E enjte, 03.10.2024, 09:19 PM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Besnik Dizdari: 50 vjet të “epopesë” së Partizanit dhe “epika” e flamurtarit të tij Jani Lufi (II)

E hene, 06.10.2008, 01:44 PM


Besnik Dizdari
50 vjet të “epopesë” së Partizanit dhe “epika” e flamurtarit të tij Jani Lufi – gjeneral major i BRS

Nga Besnik Dizdari

II.

Siç shkruam në pjesën e parë të këtij shkrimi, përpara gjithë kësaj historie ushtarake, Jani Lufi kishte qenë i lidhur me historinë tonë të Lajpcigut të 50 vjetëve më parë. Ngjarja e madhe e 20-28 shtatorit 1958 në Lajpcig të RD Gjermane. E njohur zyrtarisht si Spartakiada e parë Verore e Ushtrive Mike me synimin: “Për forcimin e bashkëpunimit vëllazëror të ushtrive mike”. Në të vërtetë, demostrim i forcës së kampit komunist me në krye Bashkimin Sovjetik edhe përmes forcës sportive, çka e shndërroi Spartakiadën e Lajpcigut në një eveniment të vërtetë sportiv në Evropë me pjesëmarrjen e 12 shteteteve komuniste: BRSS, RDGJ, Bullgaria, Çekosllovakia, Hungaria, Kina, RD e Vietnamit, RDP e Koresë, Polonia, Shqipëria, Rumania, RP të Mongolisë. Në 12 sporte, në 6 prej të cilave është dhe Shqipëria: futboll, basketboll, qitje, atletikë, boks, shumgarëshi ushtarak.

Përmes librit të tij, gjeneral Jani Lufi, një gjysmëshekulli më mbas të atij 1958, vit kulmor në shkëlqimin e miqësisë Shqipëri – BRSS, ai tregon se si ruan për Lajpcigun si sportist kombëtaras i Shqipërisë apo i të ashtuemërtuarës Ushtria Popullore e Republikës Popullore të Shqipërisë, gjithë mallin dhe vlerësimin historik. Sot për ne ka një vlerë të pazakontë një ndalesë te ky kalim i tij për Spartakiadën e Lajpcigut, sepse është përshtypja e drejtpërdrejtë e një pjesëmarrësi të dorës së parë. Kësisoji, faqet 97 dhe 98 të librit të tij po i botojmë “ad litteram”:

XXX

“… Në verën e vitit 1958 u zhvilluan në Berlin garat e sportistëve të ushtrive të vendeve mike të Evropës Lindore, pra Shqipëria, BRSS, Polonia, Rumania, Bullgaria, RD Gjermane, Hungaria, Çekosllovakia si dhe RP e Kinës, RPD e Koresë, Vietnami i Veriut, Laosit dhe Kamboxhias. Delegacionin sportiv të ushtrisë shqiptare e kryesonte Drejtori i Drejtorisë së Përgatitjes Luftarake të Ushtrisë, kolonel Skender Malindi. Aeroplanët IL 14 të prodhimit sovjetik të pilotuar nga pilotë gjermanë, e transportuan ekipin shqiptar nga Tirana në Berlin. Gjatë fluturimit bëmë një ndalesë të shkurtër në Budapest, kryeqyteti i Hungarisë. Aeroporti hungarez kishte një pamje të zymtë, në muret e ndërtesave të aeroportit binin dukshëm në sy gjurmët e shpërthimeve të predhave të armëve të kalibrit të madh, dëshmi e ngjarjeve tragjike hungareze të vitit 1956. Nga Budapesti vazhduam rrugën për në Berlin. Në aeroportin e kryeqytetit gjermanolindor na pritën oficerët madhorë të ushtrisë së RDGJ-së. Nga Berlini, në tre autobusë, të shoqëruar nga policia rrugore, mbërritëm në Lajpcig, kryeqytet i ardhshëm i garave sportive. Ekipin sportiv shqiptar e vendosën në ndërtesën e një kolegji, nxënësit e të cilit në atë kohë ndodheshin me pushime verore. Kushtet e jeteës ishin të mira. Të nesërmen në stadiumin e Lejpcigut u organizua hapja e garave sportive. Në fushën e futbollit u rreshtuan të gjitha ekipet pjesëmarrëse sipas rendit alfabetik. Në krahun e djathtë, në krye, zuri vend squadra e sportistëve ushtarakë të Shqipërisë. Unë pata nderin të drejtoja kolonën e ekipit shqiptar gjatë hapjes dhe mbylljes së lojrave ushtarake, duke mbajtur flamurin kombëtar. Në tribunë kishin zënë vend personalitete të larta ushtarake dhe gjeneralë të ushtrive të Traktatit të Varshavës. Kryekomandanti i trupave sovjetike në Gjermani mareshali i Bashkimit Sovjetik G.F.Zaharov dhe përfaqësuesit e pushtetit të RDGJ dhe Lejpcigut. Parakaluam para tribunës me hap sportiv nën tingujt e muzikës së orkestrës së mrekullueshme të ushtrisë së RDGJ-së.

Dy javë garuan në arenat sportive të RDGJ, atletët e ushtrisë së Bashkimit Sovjetik, të shteteve demokratike të Evropës Lindore dhe Azisë. Fryma e miqësisë dhe mirëkuptimit mbretëronte në të gjithë ecurinë e lojrave. Nderim i veçantë u shpalos nga të pranishmit për sportistët e Vietnamit, sepse ushtria e tyre luftonte për çlirimin e Atdheut. Shumë sportistë të Vietnamit të Veriut kishin ardhur në gara drejt nga fusha e luftës. Vietnamezët luftonin në atë kohë me forcat e armatosura të SHBA që kishin pushtuar jugun e vendit. Rezultate të larta shpalosën sportistët e Ushtrisë Sovjetike, të ushtrisë Polake dhe Çekosllovake, ata thyen shumë rekorde evropiane dhe botërore në atletikën e lehtë dhe qitje.

Nga bashkësia e sportistëve shqiptarë garoi me sukses skuadra e futbollit “Partizani”. Në fushat e futbollit të RDGJ ajo i mundi konkurentët e vet, midis të cilëve edhe skuadrën e organizatorëve të lojërave. Humbi vetëm me një skuadër në ndeshjen finale, me ekipin e fortë bullgar. Futbolli në Shqipëri është loja numër një, ndaj paraqitja e suksesshme e ekipit “Partizani”, ngjalli entuziazëm të përgjithshëm në Shqipëri dhe pati jehonë emocionale.

Garat sportive të ushtrive mike u zhvilluan me nivel të lartë. Populli i RDGJ shpalosi ndaj sportistëve simpati e ngrohtsi edhe në ato raste kur rezultatet ishin mesatare.

Kryetari i Republikës Demokratike Gjermane Valter Ulbriht, në ditën e fundit të garave dha në Berlin një pritje të madhe në një atmosferë të çiltër dhe të sinqertë. Të pranishmit këndonin këngë kombëtare. Grupi i madh i ushtarakëve sovjetikë, në mesin e të cilëve ishte ulur mareshali i BS G.F.Zaharov, kryekomandnat i trupave sovjetike të pushtimit në RDGJ, këndonte harmonishëm këngën “Në rrethinat e Moskës”. Ky fakt shkaktoi përshtypje interessante, se si një personalitet kaq i lartë ushtarak ishte ulur thjeshtë midis efektivit të ushtarëve dhe nënoficerëve.

Po atë ditë fluturuam me aeroplan nga Berlini në Tiranë. Gjermania kishte krijuar mbi ne përshtypje të fuqishme. Autostrada të shkëlqyera, qendra të banauara të mirëmbajtura, arkitekturë plot variacione e që binte në sy. Teatro, kinema e ndërtesa mbresëlënëse, korrektesë për gjithçka, disiplina e banorëve, dyqanet e pasura krijuan për ne admirim të plotë. Pjesa më e madhe e anëtarëve të delegacionit shqiptar e kshin udhëtimin e parë jashtë kufijve të atdheut dhe u ndodhën në një vend kaq të zhvilluar e me kulturë të pasur e tradita si Gjermania…”

XXX

Këtu është çasti që ne “të ndahemi” me Gjeneral major Jani Kiço Lufin e BRSS, për të kaluar te kapitulli i dytë, ai i përkujtimit sportiv të asaj çka bëri Partizani në Lajpcig 50 vjet më parë. Mirëpo, ndërkaq mbërrin befasia më e freskët për librin e gjeneral Lufit. Mbas pak ditëve libri do të ribotohet, çka tregon për interesin e veçantë që ka ngjallë ai tek lexuesi. Madje ky do të jetë një botim i dytë gjithnjë përkthim i edicionit në rusisht. Autori ka shtuar edhe një kapitull të ri, që në vetvete është një epilog i rënies së BRSS, e në mënyrë të veçantë i rënies, por dhe i ringritjes së qytetit të Krasnodarit, i rëmbëkëmbjes së tij në çka përfshihet edhe protagonisti ynë, Jani Lufi. Ai luan një rol me rëndësi për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë së qytetit, Valeri Aleksandroviç Samojlenko, “drejtues i mençur dhe dinjitoz“, siç e përcakton gjeneral Lufi në kapitullin e tij shtesë të botimit tç dytë.

Për një shqiptar të sotëm, ajo që përbën një përshtypje të veçantë te ky kryetar bashkie me emrin Valeri Aleksandroviç Samojlenko, është çasti i rrallë kur ai iu drejtohet qytetarëve të Krasnodarit me propozimin për të ngritur në qytet monumentin e viktimave të Luftës Civile. Çka u realizua me ngritjen e monumentit të të vrarëve të Ushtrisë së Kuqe, por dhe të bjellogardistëve në vitet e Luftës Civile. Në mënyrë që, siç shkruhet në kapitullin e ri të edicionit të dytë, “sot nipat dhe stërnipat e atyre që ranë për Rusinë në atë luftë të pa shpëtim të mund të vendosin lirshëm lule të freskëta përbri kapeles së bjellogardistëve dhe shapkës budioniste të forcave të kuqe“.

Kështu, ata kanë prekur historinë. E kanë prekur historinë për të vërtetën…

Këtu merr fund për ne historia e Jani Lufit. Gjergj Titani, përkthyesi i librit të tij, i cili shpejt do të çojë në librari botimin e dytë, por dhe botimin e librit tjetër të gjeneral Lufit “Skenderbeu”, sapo është kthyer nga Krasnodari. Atje Gjergj Titani dhe shokët e tij, në mënyrë ceremoniale i kanë dorëzuar gjeneralit nderimet e blatuara atij prej shoqatave shqiptare ushtarake dhe të Luftës së Dytë Botërore.

Nderim i pashlyeshëm shokësh të vjetër. Rikthim dhe bashkim historie përmes asaj qëe përcaktuam si “epika” e flamurtarit të Partizanit në Lajpcig me emrin Jani Lufi – gjeneral major i BRSS…

E tash, çfarë kishte ndodhur në Lajpcigun 1958?...

Eshtë ajo që u tha në rubrikën e javës së kaluar: historia e madhe e të paharrueshmëve Rexhep Spahiu, Sllave Llambi, Refik Resmja, Besim Fagu, Kolec Kraja, Gani Merja, Simon Deda, Roza Haxhiu me shokë, të cilët vunë themele evropianë në futbollin shqiptar…

Do të kishim të bënim jo thjesht me skuadrat e ashtuquajtura të “ushtrive mike”, por në thelb kishim të bënim me Kombëtaret e këtyre vendeve të ashtquajtura socialiste, çka do ta shohim më poshtë. Do ta shohim në një vështrim të ri të gjykimit të mbas pesëdhjetë vjetëve, duke kujtuar sentencën që thotë se historia e vërtetë shkruhet më vonë.

Partizani shqiptar i vitit 1958, në të vërtetë ishte kampioni i saposhpallur i Shqipëris. Kampion për të dytin vit me rradhë. Kampion për të pestën herë në tanësi. Ai do të mënjanonte Besën, por për te, sidomos Dinamon, e cila në 8 vjet kishte rrëmbyer 6 Kampionate të Shqipërisë. Ishte një Partizan i cili kishte kërkuar "ndihmën" e 17 Nëndorit përmes barazimit të kësaj të fundit 1-1 me Besën. Duke i lejuar vetëm vendin e tretë asaj skuadre e cila i kishte paraqitur Shqipërisë dy futbollistë të kalibrit, 19-vjeçarët Panajot Pano e Skender Merja (Halili).

7 fitore, 5 barazime dhe 2 humbje prej një Partizani të vetëm të 27 golave të shënuar, ose diçka më pak se 2 gola për ndeshje. Madje 1 gol më pak se Dinamo që qe renditur e treta! Kishte nisur era e Partizanit, e harruar andej nga viti 1949. Ose e thënë përmes gjuhës së statistikës, duke nisur nga viti 1957 dhe deri më 1965, ky Partizan do të fitonte 6 nga 7 Kampionatet e rradhës. I 1958-tës dukej të ishte më modesti mbase, por dhe ndër më të çmueshmit sepse këso here ai nuk ishte fituar duke mposhtur vetëm një Dinamo, por duke mposhtur edhe dy rivalë të tjerë të paparashikueshëm: 17 Nëndorin e Panajot Panos dhe të Skender Merjes (Halili), po sidomos Besën e Shevqet Topit, Hasan Gërmanit, Qemal Gavardarit e Mit Dimroçit. Dhe për një çast i dukej si një fitore e katërfishtë.

Kishte lojtarë të mrekullueshëm. Mjafton të mendoje se 8 prej tyre: Maliqati, Deliallisi, Fagu, Ndini, G.Merja, Kraja, Resmja dhe Deda, kishin qenë pjesë e 11-shit të Kombëtares në ndeshjen e vetmuar 1-1 me RD Gjermane.

Në mbrojtje ende udhëhiqte 35-vjeçari Besim Fagu, në Kampionatin e tij të parafundit, sepse do të rezistonte edhe më 1959. Çuditërisht kapiteni ishte Refik Resmja, pesë vjet më i vogël nga mjeshtri autoritar i këtij Partizani qysh në themelim. Aty ishin edhe portjeri Sulejman Maliqati, mbrojtësi Fatbardh Deliallisi i cili do të mbërrinte deri në kapiten i Kombëtares. E me ta edhe Miço Papadhopulli. Prej këtu vinte lidhja e fuqishme me dyshen e gjysmëmbrojtjes, ajo Miço Ndini - Gani Merja. Dhe mu prej këtu merrte nisje pesëshja e sulmit: Kolec Kraja, Robert Jashari, Nikolla Bespalla, Refik Resmja, Simon Deda.

Siç kam portretizuar te Libri5 “Historia e Kampionateve të Shqipërisë”, trajneri Rexhep Spahiu, një zotni nobël i Tiranës, i dinte dhe i kuptonte më fort se askush tjetër të gjitha këto. Pedagogji dhe stërvitje, psikologji dhe maturi, synime dhe zgjuarësi. Partizani tashmâ kishte trajnerin e tij të madh, ate që e kishte kuptuar se pa përgatitje të fuqishme fizike, pa atletizëm nuk mund të shkoje as te kompaktësia, as te vendosmëria dhe as te futbolli i shpejtë sulmues. Teknika dhe taktika në fund të fundit, vareshin mu tek të gjitha këto.

Kjo ishte Kampionia dhe ky ishte viti 1958, që do ta çonte këte Partizan te një turne i shkëlqyer në Lajpcig të RD Gjermane përballë klubeve më të fortë të vendeve komuniste, sprova e parë e madhe e një klubi në historinë e futbollit shqiptar.

Ato do të ishin medaljet e argjenta të Partizanit, kofirmimi më domethënës i vetë këtij Kampionati të rrufeshëm të vetëm 8 skuadrave të vitit 1958. Po dhe një konfirmim disi i habitshëm i stadit të ri në të cilin po hynte futbolli shqiptar.

Kampionati i 21-të, siç u pa, u mbyll më 29 qershor 1958. Ishte vërtet e çuditshme për të marrë me mend se si do të jetonte në gjashtë muajt e ardhshëm të vitit futbolli shqiptar. Një futboll pa Kampionat, pa stinë vazhduese të futbollit për gjashtë muaj rresht! Po aq nuk mund të merrej me mend se përse Shqipëria nuk ndërtonte edha ajo stinën e futbollit vjeshtë-pranverë si gjithë Evropa! Kjo pauzë kampionale e dobësonte tejet ecurinë dhe zhvillimin normal të futbollit.

Por nuk duhet të harrojmë. Ishte kampi i ashtuquajtur socialist, ndeshjet me klubet midis tyre që ndikonin jo pak edhe për mbajtjen e tonusit sportiv.

III.

Mbi të gjitha këto Lajpcigu.

Në të vërtetë e ashtuquajtura Spartakiada e Parë Kombëtare Verore e Ushtrive Mike, siç qe emërtuar ashtu siç thashë më sipër, në mënyrën "socialkomuniste" më të mundshme, e zhvilluar në 12 lloje sporti, Turneun e saj të futbollit e kishte më të rëndësishmin. Dhe mbi të gjitha sepse vendet komuniste do të sillnin këtu skuadrat e tyre të Ushtrisë të cilat ishin ndër më të fuqishmet në secilin shtet.

Turneu u zhvillua në RD Gjermane dhe ka hyrë në histori si "Spartakiada e Lajpcigut" për faktin se ky qytet i RDGJ mbajti peshën kryesore të zhvillimit të veprimtarive.

Nuk kishte asnjë dyshim se Partizani do të ishte skuadra që do të përfaqësonte Shqipërinë në këte Turne të kësaj Spartakiade krejt të veçantë për sportin evropian. Dhe me një përfaqësim historik të Partizanit të Ushtrisë Popullore të Republikës Popullore të Shqipërisë, i cili do të mbërrijë fundoren (finalen) dhe do të meritojë medaljet e argjenta, pra e dyta midis 11 skuadrave pjesëmarrëse, çka ishte një ngjarje krejt e paparashikueshme.

Ecuria e ndeshjeve të Partizanit përmban gjithë ritmikën e arritjes së tij të papame, çka mbas titullit Ballkanik të Shqipërisë më 1946 dhe mbas përfaqësimit të saj të jashtëzakonshëm më 1948 në Kampionatin Ballkanik dhe të Evropës Qendrore, 1958-ta për futbollin shqiptar përbënte arritjen më të madhe të Mbasluftës.

Ecuria e ndeshjeve të Partizanit është si një kaskadë:

* * *

19.09.1958. Magdeburg:

PARTIZANI - USHTRIA RD VIETNAM 5-1

GOLAT: Resmja 55', G.Merja 59', Kraja 61', Resmja 65', Jashari 80', Ushtria e Vietnamit 83'.


21.09.1958. Magdeburg:

PARTIZANI - CCA BUKURESHT 1-0

GOLAT: Ndini 61’.

23.09.1958. Halle:

PARTIZANI - DUKLA PRAGE 1-0 (120')

GOLAT: Resmja 97'.

25.09.1958. Berlin:

PARTIZANI - ASK WORWÄRTS BERLIN 2-1

GOLAT: Ndini 35', Deda 79', Vogt 85'.

28.09.1958.Laipcig. Fundore (Finale) e Turneut:

PARTIZANI - CDNA SOFJE 0-1

PARTIZANI: Maliqati; Deliallisi, Fagu, M.Papadhopulli; Ndini, G.Merja; Deda, Resmja, Jashari, Bespalla, R.Haxhiu (T.Shehu). TRAJNER: R.Spahiu.

CDNA: Naidenov; Rakarov, Manolov, Kovacev; Boskov, Stojanov; Vaspilov (Milanov), Dimitrov, Panajotov, Kolev, Janev. TRAJNER: Milev.

GOLAT: Rakarov 68'.


Gjithçka është një sensacion i madh i rangut evropian. Partizani ka luajtur me po këto 13 lojtarë, të gjithë të tijtë, pa përforcimet nga klubet e tjerë shqiptarë, siç qe bërë zakon asokohe në futbollin shqiptar. Eshtë vërtet e pabesueshme se si me vetëm 13 lojtarë në 5 ndeshje në 10 ditë mund të përballohet një turne kësisoji. Kjo ka qenë kompaktësia e 11-shit të Partizanit 1958. Këta djem e njihnin përmendësh lojën e njeri tjetrit.

Fitorja 5-1 e Partizanit ndaj skuadrës së Ushtrisë së Vietnamit, e gjitha vepër e pjesës së dytë, ishte diçka që parashikohej. Të tjerat jo. Të fituara të gjitha me vetëm 1 gol ndryshim dhe vetëm me 3 gola të pësuar në krejt Turneun, përjetohej qartë loja racionale e Partizanit, me një mbrojtje të hekurt me në krye portjerin Maliqati i cili do të merrte epitetin "macja e zezë"; me një dyshe të gjysmëmbrojtjes Ndini - G.Merja e cila ka qenë vendimtare si dhe një pesëshe sulmi të një Refik Resmje dhe Robert Jashari të shkëlqyer, ku dy krahët, Deda, dhe sidomos Kraja, do të habisnin mijërat e spektatorëve gjermanë me shpërthimet e tyre anësore dhe topat e rrufeshëm që çonin drejt qendrës së sulmit. Golat e Partizanit janë krejt të veçantë dhe elektrizues madje. I rrallë ai Ndinit nga 17 metra larg kundër CCA të Bukureshtit, bombë e pandalshme ai i Resmes kundër Dukla të Pragës në të 97' në ndeshjen dramatike 120-minutëshe. Kulmorë golat e Partizanit kur ai kryeson 2-0 ndaj Worwärts të Berlinit, ai i Ndinit që vjen prej një kombinimi mes Resmes e Dedës, si dhe ai i vetë Dedës i cili ndjek gjuajtjen e Resmes të kthyer nga portjeri gjerman.

Partizani humbet fundoren (finalen) me CDNA të Sofjes - e gjitha Kombëtare e Bullgarisë - vetëm 1-0 prej një goditje dënimi nga 16 metra, dhe luan 15 minutat e fundit me një lojtar mangut për shkak të përjashtimit të M.Papadhopullit.

Ai nuk ishte një Turne evropian mirëfilli, por i një gjeopolitike demostruese të shteteve komuniste, e nuk duhet harruar ndërkaq, se këto ndeshje, shumica të zhvilluara në praninë e nga 60.000 e deri në 100.000 spektatorëve, kanë patur një seriozitet të mirëfilltë të rangut evropian. Të 11 skuadrat që morën pjesë ishin kampione apo nënkampione të vendeve të tyre. CSKMO e Moskës, CDNA e Sofjes, CCA e Bukureshtit, Worwärts e Berlinit, Dukla e Pragës, Legia e Varshavës, Honved i Budapestit dihej se kishin një emër të spikatun evropian dhe thuajse ishin Kombëtare të vendeve të tyre. Worwärts kishte në 11-shin e tij 9 lojtarë të Kombëtares së RDGJ, CCA e Bukureshtit 12 lojtarë të Kombëtares së Rumanisë, po kaq 12 lojtarë kombëtaras kishte edhe Legia e Varshavës, 9 lojtarë Dukla e Pragës, 8 lojtarë të Hungarisë, Honvedi i Budapestit, 12 lojtarë të CDNA ishin të Kombëtares së Bullgarisë (10 të 11-shit të parë), CSKMO e Moskës kishte 8 lojtarë të fanelës së BRSS.

Kësisoji, ndeshjet duhen konsideruar gati si midis Kombëtareve të këtyre vendeve. Emrat janë të rangut të lartë evropian, të tillë si: Apolzan, Toma, Jenei, Pluskal, Novak, Masopust, Urban, Dvorzak, Bozhik, Budai I, Budai II, Tihi, Spickenagel, Assmy, Naidenov, Rakarov, Boshkov, Panajotov...

Ndërkaq, njëmbëdhjetësh partizanas i dalë nga një Kampionat Shqiptar i vetëm 8 skuadrave, tregonte për një zhvillim të futbollit në Shqipëri megjithë vogëlsinë e organizimit të tij. Prej këtu lind dhe gjykimi historik i mbas pesëdhjetë vjetëve: është vërtet e çuditshme e si Shqipëria nuk vendoste të merrte pjesë në Kupat e Evropës, vendim i pashkruar, por që me kryefortësinë e zbatimit të tij prej një administrate partiake shpirtngushtë, doemos ka ndikuar jo pak në ecurinë me ritme të tjera të këtij futbolli. Pa shkuar ndërkaq te mospjesëmarrja me Kombëtaren në ndeshje kualifikuese të Evropianit dhe Botërorit, në një kohë që të gjitha vëndet e tjera komuniste merrnin pjesë.

Duke iu kthyer Tuneut, vëren se suksesi i Partizanit tërheq ndërkohë komente të gjëra të shtypit."Deutche Sport Echo" e cilëson Maliqatin portjerin më të mirë të të gjitha skuadrave, duke shtuar se Fagu, G.Merja, Ndini, Kraja, Resmja janë lojtarë kalibri të cilët mund të luajnë me skuadrat më të mira të Evropës. Nëpërmjet editorialistit të saj të shquar, Rolf Ditrich, ajo shkruan:

"Këta të rinj treguan se zotërojnë edhe teknikën e lojës. Me një mobilizim të madh për çdo metër tokë, për çdo top, me një vështrim të zgjuar ata përgatitnin situatat më të mira dhe gjenin shokun më të përshtatshëm".

Dhe më poshtë:

"Nuk mund të kalohej Fagu kollonë dhe gjithmonë i gatshëm në kërcimet lart.... Në minutën e 78-të (ndeshja me gjermanët) "Macja" (Maliqati) e varrosi topin jo pa rrezik në trupin e vet". "...Resmja i zellshëm dhe i padurueshëm si çdo lojtar shqiptar e arriti topin para vijës fundore dhe nga një kënd i ngushtë e përcolli për në portë: Spickenagel fluturon përpara, e goditi topin me grusht, por aty Deda në gjashtëmbëdhjetëshe e në pozicion të volitshëm, përshëndeti rrjetën me një gjuajtje të rreptë."

Gazeta "Worwärts":

"Skuadra e fortë e Partizanit të Ushtrisë Shqiptare ishte e denjë për vendin që zuri... Asnjë nuk kishte llogaritur se futbollistët e vendit në breg të Adriatikut do të përshkoheshin që nga vendi i parë në ndeshjet në grupet deri në takimin final. Skuadra e Ushtrisë Shqiptare e përfaqësoi sportin e futbollit të vendit të vet shumë denjësisht, duke shfaqur cilësi të larta të shpirtit luftarak dhe të taktikës. Ajo tregoi se futbolli shqiptar nuk është i fortë vetëm në vendin e tij, por edhe se mund të përballojë me sukses konditat klimaterike jo të zakonshme dhe barrën e rëndë të një turneu... I shkëlqyer ka qenë Maliqati, që siç dihet ka qenë portjeri më i mirë i këtij turneu, një njohës i formatit të madh të hapësirës midis dy shtyllave".

Ndërkaq, trajneri i skuadrës CDNA të Sofjes, Milev deklaronte se "Shqiptarët simbas mendimit tim kanë shkuar shumë përpara".

Duket se kjo thënie është emblema e këtij përfaqësimi sensacional edhe të vetë Kampionatit Shqiptar në Turneun e Lajpcigut. Lojtarët shqiptarë Sulejman Maliqati, si portjeri më i mirë dhe Refik Resmja për interpretim teknik, marrin Kupa përkatëse, dhe Partizani kthehet në Shqipëri me medaljet e argjenta të vendit të dytë. Shtypi shqiptar vazhdon për shumë ditë jehonën dhe gjëja më e çuditëshme është se edhe pse pranon meritat e trajnerit të madh shqiptar, Rexhep Spahiu, ngrë në qiell trajnerin sovjetik të mirënjohurin N.M.Ljukshinov, i cili shumë muaj më parë kishte punuar në Shqipëri, por për përgatitjen për këte turne nuk kishte asnjë minutë punë sa për të pohuar kësisoji shtypi vendas:

"Në hartimin e planit të stërvitjes na ndihmuan shumë këshillat e trajnerit sovjetik N.M.Ljukshinov, të cilit i dedikojmë një pjesë të mirë të sukseseve tona, si rezultat i ndihmës që i jepte vazhdimisht gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë skuadrës së Partizanit... Futbollistët e sportdashësit e vendit tonë nuk mund të mos kujtojnë në këto dit gëzimi edhe trajnerin sovjetik, shokun N.M.Ljukshinov, i cili dha një ndihmë të madhe për ta shpënë akoma më përpara futbollin tonë".

Kjo kohë ishte. Dhe kjo është historia. Historia e vërtetë. Edhe e sportit, edhe vetë futbollit shqiptar. Ky ishte një pesëdhjetor i madh i futbollit shqiptar që ne përkujtuam. Çka do të thotë se nuk e përkujoi askush tjetër. Ndoshta më fort se askujt i takonte ta festonte vetë Klubit Sportiv Partizani. Kur përveç të tjerave dihet se në mjedisin e tij, tash e parë flitet për traditë e dhe histori të madhe. Dhe ndër më të mëdhatë është padyshim Lajpcigu. madje kurrsei vetëm i Partizanit, por i gjithë hstorisë së sportit dhe futbollit shqiptar.

Nëse e përimton më tej, historiani bindet edeh një herë se mbas Ballkaniadës 1946 dhe asaj 1948 të papërfunduar, mbërrijtja mbas një dekade te Lajpcigu 1958 ishte një afirmim rritjeje befasuese e futbollit shqiptar, e talenteve të tij të cilët duhet të pranojmë ate që u tha më lart: Ajo është historia e madhe e të paharrueshmëve Rexhep Spahiu, Sllave Llambi, Refik Resmja, Besim Fagu, Kolec Kraja, Gani Merja, Simon Deda, Roza Haxhiu me shokë, të cilët vunë themele evropianë në futbollin shqiptar.

Shumica nuk jetojnë më. Kanë mbetur zbehtësisht vetëm në historitë tona. Edhe në këte rast harresa e madhe. Si në të gjitha fushat e jetës shqiptare. Ose kujtesë e madhe për të pamerituarit. Për fat të keq, shpesh edhe në sportin shqiptar…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora