E premte, 26.04.2024, 01:07 AM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Nata e parë

E shtune, 13.10.2007, 12:07 AM


PYETJE
Doktor,do të martohem së shpejti. I fejuari im dhe unë jemi të dy të virgjër dhe synojmë të jemi kështu deri atë natë. Si mund t’i pakësoj dhembjet e herës së parë dhe të shtoj kënaqësinë e muajit të mjaltit?

PËRGJIGJE:
Pyetja është me shumë rëndësi dhe është shqetësim për të gjithë ata që do të provojnë interkursën seksuale për herë të parë. Edhe lexues të gazetës “Shekulli” më kanë pyetur të shqetësuar për interkursën e parë. Por edhe të tjerë, që ndonëse kanë kohë që bëjnë seks, por nuk kanë arritur akoma të gjejnë kënaqësinë e jetës seksuale, janë gjithashtu të interesuar të dinë për interkursën.

Që të arrihet maksimumi i kënaqësisë nga interkursa seksuale kërkohet një minimum i domosdoshëm dijesh. Në shumë kultura ekziston një “trajnim” interesant. Gra të moshuara të tribusë marrin djemtë e rinj në pubertet individualisht dhe bëjnë me ta interkursë seksuale me të gjitha variacionet dhe implikimet e saj. Burra të moshuar bëjnë të njëjtën gjë me vajzat e reja. Dhënia e njohurive të thella për këtë funksion human e jetësor, konsiderohet si një përgjegjësi serioze dhe trajtohet në mënyrë solemne. Mësuesit janë anëtarët më të mençur dhe më të respektuar të fisit.

Shoqëria jonë moderne është e kujdesshme t’u mësojë njerëzve si të ngasin makinat, por eviton t’u mësojë si t’i përdorin organet e tyre seksuale. Në qoftë se do të harxhohej më pak kohë në fiziologjinë e riprodhimit me ato diagrama të bukura për notimin e spermatozoidëve (gjë që nuk kanë interes njerëzit), dhe të harxhohej më shumë kohë në fiziologjinë e orgazmës (për të cilën janë të interesuar të gjithë), kjo do të ishte një botë e lumtur. Por le të vazhdojmë me përgjigjen.

Nga pyetja jote nuk del e qartë nëse ju të dy keni qenë seksualisht aktivë duke kryer extrakursë, masturbim reciprok, seks oral, ose seks anal dhe pyetni specifikisht për interkursën vaginale, apo nuk keni bërë asgjë prej tyre? Sido që të jetë le të flasim për ato gjëra që të sapomartuarit duhet të dinë për “natën e parë “, ose “herën e parë”.

Disa ditë para martesës ju duhet të krijoni kushte që të ndjeheni mirë emocionalisht dhe fizikisht për atë ditë të shënuar, nga e cila duhet të ruani kujtime të paharruara. Flini mjaftueshëm, ndonëse edhe gjërat që kanë mbetur për minutën e fundit kërkojnë përpjekje jo të vogla.

Ceremonia e martesës mund të jetë raskapitëse për ju të dy. Por ju nuk duhet të lini më shumë se një orë udhëtim me makinë për natën e fundit, që të gjendeni vetëm, larg miqve kuriozë dhe të “bezdisshëm!” Në qoftë se u është dashur të kaloni një ditë martese të lodhshme dhe u duhet që të udhëtoni mbi pesë ose gjashtë orë pasi errësohet, ju jeni bërë për spital dhe jo për një natë të parë të këndshme, të cilën e meritoni.

Le të supozojmë që ju të dy do ta kaloni natën e parë të martesës dhe ndoshta gjithë muajin e mjaltit në hotel, në një vend turistik.

Pasi të keni pushuar dhe të keni ngrënë në restorant, ju do të ktheheni në dhomën e hotelit. Është mirë që atë natë, ose atë pasdite të provoni eksperiencën e parë seksuale. Seksi në martesë nuk bëhet vetëm për riprodhim, por ai është dhe mënyra që ju të dy do t’i shprehni dashurinë njëri-tjetrit. Kur të gjitha fjalët janë thënë, lidhjet e thella emocionale që dalin nga funksionimi dramatik i dy trupave dhe dy shpirtrave mund të jenë mënyra më e mirë për të thënë “ të dua”. Por seksi bëhet dhe për të ndarë me njëri-tjetrin kënaqësinë fizike dhe emocionale që vjen nga eksperienca e plotë seksuale.

Në qoftë se njeri nga ju të dy, ose të dy jeni të rraskapitur, pranojeni këtë dhe prisni deri të nesërmen. Por si shumë të rinj edhe ju jeni të fortë dhe mungesa e gjumit nuk do t’u pengojë të ndjeheni mirë natën e martesës.

Pavarësisht këshillave që mund të keni marrë dhe përgatitjeve që keni bërë, ju si të gjithë çiftet, e keni një ankth të brendshëm dhe një tension disi të çuditshëm.

Bisedoni dhe synoni që të krijoni besimin tek njëri-tjetri. Sigurojeni partnerin se do t’ia falni moskryerjen mirë të detyrave të kësaj nate. Gjërat do t’i përmirësojë koha. Asnjeri nga ju nuk duhet të jetë kritik natën e parë të martesës.

Ambienti të jetë tërësisht privat. Dyert të jenë të mbyllura, perdet të ulura dhe sigurohuni se nuk do të ketë ndërprerje gjatë marrëdhënies seksuale. Këto kanë më shumë rëndësi për ty, sepse gratë e kanë të vështirë të përqëndrohen në stimulimin seksual kur nuk ndihen të sigurta. 
Do të bëni, ose jo banjë natën e parë kjo varet nga ju. Por gjatë gjithë jetës martesore është mirë që ju të dy të bëni banjë para se të bëni seks. “Në jetën seksuale gjatë martesës pastërtia është e dyta, pas besimit tek Zoti,” ka thënë një autor.

Çdo gjë fillon mbarë kur do të zhvishni njëri-tjetrin tërësisht. Në qoftë se ti nuk e ke të lehtë të zhvishesh tërësisht, për këtë nuk ke faj. Shoqëria dhe familja të ka mësuar të jesh e ndrojtur dhe ta mbulosh trupin me tesha. Burri nuk duhet të të detyrojë të zhvishesh kur ti e ke këtë gjë shumë të rëndë. Kjo nuk bëhet duke shtypur butonin “nata e parë”. Është vendi të themi se, sipas studimeve, edhe në vendet e përparuara 20 përqind e nuseve nuk zhvishen në prani të dhëndrit natën e parë të martesës. Nuk ka ndonjë rëndësi të madhe nëse ti do të zhvishesh pas katër ose pesë netësh. Rëndësi ka që dhëndri të kuptojë e të respektojë ndjenjat e tua e të mos sillet kritik me ty po qe se ti heziton. Kur ai respekton ndjenjat e tua gjatë kësaj kohe që ju po përshtateni me njëri-tjetrin, dashuria, respekti dhe devocioni yt për të do të rriten dhe do të forcohen.

Le ta themi edhe një herë, zhveshja është një procedurë normale e natës së parë. Pas zhveshjes është mirë që ju të filloni të bisedoni lirisht, të pyesni dhe t’u përgjigjeni pyetjeve të njëri-tjetrit dhe të kaloni pak kohë duke u kënaqur me trupin e zhveshur të njëri-tjetrit.

Interkursa seksuale vaginale për herën e parë mund të jetë për ju të dy një eksperiencë romantike e kënaqshme, sensuale, e gëzuar dhe pasionante, ashtu siç mund të jetë dhe e ngathët, shqetësuese, jo konforte, e pakëndshme, ose çdo kombinim i këtyre të gjithave. Kjo varet kryesisht nga ju të dy, nga dijenitë tuaja seksuale dhe nga përgatitja psiko-emocionale që keni bërë për natën e parë të martesës.

Kur ju do të jeni gati për eksperiencën e parë seksuale, duhet të përpiqeni ta bëni çdo gjë drejt dhe në mënyrë të plotë. Për të pakësuar çdo shqetësim, ose dhembje dhe për të shtuar kënaqësinë e interkursës së parë, ju duhet t’i jepni njëri-tjetrit kohë për të njohur trupat tuaja dhe të eksitoni njëri-tjetrin seksualisht në mënyrë të plotë, përpara se të filloni penetrimin.

Ti si shumë vajza të tjera, je në ankth për shqetësimet, ose dhembjet e herës së parë. Por jo të gjitha vajzat provojnë dhembje dhe diskonfort, dhe jo të gjitha i ndjejnë këto me të njëjtin intensitet. Njerëzit kanë nivele të ndryshme të tolerancës për dhembjet dhe shqetësimet.

Krijoni dhe ta keni me vete një “shportë të kënaqësisë”, e cila të ketë lubrifikant ujor, kondome (po qe se nuk keni përdorur pilula për kontrollin e lindjes dhe nuk doni të mbeteni shtatzënë tani), një libër me ide për seksin dhe pozicionet seksuale, veshje të brendshme që eksitojnë seksualisht, një libër të zgjedhur erotik, ose një video erotike, një disk me muzikë që u pëlqen dhe i shkon momentit dhe mundësisht një vibrator. Paraloja seksuale duhet të jetë një periudhë e gjatë, në të cilën burri yt duhet ta vërë veten nën kontroll për të mos bërë ejakulacion të parakohshëm, ndërsa ti duhet të stimulohesh dhe eksitohesh deri afër orgazmës. Ky është momenti kur fillon interkursa seksuale. Gjatë interkursës ti duhet të arrish në orgasmë bashkë me burrin, ose menjëherë pas teje edhe burri. Mos e konsideroni këtë një gjë të lehtë. Kjo është një përvojë e vështirë dhe komplekse. Mos prisni që të jeni të suksesshëm në të gjithë procesin, që herën e parë që do ta provoni. 
Ti mund të më pyesësh: “Çfarë probleme mund të ketë dhe çfarë nuk do të shkojë mirë? Shumë gjëra mund të ndodhin. Ju të dy nuk dini akoma mirë si të përdorni kondomin. Ju nuk dini sa eksitim të duhet ty përpara se të filloni interkursën. Burri i ri mund të takojë të jetë nga ata “me shkrepje të shpejtë” dhe mund të “prishet” shumë më shpejt nga sa e mendonit.

Ka shumë gjëra që mund të ndodhin e që mund të të pengojnë të arrish orgazmën në interkursën e parë.

Cilat janë këto gjëra?

-Ti mund të mos jesh eksituar mjaftueshëm përpara se të filloni interkursën
- Ti mund të ndjesh se je e ngushtë dhe ke dhembje kur fillon interkursa, dhe nga dhembjet mund të humbasësh edhe atë eksitim që pate.
- Kur burri do të “prishet” parakohe, ai do ta ndërpresë lojën seksuale dhe eksitimin tënd të mëtejshëm.

E ritheksoj, mos u dekurajoni po qe se eksperienca e parë seksuale nuk është perfekte. Pas çdo përpjekjeje për aktivitet seksual, ju do të mësoni diçka më shumë dhe herën tjetër do ta bëni lojën më mirë. Synoni ta bëni çdo gjë drejt dhe komplet, përfshi interkursën dhe orgazmën, por perfeksionin mund të mos e arrini dot që natën e parë.

Le të përshkruajmë tani interkursën e parë. Këto që do të them janë gjëra të përgjithshme. Por ju të dy keni të drejtën dhe obligimin të jeni krijues dhe pak “aventurierë”. Ju mund të zgjidhni pozicionin që u pëlqen, këtu do të përshkruajmë pozicionin “misionar”(burri sipër), që është më i zakonshmi.

Ti do të shrihesh në shpinë me gjunjë të hapura, me putrat e këmbëve të vendosura plotësisht në dyshek dhe me themrat afër prapanicave të tua. Burri do të shtrihet djathtas teje, me dorën e majtë nën qafën tënde. Siç e kemi thënë edhe më parë, burri ngadalë përkëdhel, bën masazh dhe stimulon të gjitha zonat erotike të trupit tënd. Ai puth buzët dhe gjinjtë e tu. Me duart dhe gishtat e tij eksploron dhe stimulon gjithë trupin tënd, anën e brendshme të kofshëve, buzët dhe hyrjen e vaginës dhe së fundi klitorin. Kjo lojë nuk duhet të jetë një proces mekanik e rutinë. Variacionet janë me shumë vlerë. Dëshirat dhe nevojat e grave janë të ndryshme. Mos e nënvleftësoni rëndësinë dhe domethënien e kësaj periudhe eksitimi. Qëllimi është që burri të të eksitojë deri sa ti të jesh plotësisht gati për interkursë. Varet nga dëshira që ju të dy keni, por eksitimi mund të rritet shumë po qe se ju në këtë moment kaloni në stimulimin seksual oral reciprok, si hapi final përpara shtyrjes së penisit në vaginë. Midis shumë gjërave të tjera, kjo do të bëjë që stimulimi seksual total të arrijë kulmin duke i çuar të gjitha shqisat tuaja në maksimumin e receptivitetit të tyre. Në këtë moment çdo qelizë nervore e juaja do të dërgojë e do të marrë impulse në kapacitetin e saj më ekstrem.

Kur ti do të mendosh se je e eksituar sa duhet, jepi shenjë atij që të fillojë interkursën. Gjatë eksperiencave të para seksuale ti mund të mos dish kur ta njoftosh burrin. Natën e parë të martesës ti nuk do të jesh e sigurt për kohën e duhur. Më vonë, përmes eksperiencës, do të mësosh se kur duhet të njoftosh që je gati për penetrim. Shumë burra të rinj kur janë tepër të eksituar e fillojnë penetrimin para kohe. Mundohu të mos e bëjë këtë gabim edhe burri yt.

Kur ti do të sinjalizosh, burri do të lëvizë dhe do të shkojë poshtë në drejtim të fundit të krevatit. Këmbët e tij është mirë t’i mbështesë tek fundi i krevatit për të ndihmuar lëvizjet e trupit. Kur krevati është pa fund, këshillohet që të ndërroni pozicionin, ta vini kokën nga këmbët dhe këmbët e burrit të mbështeten tek koka e krevatit. Në këtë moment ti do t’i hapësh këmbët dhe gjunjët gjerë. Ai do të lëvizë trupin midis gjunjëve të tua dhe mbi trupin tënd. Pesha e trupit të tij duhet të mos rëndojë mbi ty, por mbi bërrylat dhe gjunjët e tij. Ky është pozicioni më konfort për të dy, sepse mund të lëvizni lirshëm sipas dëshirës. Duhet të themi se në këtë moment niveli i eksitimit tënd mund të bjerë pak. Kjo është diçka që pritet, prandaj nuk duhet të shqetësoheni.

Në interkursën e parë duhet shumë lubrifikant. Përdorni lubrifikantë artificialë dhe burri të penetrojë me shumë kujdes. Penetro pak dhe ndalo për vetëkontroll. Komunikimi me njëri-tjetrin duhet të vazhdojë. Në qoftë se ti ndjen dhembje në penetrimin e parë, eksitimi seksual do të të bjerë edhe më poshtë.

Shqetësimi dhe ankthi për këtë eksperiencë të parë mund ta ulin shumë eksitimin tënd. Pas një pushimi të vogël, burri duhet me kujdes ta lëvizë penisin përpara në vaginë. Kujdes! Jo shumë përpara. Pusho përsëri një moment. Këtë ai duhet ta bëjë për ta vënë veten nën kontroll e të mos “prishet” para kohe. Pas këtij momenti ai duhet të fillojë lëvizjet e penisit para-mbrapa në vaginë. Ky është momenti kur burri duhet të ketë vullnet të hekurt që të ruajë kontrollin e vetes, ndërsa ti duhet ta mbledhësh mendjen dhe të lirohesh nga emocionet. Tani është koha t’i thuash vetes e gëzuar: ”Ja, kjo ishte”, “ kjo është nata e martesës time” e plot të tjera si këto. Ti duhet ta përqëndrosh vëmendjen tek klitori, vagina dhe në ritmin me të cilin lëviz penisi para-mbrapa në vaginën tënde. Mos u shqetëso për burrin. Ai le të bëjë kujdes vetë për veten e tij. Kjo nuk do të thotë aspak se ti je egoiste.

Burri, herë pas here për intervale të shkurtra duhet të ndalojë lëvizjet, për ta vënë veten nën kontroll, ndërsa ti duhet të bësh kujdes që të arrish eksitimin që kishe para penetrimit dhe mundësisht të arrish orgazmën. Po qe se ti arrin në orgazmë, edhe burri do ta provojë atë bashkë me ty. Të arrish këtë sukses që natën e parë, është vërtet një mrekulli e rrallë.

Në qoftë se ti nuk arrin orgazmën (nga 10 gra, 9 nuk e arrijnë herën e parë), burri do ta arrijë atë pa ty. Shpesh, në interkursën e parë, burri mund ta arrijë orgazmën menjëherë sa hyn në vaginë, ose shumë shpejt pas kësaj, madje ai mund të “prishet” që gjatë paralojës, kur është duke të eksituar ty, ende pa penetruar. Kjo u ndodh 45 për qind të burrave. Mos u shqetësoni nëse kjo ndodh edhe me ju. Duhet kohë dhe eksperiencë që gjërat të përmirësohen. Qëllimi për ju të dy është të provoni orgazmën.

Ti duhet të dish se sipas statistikave 37 për qind e burrave kanë nevojë për më tepër stimulim prej gruas, që tani është eksituar plotësisht për veten e saj. Ky stimulim duhet që burri të përmirësojë ereksionin dhe gatishmërinë e tij për interkursë. Në qoftë se kjo ndodh me burrin tënd natën e parë, kjo nuk do të thotë se burri yt është hyposeksual. Kjo do të thotë se në përqëndrimin e tij altruistik dhe aspak egoist, duke të stimuluar ty për një kohë shumë të gjatë, eksitimi i tij ka pësuar një rënie.

Suksesi i plotë seksual natën e parë të martesës është pothuaj i pamundur. Mos u mërzitni për këtë. Në interkursën e parë, 90 për qind e burrave e arrijnë orgazmën, ndërsa gratë nuk e arrijnë dot. Kjo ndodh. Kjo është e vërteta. Në qoftë se kjo të ndodh, mos u ndje fajtore e as mos mendo se je hyposeksuale, ose ke vepruar gabim. Kjo është fiziologji. Evolucioni, po të duash thuaj Zoti ose “Krijuesi” është vërtet eficient, por perfeksion nuk ka. Në këtë rast edhe dhëndri nuk duhet të mendojë se është partner i papërshtatshëm. Ai është një burrë i ri e normal. Kjo ndodh sepse trupat tuaj kështu janë “kurdisur” dhe duhet eksperiencë për të kordinuar në kohë procesin fiziologjik kompleks të orgazmës midis dy njerëzve.

Supozoni se ju të dy nuk dini të notoni. Ju asnjëherë nuk keni qenë në det ose pishinë. Lexuat një libër për notin dhe për “notimin sinkronik”. Një mësues noti u dha instruksione me gojë si ta bëni atë mrekulli artistike në ujë. A do të mjaftonte kjo që ju të hidheni me një herë në ujë dhe të filloni të notoni e të sinkronizoheni që herën e parë? Natyrisht jo. Ju do të shkoni në fund. Ju duhet të mësoni si të notoni gradualisht. Ju do të fundoseni disa herë përpara se të mësoni të notoni mirë. Kërkon kohë që t’i vini në praktikë instruksionet që keni marrë për të notuar. Por nëse keni marrë instruktime dhe i zbatoni ato, përparimi, pa dyshim, do të bëhet më i shpejtë

Kërkon kohë dhe stërvitje për ta vënë në jetë informacionin që keni marrë para martesës. Shumica e të rinjve që ëndërrojnë për kënaqësinë seksuale në martesë, gabimisht, mendojnë se gjithçka që ata kanë për të bërë, është të kenë rënë në dashuri me njëri-tjetrin, të martohen dhe të bëjnë interkursë. Ata mendojnë se automatikisht do të gjenden në “parajsën e nëntë” të ekstazës seksuale. Ska gjë më të gabuar se kjo. Gjatë jetës ju do të shkoni në “parajsën e nëntë” të ekstazës seksuale qindra e qindra herë, por kjo nuk do të ndodhë rastësisht. Kjo do të ndodhë si rezultat i planifikimit të saj të mençur, i inisiativës, i bashkëpunimit, i mirëkuptimit, i praktikës, i dashurisë dhe të gjitha këto të kombinuara me eksperiencën që do të fitoni.

Mos u dekurajoni po qe se interkursa e parë nuk është krejtësisht e suksesshme. Mos u mërzitni nga kjo. Është më mirë të qeshni me “budallallëqet “ tuaja. Çdo herë që do të bëni “budallallëqe”, dhe ju do të bëni shumë të tilla gjatë viteve, duhet vetëm të qeshni dhe të thoni: “Në rregull, ne bëmë budallallëqe sonte, por ne mësuam diçka të re dhe herën tjetër do ta bëjmë më mirë.” Edhe gjatë interkursës së parë ju mund të mësoni shumë, edhe pse ajo është jo plotësisht e suksesshme

Kështu do të jetë interkursa e juaj e parë. Siç e kam theksuar edhe më lart, jo të gjithë janë të bekuar dhe gjërat shkojnë në këtë mënyrë. Ka shumë probleme që mund të ndodhin gjatë herës së parë, të cilat çiftet duhet t’i njohin dhe të dinë si t’i kapërcejnë. Për këto do të flasim një herë tjetër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora