E merkure, 09.10.2024, 07:51 AM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Besnik Dizdari: 70 vjet të Kupës së “shuar” të Shqipërisë…

E shtune, 04.04.2009, 12:29 PM


70 vjet të Kupës së “shuar” të Shqipërisë…

Nga Besnik Dizdari

Qé pra, ndodh që një gazetar, i cili është autori i këtushëm, t’i “zbulojë” dhe t’i konfirmojë vendit të tij një Kupë Kombëtare të “panjohur”. E them këte duke e përjashtuar për një çast modestinë, sepse e shoh që një tufë njerëzish, të rinj e të vjetër, gazetar të vetdeklaruar e shkruesa të pafund që kanë hyrë në gazeta edhe pse nuk dijnë të shkruajnë, kryeredaktorë të emëruar prej pronarësh shtypi, të cilët nuk e njohin dhe as që duan ta njohin përsëmbari këte fushën tonë së cilës i kushtuam jetën, harrojnë, injorojnë, në fund të fundit ahistorizojnë. Tash të gjithë këta thonë me plot gojën se Shqipëria e ka zhvilluar Kupën e saj Kombëtare më 1938-39 dhe në gjithë Librin e Artë të fitueseve të Kupës e nisin me këte: “Kupa e parë: 1938-39 Sportklub Tirana”.

Diçka krejt e natyrshme, megjithate. Si të kishte ekzistuar përgjithmomnë. Në të vërtetë ajo aty ka qenë, ka ekzistuar, është zhvilluar, ka shpallur fituesen e saj, ka hyrë në histori. Mirëpo, e kishin përjashtuar nga historia. Dhe qysh atëherë, këtu e mbi 60 e sa vjet më parë, menjëherë mbas vitit fatthënë 1944, i cili duhej të fshinte krejt ato çka kishin ndodhur para tij, askush nuk e përmendte as Kupën e 1-rë të Shqipërisë. Deri sa një ditë “kolegu Besnik Dizdari” siç është thënë një here të vetme prej dikujt, “na e tregoi këte Kupë”.

Në të vërtetë, jo vetëm e tregova, por dhe e zyrtarizova. Po si mundet të zyrtarizojë një Kupë të vetme një njeri i vetëm?

Le ta ritregojmë edhe një herë ate, çka na e dikton 70-vjetori i këtojavshëm i themelimit të saj, një përvjetor që nuk e përkujton askush përveç këtij, “zbuluesit” të saj, kolegut të sipërmendur dhe kjo gazette. Eh, çfarë Shqipërie që kemi për këso punësh më saktë për punë historie, së cilës për fat vazhdojnë t’i tremben, sidomos “ata”, ose “këta”…

Saktësimi i Kupave të Republikës Popullore Socaliste të Shqipërisë

Duhet të ketë qenë viti 1975 a 1976, kur krejt papritmas dikush ishte kujtuar që për herë të parë të përcaktonte në një afishe të Tiranës, finalen e Kupës së Republikës si të 28-tën në mos gaboj. Çka do të thoshte se në 29-30 vite të Mbasluftës, Kupa e Republikës të ishte zhvilluar thuajse çdo vit. E dija që kjo ishte e pamundur. Ahere i hyra hulumtimit. Në FSHF thuajse asgjë! Kishte mbetur vetëm të shkoja te shtypi i kohës e natyrisht te Arkivi im, i cili qe “themeluar” qysh kur isha krejt i ri. Gabimi doli shpejt. Numëruesi kish quajtur Kupë të Republikës edhe Kupën e 500-vjetorit të Skenderbeut, të 50- vjetorit të Pavarësisë, të finaleve (fundoreve) të Spartakiadës Kombëtare, e në mos gaboj, deri edhe një të një përvjetori të Kongresit të Përmetit, a s’di se çka. Ishte ky gabim që u bë shkas për një ndreqje absolute.

Mbasi sistemova gjithëçka, botova shkrimin e saktësisë në gazetën “Bashkimi” ku mbuloja edhe rubrikën sportive. Dhe po aq papritmas sa dhe gabuesi inisiator, një ditë të bukur, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, një gazetar kishte fshirë disa "kupa" prej një historie së cilës ato nuk i përkisnin. Prita në heshtje reagimin. Asgjë. Nga FSHF heshtje olimpike. Dhe qysh atë ditë të mesit të viteve '70, Kupat e Republikës, të cilat, shumë shpejt i vetemërtova si "Kupa të Shqipërisë", siç bëjnë të gjithë shtetet e Evropës, çdo vit tash e mbrapa do të kishin numrin e tyre të saktë të Mbasluftës. Çka vazhdoi rregullisht.

Megjithate, asgjë nuk kaloi kaq qetë. Duke qenë se në shkrimin përmbledhës historik të saktësisë, i ishte dhënë jopak vend të paharrueshmit Zihni Gjinali, një triumfues i disa Kupave të Shqipërisë si trajner dhe lojtar, nja dy partizanë të vjetër, të cilëve ora iu kishte mbetur vetëm te viti 1944, me zemërim do t’i shkruanin mu zevendëskryeministrit të Shqipërisë se Besnik Dizdari, është një gazetar reaksionar i cili rridhte prej një familje reaksionare të Shkodrës dhe të cilin në gazetën “Bashkimi” e kishte futur armiku i popullit dhe i partisë… Dhe për këte ai ka ngritur lart figurën e një ballisti të orëve të para, Zihni Gjinalit….

As nuk ishte e vërtetë se vija prej një familje “reaksionare”, përkundrazi atdhetare dhe antifashiste dhe po aq as nuk ishte e vërtetë se në gazetë më kishte futur “armiku” në fjalë, miqësia me të cilin qe lidhur vetëm mbasi kisha e pakta nja katër vjet që isha gazetar i “Bashkimit”. Ajo që ishte e vërtetë qe diçka tjetër: se Gjinalin e madh asokohe e kishin mënjanuar jopak, por urrejtja ndaj tij nuk rreshté te këta partizanë, të cilët ndonëse ishin vitet ‘70 të, gjithnjë për ta kishte vetëm një vit: 1944. Do t’i duhej sekretarit personal të zëvendëskryeminstrit të merrte rrugën e shkurtër për te redaksia e gazetës “Bashkimi” e të takonte kryeredaktorë të athershëm e të mëparshëm, një Niko Nishku e Milto Ferra apo deri te më i riu siç qe një Sefedin Çela, njeri më i nderuar se tjetri, për t’u rrëzuar gjithçka, e për t’u bindur Partia se “gazetari ynë nuk bën punë tjetër veç punën e Partisë”. Çka në të vërtetë e bënim të gjithë.

Kështu ka qenë ajo kohë dhe ngjarja me gjithë absurdin e saj oruellian, nuk mund të të shlyhet asesi, aq më tepër kur kujton se në fund të fundit, fjala ishte për “punë sporti”, më saktë për numrin e vërtetë të Kupës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë Komuniste. Sepse asesi ende nuk guxonim as ne të shihnim përtej vitit 1944 kur Mbretëria e Pushtimi ishin Shqipëria reaksionare dhe fashiste bashkë.

Kështu u bëra rregulluesi i edicioneve të Kupave të Shqipërisë, duke futur për herë të parë në Shqipëri edhe numrimin të kësj gare të madhe me shifrat e edicionit vjetor. Përshembull: Kupa e 20-të e Shqipërisë për edicionin 1975-76, e kështu me rradhë.

Nuk kisha bërë asnjë trimëri. Vetëm me “dinakëri” kisha vulosur, falë autoritetit të gazetës “Bashkimi”, se Kupa e 50-vjetorit të Pavarësisë, Kupa e Kongresit të Përmetit, ajo e 500 vjetorit të Skenderbeut, apo turneu i Spartakiadës Kombëtare, nuk ishin Kupa të Shqipërisë.

Ishin përpjekjet e para të zbehta të saktësimit të historisë nën Regjim. Vitet e tmerrëshme ’70…

Kupa e 1-rë Kupa që i mungonte Shqipërisë: 1938-1939…

Përsa i përket kësaj as që mund të guxoja ta kaloja nëpërmend asokohe…

Duheshin edhe nja 20 vjet të tjera. E unë tash nuk do të isha thjesht gazetari pasionant (gjakues) i “Bashkimit” të Tiranë, por një gazetar i vjetër, më parë i Regjimit komunist që sapo kishte rënë dhe tash i sistemit të ri demokratik që sapo kishte ardhë. Për fatalitetin e historisë ishte viti 1997.

Federata Shqiptare e Futbollit ka patur një fatkeqësi gati të përherëshme. Në zyrat e saj, sidomos mbas Anton Mazrekut, kurr nuk ka punuar një njeri i arkivit, i statistikës, i historisë së futbollit. Teknikë të njëmbasnjëshëm kanë ardhur e kanë shkuar në krye të saj, dhe për çudi si në asnjë vënd të botës së madhe të futbollit, në kanceleritë e saj, historia e futbollit ose nuk është dokumentuar fare, ose është dokumentuar keq. Eshtë me gjithë mënd paradoksale sesi ka qenë e mundur që asnjë prej drejtuesve të saj nuk ka lënë një gjurmë të saktë arkivi, një sistemim historik, një dokumentacion serioz, të kulturuar, shkencor, një statistikë moderne të futbollit. Nuk dua të mohoj punën e askujt aty, por që për mbi gati 70 vjet të mungonte ky personalitet në Federatën Shqiptare të Futbollit, kjo më duket e pafalshme. Nuk dua të përmend emra, por me keqardhje them se në shumicën e rasteve në krye të kësaj Federate kanë qenë njerëz të cilët nuk e kanë njohur historinë e futbollit shqiptar dhe nuk kanë patur dëshirë ta njohin ate. Ec e guxo mandej që të presësh prej tyre, sistemimin e kësaj historie. Federata Shqipare e Futbollit është e vetmja Federatë, në Evropë të paktën, e cila deri më sot nuk ka një botim historiko - statistikor të sajin. Ajo që është bërë në këtë fushë, është bërë jashtë saj, prej të tjerëve, më të shumtën gazetarë, të cilët asnjëherë nuk kanë gjetur mbështetjen e saj. Autori i këtushëm e ndjen këte edhe me librat e tij të dy dhjetvjetëshave të fundit permes të cilëve hap mbas hapi po shkruhet historia e futbollit dhe e sportit kombëtar, po që asesi nuk prek telat zemrës futbollistike të forumit të futbollit kombëtar, sepse këtij i mungojnë mu këta tela zemre.

Ndërkaq, gjithnjë është e vështirë të kuptosh se si ka qenë e mundur që mbas Kampionatit Kombëtar më të suksesëshëm të Paraluftës, atij të vitit 1937, më 1938 në Shqipëri të mos zhvillohet Kampionati!? Cilat mund të kenë qenë arësyet? Organizative? Financiare? Kushedi! Vetëm një gjë dihet. Po afrohej fundi i vitit dhe Kampionati tashmë thuajse ishte harruar. Ndonëse aktiviteti futbollistik me kampionate shkollash sidomos, kupa të ndryshme si ajo "Gardlund", kupa të rinjsh, kampionate të shumtë lokalë, shpesh deri dhe në fshat, mundoheshin të gjallëronin një jetë thuajse të fikur futbollistike...

Dhe ja papritmas jepet njoftimi: "Do të fillojnë Kupat e Federatës Vllaznija Shqiptare”.

Dhe më 11 dhjetor 1938, jo pak por plot 18 skuadra, dalin në fushën e lojës. Të ndara në grupe, fituesja e secilit grup do të konsiderohej fituese. Dhe është interesante ndarja në grupe. Për këte merrej në konsideratë renditja e Kampionatit Kombëtar të vitit 1937. Në grupin e parë për fitimin e Kupës janë 3 skuadrat e renditura të parat në atë Kampionat 1937: SK Tirana, Vllaznia dhe Besa. Në grupin B Skenderbeu, Bashkimi Elbasanas dhe Dragoj i Pogradecit. Në grupin C Durrësi, Bardhyli i Lezhës, Tomori i Beratit, Ismail Qemali i Vlorës. Saktësisht simbas renditjes së Kampionatit Kombëtar të vitit 1937. Mandej vijnë tre grupe të tjera, A, B, C me skuadrat e Divizionit të dytë (kategorisë së dytë) ku gjithashtu fituesit do të nderoheshin me kupë simbolike

Siç shihet qartë, përmasat kombëtare të Kupës ishin hapësinore: 18 skuadra nga të gjithë krahinat e Shqipërisë! Mos harroni: jemi më 1938 me vetëm 7 vjet futboll të organizuar! Dhe ndeshjet që do të ishin dramatike...

Sidomos treshja e parë SK Tirana, Vllaznia, Besa. Ose më mirë me thënë, dueli i famshëm Tiranë - Shkodër. Ndonëse çudia e parë i takon Kavajës: Besa - SK Tirana 2-1. Dhe vjen mrekullia: Tirana - Vllaznia 5-3! Gati tenistik është dhe rezultati i ndeshjes Tirana - Besa 4-2. Ndërkohë Vllaznia fiton 2-1 në Kavajë dhe ja ku mbrrin i famshmi 22 janar 1939 dhe e gjithë Shkodra jeton me ndeshjen e madhe që do të përcaktonte fituesen e Kupës. Dhe befas merret vesh se Shkodrës i mungojnë një tufë titullarësh: Laçej, Xurxa, Rusi, Alibali, Fakja, Gjeloshi, Dervishi... SK Tiranës vetëm Mark Gurashi.

Lushta si gjithmonë, qysh ditën e parë kur i ka dalë Vllaznisë përballë në fushë, ka qenë shkatërrimi i saj. Dhe çel ate që ne i themi seria e golave: 1-0 në të 24' kur pa kaluar 2 minuta Sllave Llambi shkakton autogol. Ndeshja është kësisoj në ekujlibër të plotë, sepse, siç shkruan Mazreku, "Vllaznia" na dha me kuptue se lojtarët shkodranë ndodhen në rrugën e përparimit".

Kësisoj, deri në të '75 kur mbrrin goli përcaktues i Jakovës, çka vulos fitoren e SK Tiranës 2-1 si dhe marrjen e Kupës prej saj.

Çfarë thotë Anton Mazreku

Dihet. Ai dhe vetëm ai. Penda e tij dhe gjithnjë penda e tij. Shkruan Mazreku:

"Janë rrahë papushim të dyja portat… Ndoshta ma teknikë janë tregue lojtarët e Tiranës, ndoshta i kanë mbajtë ma mirë pozicionet, ndoshta kanë zbritur ma rrezikshëm në portën kundërshtare, kryesisht për shkak të shutit të mirë të Lushtës, por nga ana tjetër lojtarët shkodranë kanë luejtë me nji vullnet të madh... Ndeshjet midis “Sportklub Tiranës” dhe “Vllaznisë” së Shkodrës janë tue u bâ për ditë e ma vllaznore. Ndeshje si ajo e të Dielës së kalueme të ka kande me i pa dhe na japin me kuptue se sportistat t’onë kanë nisë me e marrë vesht mâ s’mirit qëllimin e vërtetë të sportit. Lojtarët e të dyja skuadravet kanë kuejtë tamam sikur me qenë vllazën… Janku ka qenë gladiatori i zakonshëm… I afrohet mjaft Maluçi… E do të formojnë një bllok që do të tronditet me shumë vështirësi prej vijave sulmuese kundërshtare. Llambi ka përparue me hapa të matun në ket kohën e mbrame. Cilësivet të tij athletike ka fillue me i shtue edhe cilsit e një teknike mjaft të mirë… Karapici prap zotnon nji teknikë e taktikë të shëndoshë. Plluska ka qenë ndoshta mâ i miri i të treve… Balla merret vesht mirë me Lisin… nji lojtar elegant, që e zotnon mirë topin dhe shndrron pasa të bukura… Lushta asht gjithmonë lojtari teknik me pasim, me fintat dhe me gjuejtjet e sigurta… Hila ka qenë nji nga lojtarët ma të mirë në fushë… Smajli asht shque mbi të gjithë për energjinë e tij të pashoqe. Ka frymë edhe me shitë… Koxhja koncepcionin teknik e ka mjaft të mirë… Hoxha asht i fortë dhe me nji ushtrim të rregullt mund të vijë lehtësisht në formën e përparshme. Gjinali ka kombinue mirë me Vasinë… e Vasija ka zhvillue nji lojë me të vërtetë të bukur… Halepiani asht një motorr i vogël: nuk lodhet kurr… Arbitri Enver Kulla asht e treta herë që po arbitron në ndeshjen e Kupës dhe të trija herët arbitrimi i tij ka pasë suksesin e dëshiruem. Asht nji arbitër krejt i paanshëm dhe me vendim të shpejtë e me sy të mprehtë…”.

Konfirmimi i Kupës së parë: SK Tirana 1938-39

SK Tirana, sunduesja absolute e futbollit shqiptar të viteve 30', fiton Kupën e "Federatës Vllaznija Shqiptare" që në mënyrë bindëse nuk është gjë tjetër veçse Kupa e parë e Shqipërisë në futboll.

Tek është dhe skeda e "fundores":

VLLAZNIA - SK TIRANA 1-2

Shkodër, 22 janar 1939.

VLLAZNIA: Jubani, Hila, Kazazi, Smajli, Koxhja, Barbullushi, Hoxha, S.Gjinali, Vasija, Halepiani, H.Osmani.

SK TIRANA: Hobdari, Maluçi, F.Janku, Llambi, Karapici, Plluska, Balla, Lisi, Lushta, Jakova, Kashariqi.

GOLAT: Lushta 24’, Llambi 26’ (vetgol), Jakova 75’.

GJYQTAR: Enver Kulla.

Për të ardhur te kjo “fundore”, duhej të ndodhnin këto ngjarje: Vllaznia të fitonte 2-0 me Besën në Shkodër, Besa të fitonte 2-1 me SK Tiranën në Kavajë, SK Tirana të fitonte 5-3 me Vllazninë në Shallvaren e Tiranës, si dhe 4-2 me Besën, Vllaznia të fitonte 2-1 në Kavajë me Besën dhe të humbiste 1-2 në Shkodër ate që ka hyrë në histori si “fundorja” e Edicionit të 1-rë të Kupës së Shqipërisë në futboll, 22 janar 1939.

Renditja përfundimtare e grupit mëtues të Kupës, është kjo:

Grupi A

1. SK Tirana 6 3 0 1 12-8

2. Vllaznia 4 2 0 2 8-8

3. Besa 2 1 0 3 5-9

Çfarë ngjet në grupet e tjerë simbolikë? Flasin renditjet përfundimtare të secilit:

Grupi B

1. Skenderbeu 6 3 0 1 13-4

2. Bashkimi EL. 4 2 0 2 6-7

3. Dragoj 2 1 0 3 3-12

Grupi C

1. Durrësi 11 5 1 0 22-3

2. Bardhyli 6 3 0 3 9-12

3. I.Qemali 6 2 2 2 8-11

4. Tomorri 1 0 1 5 5-18

Dhe për efekt sportiviteti, Skenderbeut dhe Durrësit iu jepet Kupa simbolike e Shqipërisë.

Ndërkohë, një tufë skuadrash të Divizionit të dytë zhvillojnë në grupet e tyre edhe ato ndeshjet e Kupës. Fitojnë Kupën Drita e Gjirokastrës në A, Shkumbini i Peqinit në B dhe Devolli i Bilishtit në C.

Shkruaja më 199:

“Kjo Kupë duhet njohë si e para Kupë e Shqipërisë:

1. Sepse është një Kupë mbarëkombëtare, madje duke marrë pjesë të gjitha skuadrat e Divizionit të parë dhe të dytë, pra e gjithë Shqipëria.

2. Sepse Kupa ka një emër të vetëm: "Kupa e Federatës Vllaznija Shqiptare."

3. Sepse Federata Vllaznija Shqiptare është as më pak e as më shumë, por organizmi kombëtar analog me Komitetin Olimpik Shqiptar apo Komitetin Kombëtar të Sporteve, pra vetë shteti dhe kombi në sport, çka përmbledh gjithë lëvizjen sportive kombëtare.

4. Sepse kjo Kupë është ekzakt Kupa e Shqipërisë e zhvilluar me të gjithë skuadrat, por me të drejtë për ta fituar ate 3 skuadrat më të mira të Kampionatit 1937, sipas Renditjes të tij. Ashtu siç kemi raste në disa Kupa të Shqipërisë të Mbasluftës, ku për fitimin e saj kanë luajtur vetëm 8 skuadrat më të mira, madje të një faze Kampionati. Ndërsa fituesit e Kupave më 1938-39 në grupet e tjerë, në të vërtetë nuk nënkuptojnë gjë tjetër përveçse ato raste të panumurt të Kupave të Shqipërisë të Mbasluftës kur luhej për të gjithë vëndet, siç ju kujtohet, nga i 1-ri te i 16-ti. Edhe në këtë anë po ta shohësh 1939-tën, kjo ka një logjikë. Organizatorët e kulturuar të asaj kohe iu kanë dhuruar një kupë simbolike të gjithë fituesve të grupeve renduese.

Mbas gjithë kësaj, Renditja e plotë e Kupës së parë të Shqipërisë 1938-39 është kjo:

Kupa e 1-rë e Shqipërisë, sezoni 1938-39:

1. SK TIRANA / Tiranë

2. VLLAZNIA / Shkodër

3. BESA / Kavajë

4. SKENDERBEU / Korçë

5. BASHKIMI ELBASANAS / Elbasan

6. DRAGOJ / Pogradec

7. DURRESI / Durrës

8. BARDHYLI / Lezhë

9. ISMAL QEMALI / Vlorë

10.TOMORI / Berat

11.DRITA / Gjirokastër

12.LEKA I MADH / Përmet

13.NAMIK DELVINA / Delvinë

14.SHKUMBINI / Peqin

15.APOLONIA / Fier

16.KONGRESI LUSHNJES. / Lushnjë

17.DEVOLLI / Bilisht

18.BASHKIMI DIBRAN / Dibër

Kësisoji, e gjithë kjo histori e cila do të shpalosej më tej në të ardhmen, "Libri i Artë" i Kupës së Shqipërisë i plotësuar prej meje në shkrimin e “Sportit Shqiptar” më 8 korrik 1997, paraqitej kështu me fituesit e tij ndër vite:

1939 SK Tirana, 1948 Partizani, 1949 Partizani, 1950 Dinamo, 1951 Dinamo, 1952 Dinamo, 1953 Dinamo, 1954 Dinamo, 1957 Partizani, 1958 Partizani, 1960 Dinamo, 1961 Partizani,1963 SK Tirana, 1964 Partizani, 1965 Vllaznia, 1966 Partizani, 1968 Partizani, 1970 Partizani, 1971 Dinamo, 1972 Vllaznia, 1973 Partizani, 1974 Dinamo, 1975 Elbasani, 1976 SK Tirana, 1977 SK Tirana, 1978 Dinamo, 1979 Vllaznia, 1980 Partizani, 1981 VLlaznia, 1982 Dinamo, 1983 SK Tirana, 1984 SK Tirana, 1985 Flamurtari, 1986 SK Tirana, 1987 Vllaznia, 1988 Flamurtari, 1989 Dinamo, 1990 Dinamo, 1991 Partizani, 1992 Elbasani, 1993 Partizani, 1994 SK Tirana, 1995 Teuta, 1996 SK Tirana, 1997 Partizani.

Ishte viti 1997 që duke i shtuar Kupën e 1-rë të “sapozbuluar”, i takonte që kjo e vitit 1997 fituar nga Partizani, të ishte Kupa e 45-të jubilare e Shqipërisë.

Për t’u përshkura deri më sot te Kupa e 57- të e Shqipërisë, kjo e viti 2009, do të duhej të përshkoheshim edhe te fituesit e 11 edicioneve të tjerë kësisoji:

1998 Apolonia, 1999 SK Tirana, 2000 Teuta, 2001 SK Tirana, 2002 SK Tirana, 2003 Dinamo, 2004 Partizani, 2005 Teuta, 2006 SK Tirana, 2007 Besa, 2008 Vllaznia.

Gati 40 vjet më parë, në mesin e viteve 70, një gazetar fiksoi, plotësoi, konfiguroi saktësisht fituesit e Kupës së Shqipërisë duke hequr nga arkivi, me inisiativën e tij, ato Kupa të cilat nuk ishin pikërisht të Republikës (të Shqipërisë), por me emërtime të tjera. Tash prap një gazetar vërtetonte se Kupa e parë e Shqipërisë në futboll është zhvilluar jo më 1948, por më 1938-39. Federatës Shqiptare të Futbollit i takonte të omologonte edhe këte pjesë historie tejet të rëndësishme për traditat dhe kulturën e kombit tonë, çka në të vërtetë përbënte një nder për te dhe për Atdheun.

“Shuarja” e Kupës dhe mesazhi i Historisë

Kupa e 1-rë e Shqipërisë është konfirmuar prej autorit të këtushëm në numrin e 8 korrikut 1997 të gazetës të cilën dy vjet më parë (1995) e kisha emërtuar “Sporti Shqiptar”, po me atë emër që gazeta kishte patur qysh nga 28 nëntori 1935 kur e kishte themeluar Mbreti Zog, e deri në këte 22 janar të vitit 1939, kur ajo pasqyronte Kupën e parë të Shqipërisë, pa iu shkuar ndërmend shqiptarëve të asokohe se do të duheshin plot 58 vjet deri te 8 korriku 1997 për t’u nxjerrë prej nënshtresës së historisë.

E vërteta është se shkrimi ynë i 8 korrikut 1997, një vit i rëndë i historisë së Shqipërisë, një vit që kishte ndërprerë Kampionatin e Shqipërisë, qe një vit në të cilin UEFA e pamshirshme dënonte Shqipërinë për mospjesëmarrje në Kupat e Evropës për shkak të pasigurisë që paraqiste vendi. Dhe ne që kërkonim historinë e vjetër! Ose më qartë: duke risjellë historinë mbas vrasjes qi i ishte bërë përmbi 40 vjet!

Për konfirmimin nuk pati asnjë vendim, asnjë takim, asnjë mbledhje. Vetëm gazetari historike. Qysh nga ai 8 korrik 1997 pa asnjë ndalesë kam botuar gjithmonë në Librin e Artë Kupën e parë të Shqipërisë në futboll. Dhe mbas një skeptizimi që vinte prej padijes, vetvetiu erdhi konformimi i Kupës së 1-rë, me të cilën sot e nisim të gjithë historinë e Kupës së Shqipërisë: I. 1938-39 Kupa e Shqipërisë – Fitues Sportklub Tirana.

Isht Sportklub Tirana e Riza Kushtës dhe e Selman Stërmasit. Dhe vetëm pak dit, prill 1939 pushtimi fashist e bashkë me të tjerat edhe tronditja e frikshme e futbollit shqiptar që do të mbërrinte në Itali përmes Riza Lushtës, Naim Kryeziut, Loro Boriçit e Sllave Llambit. Dhe për t’u rikthyer çuditërisht sërish në Shqipëri nën pushtim me tre Kampionatet Kombëtare të Luftës, të stërvërtetuara dhe të stërkonfirmuara prej librit të autorit të këtushëm, “Historia e Kampionateve të Shqipërisë” - Libri tre - 1939-1942. Dhe ashtu siç kam vepruar me Kupën e 1-rë, i botoj përvit në Librin e Artë të Kampionateve të Shqipërisë edhe këto tre Kampionate: SK Tirana 1939, Vllaznia 1940, SK Tirana 1942, madje ky i fundit sot e kësaj dite i vetmi Kampionat Mbarëkombëtare, me Pejë, Prizren e Prishtinë, falë largpamësisë së Mustafa Krujës dhe Eqrem Bej Vlorës, deri dhe me ditën e 28 mëntorit 1942 – festime të papame të 30 vjetorit të Pavarësisë, kur me ndeshjen e 29 nëntorit 1942, Përfqësuesja e Tiranës - Përfaqësuesja e Kosovës kemi edhe themelimin e Kombëtares së Kosovës, me të cilën Kombëtarja e Shqipërisë kohët e fundit nuk guxon të luajë qoftë dhe një ndeshje të vetme!

Dalim kështu vetvetiu te Mesazhi i Historisë që duket sikur na thotë: “Sidoqoftë, unë këtu jam. E vërtetë, dhe vetëm e vërtetë. Edhe kur më harrojnë më përmend ajo, e pagabueshmja: Kujtesa e Harresës”.

Kjo është mbrojtja e historisë, dhe për ta realizuar ate, e vërteta është gjithnjë në sulm. Vonë kam mësuar se sentenca që përdoret tash e parë në futboll se “sulmi është mbrojtja më e mirë”, qenka thënë për herë të pare prej Frederikut të Madh (1712-1786), në kuptimin më universal të zhvillimit të historisë.

Duke iu kthyer kuptimit të një Kupe Kombëtare futbolli, të cilën për njerëzimin e shpiku Anglia më 1872, kujtoj se Kupa e Shqipërisë ka qenë një ndër veprimtaritë më popullore në Shqipëri qysh kur u shpik për token arbnore në këte 22 janar 1939. Ndërsa sot ajo rrezikon të shuhet. Jo zhvillimi i saj. Por jehona, vlera, popullariteti, sociologjia, gjeopolitika kombëtare e saj. Ajo është braktisur edhe më fort se Kampionati Kombëtar dhe roli që luan për zhvillimin e futbollit në Shqipërinë e sotme është gjithnjë në shuarje. Këte e tregon edhe ky 70-vjetori i harruar i themelimit të saj, i cili me sa duket, po “festohet” me zhurmën e panevojshme për skuadra të cilat kanë aktivizuar lojtarë të pafederuar, për çka FSHF duke e zgjatur vendimin e prerë e të pamëdyshje për dhënien e rezultateve në tryezë, siç thotë qartë rregullorja e firmosur prej saj, veçse po konfirmon mëdyshjen e vetë saj për t’u mbështetur mu në rregulloret e saj. Ndonëse kësaj rrradhe “nuk ka kah luen”, siç thonë në Malci.

Këto dit në numrat e “France Football” i bëhet një publicitet i madh Kupës së Francës. Shumë thjeshtë: një faqe me një Kupë të bukur në mes dhe vetëm me këto fjalë:

“Kupa eFrancës – Legjendë e gjallë: 7246 skuadra pjesëmarrëse, 130428 lojtarë, 8616 ndeshje të luajtura!”

As më shkon ndër mend që të synojmë për të arritur këtu, sepse jemi shumë më të vegjël e modestë se Franca, ndonëse kemi zhvilluar kampionat Kombëtar para saj dhe se qysh 70 vjet më parë kemi zhvilluar një Kupë të Shqipërisë me pjesëmarrjee e 18 skuadrave. Vetëm e përmenda për të kujtuar më mirë “shuarjen” e Kupës së Shqipërisë dhe Mesazhin e Historisë.

Dhe nuk ka gjë më universale se Historia me Mesazhin e saj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora