Sport » Legjenda
Agustin Kola, Mjeshtër i Merituar sporti, një nga ikonat e futbollit bardheblu
E diele, 08.02.2009, 11:56 AM
Grinta dhe sedra bardheblu
Agustin Kola
Nga Agron Sejamini
Ndërsa ndiqja atë takim emocionues, mes "Tiranës" dhe "Dinamos", më dukej sikur në fushë luante "17 Nëntori" i viteve '84-'85. Ndjeva sikur luante Agustin Kola dhe jo drejtonte nga bankina...
Këto fjalë të thëna nga mjeshtri i madh i futbollit tiranas, Fatmir Frashëri, bëjnë të lumtur jo vetëm Agustinin, por mbi të gjithë tifozerinë bardheblu, që mirëpret një rikthim te titulli kampion...
Natyrisht, këtë garanci nuk e jep as vetë Frashëri. Por ama, ka qejf të jetë lajmëtar se ajo fitore i ka ngjarë dhe shijuar njëlloj si ato... Si ajo që u arrit me "Dinamon" në vitin 1964 nga 0:1 në 2:1. Si ajo me "Labinotin" në stadiumin "Qemal Stafa" në vitin 1985, nga 0:2 në 4:2. Si ajo në "Selman Stërmasi", po me elbasanasit më 1987, nga 0:1 në 2:1. Kjo "si ajo..." mund të vazhdojë akoma. Nuk është statistikë e thjeshtë kjo! Është shpirti luftarak, grinta dhe sedra bardheblu! Ja pse është mirëpritur Agustin Kola. Kush si ai i ka shpalosur këto virtyte në fushën e blertë, me atë fanellë të magjishme sa dhe autoritare...
Edhe nëse do i mungojnë rezultatet Agustin Kolës, ai do të jetë po aq i respektuar dhe i nderuar në historinë dhe tifozerinë e skuadrës tiranase. Natyrisht, këtë privilegj nuk mund ta ketë çdo trainer që drejton këtë ekip me histori të artë në futbollin shqiptar. Agustini është një përjashtim. Sepse është rritur dhe ka bërë emër nën ngrohtësinë e kësaj fanelle. Nuk e ka përbaltur asnjëherë. Pas çdo goli, ka kryer rritin e përhershëm, atë të puthjes së stemës që i zbukuronte fanelën. Nuk ka ndjerë kurrë lodhje, deri sa t'i siguronte fitoren ekipit të tij të zemrës. Edhe me hundë të thyer ka lojtur, edhe me këmbë të hedhur në jaki, edhe me nofull të bërë copëcopë... Nuk ka bërë pazare, duke shkelur mbi madhështinë dhe hijeshinë e asaj fanele aq të bukur. Gëzojnë dhe besojnë dashamirësit e "Tiranës", sepse kur dikush është paragjykuar apo përgojuar qysh në atë kohë, Agustin Kola ende nuk i honeps dot ato marifete edhe tani që janë bërë te biznesi i ditës... Jo më kot janë frikësuar edhe trainerët e ekipeve kundërshtarë, duke iu trembur më shumë atij se sa ekipit... Sikur edhe idetë t'i mungojnë Agustin Kolës, mjafton shpirti luftarak, dashuria dhe sedra për fanelën bardheblu, që ai do të injektojë te lojtarët e tij...
Ka plasur sherri mes prindërve të Agustinit, kur ai filloi në ekipin e notit që stërvitej në Liqenin Artificial. Duke ditur se çfarë fëmije i lëvizshëm që kishte, çdo ditë rrinte zemërngrirë e ëma. Po aq mirë e njihte natyrën e djalit të vet edhe i jati. Por, më i qetë ishte që atij t'ja disiplinonte dhe kontrollonte dikush kohën se sa të sorollatej nëpër lagje. Ende pa mbaruar filloren, lë notin, sespe fillon t'i pëlqejë cirku. Shikonte mjeshtrin Telat Agolli fluturonte nëpër ëndërra... Ca nga natyra dhe ca nga lloji i këtij sporti, arriti të japë shënjat e një akrobati të talentuar. Ju shtua dashuria dhe pasioni, akoma edhe më tepër kur filluan që t'i jepnin 500 lekë, çdo dy javë për shfaqjet që jepeshin. Por ai kudo që të ishte binte në sy. Nuk i shpëtoj as syrit të mësuesit të fizkulturës, Aurel Verisë, që e nxiti dhe e afroi me atë që do të bëhej dashuria e fundit dhe e vetme për Agustin Kolën. Të gjithë bashkëmoshatarët e dëshironin që ta kishin në skuadër, pasi me të ishte edhe fitorja. Vetëm vëllezërit kishte kundërshtarë kur luanin në lagje, sepse edhe e kishin inat që ai luante aq mirë, por edhe i ngacmonte me ato triblimet e shpeshta. Mbase që këtu ka filluar të ushqehet me sedrën dhe dëshirën për të fituar. Luante me shpirt, pa ditur nëse kundërshtari ishte më i madh në moshë apo më i fortë fizikisht. Ai përballej me këdo... Jo pak herë edhe është përplasur e gjakosur. Por edhe kundërshtarëve nuk u ka mbetur borxh në inat... Në një përplasje, vëllait të tij Robertit, i dëmtoi gjurin, duke e detyruar të çalojë ditë të tëra. Ndërsa, akoma më keq e pësoi vëllai tjetër, Andrea, kur i nxorri shpatullën... E ndërsa këta dhe ndonjë bashkëmoshatari i vet u trëmb dhe ju ftoh kjo lojë, Agustinit ju bë pasioni i ditës. Në natyrën e vet të besimit dhe sigurisë, pa u shoqëruar nga askush, ikën dhe testohet në provat e konkurimit për Shkollën e Mjeshtërisë. Ishte ndër të paktët që nuk lodhi as komisionin për të dhënë vendimin e tyre pozitiv. Kishte fituar kështu, shansin e madh që rrallë kush e ka. Bashkë me të, në grup ishin talentet e tjerë që do bënin emër në të ardhmen. Të gjithë kujtojmë fidanishten e futbollit modern, që kishte emrin "Shkëndija"... Kur ajo e mbaroi misionin e vet, Agustini bëhet pjesë e "17 Nëntorit". Ishte viti 1979... I kujtohet kur një ditë e ftoi në zyrë edhe një kuadër i lartë i Ministrisë së Brendshme. Në këmbim të "17 Nëntorit" me "Dinamon" i afroi lojtarit një të drejtë studimi për Juridik dhe një apartament banimi. Edhe njërën nga këto ndere t'i bënin dikujt në atë kohë, do të ishte shumë. Por, për Agustin Kolën para ekipit të "Tiranës" nuk vlente asgjë! Dhe në vazhdim, nis udha e gjatë e fitoreve bardheblu... Tetë tituj kampion dhe po kaq kupa republike janë fituar gjatë karrierës së tij sportive. Janë të panumërta mbresat dhe episodet e këtij futbollisti karizmatik. Ka qenë viti 1983. Një javë para përfundimit të kampionatit ishte ndeshja me "Dinamon". Kush fitonte takimin siguronte edhe kampionatin. U mjaftoi një rezultat i ngushtë kundërshtarëve për të shijuar kreun. I pa fat Agustini në këtë ndeshje, edhe pse ishte aq i motivuar. Por edhe i paragjykuar pas ndeshjes. Ndoshta i prishi punë edhe një goditje shtylle, që një pjesë e tifozerisë, e quajti shmangie të qëllimshme të shënjestrës. Madje, arriti që ta dëgjonte edhe me veshët e vet këtë përgojim, i cili ushqehej nga fakti se Kola, ishte huazuar para disa javëve nga "Dinamo", për një ndeshje të vlefshme për Kupën e Kampionëve. Nuk replikoi me tifozat atë ditë, por inati nuk i doli as për tre muaj... Deri sa filloi kampionati tjetër në gusht. Për fat kalendari e ndihmoi që ndeshjen e parë ta kishin me "Dinamon". Për "17 Nëntorin" mbase nuk do të vlente fitorja sa për Agustinin. Dhe kështu ndodhi. 4:3 fituan bardheblutë. Golin e fitores e shënoi vetë. Jo me djersë, por dhe me gjak... Në një krosim në zonën e rreptësisë ai zhytet në planzhon me kokë, duke ja hequr topin Halit Gegës nga këmba. Bashkë me topin në rrjetë, ai la edhe një pjesë të nofullës. Më shumë se për gëzimin e golit mbase lumturoi për gjakun që i rridhte çurk. U çua dhe ju drejtua asaj tribunës portative, nga ku tre muaj më parë kishte dëgjuar atë zë, që ende i kumbonte në vesh. Deri sa iku pranë tyre, fanela i ishte skuqur krejt... Të ekzaltuar nga gëzimi, tifozët e pushtojnë duke thërritur në kor emrin e tij. Ndërsa, ai duke ju përsëritur përbetimin: "Nuk shitet kollaj Agustin Kola! E morët vesh?!" .
I dashur ishte për adhuruesit e vet sa edhe i padëshiruar për tifozeritë e retheve. E natyrshme kjo, për të vrarë psikologjikisht kundërshtarin. Por e padobishme ndaj të madhit Agustin Kola. Kështu ndodhi edhe atë gjatë një ndeshje me "Flamurtarin" në Vlorë. Ikën për të luajtur të premten, pasi të mërkurën do të luanin në Tiranë me një ekip irlandez për të kupat e Europës. Agustini ishte në stol, sepse kishte nxjerrë kaviljen dhe shpresohej të aftësohej për takimin ndërkombëtar. Mbaron pjesa e parë me një gol të shënuar nga ekipi vendas. Pjesa e dytë fillon mes entusiazmit të njohur, të tifozerisë vlonjate. Edhe pse nuk ishte në fushën e lojës, tifozat ngriceshin me Agustin Kolën, që pushonte në stol me këmbën e fashuar, të hedhur në jaki ... Kur kishin kaluar 20 minuta dhe goli bardheblu nuk po dukej, shpërthen nga stoli lojtari me numër 11. Rrëmben gërshërët nga çanta e mjekut të ekipit, pret fashon, bën dy gjilpëra që të mos ndjejë dhimbje në këmbë dhe pa bërë stërvitje shkon te anësori për t'u futur në lojë. Gjuajtje anësore me dorë nga Bedri Omuri për te Shkëlqim Muça. Ky e përcjell topin në zonë për te Agustini, i cili me kokë shënon golin e barazimit. Pas pesë minutash, në një kundërzbritje bardheblu, Kola pason te Sul Mema, i cili shënon golin e fitores... Ky gëzim, u shoqërua më pas me dhimbje të tmerrshme kur kishte mbaruar efekti i gjilpërës dhe ndeshja. Por jo se Agustini do të mungonte të mërkurën. Luajti mes dhimbjeve, që do të shuheshin më pas nga shpërthimi i tifozerisë pas golit të radhës, që shënoi përsëri Agustini... Gol që do t'i jepte edhe kualifikimin ekipit bardheblu.
Në të shumtën e këtyre rasteve, ai ishte i pabindur edhe ndaj këshillave dhe urdhërave të trainerëve dhe mjekëve. Por edhe nuk i interesonte kujt që të këmbëngulte në zbatimin e tyre. Ndaj në të shumtën e rasteve justifikoheshin me kokëfortësinë e Agustinit. Sepse mungesa e tij në fushë do të thoshte më pak shpirt gare, më pak besim, më pak shpresë... Madje edhe kur ai luante duhej menduar, se në ç'nivel i kishte këto "shqisa". Fjala vjen Enver Shehu, ka qenë edhe një psikolog i përkryer në këtë drejtim. Kur e shikonte Agustinin gjatë udhëtimeve në rrethe, të dhënë pas humorit dhe shakasë dhe jo të shqetësuar për ndeshjen, sajonte provokime për të. Ndalonte autobuzin dhe i thoshte që të dilte jashtë dhe të ecte më këmbë. Mjaftonte aq, që ai të skuqej dhe të përfshihej nga inati për këtë dënim të pakuptueshëm... I mjaftonte kjo, që atë memecëri ta shfaqte me entusiazëm dhe grintë në fushën e lojës. Këtë radhë edhe për "t'u hakmarrë" me trainerin që e ofendoi me të padrejtë para shokëve... Por, këto raste kanë qenë të ralla shumë, pasi Agustini ishte i gatuar më shumë se sa duhej me impulsivitet dhe dëshirë për lojë.
Gjatë një takimi në Shkodër që e fituan 4:1, ai përplaset me mbrojtësin Shaba dhe thyen hundën. Gjysma e të keqes për të, sepse ishin minutat e fundit të takimit dhe për më tepër, avantazhi ishte i thellë. Por e keqja e plotë vazhdoi në ditët në vazhdim. Një javë qëndroi në rregjim shtrati në shtëpi. As bukë nuk hante, por ushqehej me lëngje nëpërmjet një tubi plastik. Të paktën ishte parashikuar një muaj kohë që ai të aftësohej. Sipas mjekëve kjo, pasi ai mezi priste të dielën kur do të luanin me "Tomorin" e Beratit. Hyri në fushën e lojës, duke i frikësuar kundërshtarët jo vetëm me maskën që kishte vënë në fytyrë, por dhe me atë gol spektakolar që shënoi me kokë...
Ky është Agustin Kola, që u bë aq i dashur nga tifozeria bardheblu, por nga të gjithë sportdashësit e vendit. Mbase nuk është shembulli i duhur ky, që do të tregojmë tani, por gjithësesi flet...
Ishte koha kur Shqipëria kishte rënë pre e anarshisë dhe trazirave të '97-ës. Në atë paralizë kombëtare lulëzuan jo pak të këqija. Mes tyre u bënë të zakonshme grabitjet me maskë. Ky rrezik kushtëzonte lëvizjet që të bëheshin vetëm ditën. Por njerëzit nevojtarë shpesh herë e harronin edhe këtë "rregullore", që kishte nxjerrë ajo situatë e shëmtuar. Në fakt Agustini nuk është se e kishte zënë halli në atë udhëtim që vendosi të kryente në drejtim të Vlorës. Të atij qyteti, ku maskat të tmerronin edhe në mes të ditës, e jo në atë errësirë që atë e kapi sapo doli nga Fieri. I gënjyer nga ajo qetësi gënjeshtare kalon Urën e Mifolit, nën shoqërimin e muzikës që dilte nga kasetofoni i "Benzit". Pasi kishte kaluar kthesën e dytë i bëjnë shenjë që të hapë krahun...
Pa e çuar fytyrën, për t'ju shmangur ndonjë keqkuptimi, ul xhamin dhe u zgjat tufën e lekëve. E kishte përgatitur qysh në Tiranë atë 200 mijëshe, për të larë këtë qokë... Por merr urdhërin e prerë për të dalë nga makina. Nuk e bën dysh urdhërin e tyre, duke ndjerë se në këto çaste kishte humbur edhe "Benzin". Por para kokës, të gjitha ishin pa vlerë! E, ndërsa dikush prej maskave i drejton prozhektorin në fytyrë, befasohet kur iu duk fytyrë e njohur. I afrohet më shumë për t'u siguruar dhe e pyet nëse ishte apo jo "Agustin Kola, ai futbollisti i Tiranës...".
-Unë jam... - ua kthen me një fije shprese më shumë për jetën. - Mos e çani kokën, nuk ka rëndësi kush jam. Hallall t'i keni lekët! Merrini!
Sikur të ishin vënë nën një urdhër të prerë, të gjithë grabitësit hoqën maskat dhe filluan ta përqafonin si ta kishin njeriun e tyre. I kërkojnë falje për bezdisjen, dhe duke i uruar vazhdimin e mbarë në udhëtim, i japin një tufë pesë herë më të madhe se ajo që u kishte taksur Agustini. Natyrisht që nuk e pranoi, pasi ishte pushtuar nga një emocion i jashtëzakonshëm. Jo thjesht se i shpëtoi jeta, por sepse ju vlerësua ajo që kishte dhënë në jetë.
Thënë ndryshe, Agustin Kola është i vlerësuar dhe i respektuar nga të gjithë...
Emri: AGUSTIN
Mbiemri: KOLA
Atësia: PJETËR
Datëlindja: 10.05.1959
Vendlindja: TIRANË
- Mjeshtër i Merituar sporti
- Shkollën e Mesme të Mjeshtërisë Sportive
- Institutin e Lartë të Fiskulturës "Vojo Kushi"
- Ka luajtur me "Shkëndijën", "17 Nëntorin", dhe në Greqi me "Janina", "Egaleo" dhe "Kalkithia"
- Ka fituar 8 kampionate dhe 8 kupa Republike
- Ka shënuar 152 gola në ndeshjet e kampionatit dhe 250 në ato për Kupën e Republikës, duke mbetur një nga golashënuesit më të mirë në historinë e klubit bardheblu.
- 15 vjet ka luajtur me ekipin përfaqësues që përbën një kohë të paarritshme nga të tjerët.
- 1978. Kampion Ballkani me ekipin "Shpresa"
Kur braktisi portën...
I pari që e futi në udhën e sportit, ka qenë Aurel Veria, kur ishte nxënës në shkollën 8- vjeçare "Hasan Vogli". Ndërsa fatin për të qenë traineri i parë i tij, e ka patur Enver Rada. Zhvillohej spartakiada kombëtare e fëmijëve në Durrës. Me ekipin e "Tiranës" ishte edhe 14-vjeçari Agustin Kola. Duke qenë realisht më shumë fëmijë se sa sportist, binte në sy për lëvizshmërinë dhe shkathtësinë e tij. Aq sa edhe traineri, atë një muaj që ishte grumbulluar e mbajti në dhomën e tij. Duhej ta kishte në çdo moment para sysh... Por shumë shpejt, ndjeu se mbante pranë vetes një xhevahir... Ishte nga më të bindurit dhe të palodhurit në stërvitje. Nuk dinte të bënte hile, por ishte shumë i vëmendshëm dhe korrekt me udhëzimet e trainerit. Karakteri i tij impulsiv, pasioni dhe dëshira për të fituar çdo dyluftim me shokët, bëri që të binte në sy edhe në fushën e lojës... Nisur nga të gjitha këto, vendi i tij më i përshtatshëm kuptohej se ishte mbrojtja e portës. Krijoi besim në gjithë ekipin me guximin dhe pritjet e tij akrobatike.... Nga sedra që kishte, bëhej copë, duke u hedhur sa në një cep në tjetrin, për të mos pësuar gol as në stërvitje. Por sikur ju zbehën pak këto vlera në takimin e parë... Ndoshta edhe jo për faj të tij, se sa të mbrojtjes, pasi kishin kaluar dhjetë minuta pëson gol... Mbyllet pjesa e parë, por edhe pushimi nuk ja riktheu qetësinë. Me fillimin e pjesës së dytë, lëvizte gjithë siklet në zonën e portës, i padurueshëm për t'ju gëzuar golit të barazimit. Nuk po i durohej... I bën shenjë një shokut të vet që të futet në portë dhe sulet drejt topit në drejtim të portës kundërshtare. S'kishte kohë të disiplinonte këtë fëmijë të "pabindur" Enveri, por i mbërthyer edhe pas rezultatit të lojës, e kaloi në heshtje këtë veprim. Nuk vonoi dhe nga teknika e përsosur e Agustin Kolës vjen goli i barazimit. Aq ju desh atij dhe ekipit për të sulmuar pa ndërprerje, rast pas rasti deri sa shënuan golin e fitores. Nga ajo ditë nuk ju rikthye portës... Ndërsa ekipi kryeqytetas nuk la ndeshje pa fituar në gjashtë takimet e radhës. Kështu, aktivitetin e parë zyrtar Agustin Kola e nis si fitues, duke ju gëzuar titullit kampion kombëtar për bashkëmoshatarët. Nga 47 gola që shënoi ekipi i tij, 17 ishin të tij. Etje që nuk do t'i shuhej asnjëherë në ardhmen...
Tani do të ishim bashkë trainerë të "Tiranës"...
Ndjen mall për Arben Mingën. E ka patur mikun më të afërt dhe më të mirë. Mungesën e tij, e ndjen shumë. Në të folurën e tij të sinqertë dhe disi nervoze, shfaq edhe një peng shpirtëror...
- Beni do të ishte gjallë tani, nëse ne do të dinim ta vlerësonim dhe trajtonim. Nuk kishte pse të lihej në mëshirë të fatit, një futbollist i shquar që i kishte dhënë emër dhe lavdi ekipit, për më tepër i talentuar dhe i shkolluar. Mbase më shumë se kushdo, i pari, që duhej atashuar pranë klubit të "Tiranës" duhej të ishte Arben Minga...
Dhe ashtu siç di të flasë Agustini, përmend edhe emra mëkatarësh që fatkeqësisht janë shokët e tyre.
Para pak kohësh e ftuan në një emision televiziv ku do të flitej edhe për Benin. U interesua se kush ishin të ftuar.
-Po do të vij! Por jo për ta vdekur për herë të dytë mikun tim... Do të debatoj e dëshmoj, se shkaktarë të atij largimi të parakohshëm, janë edhe ata të ftuar që ke aty sot.
I humbi zëri drejtuesit të emisionit, duke i lënë të nënkuptojë se kështu do të ishte i padëshiruar... Nuk iku. Por e di se edhe Ben Minga nuk ngjallet më, paçka se ai e ka të pashlyer në kujtimet e tij...
Bashkë e filluan atë udhë të gjatë dhe të mbarë te klubi bardheblu. Mjeshtëria dhe zotësia u dha shansin që të ishin bashkë edhe te ekipi "Shpresa" dhe Kombëtarja. Më shumë ka ndenjtur me Ben Mingën se me vëllezërit e tij. Ashtu e kanë ndjerë, vlerësuar dhe besuar njëri-tjetrin. Jashtë Tiranës, por dhe jashtë shtetit, përherë kanë fjetur bashkë në një dhomë. Vetë sporti, por dhe mosha në jo pak herë i "ka detyruar" edhe gabojnë. Vetë natyra e Kolës, pak më impulsive dhe kurajoze se shokët e vet, detyrimisht që e ka gjetur më zbuluar në të tilla raste... Dëshmitari i parë i këtyre gjesteve që në të shumtën e herëve, cënonin rëndë edhe direktivat ideologjike të Partisë, ka qenë Beni. Mbase edhe diku tjetër mund të përfundonte, nëse ai do të raportonte diku. Por, Agustin Kola asnjëherë nuk u rrezikua nga miku i tij. Ndaj nuk rresht së foluri me dashamirësi dhe mirënjohje për Benin. Eleganca dhe magjia e sulmit tiranas me këta dy futbollistë, ka vend të nderuar në historinë e klubit bardheblu. Sedra, shpirti luftarak dhe besimi në fitore, tashmë e kishin emrin Agustin Kola dhe Arben Minga. Veçanërisht në takimet që zhvilloheshin në rrethe, mjafton që topi të pasohej në njërin prej tyre dhe e gjithë mbrojtja vendase vihej në panik... Nuk kishte mbrojtës të ndalte vrullin, teknikën dhe dëshirën e tyre për të gjuajtur drejt portës. Çdo kundërsulm i "17 Nëntorit" përcillej me ankthin dhe emocionin e shënimit të golit... Ndryshe nuk do të skaliteshin emrat e tyre si golshënuesit më të mirë të kampionatit. Ndryshe nuk do të shtoheshin trofetë e fituara në kampionate dhe kupa republike. Derisa një ditë, vendosën të lënë futbollin. Në moshën 38-vjeçare u shkëputën nga fusha e blertë. 22 vjet rresht, pa u ndarë bardheblu... Ndaj shpirtërisht e ndjen se, ende në krah ka mikun e vet, të paharruarin Arben Minga.
Pranë Institutit të Fiskulturës, në Tiranë ndodhet kompleksi "Dajti" me disa fusha kalçetosh. Pronari i tyre, një tifoz i bardhebluve për hijeshi dhe mirënjohje, vendosi një poster të madh të Agustin Kolës. Të imponohej në nostalgji dhe kënaqësi ajo fotografi gjigante, duke shfaqur para syve të sportdashësve, yllin e Tiranës. Por, plasi Agustini deri sa "e detyroi" pronarin e këtij kompleksi, që ta hiqte atë dhe të përgatiste një tjetër poster, duke shtuar edhe Arben Mingën. Kuptohet akoma edhe më shumë u shtua lezeti dhe hijeshia, për më tepër që u plotësua edhe një dëshirë e Agustinit.
Edhe në takimin derbi që patën me "Dinamon", nuk e largoi nga sytë mikun e vet, paçka se ishte i ngarkuar prej ditësh me emocionet e këtij takimi shumë të rëndësishëm. Në tribunën karshi ishin vendosur edhe dy fotografi të mëdha të Arben Mingës... Ndjehej më i motivuar se kurrë për fitore. Deshte të gëzonte edhe shpirtin e mikut të tij, që prehet në qetësi, pikërisht atë ditë që ai mbushte dy vjet që ishte larguar nga jeta. Ndaj dhe fitoren e ndjeu aq shumë. Por, dëshiron dhe kërkon që të bëhet diçka më shumë për Arben Mingën. Emri dhe kontributi i tij duhet të mëshirohet në një rrugë, shkollë apo kompleks sportiv.
- Atë që nuk e bëmë dot kur ai ishte në jetë, na takon ta realizojmë tani. Sepse, ndërsa ne kemi vënë nga një tullë në kalanë bardheblu, ai ka vënë disa rreshta...
I vjen keq që nuk mundi të realizojë dëshirën e madhe, për ta drejtuar "Tiranën" të dy bashkë...