E premte, 19.04.2024, 02:58 PM (GMT+1)

Sport » Futbolli Botëror

Sampdoria, aventura e djemve të Vujadin Boskov

E hene, 04.05.2009, 10:09 AM


Debutimet e formacionit të ri qenë më shumë se inkurajuese, aq sa për 20 vjet të mira nuk u shkul nga kategoria superiore.

Dy dekada midis më të mëdhenjve

Prolog

"Kështu e kanë pagëzuar Samp-Doria. Ka qenë një lindje e vështirë dhe në fund jo shumë e lumtur... Kjo Samp-Doria të rrënqeth mishtë.. Ju bën të dëgjoni tifozët të ulërijnë: "Forca Samp-Doria"? Vërtet që jo".

Hëm, sot na duket që çke me të. Por gjithsesi është i kuptueshëm se kjo mospërputhje fillestare mund t'i rezultonte e shpifur kronistit të "Gazzetta dello Sport" që më 9 korrik 1946 e përshëndeti në këtë mënyrë lindjen e shoqërisë së re futbollistike. I justifikueshëm mosbesimi: dihet, gjithmonë shkrirjet në futbollin tonë janë kundërshtuar nga çdo anë. Por, për Genova bëhet një përjashtim, sepse për kryeqendrën ligure tri skuadra janë bërë vërtet shumë. Italia ishte në gjunjë, e rënduar nga pesha e një lufte që e kish asgjësuar dhe paratë sigurisht që nuk rridhnin lumë. Kështu, logjike në një epokë tranzicioni midis futbollit heroik dhe atij milioner, vendimi për të reduktuar numrin e skuadrave të qytetit, që mund të ofronte një nivel të kufizuar ndjekshmërie. I paprekshëm ishte Grifoni i lashtë dhe i lavdishëm kuqeblu, ndërsa në krizë të thellë qenë shoqëritë e Sampierdarenese dhe dell'Andrea Doria. Duke lënë mënjanë rivalitete logjike fshati, të dyja skuadrat vendosën që të bashkojnë ngjyra, para dhe zemra tifozësh. Pengesa e fundit për t'u kaluar: emri për t'ju vënë shoqatës sportive të sapolindur. U vendos me short.

Në origjinat e triumfit

Debutimet e formacionit të ri qenë më shumë se inkurajuese, aq sa për 20 vjet të mira nuk u shkul nga kategoria superiore. Dy dekada midis më të mëdhenjve: pa synuar asnjë herë titullin, të kuptohemi, por plot me kënaqësi, derbi të zjarrta dhe me shfaqje të disa kampionëve të vërtetë, si idhulli legjendar argjentinas, Ernesto Tito Cucchiaroni, austriaku, Ernst Ocëirk dhe suedezi, Lennart Skoglund, që në vitin 1961 i tërhoqën dorianët në një vend të 4-ët historik. Por supremacia e ngjyrave kuqeblu nuk dukej në diskutim, nën dritën e Fanarit. Sigurisht, edhe Grifoni nuk e kalonte dhe aq mirë, por 9 tituj të qepur në uniformat e vjetra kujtonin kohëra të mëdha vështirë të përsëritshme. Pastaj erdhën edhe vitet e para të dobta doriane, që patën si pasojë logjike një vit ndëshkim në serinë B në sezonin 1966-'67. Por, Sampi menjëherë i ngjitur në kategorinë superiore nuk diti më ta gjente dellin që e kish mbështetur për një 20- vjeçar dhe nënshkroi nja 10 sezone të dallueshme në pjesën më të madhe nga shpëtime për një qime prej rënies nga kategoria, nga vende të 4-a nga fundi të kapura me forcën e dëshpërimit. Pastaj, erdhi viti 1977 dhe gjenovezët ranë sërish në rërat e lëvizshme të të pabesës B. Një moçal që do ta shtrëngonte Dorian deri në brez për 5 vite të mira. Më së fundi, në vitin 1979, kur kthimi në kategorinë superiore dukej si mirazh, Paolo Mantovani, merr presidencën e shoqërisë. Atë ditë i hodhën bazat për një ngjitje të pabesueshme në majat e futbollit italian, që do ta projektonte Sampin midis të mëdhenjve të Europës. Mantovani, që në 15 vitet në vazhdim të presidencës do të dallohej për antikonformizëm, largësinë nga sallonet e pallatit dhe nga goditjet sensacionale, ditën e paraqitjes përpara shtypit lejoi të shtënën e vetme të jetës së tij: "Do të kthehemi në Serie A", u shpreh ai. "Përgatisni pashaportat... do të fitojmë titullin". Në këtë pikë të pranishmit patën një shtytje: pushtimi i Serie A dukej si një detyrë, nga e cila nuk mund të hiqej dorë, por të mendoje pozicione për UEFA apo deri titullin ishte gjë prej të çmendurish, sidomos me një skuadër të zhytur në dramën B, tashmë prej dy sezonesh. Por, numri një blu me rrathë fliste me njohje të plotë të problemit. I transferuar në kryeqendrën ligure nga qyteti i tij i lindjes, Roma në moshën 25-vjeçare, nga punëtor i një shoqërie lundrumi kish arritur të bëhej armator, për ta gjetur më tej fatin me naftën. Domethënë i pasur, por jo vetëm: inteligjent dhe i ndrojtur, arrinte që të lidhte me përsosmëri të mirat dhe defektet e gjenovezëve dhe të romanëve. Do të bëhej legjendë dhe publiku dorian do ta donte në mënyrë të pakushtëzuar. Por vitet e para, pavarësisht deklarimeve fillestare, nuk qenë të lehtë. Dihet, të kthehesh në kategorinë superiore nuk është shaka dhe shumë herë paratë dhe synimet e mira nuk janë të mjaftueshëm. Në fillim të sezonit 1981-'82, drama e vërtetë: më 2 shtator 1981, në Cagliari për një ndeshje të Kupës së Italisë, Presidenti goditet nga një infarkt teksa qëndronte i ulur në stol me trajnerin Riccomini. Qe fillimi i një kalvari, që i shoqëruar me ndodhira të ndryshme gjyqësore, e çoi në një mërgim vullnetar në Zvicër. I shkarkuar Riccomini javën e 5-të pas një humbjeje në Leçe, për rilançimin e një Samp që luhatej u zgjodh një trajner i ri toskan, Renzo Ulivieri, njeriu klasik i hyjnisë. Në fund të sezonit, pas shumë vuajtjesh, blurrethorët do të arrinin shpëtimin e shpresuar. Shumica ishte kryer: skeleti i skuadrës ishte i fortë, trajneri kishte ide të qarta dhe Presidenti miliardat.

Nga kategoria inferiore me furi

Fushata e blerjeve për sezonin 1982-'83 dha një ide për dimensionin që po merrte skuadra gjenoveze. Jo më lavdi të vjetra apo gjysmë të mbaruar, por kampionë të lakmuar nga e gjithë Serie A. Pavarësisht largësisë së detyruar nga Gjenova, Mantovani arriti në goditje merkatoje të bujshme. Sezoni i mëparshëm kishte parë një Bologna copëtuar të binte në Serie B për herë të parë në historinë e saj; por ai sezon i sakatuar ishte ndriçuar nga shkëndijat e para të një kampioni akoma në pelena. Një djalosh nga Jesi që me 9 golat dhe mrekullitë e tij kishte mbajtur të gjalla shpresat e bolonjezëve deri javën e fundit. Rreth emrit Roberto Mancini, fëmijës - mrekulli, shpërtheu një ankand i çfrenuar. Por skuadra që e mori qe pikërisht Samp, që për shifrën rekord të 4 miliard liretave siguroi lojtarin që më shumë se çdo tjetër do ta shënonte historinë e saj. Për dhuntitë e të riut nuk pranoheshin diskutime: me lajmin e shitjes së tij, Gigi Radice, në pritje që të nënshkruante kontratën, e refuzoi stolin e kueqbluve. Për më tepër, nga Bologna do të mbërrinte edhe drejtori sportiv i ri Borea, një tjetër i destinuar që të hidhte rrënjë të qëndrueshme në brigjet e Detit Ligur. Por fushata e forcimit sampdorian nuk u kufizua me brilantin bolonjez: edhe dy kampionë të afirmuar si Trevor Francis dhe Liam Brady zbarkuan në Gjenovë. Bile sikur Presidenti të kish qenë njeri me staturë tjetër, Sampi do të kish mundur të dispononte edhe një tjetër figurë me peshë: në fakt, edhe i djaloshit Pietro Vierchowod, i marrë vite më parë nga Como, do të duhej të ishte pjesë e brigatës Ulivieri, por u ndodh tek Roma i huazuar (tamam në kohë sa për të fituar një titull përkrah me Falcao, Conti e kompani) për shkak të një premtimi të bërë Presidentit romanist Dino Viola nga Mantovani. Kush nuk do ta kishte dashur, edhe atëhere, "rusin" e pamposhtur? Por, Paolo ishte prerë kështu: një premtim një miku, megjithëse me gjysmëzemre, kishte të njëjtën vlerë me një kontratë të hartuar përpara shpurave të noterëve dhe avokatëve. Vërtet e habitshme që një tip kështu ka arritur të fitojë kaq shumë, në një futboll si ky i sotmi. Miliardat e shpenzuara shkaktuan megjithatë efektet e dëshiruara, aq sa Doria shumë shpesh u nxorri bela edhe të mëdhave. Vetëm Mancini, golden-boy aq shumë i reklamuar, nuk po jepte ashtu siç pritej: shumë herë Ulivieri e uli në stol, duke i paraprirë tendencës së tij prej trajneri alergjik ndaj jashtëklasëve. Por Mancio do të ribëhej dhe me interesat. Në fund qe një vend i 7 ngushëllues, pozicion krejtësisht i respektueshëm për një të sapoardhur. Vetëm Verona habitëse e Osvaldo Bagnoli, edhe ajo e ardhur nga B, arriti që të dalë më mirë. Sezoni i mëpasëm njohu më së fundi kthimin në bazë të Vierchowod, kampion Italie i freskët me verdhekuqtë; blerjet e Galia, Marocchino, Renica e Bordon i dhanë më shumë qëndrueshmëri ekipit të Ulivieri. Sërish të 7-ët, në vitin e rikthimit të furishëm të Juves së Michel Platini. Por, në pritje të kampionatit 1984-'85, diçka po valonte. Ishte një djalë i ri që shënonte gol me thes në Serie B me Cremonese. Po, ishte paksa i brishtë, por duke pasur parasysh moshën do të ishte interesante ta vije përkrah një njeriu si Mancini. Kushedi: ndoshta me ata të dy Sampi do të fitonte ndonjë gjë për herë të parë...

Dhe në fund mbrriti Vialli...

Më së fundi, fushata e blerjeve 1984-'85 filloi që ta strukturojë seriozisht skuadrën që do të triumfonte në vitin 1991. Mancini, Pellegrini e Vierchowod ndodheshin në Gjenovë prej kohësh; pasi u blenë Graemme Souness e Fausto Salsano, shoqëria vendosi që të synojë mbi të rinjtë dhe në dispozicion të trajnerit të ri, Eugenio Bersellini vuri Gianluca Vialli, Moreno Mannini e Fausto Pari. Në synimet e drejtuesve, Sampi do të duhej të hapte një cikël të destinuar që të zgjaste në kohë, duke pasur parasysh moshën e re të lojtarëve. Mantovani e Borea qëlluan në çdo lëvizje dhe qysh nga ai sezon fituan trofeun e parë të historisë doriane: Kupën e Italisë, të fituar ndaj Milanit. Për më tepër, vendi i 4-ët në kampionat kurorëzoi një sezon përrallor. Po lindte Samp-simpatia, e destinuar që të shënonte një epokë të futbollit italian. Do të ishte skuadra e të rinjve, e lirisë, e fantazisë në pushtet dhe e ekstravagancave; hordhi vajzash do t'i kushtoheshin kultit blurrethot, të rrëmbyer nga sharmi i binjakëve të golit, por do të etiketohej gjatë si bukuroshja e paplotësuar, si skuadra e privuar nga pjekuria, viktimë e narcizizmit të vet. Një kombinim unik, që u pasurua nën pontifikatin e urtë të Paolo VII, siç do të quhej nga tifozët, një President - baba, i aftë që t'i donte lojtarët e tij njëlloj si fëmijët e tij dhe, nga ana e tyre, të riduhej si baba i dytë. Qe sigurisht ai lidhësi që i mundësoi Sampit që të mos shpërbëhej, që të mos tundohej nga synimet e skuadrave të mëdha, që me radhë do t'i tundonin me tinguj miliardash Vialli, Mancini e Vierchowod. Nëqoftëse blurrethorët i refuzuan shumë herë kontratat faranike metropolitane, kjo qe për mirënjohje ndaj Mantovani, që me kujdesin e tij i kish prekur në zemër blurrethorët. Pas triumfeve të vitit 1985, e mbushur me të rinj, Doria dukej gati për një sezon të ri suksesesh: pak axhustime do të mjaftonin për ta bërë konkurruese në çdo front. Në fakt arriti një njeri me klas si Matteoli, regjisor me vlerë të jashtëzakonshme, dhe djaloshi Pino Lorenzo, një dem i fuqishëm sa një mal që kish bërë namin tek Catanzaro. Saktësisht, Sampi nuk diti ta përsërisë veten dhe nënshkroi një prej sezoneve më të këqia të saj, duke përfunduar në vendin e 11-të. Bersellini e kish ezauruar ciklin e tij, nuk kishte asnjë dyshim lidhur me këtë. Ishte një trajner sllav, që në kohën e tij, në vitet Gjashtëdhjetë, kish veshur edhe bluzën blurrethore. Sapo kish sjellë Ascolin në Serie A, mund të provohej...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora