Kulturë
Kosova vlerësohet me çmim nga Çamëria
E merkure, 05.09.2007, 09:44 PM
Nga Luan Sejdini
Ansambli artistik "Sharri" Hani i Elezit, fitues i Festivalit për Çamërinë
Nje nga fituesit e festivalit Çam |
Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore shfaqi mjeshtërinë e të kënduarit dhe kërcyerit. Sinkron i mrekullueshëm, melodi, lëvizje, instrument, këngëtar, e ngriti atmosferën ekzaltuese të publikut në pikën e "vlimit". Nuk është e nevojshme të përshkruhet efekti elektrizues i çiftit Cingu-Çeliku. Skena në sytë e spektatorit shndërrohet në kullotë alpine. Bariu si një qënie hyjnore, si ëngjëll, përfaqësues i motmoçmërisë së vetë shqiptarëve që siç do t'i këndonte rapsodi Velo Korkuti "qumësht i kullon kërraba dhe vajza një Zanë mali e cila përgatit "byreqe e lakrorë për dasmën e afërt të tyre". Cingu, si në rininë e saj është "gjethe" në skenë. Dhe më pas vijnë Myfarete Laze e Aleksandër Gjoka që e mbajnë në të njëjta ritme atmosferën. Kënga "Moj Çamëri" e kënduar prej tyre u quajt aty si himniÇamërisë. Tashmë këngëtarët mbështeten nga një kor prej mijëra vetësh, në stadiumin e lojërave me dorë. Dhe kulmi arrin me daljen në skenë të grupit të ardhur nga Kosova. Shoqëria Kulturore Artistike "Sharri", Hani i Elezit. Daullet paralajmërojnë një "shok". Tre tablo përcillen në mesazhin artistik të këtij ansambli: qëndresa e popullsisë kosovare ndaj genocidit serb, terror i ngjashëm me atë që ka përjetuar popullsia çame në mesin e viteve '40; rritjen e parakohshme të të rinjve për tu "burrëruar" e për të hyrë në radhët e luftëtarëve të lirisë dhe simbolika e tre pishtarëve të nisur prej Kosove, kaluar në Shqipëri, përfunduar në Çamëri. Simbolikë që siç u vlerësua edhe nga të pranishmit, është flaka e ndezur dhe e mbajtur gjallë me zjarrin e shpirtrave shqiptarë për t'i parë viset shqiptare të lira dhe që do të komunikojnë pa pengesa mes tyre. Ishte ky grup që juria, me të drejtë e vlerësoi me çmim të parë. SHKA "Sharri", Hani i Elezit, ka për udhëheqës artistik Njazi Dornjanin, kompozitor Skënder Dozhlanin dhe koreograf Deli Metaliaj. Në përfundim të natës së tretë u dhanë nga presidenti i Unionit Artistik, Azgan Haklaj, vlerësime për kontribute me vlerë në kulturën kombëtare të personave që u shquan në këtë Festival. Tre pishtarët e ndezur bënë xhiron përshëndetëse rreth stadiumit, gjë që shënoi edhe mbylljen zyrtare të kësaj ngjarjeje të rendësishme kulturore mbarëkombëtare në Sarandë.