E merkure, 30.04.2025, 02:29 PM (GMT+1)

Sport

Jelena, mbretëresha mes reve

E diele, 07.06.2009, 09:19 AM


Jelena Isinbajeva
Jelena Isinbajeva
"Jam një grua normale, që dashuroj gjërat e vogla. Më pëlqen të qëndroj në shtëpi dhe të merrem me mirëmbajtjen e apartamentit tim, veçanërisht me mobilimin". Jelena Isinbajeva është gruaja e rekordeve. E ka thyer plot 26 herë rekordin femëror të kërcimit me shkop. Mbretëresha e Olimpiadës së Pekinit ndihet jashtëzakonisht mirë edhe kur qëndron para objektivit të fotografëve, të cilët e pëlqejnë shumë për nazet që bën dhe kujdesin që tregon për çdo detaj të imazhit të saj. "Më pëlqen të kujdesem për veten, jo se jam e fejuar, por sepse për mua pamja e jashtme ka vërtet shumë rëndësi. Nuk dëshiroj të flas për gjërat personale dhe dashurinë. Është diçka e imja. Nëse dëshironi mund të flasim për modën, sepse e ndjek shumë", shprehet ajo plot pasion.

Humanizmi është një vlerë që Jelena e ka shumë për zemër; është një mënyrë për ta bërë sa më optimist realitetin e egër. 27-vjeçarja ruse nga Vollgogradi është një "robot" sportiv, që ka konkurrente vetëm veten. Kundërshtaret luftojnë, vuajnë, por mbeten gjithmonë pas saj, mes 4.80 dhe 4.85 metrave. Ajo "fluturon" një pëllëmbë më lart në një disiplinën sportive, ku të kapërcesh një centimetër më shumë, të duhet të punosh për vite me radhë. Ajo është gruaja e parë që ka kapërcyer kufirin e 5 metrave. Tani ka në xhep një rekord prej 5.05 metrash, të cilin vetëm ajo mund ta arrijë. Jelena jeton mes Principatës së Montekarlos dhe Formias (Komuna e Formias është pranë Lacios në Itali), ku edhe stërvitet. "Më duhen edhe 4 vjet për të realizuar ëndrrën time, pra të arrij një rekord të pathyeshëm, që do të lidhet përgjithmonë me emrin tim. Më pas do të tërhiqem dhe do të mendoj vetëm për të ndërtuar familjen time". Familja e saj është një nga shumë të tjera që ka dalë nga kolapsi i madh sovjetik. E ëma ka qenë një ish-punëtore e thjeshtë, ndërsa sot është një grua shtëpiake, babai është një mysliman i devotshëm: "Një njeri i thjeshtë", siç e përshkruan Jelena, e cila flet shumë ngadalë dhe nuk i lëviz kurrë gishtat e saj të gjatë. Ka duar të lëmuara dhe kujdeset shumë për to. Para çdo ndeshjeje i lyen me pudër për ta rritur më shumë forcën e shtrëngimit mbi shkopin e kërcimit. Përveçse një femër rekordesh, Jelena është shumë bukuroshe. Tipari i parë që të bën përshtypje tek ajo janë sytë blu. "Jam e lodhur për vdekje. Më dhembin jashtëzakonisht këmbët dhe kam nevojë të qëndroj ulur, pasi kjo e sotmja ka qenë një ditë sfilitëse: e gjitha është për faj të blerjeve që kam bërë. Adhuroj të bëj ‘shopping‘ (pazar)".

Më falni, si thatë? Edhe një herë ju lutem, sepse nuk ishit e qartë?

Kam kaluar orë të tëra duke parë të gjitha dyqanet në rrugën "Monte Napoleone". Nuk kam qenë asnjëherë në Milano dhe mendova të përfitoja nga ky rast. Bleva 2 palë sandale për vete dhe një fustan të kaltër për motrën. Këtë shëtitje mund ta krahasoj me një maratonë. M‘u desh t‘i jepja fund, sepse nuk mundesha më.

Si është e mundur që u lodhët? Ju që përshkoni 100 metra për 12 sekonda dhe ngrini pesha 70 kilogramëshe në palestër?

Keni të drejtë, shëtitja nëpër dyqane është diçka e pazakontë, me të cilën unë nuk jam mësuar. Ritmet e sportit, siç është stërvitja, janë harmonike dhe të kontrolluara, ndërsa të ecurit "kuturu" (zakonisht kur bëjmë ‘shopping‘) është i çrregullt dhe pa orientim. Është e çuditshme, sepse jam veshur sportive, nuk kisha as këpucë me taka që unë i mbaj zakonisht.

Meqë ra fjala te centimetrat, ju jeni shumë e gjatë: në sportin ku ju bëni pjesë është një avantazh apo një problem?

Kur isha e vogël ishte problem, sepse merresha me gjimnastikë dhe gjatësia ime duhej të kishte një limit. Shikoja shoqet e mia më të vogla që bënin gjëra që për mua ishin krejtësisht të pamundura për t‘u realizuar. Por asnjëherë nuk më ka shqetësuar kjo gjë, sepse më pëlqente fizikisht vetja, ashtu siç më pëlqen edhe tani. Gjithsesi, në atë kohë gjatësia ime ishte një pengesë. Në kërcimin me shkop centimetrat mbi janë një plus, pasi të ndihmojnë të arrish më lart.

Sa lart dëshironi të arrini?

Dëshiroj të arrij 5 metra e 30 centimetra. Është lartësia që kam paracaktuar. Kam edhe 4 vjet kohë për të provuar dhe pasi ta kem arritur qëllimin do të lë sportin, sepse dua të krijoj familje.

Po nëse nuk do ta arrish këtë lartësi, do të tërhiqesh gjithsesi?

Problemin për të mos ia arritur qëllimit nuk e marr në konsideratë, të paktën jo për momentin, sepse kam shpresë së do të përmirësohem më shumë. Kjo më shtyn të mendoj që të arrij rekordin: në rrugëtimin tim kam bërë shumë progrese, por më duhet të punoj edhe më tepër për shkëputjen. Sido që të shkojë, unë jam duke vajtur drejt fundit të karrierës sime dhe për këtë gjë jam e qetë. Pas Olimpiadës së vitit 2012 do të jem 31 vjeçe dhe mendoj se është koha për të krijuar familje e për të pasur fëmijë. Maksimalisht mund të tërhiqem pas Botërorit të vitit pasardhës, në Moskë, por vetëm nëse do të jem ende në krye të klasifikimit botëror, sepse ideja e mbylljes së karrierës përballë bashkëkombësve të mi më emocionon jashtëzakonisht.

Aktualisht ju jeni rusja më e famshme në botë. Pak vite më parë ishte Ana Politkovskaja...

Nuk e njoh, kush është?

Është gazetarja që u vra në tetor të 2006-ës...

Kam dëgjuar të flitet për të, por të them të drejtën nuk më intereson aspak të flas për politikë. Qeveritë, sistemet ekonomike dhe debatet mbi argumentet politike i shoh larg vetes. Preferoj të mendoj për të tjera gjëra që janë më afër meje.

Babai juaj është një mysliman i devotshëm, besoj se jeni në dijeni për luftën në Çeçeni?

E përsëris, politika nuk më pëlqen, preferoj të flas për të tjera gjëra.

Le të flasim për Vladimir Putin?

Besoj tek ai, ashtu siç i beson shumica e popullit rus. Është një njeri i fortë dhe i dëshiruar. Te Putin janë varur të gjitha shpresat e këtij kombi. Sot e dimë shumë mirë që vetëm ai mund të na çojnë përpara. Asnjë tjetër nuk i ka aftësitë e tij.

Jo e gjithë bota e mendon kështu, apo jo?

Nuk kam dëgjuar kurrë të flitet keq për të, të paktën jashtë Rusisë. Ndoshta edhe sepse nuk më ndodh shpesh të flas për një argument të tillë, për arsye se me miqtë e mi flas për letërsinë dhe kinemanë.

Kush është filmi i fundit që keni parë?

"Twilight", që flet për vampirët. Jam kënaqur shumë, nuk kisha parë një gjë të tillë prej kohësh, më dukej sikur u riktheva sërish fëmijë. Gjithnjë kam parë dokumentarë, ose filma të frikshëm te të cilët kërkoj të ëndërroj njeriun perfekt.

Meqë ra fjala, ju pëlqejnë meshkujt italianë?

Para se të shkoja të jetoja në Itali, modeli im ishin personazhet e filmit "Kumbari", që propozon një imazh mashkullor shumë tërheqës, shumë modern. Sigurisht dhuna duhet dënuar gjithnjë, por njerëzit e "Kumbarit" kanë rregulla, përfaqësojnë një shoqëri të vjetër. Nuk them që më pëlqejnë mafiozët e vjetër, sepse kjo nuk ka kuptim, por një rrugë e mesme mes tyre dhe djemve të sotëm nuk do të ishte keq. Të rinjtë italianë janë pak a shumë të njëjtë, me veshjet e tyre. Ka ndonjë përjashtim, por në përgjithësi ata kujdesen tepër për anën fizike, ndërsa shumë të tjerë janë nën kërcënimin e dietave.

Sergei Bubka, legjenda botërore e kërcimit me shkop, para Olimpiadës së Pekinit deklaroi se ju duhej të rrëzonit nga pesha edhe një kilogram e gjysmë. A e keni bërë këtë gjë?

Siç e keni parë, në Olimpiadën e Pekinit isha në formë. Nuk është e nevojshme të sëmuresh për pamjen e jashtme. Sigurisht, sporti të imponon të ushtrohesh shumë, por asnjëherë nuk duhet të arrihet në një raport të ashpër me veten. Do doja t‘u thosha të gjitha femrave që mos u fiksoni pas të qenit e bukur, por jini të lumtura me vetveten. Ndryshimi është vlerë, edhe në aspektin estetik, sepse në të vërtetë kirurgjia estetike ndihmon ato që janë të gjymtuar, jo atyre që nuk e pëlqejnë më veten. Nuk të realizon si njeri. Buzët dhe gjoksi me silikon nuk shërbejnë për asgjë. Koha kalon dhe është e pamundur ta ndalosh që t‘i japësh një kuptim.

Cila është receta për t‘i dhënë vlerë kohës që kalon?

Përveç se duhet të impenjohesh në atë çka bën, pasi është motori i vërtetë i jetës, e rëndësishme është që të kesh edhe dashurinë. Unë jetoj larg familjes sime prej kohësh, por do të kthehem në Rusi sa më shpejt të jetë e mundur dhe nëse nuk do të ndodhë kështu, do të jem gjithnjë pranë personave që dua shumë. Emocionalisht ndihem sikur jam gjithnjë në shtëpi.


Të dhëna personale


EMRI: Jelena Gadzhievna Isinbaeva

KOMBËSIA: Ruse

DATA E LINDJES: 3 qershor 1982 (27 vjeç)

VENDI I LINDJES: Vollgogradi, Rusi

GJATËSIA: 175 cm

PESHA: 65 kg

VENDI: Rusi

SPORTI: Atletikë e lehtë

KATEGORIA: Kërcim me shkop

ARKIVA DHE TITUJT BOTËRORË JASHTË VENDIT: 2003, 2005, 2007

BRENDA VENDIT: 2003, 2004, 2006, 2008

TITUJT EVROPIANË: 2002, 2005, 2006

FINALET OLIMPIKE: 2004, 2008

KLASIFIKIMI MË I MIRË BOTËROR: Vendi i parë 2005

REZULTATI MË I MIRË JASHTË VENDIT: 5.05 m (2008, rekord botëror)

REZULTATI MË I MIRË BRENDA VENDIT: 5.00 m (2009, rekord botëror)

REKORDI I MEDALJEVE

GARON PËR RUSINË
ATLETIKË, FEMRA

LOJËRAT OLIMPIKE
MEDALJE ARI 2004 Athinë Kërcim me shkop
MEDALJE ARI 2008 Pekin Kërcim me shkop

KAMPIONATI BOTËROR
BRONZI 2003 Paris Kërcim me shkop
MEDALJE ARI 2005 Helsinki Kërcim me shkop
MEDALJE ARI 2007 Osaka Kërcim me shkop

KAMPIONATI BOTËROR INDOOR
ARGJENDI 2003 Birmingam Kërcim me shkop
MEDALJE ARI 2004 Budapest Kërcim me shkop
MEDALJE ARI 2006 Moskë Kërcim me shkop
MEDALJE ARI 2008 Valencia Kërcim me shkop

KAMPIONATI BOTËROR PËR TË RINJ
MEDALJE ARI 2000 Santiago Kërcim me shkop

KAMPIONATI BOTËROR PËR TË RINJ
MEDALJE ARI 1999 Bydgoszcz Kërcim me shkop

LOJËRAT OLIMPIKE PËR TË RINJ
MEDALJE ARI 1998 Moskë Kërcim me shkop

KAMPIONATI EVROPIAN
ARGJENDI 2002 Munih Kërcim me shkop
MEDALJE ARI 2006 Gotenburg Kërcim me shkop

KAMPIONATI EVROPIAN INDOOR
MEDALJE ARI 2005 Madrid Kërcim me shkop



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx