E merkure, 11.12.2024, 07:00 AM (GMT)

Kulturë

Mirush Kabashi: “Përgjegjësia është e madhe dhe rrit emocionet”

E diele, 09.09.2007, 07:26 PM


Mirush Kabashi
Vazhdon të jetë prezent suksesi i veprës “Apologjia e vërtetë e Sokratit” interpretuar nga aktori i njohur i teatrit shqiptar Mirush Kabashi. Në datën 20 shtator vepra do të ngjitet në sallën e Teatrit Bullgar për të shënuar suksesin e saj të radhës. Gjatë një interviste për gazetën “Sot”, aktori i njohur na tregon për pjesëmarrjen në festivalin e teatrove në Bullgari, ku me këtë vepër ai e nisi punën me qëllimin e përcjelljes së një mesazhi të fuqishëm nga goja e një artisti. Por gjatë kësaj interviste ai jep edhe mendimin e tij për gjendjen e teatrit sot në vendin tonë.

Jeni i ftuar në festivalin e teatrove në Bullgari ku do të merrni pjesë me “Apologjinë e vërtetë të Sokratit” ç’mund të na thoni diçka më tepër për këtë pjesëmarrje?

Teatrit Kombëtar i ka mbërritur para rreth dy  muajve ftesa për një festival në Bullgari që zhvillohet nga Teatri Bullgar dhe që zhvillohet direkt nën kujdesin  Ministrit të Kulturës së atij vendi. Në këtë festival marrin pjesë trupat teatrore më të mira dhe si rregull është që ata ftojnë edhe trupa nga tre vende të ndryshme të botës. Në mos gaboj është një trupë nga Maqedonia , Polonia  dhe  ka fatin që në këtë edicion të jetë e ftuar edhe shfaqja “Apologjia e vërtetë e Sokratit”. Natyrisht që është një përgjegjësi e madhe por bullgaria ka një teatër jashtëzakonisht të zhvilluar dhe pjesëmarrja në këtë festival të teatrit bullgar është një përgjegjësi sepse për herë të parë në historinë e kulturave midis dy vendeve kemi të bëjmë me një shfaqje që udhëton nga Shqipëria për në Bullgari. Ndërkohë që ne shfaqjet e teatrit bullgar kemi pasur fatin t’i shijojmë në festivalin e Butrintit dhe me autorë nga më të mëdhenjtë e teatrit bullgar. Tashmë në Bullgari udhëton edhe një eksperiencë shqiptare dhe kjo është shumë e rëndësishme. Përgjithësia është e madhe dhe ne do të nisemi që me datën 18 dhe me datë 20 do të jepet “Apologjia e Sokratit” në skenën e teatrit bullgar.

Keni emocione për këtë pjesëmarrje në këtë festival?

Çdo shfaqje ka emocione kështu që nuk mund ta ndash kurrë një shfaqje sado që mund  të jetë e repertorit të zakonshëm nga emocionet. Por këto shfaqje të  cilat bëhen në festivale të germës A dhe janë në nivelet e vendeve përkatëse dhe që janë së bashku me paraqitjen e vetvetes, do të marrësh përsipër që të mbrosh edhe vlerat e vërteta artistike aktoreske dhe regjisoriale të vërteta dhe skenografike të gjitha aksesorëve që ka vendi yt dhe në këtë pik pamje përgjegjësia është jo e vogël dhe që i shton edhe më shumë dozën emocioneve. Aq më tepër megjithëse profesioni na ka dhënë kënaqësinë që nëpërmjet dhënies së shfaqjeve të ndryshme në shumë vende të botës të shikojmë  shfaqje të këtyre vendeve, në Bullgari për fat unë nuk kam pasur rastin që unë të shkoj asnjëherë, por  e di ama edhe këtë fakt  ashtu siç ka edhe një numër të madh teatrosh  se teatri në kulturën bullgare zë një vend jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Sezoni i kaluar i teatrit kombëtar sipas mendimit tuaj ka qenë i suksesshëm?

Sezoni i kaluar ka qenë një sezon i suksesshëm gjithnjë krahasuar me sezonet e mëparshme. Tashmë ka funksionuar jashtëzakonisht mirë jo vetëm salla qendrore e teatrit por edhe një sallë tjetër me 200 vende e cila ka funksionuar për shfaqje të një karakteri dhome dhe të gjitha këto kanë qenë  të mbushur me spektatorë. Të jem i sinqertë  nuk ka shumë rëndësi se këtë publik  e kanë sjellë shfaqjet brenda për brenda teatrit apo kanë qenë bashkëpunim apo janë prodhime të mirëfillta  të Teatrit Kombëtar ajo që është më e rëndësishme është se ka një tendencë për t’ju rikthyer  spektatorit kryeqytetas për t’ju rikthyer traditës së vet dhe për t’ju rikthyer edhe kërkesave të ushqimit shpirtëror siç  është teatrit, i cili ka ditur të serviri shumë vlera artistike. Është një fatkeqësi e madhe me të thëne të drejtën që vetëm tani kanë mbetur dy salla në një metropol i cili tashmë thonë se po i kalon shifrat e 800 mijë banorëve ku po i afrohet edhe1milionëshit. Por numri i biletave të shitura por edhe kërkesa në rritje të spektatorit po tregon që tashmë edhe ne krijuesit artistik niveli më i lartë i cili është në Teatrin Kombëtar po  edhe artistë të tjerë që kanë  grupe private apo bëjnë prodhimtari nëpërmjet grupeve të ndryshme duhet tashmë që të jenë më të përgjegjshëm artistikisht dhe t’i servirin spektatorit shfaqje sa më të mira. Kjo jo vetëm për të rritur tendencën e shikueshmërisë së tij por edhe për ta vënë përpara përgjegjësisë edhe organet shtetërore. Në kryeqytet duhet  të funksionojnë edhe salla të tjera teatrore se nuk mund të kuptohet një metropol pa kulturë dhe një pjesë të mirë të kulturës së një metropoli e bëjnë edhe sallat e teatrit dhe të kinemave si dhe të shfaqjeve të ndryshme artistike. Dhe në këtë periudhë që ne ndodhemi sot shoqëria shqiptare ka nevojë shumë për kulturë ka nevojë shumë për ushqim shpirtëror.

-Mendoni se krijimi i trupave teatrore private e rrit nivelin dhe cilësinë e tij?
 
Trupat private teatrore të cilat ne i kemi parë edhe në sezonin e kaluar të cilat kanë qenë prezent në teatrin kombëtar ku ekzistenca e këtyre trupave është më se e përligjur dhe në jetën kulturore të kryeqytetit është më se e mirëpritur. Do të thosha që ndoshta ata kanë një problem ashtu si edhe në teatrin Kombëtar madje këto trupa  e kanë edhe më të përligjur që në fokusin e tyre shikohet ajo dramaturgji që ka sa më pak personazhe dhe sa më pak shpenzime dhe njëkohësisht për të ndarë edhe sa më shumë fitime ku njëkohësisht elementët komercialë e varfërojnë vlerën artistike .Unë mendoj se spektatori në mënyrë të veçantë ai i Teatrit Kombëtar  ka nevojë  për të parë shfaqje të plota dhe klasike dhe për të parë shfaqje me vlera artistike dhe jo vetëm të karakterit komercial por të shikojë edhe shfaqje të karakterit fondamental të kulturës dramaturgjike botërore si në kuptimin kohor ashtu edhe në kuptimin gjeografik në teatër. Kështu edhe tendenca e drejtorit të teatrit Kristaq Skrami, i cili  premtoi kolektivit që së shpejti edhe në kolektivin krijues në teatrin Kombëtar do të realizohet eksperienca e disa regjisorëve të huaj gjë e cila i ka munguar shumë teatrit Kombëtar pasi dihet që në vendin tonë regjia është pika më nevralgjike, dhe siç është shprehur edhe drejtori këta regjisorë që do të vijnë nga Franca, Greqia apo edhe vende të tjera do t’ju sugjerohet për  të vënë pjesë klasike apo edhe antike. Kjo më duket një koncept i saktë i drejtë nga ana dramaturgjike dhe kam bindjen që do të jetë edhe shumë i mirëpritur edhe nga ana e spektatorit që kam bindjen  i cili nëpërmjet vlerave dramaturgjike ka nevojë që të zgjerojë jo vetëm ndjesitë estetike por edhe nivelin e tij kulturor.

Cilat janë disa nga planet artistike të Mirush Kabashit si aktor?

Hezitoj  shumë për të treguar se çfarë do të bëj më tej dhe këtë nuk e them se kam ndonjë kompleks por sepse kam parasysh realitete tona ku kemi shumë dëshira ndoshta jo pak edhe mundësitë janë të pakta dhe ngandonjëherë atë që e ndërtojmë me muaj të tërë na  prishet në një moment të caktuar dhe duke u prononcuar fillimisht me lexuesin na duket se po gënjejmë dhe më duket se nuk jemi korrektë me lexuesin. Për fat të keq  në këtë aspekt luhet me anën financiare, kam vënë re që një pjesë e diskutueshme vlerave artistike kanë vlera të mëdha të çarë dhe për të vjelë vlera monetare apo mbështetje financiare, ndërsa një pjesë e vlerave të tjera artistike të cilat ndoshta mbështeten edhe mbi bazën e komplekse apo të intrigave mbështeten shumë pak financiarisht. Kështu që edhe unë me gjithë dëshirat që kam, nuk dëshiroj që të jem i pasaktë dhe shpresoj që të realizoj ato të cilat unë po i investoj në profesionin tim. Do ta kem shumë vështirë t’i realizoj projektet e mia të cilat nuk futen në listën e Ministrisë së Kulturës dhe mbi bazën e saj projektet dhe krijimtaria ime nuk gjejnë mbështetje financiare.

Më datën 10 shtator nga TOB organizohet një koncert i madh për nder të Nënë Terezës, ku ju jeni i ftuar. Me çfarë repertori do të paraqiteni?

Ftesën për të marrë pjesë aty mu bë nga drejtori i TOB z.Zhani Ciko dhe nga titullari tjetër i Teatrit Kombëtar mu kërkua që të përgatitesha. Unë prej disa vitesh kam një libër me krijimtari të Nënë Terezës  të disiplinuar nga Visar Zhiti, i cili më ka tërhequr shumë jo vetëm për faktin se është një krijimtari e një shqiptareje për të cilin ne krenohemi si komb por edhe për faktin me  të vërtetë atje brenda gjen esenca të mendimit ku ke shumë për të përfituar shpirtërisht. Dhe ajo që më ka bërë përshtypje në këtë vepër është vëmendja e saj për zhvillimet dhe ngjarjet që ka në ndodhur në vendin tonë ku jo të gjithë ne shqiptarët jemi të informuar. Më vjen mirë që më së fundi ka një tendencë, për mendimin tim por jo në nivelin e duhur meriton shumë më tepër për të bërë për këtë figurë e cila ndrit dhe na jep mundësinë edhe ne që të krenohemi për një shpirt human dhe me një mirësi.

Keni marrë pjesë së fundi në një film të regjisorit Sajmir Kumbaro. Me çfarë roli dhe si jeni ndjerë gjatë xhirimeve?

Kam pasur fatin të jem me aktorët ku Sajmir Kumbaro xhiroi një film, kam qenë një nga azilantët dhe filmi ka një subjekt me problematiket që ka në moshën e tretë. Ishte një film shumë njerëzor dhe patëm fat që të ndeshemi me eksperiencën e një regjisori i cili tashmë edhe në fushën e satirës dhe të humorit, i cili me filmin “Koncert në vitin 1936” e ka evidentuar veten  për sensin e tij të thellë realist. Jemi ndjerë mirë artistikisht sepse jemi ndjerë mirë së bashku për të dalë sa më mirë artistikisht

Çmendoni për nivelin e artit sot në vendin tonë a duhet bërë diçka më shumë?

Unë gjykoj që shoqëria shqiptare në mënyrë të veçantë në rrugën që ka zgjedhur drejt integrimit evropian më shumë se sa për shifra ekonomike ku abuzon shumë politika e sotme ka nevojë për kulturë. Për fat të keq edhe  atë pjesë të trashëgimisë kulturore po e merr nëpër këmbë politika dhe shumë deformacione që po zhvillohen si rezultat i etjes për të fituar në pikëpamjen materiale. Dhe mendoj se duhet investuar akoma për artin në Shqipëri që ai të arrijë nivele sa më të larta.

Ligji i Teatrit në vendin tonë ka ngjallur jo pak reagime ju çfarë mendimi keni për funksionin e tij?

Është për të ardhur keq që në vend që të merret vendimi i çdo komuniteti siç programohet me të interesuarit dhe merrte mendimi këtu për fat të keq u neglizhua komuniteti artistik dhe janë po ata politikanë të cilët janë marrë me artin dhe nuk arritën të bëhen artistë dhe u bënë politikanë dhe që çuditërisht mendimi i këtyre që nuk janë artistë të vërtetë të vleka për zhvillimin e artit dhe nuk mor mendimi i atyre të cilët përfaqësojnë artin dhe kjo është një anomali e madhe. Kur ndërkohë janë artistët  që i japin vlera të vërteta artit  por ato mënjanohen dhe mua më duket se kjo gjë i shkakton një dëm zhvillimit të artit të vendit tonë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora