E premte, 26.04.2024, 01:55 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Viktima e dytë nga Gripi i Derrit

E shtune, 21.11.2009, 09:53 PM


Nga N. Maxhuni, Express

(Update) H. H., 25-vjeçare nga Prizreni, ka vdekur sot në Klinikën Infektive në Prishtinë, si pasojë e infektimit nga gripi i derrit.

Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, ka bërë të ditur se pacientja ishte hospitalizuar këtë të mërkurë, në orët e pasdites në Klinikën Infektive, derisa tetë ditë më përpara ishte trajtuar në mënyrë ambulantore nga mjekët në Prizren.

Shemsedin Dreshaj, drejtor i Klinikës Infektive, ka shpjeguar se e sëmura ka ardhur në gjendje të rëndë klinike, me shenja të insuficiencës kardio-respiratore, me pleuro-pneumoni të anës së majtë dhe pneumoni të anës së djathtë. “E sëmura tërë kohën ka qenë e trajtuar me Tamiflu, antibiotikë, kortizonikë, oksigjenoterapi, plus terapi tjetër mbështetëse”, citohet Dreshaj, në një komunikatë të shpërndarë nga MSH-ja.

Pacientja të enjten pas mesnatës, për shkak të përkeqësimit kontinual të gjendjes është intubuar dhe është vendosur në respirator në Klinikën Infektive. “Përkundër terapisë së lartshënuar, gjendja e të sëmurës në mënyrë të përnjëhershme përkeqësohet të shtunën dhe në orën e 9: 50 minuta përfundon më vdekje me tablo klinike të një insuficiencë akute kardiorespiratore”, thuhet në komunikatë.

Kjo është viktima e dytë nga virusi A/H1N1 në Kosovë.

H. E (1978) nga fshati Baincë të Drenasit, vdiq të shtunën e kaluar, më 14 nëntor. Edhe ai ishte paraqitur te mjeku me vonesë, pas rreth dy javë e gjysmë, pasi i ishin paraqitur shenjat e para të gripit.

Ministria e Shëndetësisë dhe mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve që të lajmërohen te mjeku familjar, sapo të vërejnë shenja të dyshimta të gripit, sepse paraqitje me vonesë e bën të diskutueshëm mjekimin e plotë të rasteve të rënda.

Ministria ngushëllon familjen e viktimës dhe u bën apel qytetarëve që të shtojnë vigjilencën dhe të zbatojnë masat preventive kundër gripit.

GRIPI NË SHTRIRJE
(Nga Artan Behrami)

Numri i të prekurve nga gripi i derrave është rritur në 84. Ndërkohë, vaksinat e para priten të shpërndahen të hënën. Ministria e Shëndetësisë thotë se vaksinat nuk janë të dëmshme. I pari që do ta provojë një do të jetë ministri Alush Gashi

Gripi i derrave tashmë ka marrë përmasa të tjera edhe në Kosovë. Pothuajse çdo ditë, listës së të infektuarve po i shtohen dhjetëra pacientë. Edhe të premten janë diagnostikuar gashtë persona, duke rritur numrin e të prekurve me virusin AH1N1 në 84. Ata po trajtohen në Klinikën Infektive. Drejt saj, të shtunën do të nisen dozat e para të vaksinave, të dhuruara nga Turqia dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Frika e shfrenuar që ka kapluar botën nga gripi, por edhe nga efektet negative të vaksinës, kanë arritur edhe në Kosovë. Për simbolikë, i pari që do të marrë vaksinën, do të jetë ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, ndonëse ai nuk ndihet i rrezikuar nga gripi, e as nga efektet negative të vaksinës.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti thotë për Express se duke filluar nga dita e hënë, do të fillojë vaksinimi i stafit mjekësor në Qendrën Klinike Universitare, Spitalet Rajonale dhe Mjekësitë Familjare.

Sipas tij, më pas do të vazhdohet edhe me gratë shtatzëna dhe me njerëz që kanë sëmundje kronike. Hoti shton se vaksina është e certifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. “Vaksina kundër gripit nuk është e detyrueshme. Askush nuk e detyron askënd ta marrë. Është vetëm preventivë”, thekson Hoti.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi ka zhvilluar të premten një takim me kryetarin e Komitetit Nacional për Sëmundje Ngjitëse në Kosovë, Isuf Dedushaj, kryetarin e Shoqatës së infektologëve të Kosovës, Salih Ahmeti, dhe drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani.

Në takim është folur për planin e vaksinimit të popullatës kosovare me vaksinat e gripit A H1N1 dhe vaksinat e gripit sezonal. Me këtë rast, Gashi ka kërkuar që të prekurit nga gripi të trajtohen në mënyrë korrekte dhe të ngrihet niveli i raportimit rreth gjendjes në terren.

Në takim u bë e ditur se Ministria ka rritur sivjet numrin e vaksinave kundër gripit sezonal nga 12 mijë në 20 mijë, derisa 20 mijë të tjera do të blihen shumë shpejt dhe do t’i shpërndahen popullatës.

Sipas Gashit, është vlerësuar se për këtë fazë, blerja e gjysmë milioni vaksina kundër gripit A H1N1 do të ishte e mjaftueshme. Mirëpo, deri më tani Kosova që nga e hëna ka vetëm 5 mijë doza të vaksinës kundër gripit të derrave në dispozicion, donacion i Republikës së Turqisë për Kosovën, sipas zyrtarëve të MSH-së, ka një rëndësi të veçantë, pasi vaksinat e ndara për Kosovën, janë pjesë e kontingjentit që Turqia i ka blerë për qytetarët e saj.

Kurse vaksinat e para në Kosovë kundër këtij gripi pritet të vijnë në fillim të muajit dhjetor, si donacion i OBSH-së.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora