E enjte, 28.03.2024, 04:09 PM (GMT)

Sport » Legjenda

Hamdi Salihi: “Austria më mësoi se ç’është kombëtarja”

E enjte, 11.09.2008, 10:06 PM


Hamdi Salihi
“Austria më mësoi se ç’është kombëtarja”

Nga Jorgis Memo 

“Pasaporta”

Emri: Hamdi
Mbiemri: Salihi
Ditëlindja: 19.01.1984
Vendëlindja: Shkodër
Gjatësia: 1.85 cm
Klubi aktual: SV Ried (Austri)
Ndeshje me Riedin: 51
Gola me Riedin: 22
Ndeshje me kombëtaren: 8
Gola me kombëtaren: 1

Sulmuesi Hamdi Salihi: Trajneri Han na ka futur frymën e lojës në grup. Nuk mendojmë për suksese personale

Në 10 minutat e para me Suedinë i është dukur sikur fluturonte, jo vraponte. Eshtë Hamdi Salihi, sulmuesi i talentuar i kombëtares, që përballjen e parë eliminatore e nisi si titullar, duke zbatuar mirë detyrat e trajnerit Ari Han, edhe pse shënimi i golit ishte dëshira më e madhe e tij. Shkodrani tregon në një intervistë të dhënë posaçërisht për “Sportin shqiptar” momentin e mirë me kombëtaren, ndeshjen me Maltën dhe karrierën në Austri. Sipas 24-vjeçarit, kjo e fundit i tregoi rëndësinë që ka ekipi kombëtar. Sulmuesi gjithashtu flet edhe për frymën e grupit që ka futur në ekip holandezi i pankinës kuqezi.

- Ndeshja e parë eliminatore ju gjeti titullar…?
- Të gjithë lojtarët që grumbullohen në kombëtare kanë shanse të barabarta për të luajtur. Mendoj se diferencat janë të vogla. Normalisht, për mua ishte një kënaqësi, sepse, përveç aktivizimit si titullar, në fund ekipi arriti atë që deshi, duke marrë një rezultat pozitiv.

- Para se të futeshit në fushë, çfarë menduat?
- Kur e nis titullar, aq më tepër me kombëtaren, fillon mendon që të luash sa më mirë. Personalisht mendova që, derisa trajneri më ka besuar që nga minuta e parë, të mundohem me të gjitha forcat për ta justifikuar. Eshtë më e vështirë për ta justifikuar, sesa të gëzosh faktin që do të luash nga fillimi. U përpoqa të realizoja ato gjëra që më tha trajneri para ndeshjes.

- Atëherë, për çfarë ju udhëzoi trajneri Han?
- Unë duhet të mbaja mbrojtësit e Suedisë gjithnjë nën presion, në mënyrë që ata të mos zotëronin topin dhe të shtynin ekipin para. Një udhëzim tjetër i trajnerit ishte që të mundohesha të merrja sa më shumë faulle, për ta tërhequr ekipin dhe të mos isha i ndarë nga pjesa tjetër e reparteve.

- Aq e vështirë ishte të çanit mbrojtjen suedeze?
- Duke qenë i vetëm në sulm, nuk duhet të ndahesha nga pjesa tjetër e ekipit. Me tre mbrojtës, gati gjigantë përpara, nuk mund të bëja më tepër. Trajneri kërkoi që të zhvillonim një lojë në grup. Ajo që më bëri shumë përshtypje, ishte fakti që asnjë nga mbrojtësit suedezë nuk doli nga detyrat. Rreshtimi i tyre nuk u prish për 90 minuta.

- Ju ka ngelur ndonjë “peng” nga ajo ndeshje?
- Normalisht, çdo sulmues kur mbaron ndeshja vuan faktin që nuk ka shënuar. Ëndrra e madhe ishte që të shënoja, kjo e shoqëruar edhe me një fitore. Ne ishim përgatitur për të mos lënë hapësira dhe mendoj se arritëm edhe objektivin që i kishim vënë vetes.

- Folët me trajnerin pas ndeshjes?
- Trajneri flet më shumë për grupin dhe jo për individët. Unë jam i kënaqur që arrita të zbatoja detyrat e dhëna prej tij. Ndërsa për vetë trajnerin nuk e di, nëse ka ngelur i kënaqur.

- Nuk ka kohë dhe ndeshja me Maltën është te “dera”. Golin tuaj të parë me fanellën kuqezi ia keni shënuar këtij ekipi…?
- Ne futbollistët jemi pak supersticiozë dhe shpresoj që goli i dytë të vijë po me Maltën. Nuk do të ishte keq, megjithatë në radhë të parë duhet të jemi të fokusuar për t’i bërë hyzmetin fitores. Me idetë e reja që ka sjellë trajneri Han, futbollistëve u është futur fryma e lojës në grup dhe janë të paktë ata që mendojnë për suksese personale. Kjo është më e rëndësishme dhe mendoj se duhet të vazhdojmë kështu deri në fund, për të arritur rezultate pozitive.

- Me ekipet “e vogla” Shqipëria ka hasur vështirësi. Si e shikoni këtë ndeshje, ku duhet fitorja?
- Nga bisedat me shokët, të gjithë kemi qenë në një mendim, se ndeshja me Maltën do të jetë më e vështirë se ajo ndaj Suedisë. Kjo sepse me Suedinë ishte më e thjeshtë të vendoseshim në pozita mbrojtëse, për të prishur ato ekuilibrat në fushë. Ndërsa me Maltën, nëse nuk arrihet rezultati shumë shpejt, lojtari fillon e del nga detyrat. Unë them që, nëse shënojmë shpejt, gjërat do të na thjeshtësohen, sepse presim që kundërshtari të mbyllet për të mos pësuar. Një ekip si ne nuk e ka provuar shumë herë veten në tilla kushte, ku natyrisht duhet të fitojmë. Nisur edhe nga eksperienca e lojtarëve tanë në mesfushë, nuk besoj se do të jetë e vështirë për t’i afruar zonës së Maltës.

- Po tani si e ndieni veten në këtë kombëtare, ku ka më shumë lojtarë të rinj?
- Gjithnjë e kam ndier veten mirë, pasi edhe në edicionin e kaluar jam aktivizuar, qoftë nga minuta e parë me Bullgarinë, gjithashtu edhe në disa ndeshje të tjera. Me kalimin e kohës e kam parë veten më të nevojshëm për ekipin kombëtar. Ndihem shumë mirë, por siç e thashë edhe më lart, është momenti për të justifikuar atë besim që më jepet nga stafi teknik. Për një sulmues, goli është shpëtimi.

- U bëtë gati dy vjet në Austri. Si është një ditë për ju në qytetin e Riedit?
- Jeta e futbollistit unë mendoj se është një program i bërë pak a shumë nga të tjerët. Koha e lirë në Ried është një kafe ose shopping në dyqane. Për sa u përket njerëzve, ngaqë qyteti është i vogël, ata janë shumë dashamirës të futbollit. Ky sport i bën ata më të njohur dhe futbollistat shihen si idhuj. Çdo lojtar i Riedit njihet kudo që të jetë në qytet, qoftë në restorante, dyqane dhe vende të tjera. Mua më respektojnë shumë dhe më flasin kudo që ndodhem. Bëj fotografi dhe ndaj mendime me shumë njerëz. Mundohem t’ua bëj deri në fund respektin.

- Çfarë impakti ka te Riedi aktivizimi tuaj në kombëtaren shqiptare?
- Në Austri kombëtarja shihet si gjithçka. Ndoshta ne në Shqipëri i bëjmë gjërat më të lehta. Në përgjithësi, në vendet perëndimore thirrja në ekipin kombëtar është gjëja më e madhe për një futbollist, aq më tepër kur fiton ndeshje. Kjo më ndodh sa herë kthehem nga ndeshjet e kombëtares. Direkt më pyesin, nëse luajta, gjithashtu dhe rezultatin e ndeshjes. Përgëzimet janë të mëdha, vetëm për faktin se kam luajtur, aq më tepër kur shënoj. Nga kjo gjë kam mësuar se çfarë rëndësie ka kombëtarja. Edhe herën e fundit, kur kisha si kundërshtar në miqësoren me Lihtenshteinin shokun e ekipit Stoklasa, ngacmimet ishin për te ky i fundit, sepse unë kisha fituar dhe luajta, pavarësisht se pak minuta.

- Keni menduar se ka ardhur momenti për të ndryshuar ekip?
- Ndryshimi i ekipit dhe i ambientit besoj se është i mirë për çdo futbollist. Duke ndryshuar ekip, motivohesh edhe më shumë, sepse natyrisht ke edhe kërkesa të tjera. Nëse rri gjatë në një ekip, fillon e futesh në ritmin e skuadrës, e cila ndoshta nuk ka ambicie. Unë vërtet jam një nga lojtarët më të rëndësishëm të Riedit, por kërkoj më shumë. E shikoj si vitin e fundit tek ky ekip, sepse edhe mundësitë për lëvizje janë më të mëdha. Klubi do të fillojë të kërkojë për të përfituar diçka prej meje. Dëshira ime është të shkoj në një kampionat më të mirë, por më parë duhet të bëj punën po kaq mirë këtu ku jam.

- Çfarë ambicieje keni në këtë sezon?
- Dëshira ime është të fitoj kurorën e golashënuesit, por sulmuesit e ekipeve elitare, si Salcburgu apo Rapidi, kanë shanse më të mëdha. Kjo nuk do të thotë që unë të mos kërkoj nga vetja. Dua të shënoj, të paktën më shumë se sezonin e kaluar.

“M’u duk sikur fluturoja, jo vrapoja”
Hamdi Salihi e ka ndier shumë praninë e tifozëve në “Qemal Stafa”. Për këtë ai tregon: “Për tifozët mund të them se ishin gjëja më e bukur që përjetova mbrëmjen e së shtunës. Ishte kënaqësi të luaje në atë ambient. Më besoni, por në 10 minutat e para nuk ndieja as këmbët, sepse duke parë një stadium të mbushur, futesh vetvetiu në vrullin e ndeshjes. Ka momente kur të duket sikur fluturon, jo sikur vrapon.”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora