E marte, 26.01.2021, 09:57 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

Vlora, post sezoni turistik

E merkure, 26.09.2007, 08:27 PM


Nga Ben Andoni

Pak metra poshtë Tunelit në Ujin e Ftohtë është qetësi. Pak pulëbardha bëjnë flurudha në ajër dhe një erë e lehtë që ngre dallgët në mesditën e ditëparave të shtatorit, shkund dekorin e vetëm akustik të zonës. Zhurmat e Mercedesëve, që shkojnë drejt Rradhimës dhe më poshtë në Rivierë, janë ralluar. Në intervale të gjata kohorë, vjen ndonjë makinë nga Bregdeti. Rrallë e më rrallë. Pronarët e lokaleve ulen dhe shikojnë detin, sikur i kërkojnë llogari për këtë sezon. Të punësuarit e pakët presin ndonjë porosi, por ata janë gjithmonë e më të pakët. Me Rimin, një 30 vjeçar, që mund të quhet i suksesshëm këtë sezon, jemi ulur ndanë Kalasë. Në një klub të mrekullueshëm, që i është ngjitur shkëmbit. Poshtë qetohet bregu. Valët e pastra të Jonit bashkohen me ujin e pastër që buron nga nëntoka e detit, bash në këmbët e lokalit. Prej kohësh, ky ujë i mrekullueshëm, përdoret për popullatën. Anash, një shkëmb, që hepohet mbi ujë u bën sfidë ujrave, që përplasen kudo poshtë. “Vlora është e qetë, e bukur, por nuk ka shumë dorë ”, më kujtohet një fjalë. E dëgjoj si në jerm dhe nga Rimi. Kemi kohë, sepse plazhi është bosh dhe mund të qëndrojmë ku të duam në pjesën pas Tunelit. Për fat, pronarët nuk kërkojnë lek për shezlongjet, ndërsa me Rimin kemi mundësi, që të flasim për atraksionet e Vlorës, turizmit, jetës...Janë disi të tepërta, sepse, si çdo gjë spontane dhe këtu nuk është nevoja për ndonjë gjë më shumë. Kanë detin, të pastër si askush; diellin që këtu është prezent për më të shumtat e ditëve të vitit dhe ushqimin natyral. Kuptohet se ata e sjellin në identitet kur e gatuajnë sa për ta shtyrë... Ky i fundit mbetet pak problem dhe në restorantet e pafundme shumë cilësore, që janë ngritur pas Rrapit, pak para Tunelit. Ato janë zakonisht pjesë e hoteleve. Të vendosura një e mbi një, por me çmime që të shkundin bash…Kemi një përshtypje, se gatimi lë për të dëshiruar. Mbizotëron kulinaria italiane, por ditë pas mbarimit të sezonit, punët nuk janë tamam kështu…Vlonjatët duken si të strapacuar nga shërbimi i gjatë i verës, që në fakt, duhet thënë se nuk i ka kapur të tre muajditët e verës. Ndaj, kjo duket në shërbimin e mugët dhe në gatimin blic, që shpesh i mungon eleganca e gatimit...
Ishim në një skaf. Befas ndjeva vrundujt e ujit, që më lagnin nga poshtë. I thashë skafistit se çfarë po ndieja. Mu përgjigj ashpër: “Pusho! Lala i mutit. Vetëm ti ankohesh”. Pak minuta më pas, uji kishte shpërthyer dhe një grup shkodranësh, me të cilët, po kalonim me skaf për në Itali, i kishte zënë lemeria. Për fat, në një largësi sa Sazani, ishin shfaqur dritat e Brindizit. Skafisti e derdhi të gjithë karburantin..., ndërsa na paralajmëroi se Zoti ishte tash e tutje përgjegjës për ne. E ndihmova dhe ai si shpërblim më dha një bidon bosh. Të paktën do rezistoja, kujton Afrimi, tash një pronar i një hoteli të vogël diku. Një shkodran kërkoi të ndizte cigare, që po ta ndizte, kish të ngjarë, që të ishim djegur krejt, shton pastaj. Skafisti ndërroi shenjat me një elektrik dore dhe befas...

Histori njerëzore

Rimi, që shtrëngon në krahë një vajzë të vogël krejt bionde, ka kohë që është ngulur në Shqipëri. Pas viteve në Rimini, ku i qëlloi të punonte me një burrë me pasuri të paqme, ai vendosi të kthehej. Bleu një tokë, sipër Tunelit, te pjesa e Kalasë dhe ngriti një hotel. Ngjitur me shumë shtëpi, ai mund të quhet më shumë pjesë e këtij neo-fshati sesa qytetit. Në Vlorë ka ndërtuar një klub modern dhe kështu rrjedh jeta e tij shqiptare. “Kam mësuar shumë, më thotë-por më shumë sesi respektohet puna”. E kuptojmë nga delikatesa sesi sillet dhe mënyra e paqme sesi mundohet për të gjitha. E di se në këtë vend duhet vetëm mirësjellja, që biznesit të tij t’i ecë. Gjithsesi, nuk ka kartëvizitë. Nuk ka pasur asnjë kontakt me guidat turistike dhe myshterinjtë i fiton falë mirësisë. Nga shtëpia e tij shikohet e gjithë Vlora dhe ka një peizazh fantastik. “Kam ndërtuar hapësira të mëdha, në mënyrë, që njerëzit të shikojnë qiellin”, më thotë romantik. Por si mund t’i grishë? E kupton gabimin. “Duhet, thotë, por askush nga Dhoma e Tregëtisë në Vlorë nuk interesohet për më shumë”. Në fakt, nuk është se kanë mësuar më shumë edhe bashkëqytetarët e tjerë. Nuk shërbehet aq mirë në restorante, pavarësisht menusë së plotë. Çmimet janë disa të larta për turistët e zakonshëm; kurse peshkun e trajtojnë jo mirë dhe shtrenjtë. Nga angazhimi dhe përgjumja e kamarierëve, (shumica shërbejnë pa uniformë), kupton se: të parët vlonjatët, i kanë dhënë fund sezonit turistik. “Nuk hahet shumë në restorante, veç jabanxhinjve dhe turistëve. Por, gjindja po dobësohet dhe kjo ndihet kudo”, thotë burri i ri. Shohim bashkë detin. E kupton. “Pas shiut,-thotë befas- nga shtëpia me një palë dylbi profesionale mund të shikosh dhe ndërtesat në Sazan”. Hedhim sytë andej, ku një traget i madh i bën hije një skafi patrullimi, që shkon zhurmshëm anës bregut dhe pastaj, qetësi. Varkat, mjetet e turizmit, janë ngritur duke e bërë më të trishtë kohën turistike. Të vjen të bashkëbisedosh me detin nga kafja. Gjithsesi, deti, me bukurinë e tij- të duket sërish i virgjër. Tutje, si një ciklop i rehatuar, vila e Mehmet Shehut, në një skaj në mes të Tunelit dhe Kalasë është batërdisur dhe lënë në mëshirën e fatit. Dhjetra mbishkrime, shumica epsharake të shëmtuara, me skica aktesh dhe masturbimesh i janë qepur mbi kurriz. Prej vitesh, që nuk mbahet mend atje nuk ka dorë. Por, ka fekale. Kështu, jeta, gjithsesi vazhdon.
Nga aty një ish-intelektual peshkon, ndërsa valët i marrin parangallët dhe ia përplasin në shkëmb. “Ah..t’ja q...”, e dëgjojmë që mërmërit i pafat. Më tregon se është shkrimtar se ka shkruar disa libra dhe se gruaja ka kandiduar për një nga vendet e larta të PS-së në rreth. Idhtar i Fatos Nanos, inatin e ka me Ramën. Tutje, ca të fortë, janë me një vajzë dhe argalisen më pas, ndërsa një si biçim i forti me targat e Tiranës, është i pezmatuar për peshkun, që nuk i bie fare.

Tutje, në Vlorë

Kur era e merr pushtetin e plotë është më mirë, që të rehatohesh në qytet.
Në Vlorë tashmë nuk janë më skafistët dhe imazhet e shëmtuara të 1997, që kanë mbetur kudo. Sloganet, që dikur ishin aq shumë në qytet, tash janë harruar. Kanë vdekur një grup njerëzish, që ishin “viktima” dhe “të fortët” bëjnë shoqëri në burgje. Janë harruar skafistët. “Taksixhinjtë e gjorë tash janë në burgje, ose u duhet të nxjerrin bukën. Të tjerët janë në det”, më thotë një grua. Peizazhi urban dhe social i qytetit ka ndryshuar bindshëm. Dhe, vetë, Vlora ka ndryshuar krejtësisht. Ka njerëz të qeshur kudo dhe të rinj. Janë plot kafenetë. Mbizotërojnë meshkujt me shikimin “e fortë”. Adoleshentët nuk ndryshojnë fare nga veshja me Tiranën dhe janë shumë të ngazëllyer. Ka radha pa fund në shitoret e fast food. Më të vegjëlit e mbajnë kokën vetëm atje. Në shitoret e veshjeve ka njerëz. Kurse, në dy kanalet lokale, shikoj se njerëzit ankohen. Ankohen pa fund. Kanë një të folur sikur nëmin dhe tallin, në të njëjtën kohë...Nuk e di pse bëjnë kompetentin në çdo moment. Edhe kur s’kanë. “Unë e shes bukën 100 lek. Tregtarët e miellit na e shesin 60 lek”, thotë nga ekrani një zonjë me shumë dialekt dhe tejet i shërben një klienti, që nuk bzan. Pak ditë më parë, buka ka kaluar këtë prag të frikshëm dhe askujt nuk i bën përshtypje. E të kujtosh se ç’u bë këtu 10 vjet më parë. “Kemi frikë nga ‘97, dëgjoj që thonë shumica. Nuk kemi kush të na organizojë”. Por të gjithë këta që flasin në një Vox Pop janë të shëndetshëm dhe shtuar me aksentin e tyre vlonjat, të duket se e kanë bash në terezi. Edhe pse e dinë të gjithë se e ardhmja është turizmi, pak u bën përshtypje, ndërtimi i kompleksit të madh të naftës. Rezistenca e grupeve të Aleancës tash i kanë lënë vend indiferencës. Banorët vazhdojnë që të konfuzohen dhe duket se i mbush sasia. Sa për cilësinë, atë, ia kanë lënë përsiatjeve të tyre të shumta. Duken se janë të ngeshëm, sepse rëndom dëgjon këngë të zonës dhe tek njerëzit që shërbejnë. Sa për çmimet, duket se tash i afrohen Tiranës. “E di ç’ndodh,-më shpjegon Rimi. Vjen mall nga Italia dhe të parët që e marrin janë tregtarët fierakë. Vlonjatëve, pastaj, u duhet që ta blejnë nga tregtarët e Fierit, një pjesë të madhe të produkteve, që vjen në portin e tyre. E kupton, që vlonjatëve u ka humbur sensi për të gjitha gjërat”. Në fakt, larg çmimeve të konsumit, çmimet e hotelerisë janë të arsyeshme dhe kjo përbën edhe një nga armët e Vlorës. Shteti, pavarësisht sloganeve dhe promovimeve të zhurmshme, është tejet larg të bërit turizëm të mirë. Ende mungon katalogimi i një pjese të madhe të hoteleve në qytet dhe të restoranteve të mira, paçka se Bashkia ka punuar mire dy vitet e fundit. Shumë vite më parë mbaj mend njërin prej këtyre pronarëve afër Tunelit, që thoshte “Shteti duket se e ka harruar qytetin tonë. Na ka ngrirë”, vazhdonte ai me trishtim, pa parë asgjëkundi. Njësoj, një turist, e ka të vështirë që të shkoj në pikat e atraksionit kulturor-historik në qytet. Varrit të Ismail Qemalit i mungojnë shkronjat, kurse e gjithë lulishtja mban një erë amoniaku ndezës. Pleqtë, që luajnë domino i kryejnë nevojat imediate, bash aty, ashtu si edhe shumë garipa, që bëjnë sikur shikojnë lojtarët.
Në fakt, nuk është se ka ndonjë pastërti të spikatur në qytet, që ia vlen, por vetë mjedisi vlonjat është i pastër dhe i përkorë prej natyrës. Shumë pronarë që i paguajnë taksat, ankohen se është ende larg koncepti i politbërësve të qytetit nga pastërtia në qytet.

“Frika” nga Vlora

Kaq mjafton. Një mbrëmje kthehemi në qytet prej një rrugëtimi në Himarë. Vërtet, Vlorën e bregdetit e shijon në pjesën më të bukur, që është pjesa e Ujit të Ftohtë dhe tutje. Në mbrëmje, këtë vend e kaplon një qetësi, që mund ta shijosh. Por, në këtë fund të sezonit turistik, nuk është shumë i justifikuar. Edhe pse klubet janë plot. Poshtë tyre dominojnë kryesisht targat e huaja të emigrantëve dhe ato të tiranasve. Vlonjatët shëtisin dhe fjalosen. Kanë qejf shumë hokat. Aq sa, tash qeshen, edhe vetë me anekdotat që u vishen. Kanë një humor të hollë, që e shton dialekti i tyre disi i fryrë dhe shtuar me ashpërsinë e temperamentit të tyre, atëhere fabulat u marrin shumë jetë. Në rrugë flasin me zë të lartë, ndërsa ka shumë gra me të zeza. Pafund syresh. Kanë zë të lartë dhe madje edhe ato që shërbejnë në lokale. Më duket se të gjitha mbajnë disa çarape të holla të zeza, ku patjetër duhet të kenë ndonjë fije të hequr. Paradite, aty pari, ende sorollatet një grua që shpërndan gazetat, ndërsa Vlorën kanë filluar që ta zbulojnë prej vitesh edhe kosovarët. Të dinin not, do të harbonin. Por, Joni, i tremb. Sa për shqiptarët e tjerë, tash problem është turizmi i banorëve të qyteteve të vogla. Kultura e mangët e tyre. 9 veta që i kanë ardhur Rimit i kanë bërë një batërdi, që nuk e ka menduar. I flinin edhe në ballkon dhe sensi i masës tek ta ishte i vdekur. Turistët-fshatarë nga Tirana e kanë bërë këtë biznesmen të ri , që t’i thërrasë mëndjes për sezonin e rradhës. “Do t’i zgjedh”- na thotë. “Nuk i dua lopçarët. Bujrum, njerëzit tamam”...Një vlonjat tjetër e dëgjon dhe dëshiron që ta besojë. Por ka pasur edhe vetë një rast të tillë. Është liruar, kur ata i kanë ikur. Të paktën punon. Pas sezonit turistik, këtu mungon krejtësisht gjithçka. Mbijetohet dhe harxhohet fitimi i mbledhur me ngut në verë. Të ngeshmit shëtisin pafund dhe duket se vetë qetësia e ka bekuar këtë qytet. E gjitha nga rruga kryesore e qytetit, e cila rrjedh nga Skela dhe përshkon pastaj në mes qytetin deri te Sheshi i Flamurit. Bash, me ato, qarkullojnë shumë makina të mira, që zakonisht voziten nga djem të ngeshëm me kapele bejsbolli. Pa fund loto dhe klube, anash tyre. Në ditët e para të shkollës, ata, bëjnë pritë në shumicën e shkollave të parregulluara. Pak më tutje, njerëzit ankohen për çmimet. “Made in Vlora”. Por rrugës janë ende makinat super të mira. “Ndodh, që katër djem e mbajnë me karburant makinën e ndonjë shoku dhe gjuajnë së bashku me ndonjë shkollë”, më shpjegon rebusin me çapkënllëk dikush tjetër.

Qetësia dhe atraksioni

Gjithsesi, një lloj pasigurie është në qytetarët shqiptarë për këtë qytet. Shumë syresh, pyetjen e parë, që drejtojnë, ka për fabul qetësinë. Dikur vlonjatët e vuanin këtë, ndërsa tashti mund të mrekullohesh nga qetësia që e qarkon qytetin. Kuptohet, po nuk ndodhi ndonjë nga bëmat e tyre të zakonshme. P.sh. pak ditë më parë e gjetën një kufomë që po kalbëzohej prej shtatë ditësh. “Tashti udhëto në mes të natës dhe nuk merret kush me ty, më thotë Afrimi, teksa kthehemi së bashku në një mbrëmje të vonët. Vlora ka marrë përmasat e një metropoli jugor dhe Saranda tash duhet të “frikohet” tamam, për konkurrentin e saj të veriut. Gjithsesi turizmi kulturor meriton ende punë. Shikoj shtëpinë, ku Viktor Emanueli III, bëri paraqitjen e tij para popullit vlonjat. E modifikuar sot, është mbushur me tulla. Nuk tregon asgjë. Qyteti është mbjellë me pallate të reja dhe shitore moderne, por askush nuk di të thotë për ndonjë atraksion historik. Ku janë Vlorajt? Xhamia e mrekullueshme. Muzerat. “Çfarë muzeu. Ku e di ku është”, më thotë një vajzë. Në vend të saj, një qendër tregtare moderne dhe kudo atraksione turizmi: kafe dhe shitore. Ndaj ka pafund njerëz të veshur mirë përveç moshës së dytë dhe të tretë që vishen shumë konvencionalisht. “I blejnë te gabi, ma pret Rimi, që ka një nihilizëm që më çudit. Janë më të varfër sesa e mendon. Mos kujto se e kanë dhe më lehtë Italinë”. Vëmendjen na e tërheq një çift tepër të shëndoshësh, ku gruaja tregon një moment sesi burri (ky nuk flet nga shëndeti i frikshëm) ka dashur të godasë dikë me pistoletë. “Desh ju harrova”, i thotë një tavoline me të shëndoshë, ku një djalë vjen me targat e reja të Vlorës. Qytetarët vlonjatë, prej kohësh, i janë larguar të kaluarës së tyre “të lavdishme”. Nuk zhurmojnë nga vetë-lavdërimet, siç jemi mësuar, në përfytyrimet tona, por të tregojnë me gjestikulacione të tepruara se: atje mund të pushohet. “Ah, të kishim pak më shumë sy, këtë vend e ka bekuar Zoti”, më sqaron një barist në Plazhin e Ri.

Plazhi i Ri dhe Plazhi i Vjetër

Janë një toponim që ka mbetur qëkur dhe ka të bëjë me një hapësirë që përshkon dy plazhe, tash krejt të braktisur. Prej kohësh. Ndonjë peshkatar, me çizme të gjata është i shtrirë tutje dhe pastaj heshtje. Njësoj si në para vitin ’90, ky vend ka të njëjtin emër. Ndryshojnë mizëritë me ambulantët e fastfodeve dhe shitoreve, që tash janë mbyllur. Rruga është hapur dhe zgjeruar. E përshkoj me autobus nga Rrapi te Tuneli dhe shikoj se pak ka ndryshuar, por është e vërtetë, të duket më e fisme. Nga Porti i Trageteve dhe deri tek Tuneli është i ashtëquajturi “Plazhi i ri” dhe nga Porti në ekstremin tjetër qëndron “Plazhi i vjetër”. Kuptohet se nëse do të bësh plazh tamam dihet vendi. Do shkosh në pjesën pas Tunelit, te Kalaja. Atje lahen vlonjatët e vërtetë, atje janë dhe vajzat e bukura. Atje merr pushtetin Joni, një nga detrat bija të Mesdheut perandorak, ku uji dhe zalli karakteristik jonian është shumë i pranishëm kudo. Duhet të jesh hero, që të shkosh pak më tutje, se gurët të dërrmojnë. “Aj, vetëm plazh nuk është ky. Të keqen e Velipojës”, thotë një shkodran. Pak vendas, bëjnë ndonjë demonstrim të rrallë në det, dhe pastaj kthehen kur shikojnë se të ardhurve të pakët, nuk ua kërcet fare. Kurse, Plazhi i vjetër, që ka mbetur pjesë integrale e qytetit, ka mbetur për të ngeshmit dhe të moshuarit, që nuk ‘e çajnë shumë kokën’ të iknin tutje. Në hapësirën e tashme në Plazhin e ri, janë prishur lokalet dhe kioskat, por përreth ka filluar një mbjellje e tërë shitoresh të vogla. Ka shumë hotele dhe i gjithë qyteti mundohet të japë akses në mrekullinë e saj. Pjesa rreth Tunelit, një vend që e njohin tiranasit më shumë, është mbjellë me hotele të vogla. Vlonjatët janë miqësorë pafund. E kanë të shenjtë të ardhurin dhe këtë e shikoj tek Rimi, që më shumë se pronari i hotelit, është mik. I pastër dhe i etur të mësojë. Edhe pse, i mungojnë ende shumë gjëra. Ka bërë dhoma model dhe i ka përshtatur të gjitha me oxhak, për ta afruar të gjithë këtë vend me fshatin. “Dua traditën”, më thotë.

Pas asaj dite të vështirë në det. Rimi kujton sesi erdhën rojet e Guardias italiane dhe i shpëtuan. Ai, i vetmi, që dinte italisht, nuk tregoi për skafistin. Ndejti në Rimini dhe pak vite më vonë kuptoi se nuk kishte më mirë sesa të bënte biznes në Vlorën e tij...

Kthimi

Rimi erdhi një ditë thjesht. Tashmë ngriti bashkë me të tjerë, atje ku Enveri bënte diku xhiron e tij mbrëmësore, jetën e tij të re. I vëllai i tij ma përsërit pafund historinë e Enverit. Si ecte dhe rrugën që përshkonte. Më tregon dhe për Himarën, por edhe për vilën tutje, ku një urë hekuri, që më 1997, dikush me një saktësi kirurgu ia ka prerë mbajtëset deri në fund. Poshtë urës një grup endacakësh hulumtojnë plehrat. Më poshtë, buzë ujit, janë pronarët që luftojnë për myshterinjtë. Ndaj, Rimi që është lart mban çmime më të ulëta. Ka ujin dhe ajrin dhe kushtet e tij deri te panelet diellore. Nuk shikon kurrë mërziti. Mban çmime 1000-2000 lek, sipas sezonit, dhe aspak më shumë. Kënaqet me pak. “Dua të bëj dhe turizmin fshatar, por dua që të më besojnë njerëzit, sepse në Shqipëri duan të fitojnë menjëherë”, na thotë. Jo më kot, Bregdeti i Vlorës, vlerësohet si një ndër më të pandoturit e rajonit të Mesdheut. Madje, sipas drejtuesve të Organizatës Botërore të Turizmit, kjo pjesë e bregdetit shqiptar përfshihet ndër tri zonat më të pastra në rajon, krahas disa zonave homologe në Tunizi dhe një vije bregdetar 40-45 km në Francë. Por, edhe kjo, nuk ka të ngjarë të zgjasë shumë. Pas ndërtimit të Kompleksit të naftës dhe protestës së pafrytë të Aleancës, Vlora po i nënshtrohet trilleve të Globalizmit dhe urisë shqiptare për energji.
Ikim. Me Rimin ndahemi si miq të vjetër. E admiroj vrullin e tij. Për pak vjet, ka bërë atë që bashkëmoshatarët e tij nuk e bëjnë dot. Pret një fëmijë të dytë. Ka shitur makinën me katër fenera dhe në vend të saj ka marrë një makinë ekonomike. “Kam bërë mirë që kam ardhur në Shqipëri,- më thotë dhe mrekullia më e madhe janë fëmijtë e mi. E shikoj. E besoj se vlonjatet si ai, do përparojnë. Kjo, sepse kanë mësuar që me turizmin mund të ecin tutje. Dhëntë Zoti, që nafta, mos t’ua ndosë detin dhe qeveritë shqipare të mbajnë fjalët e tyre gjysmake. Eshtë mesi i shtatorit 2007. Re të zeza mbi Vlorë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora