Shtesë » Lajme
Nata e përmbytjes
E shtune, 31.10.2009, 07:45 PM
![]() |
Blerim Rama, i mbijetuari i tragjedisë së Tisës |
Nga Jeton Musliu, Express
Duket ende si i mpirë nga çfarë i ka ndodhur atij, gruas dhe dy fëmijëve. Blerim Rama nga Prishtina, së bashku me fëmijët, 2 dhe 3 vjeç, mendohet se janë të vetmit të mbijetuar nga tragjedia në lumin Tisa në Hungari.
Në bisedë për Express, Blerimi tregon ngjarjen e llahtarshme të natës ndërmjet 15 dhe 16 tetorit. Me personat që do t’i dërgonin në Perëndim, ishte marrë vesh të mos i binin andej nga ka ujë.
“U kam thënë se, ‘nëse kam me kalu diku ujin, nuk vij’. Por më kanë thënë se ‘nuk do të kaloni askund ujin”, shpjegon Blerimi, me pamje të lodhur, duke mos dhënë detaje për mënyrën ose shumën e pagesës.
“Kemi kaluar nga Gjilani. Me veturë kemi shkuar deri në Suboticë”, shpjegon i mbijetuari i tragjedisë së Tisës.
“Nga Prishtina deri atje, vozitësit kanë qenë të ndryshëm. Atje prijësit kanë folur serbisht, e çfarë kanë qenë nuk e di”, tregon babai i dy fëmijëve.
“Nga Subotica jemi nisur në orën 8 të mbrëmjes. Kemi menduar se do të ecim nëpër mal dy orë. Kemi ecur 15 minuta në mal. Unë kam qenë i fundit në rresht, veç kur e kemi parë ujin dhe varkën aty”, thotë Blerimi, duke sqaruar se me personat e tjerë nuk është njohur më parë. “Të kundërshtoja, isha i fundit në rresht dhe gruaja e djali veç kishin hipur në varkë, se jam tutë boll. Por meqë hipën gruaja dhe djali, nuk kisha tjetër rrugë”, tregon Blerimi.
Blerimi rrëfen se nga bregu i lumit në anën serbe të kufirit, ata kanë mundur të shikojnë bregun e lumit Tisa, në anën hungareze. “Gjithçka shkoi mirë deri në momentin që nuk e ndezën motorin e varkës”, shpjegon dëshmitari i kësaj ngjarje të rëndë. “Pjesa e përparme e varkës nuk ka qenë e zakonshme, por ka qenë në formë katrore. Si e ka marrë hazin, varka është mbushur me ujë. Unë i pari kam rënë në ujë, e çikën e kisha në dorë”, deklaron Blerimi.
“Kur i kam dëgjuar zërat e fëmijëve, më ka ndihmuar Zoti dhe jam ngritur. E kam kapur çikën, e kam çu lart, e kam dëgjuar gruan tuj bërtitë, djali, djali. E kam kapë djalin edhe i kam thënë gruas, shpëtoje veten se fëmijët i marr unë”, rrëfen Blerimi, çastet ku dyshohet se kanë humbur jetën 15 persona.
“Gruaja ka ditë not. E kam kapë djalin, jam kthyer e kam kapë çikën. Me dy fëmijët në duar, i kam thënë gruas shpëtoje veten edhe jam nisur me dalë në breg. Kur kam dalë aty, i kam dëgjuar disa zëra, por kam sharruar në baltë”, kujton Blerimi me emocione atë moment të mbijetesës.
“Deri në bel sharrova në baltë. As nuk dalsha, as nuk mund të kthehesha, përveç fëmijëve që jua kam dhënë ndihmën e parë pasi ata kishin pirë ujë dhe mundohesha t’ua nxjerr ujin”, thotë ai. “Dikur dola nga balta, u kapa për një dege. Fëmijët mundohesha t’i qes nalt, por ata rrëshqitnin prapë poshtë. U mundova të ndez një zjarr, por nuk ndizej, binte shi. I kam mbështet fëmijët për një lisi që të mos i rrihte era dhe kam bërtitë, kam kërkuar ndihmë”, rrëfen Blerimi ngjarjen e asaj nate.
“Nuk e dija as ku jam. I shikoja fëmijët që donin të vdisnin, e nuk dija çka të bëj. I mora herë njërin e herë tjetrin edhe i largova nga mali, sepse mendoja se nëse i lë aty, nuk do t’i gjej më kurrë”, shpjegon Blerimi, i trishtuar e i përhumbur.
“Fëmijët i lash në një breg të mos i rrihte era. Djali ka qenë pa vetëdije, veç që merrte frymë. Edhe kam filluar të vrapoj e të kërkoj ndihmë. Rreth dy orë fëmijët kanë qëndruar vetëm aty”, vazhdon rrëfimin ai.
“Kam hyrë te një shtëpi, pronari m’i lëshoi qentë. Kam shkuar te një tjetër, i kam rënë ziles, ai më doli me pistoletë. Pas dy orëve, kam gjetur policinë, të cilët pas dhjetë minutave kanë ardhur e m’i kanë marrë fëmijët”, shprehet Blerimi.
Sipas tij, policia hungareze i ka dërguar në spital, duke i lënë së bashku derisa ka kuptuar se djali i tij është kthyer sërish në jetë. “Më për gruan nuk kam ditur asgjë, deri pas nëntë ditëve, kur policia më ka lajmëruar. Vetëm unë kam pasur pasaportë të Serbisë. Gruaja dhe fëmijët kanë pasur pasaporta të Kosovës. Hungaria vetë më ka dhënë azil, sepse nuk kam dashur të largohem nga aty pa e ditur se çfarë do të bëhet me gruan time”, thotë Blerimi.
Sa i përket të ardhmes, ai shpjegon se “e di vetë nëse do të kërkoj ose jo drejtësi”.
Sipas Blerim Ramës, në atë varkë kanë qenë 18 persona, 9 fëmijë e 9 të rritur. “I kam lajmëruar të gjithë të afërmit e atyre familjeve që kanë qenë në atë varkë. E dinë kush janë ata dhe nuk ka nevojë të dihen emrat publikisht”, thotë Blerimi.
I pyetur se cilat janë shkaqet që e kanë shtyrë atë të niset në këtë rrugë, ai thotë shkurt. “Janë arsye personale”. 29-vjeçari nuk dëshiron të tregojë as për emrat e mundshëm të përgjegjësve të kësaj tragjedie. “Nuk janë me rëndësi këto pyetje”, mbyll rrëfimin e tij Blerim Rama.
Komentoni
Artikuj te tjere
The Telegraph: Përballja me fantazmën e Vietnamit
Rush Dragu: ''Artisti i Merituar'', rapsodi Sali Mani në kërkim të djalit të humbur (+ Video)
Kështu ndodhi Tragjedia e Tisas
Gjergj Marku: Edisoni, dhimbja e qytetit tim!...
Kastriot Frashëri: Kryetari i Senatit të Kanadasë Sh. T. Noël Kinsella, një vizitë historike në Tiranë
Arrestohet Artan Kristo për nxitje të terrorizmit
Përurohet nesër në Prishtinë, shtatorja e Bill Clintonit
Marrëveshja e ujërave me Greqinë, 'Shekulli' organizon sot dëgjesë publike
Irgis Hysenaj: Në kërkim të eshtrave të të ekzekutuarve nga komunizmi
Prifti shkatërrues i murit të Finiqit arratiset në Greqi
Shkrimtari që shkruajti fatin e Titanikut, 14 vjet para tragjedisë
Sindroma e Stokholmit, "dashuria" për keqbërësin
Djegia e manastirit - zhduket një pjesë e historisë kombetare të shqiptarëve
Po i falim 354 km det Greqisë
Milazim Kadriu: Grupi i Llapit dënohet me 13 vjet heqje lirie
Rrahen shqiptarët e Kosovës në Lombardi - 11 të arrestuar
Laboratori për analizën e mostrave të dyshuara për Gripin A H1N1 inaugurohet gjatë javës në Kosovë
Sherifit i shtohen akuzat
Studimi sekret, marreveshja me Greqine. Si u fal Ngushtica e Otrantos
A janë vehabistët shqiptarë kamikazët e ardhshëm?