E premte, 26.04.2024, 04:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Intervistë e autorit Petraq Risto dhënë gazetarit Albert Zholi

E shtune, 19.09.2009, 04:37 PM


Rreth romanit “Një grua me Urdhrin e Ujkut”

Pyetje: Para pak javësh botuar romanin e ri “Një grua me Urdhrin e Ujkut”, për të cilin janë dhënë edhe konsideratat e vlerësimet e para. Si ndjeheni mes këtyre vlerësimeve?

Përgjigje: I vlerësuar dhe i gëzuar që një roman i shkurtër, i shkruar me një frymë, po lexohet me një frymë. Pra, kur shkrimtari arrin të përcjellë të lexuesi vlerën e veprës së tij, kupton se të gjithë mjetet letrare, janë bërë qëllim dhe se qëllimi është plotësuar. Për shkrimtarin kjo pikë e misionit është kryer me sukses, ndaj dhe gëzohem. Po ju japë vetëm disa sms, por edhe e-mail që kam marrë për romanin:

“Petraq, sapo e mbarova “Një grua me Urdhrin e Ujkut”. Është një roman i rrallë. Është gjysmë surrealist, gjysmë realist. Më pëlqeu shumë. E dalloj menjëherë vrapin e atij që është i sigurt se ka kapur një gjah të rrallë dhe mezi pret ta hapë çarkun. Kështu më duket libri yt: i rrallë dhe i shkruar me një frymë.”  Sadetin Limani.

“Romani lexohet me një frymë dhe të lë pa frymë”,  Martin Cukalla.

“Urime për librin! Një ndërthurje me mjeshtri e realitetit me legjendën, me një stil gllabërues. E kam lexuar pa ndërprerje, me ndonjë pauzë sa për të bërë një frymëmarrje më të thellë. Edhe njëherë,  urimet më të mira”,  Bardhyl Agasi.

“Bravo! Bravo!Bravo!”, Piro Loli.

Kurse miku im i vjetër, poeti dhe shkrimtari i talentuar Roland Gjoza, më shkruan e-mail nga Nju Jorku: “Më pëlqen shumë që je në gjendje të përhershme krijimi. Shpërthimi yt, e di që disa pseudomodernë i ka hutuar dhe ata përdorin taktikën e heshtjes, klanet mafioze letrare, gjithashtu, përpiqen të luajnë të paditurin, po botimet në gjuhë të huaj të poezive të tua origjinale e të fuqishme, që padyshim sjellin risi fondamentale për poezinë tonë të këtyre viteve, si dhe romani i fundit, që është pritur kaq mirë e, padyshim, sjell novitet, them se do t'i detyrojë të vënë në vend një të drejtë që të ka takuar prej kohësh dhe mohuar poshtërsisht. Kjo më pëlqen te ti, i dashur mik, se nuk dekurajohesh, por vrapon me vepra të reja,...që të zësh vendin në emrat e kreut, ku e meriton natyrshëm. Edhe njëherë, suksese, dhe shëndet, miku im modest.”

Kristaq Turtulli nga Kanadaja më shkruan: “E lexova librin tuaj me një frymë. Ishte shumë interesant, i freskët, origjinal. Virgjëresha ishte përshkruar me art të rrallë, e fuqishme, e dhimbshme, njerëzore. Gjithashtu, edhe personazhet e tjerë. Romani ka tejembanë erë mali, vrundull dëbore, dhembje, mall, frymë shqiptarie. Gjithçka në libër është dhënë me masë dhe mençuri. Interesante tjetër në libër ishte se aty përzihej legjenda, magjikja, vërtet realizëm magjik. Libri ka intensitet, të mban të mbërthyer... Suksese!”

“Sot më 3 korrik, të mos shikosh TV dhe të lexosh një roman, nuk ta beson kush. E lexova me një frymë. Urime!”, Stefan Vuçani.

“Në këto vite të fundit kam lexuar dhe jam befasuar nga dy romane “Gjuetari i balonave”, si dhe romani yt “Një grua me Urdhrin e Ujkut”. Mendoj se letërsia moderne shqipe pas “Kronikë në gur” ka një roman të denjë “Një grua me Urdhrin e Ujkut”. Urime!”, Qazim Shemaj.

Nuk po veçoj këtu konsideratat dhe shprehjet e shumë lexuesve të kualifikuar, miq të mij, apo të afërm të tyre.

Pyetje: Ju keni shkruar edhe romane të tjerë, apo vëllime me tregime, por, nga sa kuptoj unë, në rastin e romanit të ri ka ndodhur një joshje tjetër. Si ka mundësi?

Përgjigje: Në historinë e letërsisë fatet e veprave të tilla janë tepër të pranishme. Them se me romanin e botuar këto ditë, lexuesi është befasuar nga tema e veçantë dhe origjinale dhe,  posaçërisht, nga mënyra e të shkruarit, ku janë futur elementë të romanit triller, por pa qenë një roman i tillë. Kam një grup romanesh me subjekte origjinale, që janë bërthama poetike, por,  natyrisht, të punuar me logjikën e prozës. Thelbet e të gjitha subjekteve përshkruhen nga humanizmi dhe dashuria.

Pyetje: Në romanin tuaj, ngjarjet zhvillohen diku në Veri, përballë fshatit që akuzohet padrejtësisht nga Karla del Ponte për trafik organesh; ju si autor ngrini në grotesk ardhjen e dy prokurorëve të Hagës, të cilëve, gjithashtu, u duket absurd misioni për të zbuluar nëse në këto zona të thella janë bërë transplante të organeve të trupave serbe...Këtu, mes maleve dhe ujqve, ata takohen rastësisht me një djalosh malësor që ka humbur një dorë e një sy nga plasja e një mine serbe në kufirin e minuar shqiptaro-kosovar... Edhe në roman, misioni i prokurorëve të Hagës përfundon pa u kryer, çuditërisht, si misioni i para pak ditëve i hetuesve të Këshillit të Evropës. Në një fiction të tillë, si arritët të ndërthurni realitetin?

Përgjigje: Kjo është detyra e shkrimtarit, që me gjuhën dhe logjikën e vet artistike të shprehë dhe mendësinë dhe reagimet e popullit të vet. Natyrisht, linja e dështuar me misionin e dy prokurorëve të Hagës është paralelja e dytë e romanit tim të shkurtër, por një paralele e domosdoshme, që mund të prodhojë një udhë treni, ku mund të ecë me logjikë lokomotiva e subjektit dhe e mesazhit që përcjell vepra. Romani im është ndërtuar për një qëllim tjetër, për të zbërthyer fatin e një Virgjereshe me tre vëllezër të vrarë, që do të hakmerret dhe, sipas ligjeve të mbijetesës, ka arritur të fshihet, duke jetuar mes ujqve. Kjo është drama dhe fati i saj, por që ndërthuret me tre katër linja të tjera tepër interesante, që shpalosen me ritmin kinematik, si sekuenca të një filmi. Madje, nuk janë të paktë ata lexues që më thonë se ky roman mund të bëhet një film i bukur, por jo këtej, por matanë Atlantikut...

Pyetje: Ju arrini ta gërshetoni shumë natyrshëm realitetin me magjinë dhe lexuesi, si pa kuptuar, harron ku është kufiri i këtij dallimi.

Përgjigje: Kjo është ajo që quhet mjeshtria artistike. Nëse vepra e ka kryer këtë “moskërcitje”, këtë kalim të butë e të mëndafshtë nga realiteti në legjendë, në përrallë apo në magji, shkrimtari duhet të ndihet i kënaqur. Jam shprehur dhe herë të tjera për shkrimtarin ballkanas, veçanërisht atë shqiptar, shkolla e realizmit magjik është një luks i gatshëm, me banka të gatshme, me libra të gatshëm, me subjekte të gatshëm..., nxënës, kuptohet, ka pak... Ka kaq shumë subjekte reale, që tingëllojnë si sureale, saqë shkrimtarët e Amerikës Latine, disa nga këto subjekte, do t’i blinin me para...

Pyetje: Pas këtij romani, çfarë po shkruani?

Përgjigje: Po shkruaj një roman tjetër, i cili, si fillesë, ka nisur prej vitesh, atëherë ka qenë bërthamë e tani më duket se ka ardhur koha të çelë e të japë fruta. Titullohet “Oqean me mur”. Edhe në këtë vepër operoj brenda një logjike letrare, si në tre romanet e mëparshëm “Bukuroshja fantazmë dhe unë zoti Prek Vdek”, “Avioni Madam Baterflaj 9/11” dhe “Një grua me Urdhrin e Ujkut”.  Romani ka shumë jetë, shumë fantazi e, natyrisht, ka një magji të veçantë. Shpresoj që edhe kjo vepër fiction të pritet mirë si “Një grua me Urdhrin e Ujkut”. Për në muajin tetor do kem gati dhe vëllimin poetik “Apo-ka-lypsi...”.

Intervistuesi: Ju uroj suksese!


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora