E premte, 08.11.2024, 01:45 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Paqja fetare, dhuratë e shqiptarëve Europës

E merkure, 24.02.2010, 06:00 PM


Autori Profesor Giovanni Cimbalo eshte shef i katedrës së të Drejtës Kishtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Bolonjës (Itali), dhe mban kursin e së drejtës kishtare italiane dhe krahasuese në selinë e Ravenës të të njëjtit Fakultet.

Në përgatitje të regjistrimit që do të zhvillohet vitin e ardhshëm i është hapur rrugë diskutimit për përfshirjen e disa pyetjeve, mbi bazën e të cilave do të verifikohet përkatësia fetare e popullsisë. Ka mjaft prej atyre që në mëdyshje, i druhen dhunimit të privatësisë së qytetarëve. 

Një zgjedhje e tillë, do të ndillte mospëlqimin e Komunitetit Europian dhe do ta shtynte vendin drejt një periudhe të historisë së vet kur shteti pretendonte të dinte çdo aspekt të jetës private dhe shoqërore të qytetarëve. Pala tjetër i mëshon idesë se sa e rëndësishme është të kuptohen ndryshimet që ka pësuar përkatësia fetare në vend gjatë këtyre 80 viteve të fundit dhe të hedhë dritë mbi gjendjen e tanishme. 

Regjistrimi i fundit që sjell të dhëna mbi këtë çështje, u përket viteve '30-të, pra politikës së mbretit Zog mbi lirinë e kulteve, që, sidoqoftë, qe më e ndërlikuar nga ç'mund të duket, por që mbështetej mbi një bazë të shëndoshë paraardhëse.

Por, në këtë kundërvënie, shqiptarët dëshmojnë se e lënë mënjanë atë pjesë të historisë që prek këtë çështje, duke nënvlerësuar se ç'mësim mund t'i japin mbarë Europës, edhe sot e kësaj dite, në lidhje me respektimin e lirisë dhe të pavarësisë fetare. 

Mësim nga historia 
Që nga themelimi i tij shteti shqiptar paraqitet si i vetmi me shumicë myslimane në tërë kontinentin europian. 

Ai e ka të nevojshme t'i hapë rrugë vetes me dinjitet mes shteteve të tjera, të formuara edhe këto nga shpërbërja e perandorisë otomane, dhe përpiqet të shmangë kundërvënien fetare mes bashkësive të ndryshme shoqërore. 

E nuhat se përkatësia fetare mund të bëhet shkak i shpërbërjes së shtetit e madje dhe i luftës civile, prandaj duke pasur më për zemër se çdo gjë tjetër bashkimin e shqiptarëve dhe të atdheut të tyre, e trajton me shumë kujdes atë pjesë embrionale të legjislacionet që prek çështjen fetare. 

Kështu, në vitin 1923, si askush tjetër në Europë, vë në zbatim dhënien e statusit të personit juridik për besimet fetare, teksti i plotë i së cilës mund të lexohet në sitin http://licodu.cois.it/albania. Ky paraqet hapin më të përparuar drejt një rruge të gjatë të hartimit të së drejtës europiane, duke dëshmuar të jetë në qendër të debatit për ndërtimin e një shteti modern. 

Një largpamësi e tillë, krahas mençurisë së popullit shqiptar, e ka ndihmuar dhe e ndihmon edhe sot e kësaj dite të ruajë paqen fetare në një territor si ai ballkanik, që ende vazhdon të përçahet e madje të ngrejë armët edhe në emër të përkatësive të ndryshme fetare. 

Njohja e lirisë së organizimit të kulteve 

Dekreti i vitit 1923 mbi besimet fetare, pasi pohon se "Liria e mendimit mbrohet nga artikulli 93, i Statutit të Shtetit Shqiptar të vitit 1922 dhe nga artikujt 1-2 të Statutit të zgjeruar të Lushnjës, të tetorit të vitit 1921", me anë të të cilit konfirmohej vendosja e Regjimit Parlamentar dhe shpallja për herë të parë në historinë e këtij vendi të të Drejtave Themelore të qytetarëve, pohon:

"Çdo degë e Myslimanizmës si Synizma, Bektashizma, Rufaizma, Halvetizma, Kadirizma, Sadizma e tjerat, ashtu dhe çdo degë e Krishtenizmës, si Katolikizma, Orthodhokizma, Protestanizma, si edhe të gjitha degat e çdo feje tjetër, mund të organizohet në nji shoqjat fetare indipendente njana prej tjetrës."

Nuk mund të gjendet një pohim ku të shprehet kaq qartë pluralizmi fetar dhe vetëdija se nuk ka vetëm një linjë të besimit islam, por disa dhe secilës prej tyre shteti i njeh të drejtën të ketë statutet dhe rregullat e veta. E njëjta liri u njihet katolikëve, ortodoksëve, protestantëve etj.

Marrëdhëniet e besimeve shqiptare me qendrat e mëdha fetare jashtë Shqipërisë kanë të bëjnë vetëm me lidhjet shpirtërore dhe dogmatike, por garantohet njëkohësisht liria e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve epistolare.

"Sejcila shoqjat Fetare ose besimtare mundet me pas vetëm lidhje spirituale dogmatike me qendrat e mëdha fetare përjashta Shqipniës. Marrëdhanat edhe letër këmbimet midis tyne mbi këtë landë janë të lira pa no nji pengim nga ana e Qeveris". 

Po ashtu, për të ushtruar detyra fetare parashikohej pasja e shtetësisë shqiptare dhe njohja e gjuhës shqipe, gëzimi i të drejtave shoqërore dhe politike, përkasësia e etnisë shqiptare apo të qenurit bir shqiptari prej tre brezash dhe të mos kesh cënuar pavarësinë e shtetit shqiptar.

Por më e rëndësishmja është njohja e autonomisë së plotë të besimeve fetare, çka e provon citimi në vijim: "Kryetarët e çdo feje dhe çdo besimi zgjidhen mbi bazën e Statuteve të tyre, dhe njihen nga një dekret i lëshuar nga qeveria" dhe, më tej "Çdo shoqatë dhe institut fetar si: xhami, teqe, kishë, manastir etj., njihet si person juridik dhe përfaqësohet sipas rregullave të veta fetare". 

Organizatat e ndryshme të kultit kanë të drejtë të zotërojnë, të blejnë dhe të tjetërsojnë pasurinë e luajtëshme dhe të paluajtëshme dhe të drejtat civile duhet të përshtaten me natyrën e tyre si shoqata me karakter fetar; ata gëzojnë të drejtën e mbarështimit të pasurisë së tyre. 

Shteti ka të drejtë të ushtrojë kontroll mbi mbarështimin e pasurisë dhe mbi bilancin e tyre vjetor, siç parashikohet në një ligj të veçantë për shoqatat.

Çdo shoqatë apo bashkësi besimtarësh apo fetare ka të drejtë të ndërtojë, mbajë, drejtojë dhe kontrollojë me shpenzimet e veta xhami, kisha, teqe, manastire apo vende të tjera lutjeje, ashtu si lidhur me to, varreza etj., si dhe institute bamirësie, të gjitha këto pa kurrfarë pengese apo formaliteti, por duke respektuar ligjin e bashkësisë mbi lejen e ndërtimit".

S'ka si të jetë më e qartë norma që garanton dhe siguron lirinë dhe pavarësinë e plotë të besimeve fetare, në një këndvështrim modern dhe pluralist, sigurisht laik në marrëdhënie me kultet, deri aty sa dekreti na shtyn të njohim pavarësinë e brendshme të besimeve fetare kur pohon: "Shoqatat kanë të drejtë t'u diktojnë dënime disiplinore klerit dhe nëpunësve të vet". 

Mësim për të ardhmen 

Me pak fjalë mund të themi se që nga viti 1923 e drejta civile shqiptare i sheh besimet fetare si shoqëri personash lidhur nga besimi i përbashkët rreth një kulti, që zbatojnë kalendarin përkatës liturgjik, ditët e festive, detyrime agjërimi, kanë shkollat e veta, organizimin e bashkësisë së vet dhe praktikojnë një kult, pra kemi të bëjmë me një person juridik të së drejtës civile.

Sot, që Bashkimit Europian i lind detyra të rregullojë marrëdhëniet e rreth 40 milionë qytetarëve të ardhshëm, të cilët i përkasin hapësirës kulturore të islamit europian, përvoja shqiptare i ofron një dhuratë të çmuar që s'duhet nënvleftësuar. 

Forca e këtyre parimeve qe e tillë që edhe komunizmit iu desh t'i respektonte, duke lejuar lirinë e organizimit të kulteve, deri kur vendosi ta shpallte shtetin ateist. Prandaj do të ishte e mira që Shqipëria t'i zbulonte thesaret e saj dhe t'i vinte në shërbim të botës. 




************
Rregjistrimi fetar, premtimi i Berishës për njeriun-kyç të 'Vorio Epirit'
Arkivi i shtypit shqiptar ka nje date interesante lidhur me rregjistrimin e popullsise me baze etnike dhe fetare. Ne nje interviste me Nikolas Gejxh, njeriun simbol te perpjekjeve greke per Vorio Epirin, thuhet se regjistrimi me baze fene, i eshte premtuar atij (Gejxhit) nga Berisha.
Gejxh dhe Berisha u takuan pas 10 vitesh armiqesi reciproke, me ndermjetesine e ambasades amerikane. Gejxh ishte shpallur nga vete Berisha person non grata ne Shqiperi, por pas takimit Berisha deklaroi: 
"Per hir te se vertetes, ceshtja eshte pak me ndryshe... Do respektohen dhe te garantohen plotesisht standartet nderkombetare te pakicave ne Shqiperi", tha Berisha. 
Kurse Gejxh deklaroi se "Berisha ka ndryshuar dhe se te gjithe ne jete bejme gabime.."

Me poshte intervista e Gejxh nxjerre nga arkiva dhene gazetarit I.Babaramo: 
Kryetari i lobit grek në SHBA pranon se "të gjithë në jetën e tyre bëjnë gabime" në lidhje me marrëdhëniet e tendosura që ka patur me qeverinë shqiptare tetë vjet më parë, kur u shpall dhe "persona non grata" në Shqipëri. Një mbrojtës i flaktë i "çlirimit të Vorio Epirit", Gejxh u shpreh dje në një intervistë të shkurtër për gazetën se "kufijtë e Ballkanit do ndryshojë kur të gjitha vendet e rajonit do integrohen në Evropë". Me konceptin e ndryshimit të kufijve ai thotë se ka parasysh lëvizjen e lirë të njerëzve.

Takimi juaj me Berishën ishte një surprizë. Çfare u tha në atë takim?
Ne diskutuam kryesisisht për të ardhmen e Shqipërisë, si ta përmirësojmë atë, përfshi dhe situatën e minoritetit grek. Ai tha se ishte i vendosur që minoriteti grek dhe minoritetet e tjera të kenë të drejtën për të deklaruar identitetin etnik dhe fetar në një regjistrim të pritshëm. Ne nuk disktuam për të kaluarën, sepse unë mendoj se ishte një keqkuptim prej të cilit të dy kemi nxjerrë mësime. 

Ish-presidentin ju e keni sulmuar për një kohë të gjatë. A keni ndryshuar mendim?
Disa nga qëndrimet e tij në të kaluarën unë i kam kritikuar fort. Por të gjithë ne bëjmë gabime në jetë. Tani ka ndryshime qëndrimesh dhe mua më duhet të pranoj qëndrimet e reja që po thonë. 

Me çfarë merreni tani në Shtetet e Bashkuara?
Shkruaj libra dhe bëj filma.

A vazhdoni të merreni me organizatat e diasporës greke?
Ajo që unë përpiqem të bëj është përmirësimi i të drejtave të minoriteteve në përgjithësi, duke punuar për disa organizata të cilat nuk kanë të bëjë vetëm me minoritetin grek, si për shëmbull në Afrikën e Jugut ose në Rusi gjatë periudhës së regjimit komunist. Detyra ime si shkrimtar është të flas në emër të atyre që nuk kanë mundësi të flasin në emrin e tyre. 

A mendoni se duhet të ndryshojë harta e Ballkanit?
Unë mendoj se e ardhmja e Ballkanit është në Europë. Dhe me hyrjen në Europë gjithçka ndryshon. Ndryshojnë kufijtë. Ndryshon dhe nervoziteti që ka lidhje me kufijtë. Njerëzit do të kenë mundësi të lëvizin lirisht përmes kufijve. Ju jeni i ri, por unë e mbaj mend se para Luftës së Dytë Botërore kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë mund të kalohej pa pasur nevojë për pasaportë, vizë. Banorët e fshtatit tim shkonin në Shqipëri, shqiptarët vinin lirisht në zonën tonë. Nuk kishte asnjë problem. Dhe mendoj se integrimi në Europë do ta bëjë të mundur sërish atë realitet.


*******

Regjistrimi i fundit zyrtar në Shqipëri është bërë në vitin 1979. Të dhënat për këtë regjistrim mund të gjenden në botimet enciklopedike të vitit 1985.

Sipas këtij regjistrimi të 79-ës, në Shqipëri kishte 54.687 vetë me kombësi joshqiptare (që hyjnë tek pakicat kombëtare). Kjo shifër përbënte 2.1 për qind të popullsisë së përgjithshme të asaj kohe.

Ndër ta, 49.037 vetë ishin grekë që banonin kryesisht në krahinat kufitare jugore në Gjirokastër dhe Sarandë; 4.163 ishin sllavë (pjesa kryesore e tyre, ishin maqedonas që në kohën e regjistrimit të 79-ës banonin në zonën e Prespës).

Ish-Kushtetuta e Shqipërisë (ajo që njihet si Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste) në nenin 10 të saj thoshte:

"Pakicave kombëtare në Shqipëri u sigurohet mbrojtja dhe zhvillimi i kulturës dhe traditave popullore, përdorimi i gjuhës amtare dhe mësimi i saj në shkollë, zhvillimi i barabartë në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Çdo privilegj e pabarazi kombëtare dhe çdo veprim që shkel të drejtat e pakicave kombëtare është antikushtetues dhe dënohet sipas ligjit".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora