Kulturë
Saimir Strati për herë të dytë drejt librit Guinnes
E enjte, 30.08.2007, 06:54 PM
Nga Dhurata Hamzai
![]() |
Saimir Strati - Mozaik me Gozhde, Autoportret i Leonardo da Vincit. Shqiptari i pare që ka hyrë në Librin Guinnes në fushën e artit të mozaikëve. |
Një vit më parë
Një vit më parë piktori Strati kishte konceptuar vetë një ide me destinacion që të kishte emrin e tij në librin e rekordeve Guinnes. As vetë nuk e dinte nga i erdhi kjo ide, por e dinte mirë që do t’ia arrinte qëllimit. Strati vjen nga atdheu i mozaikëve, por një mozaik i punuar me lëndë të papërdorura më parë mund të perceptohej vetëm në imazhet frymore të Saimir Stratit. Si mik në këtë atë skenë të përvuajtshme krijimtarie, rekordi Strati zgjedh autoportretin e Leonardo da Vinçit, sepse veç ai mundi t’i jepte vërtetë kurajë. Për piktorin Strati Da Vinçi ka qenë njeriu që e arrinte atë që për të tjerët ishte e paarritshme. Shkrimtari Zija Çela e kujton me emocion rekordin e tij një vit me parë duke e përshkruar në këtë mënyrë: “Do t’i qëndronte fjalës që më kishte thënë apo, i pushtuar nga trysni të paparashikuara, do të ndryshonte mendje? Çka do të thoshte se, në atë telajo druri me përmasa të atilla që meritojnë të quhen të formatit fasadë, ku do të niste jeta e veprës, cila zonë do të prekej në fillim? Kur ra çekiçi i parë (ishte si të thuash, kur ra martina e parë), edhe ra përmbi gozhdë, desh fola me zë, mos o Zot, ia nxori kokërdhokun. Por pikërisht me gozhdë ai nisi të konturonte syrin e djathtë, sepse kishte hyrë drejt e në anatominë më delikate të portretit, atë që përcakton karakterin”. Ndërsa me tej duke profetizuar fatin e artistit Zija Çela shkruan: “Më pas, ndërsa kumbimi i çekanit vazhdoi ditë me radhë, për autorin dhe veprën e tij për fat të mirë u dëgjuan shumë lodra, u fol në gazeta e televizione, brenda e jashtë vendit, madje lajmëruan dhe angjencitë më prestigjioze të medias botërore. Kurse tash ka rënë heshtja, është krijuar distanca, koha e qetësisë, e nevojshme për përsiatje”.
Lajmi i pashkruar...
Por ndërsa barbiushkat lodrojnë e këndojnë me “çupa- çupa” plazheve të Shqipërisë e publiku për to nga gazetarët ka mësuar shumë; se me kë shoqërohen, me kë flenë, çfarë picash hanë, çfarë parfumi kanë e deri tek çfarë u thotë mami për ngjyrën e flokëve, numurin e bikinive, firmën e shampove, heshtja që qarkon veprimtarinë artistike të Saimir Stratit nuk duket sikur vjen nga koha e qetësisë, ose nga koha e nevojshme për përsiatje, sepse profesionalisht do të ishte vërtetë lajm që piktori ka çelur një ekspozitë personale me 20 punime dhe ndryshe nga sa veprojnë piktorët në këto raste ai është ulur paq në ambjentet e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës në kryeqytet duke punuar mbi 14 orë punë intensive në ditë një vepër madhështore. Me sa duket për të mos humbur kohë ai mban pranë mbi 1 milion kunja dhëmbësh. Ka vendosur për të bërë mozaikun më të madh në botë. Shkopinjtë e hollë të drurit këtë herë do të jenë lënda e parë për një vepër arti. Ai po vrapon drejt rekordit Guinnes dhe ende nuk po e konsiderojnë lajm gazetarët, kur ai jo shumë larg por një vit më parë rrëmbeu ekskluzivisht rekordin Guinnes. Saimir Strati po vrapoka sërish drejt një rekordi të ri. Ka caktuar datën 4 shtator si ditë të përfundimit të veprës së tij. Nuk heziton ashtu si ka bërë një vit më parë të pohojë se ky është një hap i sigurt për të hyrë sërish në librin Guinnes. Ai e di se deri më sot nuk ekziston një mozaik i tillë. Ndërsa gjyqtarët e Guinnes, një vit më parë autoportretin e Leonardo Da Vinçit e vlerësuan si “çudia e gozhdëve”, tashmë çudia e dyte është ajo e një milion kunjave të drurit. Kësaj vepre Saimir Strati ka menduar t’i kushtojë 40 ditë punë, e cila ka nisur disa ditë më parë në sy të gjithëve me vendosjen e kunjës së parë. Kunja e parë ngjante veçse si një vrimë e vogël gjilpere. Kjo është e rrallë..! Tema që ka zgjedhur këtë herë të afron një simbisje në zemër, sa herë që ai prek telajon gjigante me kunjat drusorë majëmprehtë. Vepra i referohet Jezu Krishtit dhe ringjalljes së tij. Gjatë këtyre ditëve Saimir Strati nuk bezdiset aspak nga vizitorët që po e ndjekin ndërsa ai është duke punuar. Ata e shohin me habi, jo të gjithë e dinë që ai është artisti shqiptar që hapi rrugën e rekordeve Guines në art. Puna e tij po filmohet në çdo simbisje të kunjit, në çdo detaj dhe pas tij qëndron një komision i përbërë nga njerëz të fushave të ndryshme, mes të cilëve edhe një jurist. Ndërsa të gjithë këta s’kanë gjasa të shohin ndonjë hile në këtë garë, së paku mundet ta ndihmojnë që të mos ta zërë gjumi në vetmi. Saimir Strati është piktor dhe aplikon në teknikat skulpturale prej 16 vitesh. Ai krijon mozaikë dydimensional dhe tredimensional. Strati e merr mozaikun nga qytetërimet e lashta dhe e sjell në kohën tonë duke i dhënë stilin e tij, frymën, ritmin, vulën e modernitetit. Ai është kërkues i lëndës, së mozaikut që nis nga lëvozhgat e vezës, gozhdat, qelqi, e deri tek disqet. Dy vjet më parë realizoi me 400 disqe në përmasat pak më shumë se natyralja portretin-mozaik të Adriano Çelentanos. Në fakt libri i rekordeve Guinnes, që botohet çdo fillimviti, është botuar për herë të parë më 1951 nga anglezi Hufh Beaver. Kanë kaluar 56 vjet që libri botohet në 100 vende të botës, në më shumë se 20 gjuhë të planetit. Kur Strati një vit më parë hyri në librin e rekordeve, shkrimtari Zija Çela tha: “Natyrisht, Guinnes-i nuk është shtëpia e mirëfilltë e artistëve, por është shtëpia e rekordmenëve të tjerë të botës, ndërsa rezultati i Stratit, bashkë me rekordin, pikërisht sepse vjen nga arti mbetet unik dhe për Guinnes-in”, ndërsa madhështinë e veprës së tij e ka komentuar në këtë mënyrë: “Mirëpo që nga ajo gjetje inteligjente dhe deri tek shndërrimi i mprehtësisë në art, nuk ka qenë e lehtë. Se shihni, në mos paça lajthitur, çfarë më sugjeron rezultati. Siç pohon shkenca, çdo njeri në organizmin e tij ka ca hekur. Por ka shumë njerëz, e pra dhe mjaft artistë, që këtë hekur e lënë të ndryshket... Jo, Saimir Strati është xhins tjetër, ai hekuri i tij është në gjendje inkandeshente, në një formë llave, atë hekur ai e kthen në gozhdë, në 500 mijë gozhdë, të cilat i nxjerr nga vetja dhe ia jep Da Vinçit në një vepër të pasprovuar për nga lloji, të denjë për galeri e muzeume. Natyrisht, gozhdët që u përdorën vërtet janë industriale, por industria nuk prodhon art, kurse gozhda, ndryshe nga balta dhe ndryshe nga gipsi, që është gjithashtu një lloj balte, nuk është njohur ndonjëherë për lëndë arti. Pikërisht mjetin që dikur i mori jetën një vigani të qiellit, Jezu Krishtit, artisti e rinovon për t’i dhënë jetë një vigani të historisë, Leonardo Da Vinçit”.
I pari
Strati është i pari shqiptari që ka hyrë në Librin Guinnes në fushën e artit të mozaikëve. Ai është diplomuar në pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në 1989 dhe po këtë vit fitoi Çmimin e Parë në Konkursin Kombëtar të Arteve të Aplikuara. Ka punuar si restaurator i mozaikëve në sitet antike të Butrintit, Apolonisë dhe Bylisit. Në 1996 hapi ekspozitën e parë personale. Tre vjet më pas çeli një ekspozitë, ku prezantoi bashkë me pikturën edhe punët e para në mozaik.