E premte, 03.04.2020, 08:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Ti premto - Fotot e politikanëve - Kërko falje

E diele, 16.09.2007, 09:21 PM


Nga Luan Laze

Ti premto e mbaj gënjeshtrat, unë të jap votën

Kur politikani premton gënjeshtra para një turme, mosmbajtja është në proporcion të drejtë me ata që dëgjuan. Por nëse premtimet i bën veç e veç, futja e gënjështrës do jetë ca më e madhe.
Berisha, gjithë fushatën elektorale që kaloi, ndaloi, premtoi, mallkoi, dhe saktësoi derë më derë dyqani, se do ulë dyfish taksat. Edhe më i pabinduri, u bind! Shkoi vetë kryeministri i ardhshëm dhe i premtoi. Do t’a mbajë fjalën, sepse është burrë, jo vetëm i martuar, por edhe shteti.
U fituan zgjedhjet. Nisën të konkretizoheshin gënjeshtrat. Biznesi i vogël bëhet i madh. Duket si i vogël, po nuk është i tillë. Do paguajë pesëfishin e asaj që paguante para të gënjeheshin. Kryeministri e mbajti gënjeshtrën. Vajti derë më derë dhe kërkoi votën. Më jepni votën, t’ju dhurojmë rrotën, thonë andej nga Partia Republikane. Berisha është në koalicion me ta, dhe këtë thënie e bëri realitet. Biznesi do t’ia fusë klientit. Klienti do shajë shitësin, shtetin, dhe kryeministrin. Kështu është votuesi. Dëshiron t’a gënjesh, t’ia fusësh, që të të besojë. Por, të ketë edhe arsye, që për katër vjet të mallkojë dhe të shajë.
Kryeministri i sotëm prandaj shkoi vetë derë më derë. Shikonte xhirot dhe llogariste fitimin. Mbante shënim, që kur të vinte në pushtet, t’ua rregullonte qejfin. U lut derë më derë, dhe derë më derë ja futi pesëfish. Të vijë kryeministri të lutet për votën, dhe ju të dilni pa lagur, kjo nuk mund të ndodhë. U lut për disa ditë, dhe ua fut për disa vjet. Po e duruat disa ditë, mësoheni për gjithë jetën. Kështu ndodh kur i hap derën mikut të paftuar. Nuk është hera e parë që shqiptarët nuk zenë mend nga dhimbjet e veta të mëparshme. Por kjo është dhimbje tjetër. Është e djathtë. Sapo ka filluar.

Fotot e politikanëve trembin ujqërit

Presidenti i Republikës Alfred Moisiu u ka telefonuar këto ditë drejtuesve vendorë në zonat që janë mbuluar nga dëbora dhe i ftohti. Ata i janë ankuar kreut të Shtetit se, përveç mangësive të tjera si: drita, ujë, dhe rrugë të bllokuara, janë shtuar edhe ujqërit. Kanë demtuar bagëti dhe ndihmat që po u dërgohen. Moisiu, si strateg ushtarak dhe Komandant i Përgjithshëm, ka urdhëruar drejtuesit vendorë:
Në çdo stan apo shtëpi fshatari të vihen fotografitë e mëdha të deputetëve të zonave dhe politikanëve të njohur në Shqipëri. Dhe ashtu u bë.
Nga zonat e Veriut njoftohemi se kjo pati efekt të menjëhershëm. Ujqërit u trembën nga fotografitë e politikanëve dhe janë larguar me vrap drejt pyjeve dhe shpellave. Kafsha e egër duhet të mësojë se, mbi të ka portrete dhe zanate që janë më të egra se vetë ajo.
Përvoja ushtarake e ndihmoi edhe në këtë rast Presidentin. Por edhe fshatarët. Ndërsa ujqërit e patën pisk, sepse dështuan para kësaj strategjie antiujk. Dikur, Moisiu vinte fotografitë e presidentëve amerikanë në tabelat e qitjeve, tani fotografitë e politikanëvë shqiptarë në kasolle dhe stane. Me sa duket e ka kuptuar se, ata vetëm për të trembur ujqërit janë. Kështu qenka jeta shqiptare. Sidomos politika e saj. Delet në qytet votojnë për ujqërit. Fotografitë e tyre pastaj, trembin ujqërit në mal që të mos hanë delet në stane. Së paku një punë të mirë e bëjnë. Kur vjen dimri i egër, trembin ujqërit. Thonë se, ujku vetëm nga ujku ka frikë. Po Presidenti i Republikës ku e dinte këtë gjë, vallë?!

Kërko falje, pastaj gjejmë fajin

Deputeti mjaft i nxehur i ulëret gruas:
-Shpejt, më kërko falje.
-Për çfarë duhet të kërkoj falje? Çfarë bëra?!
-Më thuaj një herë më fal, pastaj të të thëm çfarë bëre.
-Qyqja, pse ku jemi këtu, në parlament, një herë votoni pastaj merrni vesh për çfarë keni votuar? Nuk kam përse, më thuaj çfarë të thashë që të të kërkoj falje!
-Më the idiot, para dhjetë minutash.
-Uaa, unë thashë se mos kam shpifur ndonjë gjë, por, për të vërtetën, ti e di, unë nuk kërkoj falje kurrë!
P.S.
Megjithëse deputeti nuk është i kësaj partie, ky rast plotësisht i vërtetë, më kujtoi një thënie kineze: Kur burri kthehet në shtëpi, duhet ta rrahë gruan. Edhe nëqoftëse nuk e di arsyen, nuk prish punë, se e di vetë ajo!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT