E enjte, 18.04.2024, 05:33 AM (GMT+1)

Sport » Legjenda

Luan Çipi: Me sportin ndër vite

E merkure, 03.06.2009, 07:26 PM


ME SPORTIN NDËR VITE

Nga Luan Çipi

Përgatitja intensive sportive, “kalitja  fizike”, ishte një porosi dhe këmbëngulje e kahershme e babit tonë, Kaman  Çipi, duke qenë një nga mësimet e tij, si emigrant amerikan gati 10 vjeçar. Qysh në fëmijëri kalitja fizike niste me ngarkesë, deri në stërmundim, në punët e rënda të shtëpisë si çarje drush, punim në baç me bel e shat, nxjerrje ujë nga pusi me kova dhe vaditje  e deri në vrapime e krose në kodrat e qytetit të Vlorës. Vëllai im i madh Bektash Çipi, duke përfituar dhe nga pesha e madhe trupore, mbi 120 kg. ishte jo vetëm mundës i pa mposhtur dhe që si afrohej kush për duel, por dhe vrapues i shpejt, ndërsa , vëllai i dytë, Enver Çipi u bë një sportist cilësor: volibollist, vrapues dhe gjimnast, që  në vitet e para pas çlirimit te vendit përfaqësoi me sukses Shqipërinë, në disa ballkaniada.
Ishte ky modeli që unë u përpoqa të ndiqja. I lindur në qytetin e Vlorës në vitin 1934, m’u desh , shumë i vogël, të kacavaresha në  hekurin gjimnastikor dhe në  drushtat e paraleles së improvizuara dhe të vendosura nga babai im në bahçen e shtëpisë në lagjen Skelë të Vlorës, ose të vrapoja pafundësisht në rërën e shkriftë të bregdetit, aty pranë.
Duhet theksuar se dhe pjestarë të tjerë të fisit tonë janë shquar deri në shkallë kombëtare per rezultatet në sport, sic janë Vilson Çipi, në volejboll, Kreshnik Çipi futbollisti i talentuar, që arriti për shumë vite rrjesht të nderoi deri ekipin kombëtar te futbollit dhe mbrojtësi tjetër i pakalueshem i disa ekipeve evropiane dhe së fundi i ekipit kombëtar të futbollit shqiptar, Geri Çipi.
Megjithëse përfundova shkollën e mesme me rezultate maksimale dhe “medalje arri”, ndofta ai “kusuri amerikan” i babait më penguan të vazhdoja shkollën e lart ditën, ose jashtë shtetit, si shumica e shokëve të mi. Shkova ushtar në Ersekë. E them këtë se tamam atje spikati prirja ime sportive: Qitje, gjimnastikë në vegla, mundje, ngritje peshe, not. Në garat e  herëpas hershme e të pafundme në ushtri, në kuadër reparti, brigade, korpusi e  për gjithë ushtrinë, nisa të zë vende të para. Ishte viti 1954. Me trajnerët e mijë të parë Vasil Naqi, Pandi Balla dhe Vllas Opingari, që i kujtoj me respekt e dashuri, nisën mësimet e para për rritjen e cilësisë sportive në not, mundje e ngritje peshe.
Me kujtohet rezultati i parë, kur në qitje me pistoletë zura vendin e parë, si dhe shpërblimi i parë: 12 ditë leje për të shkuar pranë familjes në Vlorën e bukur. Ishte muaji qershor i vitit 1954. Në muajin mars të vitit 1955 mora pjesë në lojërat dimërore të ushtrisë dhe në finale, pas Shefqet Casllit, kampion i pa diskutuar, në ato vite, zura vendin e dytë në mundjen klasike.
Ishte 7 prilli i vitit 1956 kur unë e përfundova shërbimin e detyruar ushtarak, ndërkohe vazhdoja me korrespondencë vitin e dytë te Institutit  të Lart Ekonomik të Tiranës.
Në qytetin e Vlorës, aso kohe, gjallëronin aktivitet sportive.
 
Në shtator të vitit 1956, me gjashtëshen e ekipit përfaqësues të qytet, së bashku me gjimnastin cilësor, vëllain tim, Enver Çipi dhe gjimnastët e tjerë të dalluar Eqerem Kushta, Faruk Mezini, Fejzie Fisheku, marr pjesë në Kampionatin Kombëtar të Gjimnastikës në Vegla.
Me 6-11 gusht të vitit 1957 në Kampionatin Kombëtar te mundjes klasike, në qytetin e Peshkopisë, ne peshën shume te lehte (deri 57 kg), zura vendin e dyte, pas kampionit shume vjeçar, te mirënjohurit Ramadan Martini. Edhe një vit me vonë, zë vend te dyte.
              -Më 13.ll.1959, në Shkodër, në Finalet e Spartakiadës Kombëtare të Ngritjes Peshave me 240,5 kg. zë vendin e parë dhe arrij normën e Mjeshtrit të Sportit. Edhe ekipi i Ngritjes së Peshave dhe ai i Mundjes, ku unë isha trajner, zunë vendet e para.
              - Më 22 Maj 1960, në garat Kombëtare të Ngritjes së Peshave, në qytetin e Elbasanit, në peshën gjysmë të lehtë, klasifikohem i pari.

- Në nëntor të vitit 1960, në qytetin e Beratit në Kampionatin Kombëtar të Ngritjes së Peshave, zë vendin e dytë, pas Fehmi Telegrafës, me 240 kg. Ekipi i Flamurtarit, ku unë, njëkohësisht, isha trajner zë vendin e tretë.
                  -Në Dhjetor të vitit 1961, në Tirane, në K.K. Ngritjes Peshave, klasifikohem i dyti.
                 -Më 16 Dhjetor 1962 në Kampionatin Kombëtar të Ngritjes së Peshave, në  qytetin e Gjirokastrës, zë vendin e dytë Ekipi zë vendin e tretë.

-Po të njëjtat renditje mbahen edhe për vitet 1963 dhe 1964.(Shkodër)            
                 - Në 3 Qershor të vitin 1964,  Konferenca e Parë Kombëtare e  Mundjes, Ngritjes Peshave dhe Mundjes, në Tiranë, më zgjedh Anëtar të Këshillit Drejtues të Federatës.
                  Më 19 Dhjetor të vitit 1965, marr pjesë në kampionatin Kombëtar të Ngritjes Peshave në qytetin e Lushnjës, ku unë zë vendin e dytë dhe ekipi, po të tretin.
                   Më 27 Qershor të vitit 1966 në qytetin e Elbasanit, zhvillohet takimi Kombëtar i ngritjes se peshave, ku unë zë vendin e parë.  
                    Në vitin 1967, i caktuar nga Federata si trajner i Ekipit Kombëtar të Ngritjes së Peshave, grumbullohem në Tiranë dhe nis të stërvit ekipin e seleksionuar, për të shkuar në lojnat aziatike të GANEFOs në Indonezi. Dy ditë para nisjes më zëvendësojnë me specialistin e sportit Mihal Qipo, që kishte kryer studimet në Hungari. Ky veprim i pa pritur dhe i pa shpjeguar, më dëshpëroi e më plogështoi dhe më bëri që, gradualisht, të largohem nga aktiviteti sportiv, nga sektori ku sakrifikova për mbi 15  vjet, pjesën më të bukur e më të frutëshme të jetës sime. Po pse u be kjo? Sërish hija e emigrantit amerikan, tashme vdekur para 15 vitesh?
      Shokë të mi të sportit kanë qenë Eqerem Kushta, Faruk Mezini, Ramadan Batalli, Spiro Seva, Ydai Rama, Lavdosh Pulaj, Bastri Cenaj, Burhan Butja, Jani Mëhilli, Kastriot Cenaj, Myfit Spahiu, Thodhori Iljadhi, Hiqmet Kasëmi, Begë Gjonaj, Kristaq Konomi, Shemsi Meçe, Musa Bello, Ismail Sala, Yzedin Arapi, Skëndo Skëndaj, Kadri Lame, Mina Janku, etj.  Me këta shokë të thjeshtë, të dashur, të fort e të guximshëm, duke qenë bashkë, gjatë gjithë kohës, si sportistë, por dhe trajner i tyre, ndofta pa ndonjë diferencë të madhe njohurish, po i vetmësuar nga përvoja e përfituar dhe literatura e studiuar, kam ndarë vështirësi, emocione e gëzime të shumta. Me ta kemi shëtitur dhe njohur, pothuajse gjithë vendin tonë, në të gjitha qytetet, kemi fjetur hoteleve pa ngrohje, në  disa dimra të acarë, kemi sakrifikuar dhe rregulluar peshën trupore në përshtatje me kufijtë e garës, duke ngelur, shpesh, për disa ditë, me racion të reduktuar, ose duke bërë stërvitje të sforcuar. Ata do të ngelen të pandarë nga jeta ime dhe do t’i kem përherë   pranë vetes kudo.    
                             
Kujtoj me respekt dhe kolegët e mi, drejtues të pasionuar të sportit në qytetin e Vlorës, shokët Koço Dhrami, Leandro Kruta, Vllas Opingari e Minella Kostandini, si dhe, ne krye te “Sporteve te Renda” në Tiranë pasionantin, Rexhep Rama, që vazhdimisht na kanë drejtuar me pjekuri, na kanë përkrahur pa u kursyer, duke na inkurajuar në vazhdimësi.

Veprimtaria e mëtejshme lidhet me pjesëmarrjen si gjyqtar.

-  Në 1- 16.03.70 marr pjesë si gjyqtar në Kampionatin Kombëtar të Ngritjes së Peshave.

- Më 7 dhe 8 Tetor 1974 marr pjesë si gjyqtar i kategorisë së parë në “Ngritje Peshe”, në Tiranë, në finalet e Spartakiadës së tretë Kombëtare.
Është një jetë e tërë, gati 20 vjet, plot aktivitete sportive, që evidentojnë, veçanërisht rolin dhe vitalitetin sportiv të  qytet të Vlorës, që në këto vite është renditur, pas ekipeve të Tiranës, për çdo vit në vendet e dyta, pa asnjë përjashtim, sidomos në ngritje peshe, ku unë kam qene, pandërprere, trajner dhe pjesëmares aktiv, pra jam dëshmitar, duke disponuar diplomat, çka vërtetohet dhe nga artikujt e shtypit të kohës.
Bilanci im 10 vjeçar i pjesëmarrjes në aktivitetet kombëtare të mundjes dhe ngritjes se peshave është 3 vende të para dhe 8 vende te dyta.
Mendoj se, megjithëse modeste,  në jetën time 75 vjecare, kjo veprimtari nuk mund të mënjanohet, nuk mund të harroet, përkundrazi për mua është koha më aktive dhe më gjurmëlënëse, si pjesë e historisë së sportit, sidomos për qytetin e Vlorës.                               
Të më falni, nëse më lexuat dhe u morra pak kohë. I lejohet, tashmë një plaku,  të krenohet me dekoratat e tij. Dhe, bash këto janë dekoratat e mia.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora