E diele, 07.03.2021, 08:26 AM (GMT)

Lajme

Republika e Kosovës rrezikon seriozisht që ta humbë miqësinë e ngushtë me Britaninë e Madhe

E shtune, 27.03.2010, 06:54 PM


Nga Daut Dauti

 

Londër. Republika e Kosovës rrezikon seriozisht që ta humbë miqësinë e ngushtë me Britaninë e Madhe, në rast se Prishtina zyrtare nuk do t’i përmbushë disa nga kushtet që Londra ia ka përmendur ministrit Hyseni gjatë vizitës së tij atje. Burimet e “Zërit” kanë marrë vesh se ministrit Hyseni gjatë takimeve me sekretarin britanik Miliband dhe ministrin për Evropë, Chris Bryant, i është thënë se Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti duhet të reagojë në mënyrë efikase në tri drejtime.

 

Sipas deklaratës zyrtare të Foreign Office-it, Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë hapa konkretë në drejtim luftimit të korrupsionit, përmirësimit të qeverisjes dhe angazhimit serioz në zhvillimin e ekonomisë.

 

Një obligim shtesë, në të cilin britanikët mendojnë se duhet të angazhohet Qeveria e Kosovës, është ruajtja e qetësisë në vend, angazhimi i mëtejmë i përmirësimit të marrëdhënieve me serbët e Kosovës, duke kërkuar që të zgjerohet edhe më tej kujdesi ndaj këtij minoriteti. Në këtë drejtim, David Miliband dhe Chriss Bryant, në deklaratën zyrtare të përbashkët kanë theksuar: “Kemi biseduar për potencialin e diskutimeve mes Kosovës dhe Serbisë në një varg çështjesh të bashkëpunimit praktik”.

 

Ministri Hyseni, duke folur në “The International Institute for Strategic Studies” ka theksuar se interpretimi i kësaj pjese të bisedës nuk ka domethënien e fillimit të sërishëm të bisedimeve me Serbinë lidhur me çështjen e statusit.

 

Zyrtarët britanikë nuk kanë harruar t’ia bëjnë me dije ministrit Hyseni se kushtet e lartpërmendura, apo përparimi në këto fusha, është esencial për jetësimin e aspiratave që ka Kosova në drejtim të Bashkimit Evropian.

 

Në ditën e dytë të vizitës, Skender Hyseni është marrë me angazhimin rreth çështjes së njohjes ndërkombëtare të subjektivitetit shtetëror, i cili është problemi më i madh me të cilin ballafaqohet jo vetëm ministria e tij por edhe tërë Qeveria e Kosovës në këtë fushë. Gjatë ditës së dytë të vizitës (24 mars) ministri Hyseni ka takuar disa ambasadorë dhe diplomatë të akredituar në Londër që përfaqësojnë shtetet të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.

 

Natyrisht, qëllimi i këtyre takimeve është që këto shtete të binden për të njohur pavarësinë e Kosovës. Duhet theksuar se ministri Hyseni shpesh ka pasur takime të këtilla nga të cilat nuk ka rezultuar gati asnjë njohje. Gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se Qeverisë së Kosovës nuk i funksionon ky segment. Prandaj, mbështetja e Kosovës në lobimin të cilin ende janë duke e bërë miqtë e ngushtë anglo-amerikanë mbetet edhe më tutje shpresa më e madhe, dhe e vetmja, për përparim në këtë çështje.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora