste, se ishte i vetëm, me gruan e tij të paralizuar dhe... kaq ishte jeta e tij.

Kur e mora vesh vdekjen e papritur të Refit Hoxhës, ndjeva aq dhembje të thellë, sikur të ishte im vëlla. Isha mbi dyzet vjeç, por nuk kisha provuar një humbje dhe një dhembje të tillë. Qaja me lot, si i marrë. Lotët nuk më reshtnin as të nesërmen, ditën e varrimit, aq sa, duket, s’iu lashë radhë as vëllezërve të tij të një nëne, që në të vërtetë, e mbanin veten, duke u treguar burra zakoni. Jo vetëm ato ditë, po dhe më pas, sa herë më shkonte mendja te Refiti dhe kjo ndodhte vazhdimisht, kaloja në gjendje të thellë depresioni. Edhe po mos të desha, Refiti, më shfaqej gjithnjë përpara, se rruga për në Llakatund, kalonte midis varrezave të Babicës. Udhëtoja për ditë, në atë rrugë dhe shpesh dy herë në ditë dhe, si në vajtje dhe në kthim, timoni i motoçikletës sime, instinktivisht, kthehej te varri i Fites, ku ndalesha gjatë e sikur bisedoja me bustin e tij të gdhendur mbi qivur. Gjendjen e dëshpërimit ma shtonin dhe kortezhet me të vdekurit e përditshëm, që përcilleshin nga qindra të afërt në banesën e tyre të fundit. Me sa duket, isha në pragun e ndonjë depresioni psikik. Vetëm transferimi në qytetin e Vlorës, dy vjet më vonë, duket se më shpëtoi nga çmendina. Kjo gjendja ime ishte e pavetëdijshme, instiktive dhe që nuk shpjegohet e përligjet, por e vërteta e pamohueshme ishte se nisi, pikërisht, me vdekjen e papritur dhe shumë të parakohshme të Refit Hoxhës, refleks i ndjenjës së dhembjes së madhe dhe i konsideratës së jashtëzakonshme që kisha për të.

Me Refit Hoxhën u njohëm më nga afër në vitet pesëdhjetë, kur ai dhe vëllai im, Enver Çipi, që ishin moshatarë dhe miq të hershëm, vinin për të dhënë provime në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Unë, në fakt, jam moshatar me Zaim Hoxhën, vëllain e vogël të Refitit dhe me të kemi qenë bashkënxënës në shkollën fillore në Vlorë, si dhe bashkëushtar, në Tiranë. Kështu që ca nga Enveri, ca nga Zaimi lidhjet tona ishin fort miqësore e familjare. Miqësia dhe marrëdhëniet e mëtejshme me Refitin vazhduan mbi njëzetë e pesë vjet, duke qenë bashkë si mësues në Shkollën e Mesme Financiare të Mbrëmjes në qytetin e Vlorës, dhe për gati dhjetë vjet si pedagog në Filialin e Fakultetit Ekonomik të UShT Vlorë, ku u bëmë miq shumë të ngushtë dhe konfidencial. Ishte nder i veçantë ta kishe mik Refit Hoxhën. Jo vetëm se për mua ishte më i madh në moshë dhe shumë me përvojë e më i pjekur në jetë e në punë, por, njëkohësisht, fort i ditur dhe shumë i mençur, si dhe me një rreth të gjerë familjar e shoqëror.

Babai i Refitit, Nuro Hoxha, ishte mësues i dëgjuar në të gjithë krahinën. Edhe vëllezërit e tij Qaniu dhe Zaimi ishin burra me peshë. Një kushëri i tij i parë, gjeneral Vehbi Hoxha, ishte dy herë Hero i Popullit dhe konsiderohej si strategu ushtarak më i shquar i kohës.

Refiti ishte shumë i qetë dhe i logjikshëm dhe për çdo gjë jepte këshilla dhe zgjidhje të thjeshta, të drejta dhe praktike. Ishte i papërtuar për gjykimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve, qoftë dhe kur ato ishin me acarime të tejskajshme.

Me atë zërin e trashë prej basi, që sikur e ndjej te veshi gjithnjë, të bindte, me atë logjikën e hekurt, me njohjen dhe njohuritë që kish për çdo gjë, me drejtësinë e tij absolute e të pakompromentueshme, me shembullin moral maksimal, ai sikur të hipnotizonte dhe të bënte në çdo rast për të rënë dakord  me zgjidhjen e tij. Të ishte gjyqtar në organet e drejtësisë, pa dyshim, do të qe një fat për gjithë vendin, se do ishte më i drejti dhe më i miri.

Edhe në punën e tij si financier, shef finance në disa ekonomi të rrethit, ishte model, me njohuri të gjera teorike, që i shtonte vazhdueshëm edhe si pedagog në Filialin e Fakultetit Ekonomik të UShT në Vlorë. Ai kishte arritur përsosmërinë për zgjidhjen e veprimeve praktike kontabile, për të cilat gjithnjë këshillohej me mikun e tij të vjetër Enver Çipin, duke formuar një dyshe financierësh, të vlerësuar në shkallë vendi.

Po, Refit Hoxha, për fatin e tij të keq, nuk arriti dot të ndërtojë një çerdhe të ngrohtë familjare. Ai, në moshë të pjekur u njoh dhe u dashurua, si rrallë kush, me fisniken  e bukur nga qyteti i Vlorës Lumturi Hamzaraj, me të cilën shumë shpejt edhe u martua. Brenda një kohe të shkurtër Lumturisë, shtatzënë, iu krijuan shqetësime serioze shëndetësore, aq sa të vetmen shpresë shpëtimi i thanë se e kishte nëpërmjet provokimit të dështimit të fëmijës. Po edhe kjo nuk e shpëtoi fatkeqen. Dalngadal ajo u paralizua krejt dhe gjymtyrët e poshtme nuk i ndiente fare. Vitet kalonin, pa asnjë përmirësim e shpresë. Edhe perspektiva ishte e pa krye. Ajo ngeli uloke dhe për çdo gjë i shërbente  me devotshmëri, motra e sajë e pandarë e heroike, Silvana, që për të sakrifikojë deri vitet më bukura të rinisë. Edhe në këto çaste të vështira, për asnjë moment Lumes nuk iu nda burri i sajë, gjithnjë besnik, Refit Hoxha.

Vëllezërit dhe motrat e Refitit, më shumë se kushdo tjetër, e shikonin me keqardhje gjendjen e re të krijuar. Ata i qëndruan afër për çdo gjë, por kur i humbën plotësisht shpresat e rehabilitimit, u dëshpëruan edhe më shumë, jo vetëm se vëllai i tyre i mirë ngeli pa një bashkëshorte, me të cilën do të zgjidhte bashkërisht vështirësitë dhe detyrat familjare, por ai ngeli fare pa trashëgimtar, siç ishte një detyrë në jetë, madje u kthye në një shërbëtor i thjesht i ish gruas së tij, me të cilën sipas tyre, tani nuk e lidhte më asnjë detyrim njerëzor, veç atij human. Këtë detyrë, të përkujdesjes për të sëmurën, mendonin ata, mund ta bënte edhe çdo grua e moshuar kundrejt një pagese. Ata arsyetonin se: si nga ana fetare dhe nga ana njerëzore kjo martesë e dështuar duhet të zgjidhet sa më shpejt, kur vëllain e kishin ende të ri, tridhjetë e pesë vjeçar. Me që nuk guxonin të ndërhynin direkt vetë, këtë barrë ma ngarkuan mua, duke pasur parasysh se punonim bashkë në Filial dhe kishim kontakte, ndikim dhe afinitet të dyanshëm. Me që ngulën aq shumë këmbë, në një mbrëmje takimi të zakonshme, nga ato që ne i kishim thuajse të përnatshme, pas mësimdhënies, të ulur me nga një gotë raki para, filluam ta trajtojmë larg e larg këtë temë. Duhet thënë se ai, kohët e fundit e kishte shtuar shumë të pirët dhe shpesh kthehej në shtëpi krejt i dehur. Kjo e rëndonte edhe më shumë gjendjen e tij shëndetësore. Kishte arritur mbipeshë dhe ndiente shqetësime në zemër. Më së fundi, unë ia thashë me shumë ndrojtje mendimin e vëllazërisë së tij Refitit. Ai më dëgjoi me vëmendje, më përqafoi me dashuri dhe me lot në sy, më tha:

-I dashur Luan! Të kuptoj plotësisht. E kuptoj dhe tolerancën fetare dhe që kjo është sipas logjikës njerëzore, mandej dhe sipas porosisë së zotit dhe të motrave, vëllezërve dhe të shokëve të mi më të dashur. Po, unë do të të përgjigjem, siç ka thënë Çajupi: Tani që Zoti më mori gruan time, unë as Zotit nuk i besoj. Kjo punë nuk bëhet. Unë do të rri përgjithmonë me Lumen time të shtrenjtë, me shoqen time të mirë dhe fatkeqe. Po të isha unë në gjendjen e saj, ajo nuk do të më ndahej për asnjë çast. Kështu do të bëj dhe unë, deri në vdekje.

Ja, ky ishte Refit Hoxha, një model përsosmërie njerëzore, nga ata që nuk të shlyhen kurrë nga kujtesa gjithë jetës dhe, bash për këtë, mendova ta përshkruaj shkurtazi, në këto pak radhë, që ta rikujtojnë me respekt shokët, miqtë dhe të afërtit e tij dhe ta njohin ata që nuk e kanë pasur këtë fat.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora