Sport » Legjenda
Sa e vonuar statuja për Panajot Panon!
E shtune, 21.02.2009, 11:00 AM
Mjeshtri i Madh, është vlerësuar nga UEFA si një nga 50 futbollistët europianë të shekullit
Panajot Pano
Nga Agron Sejamini
Më e pakta gjë që mund të bëhej për Panajot Panon, do të ishte vendosja e një statuje, në një nga lulishtet më të bukura të Kryeqytetit... Themi më e pakta, kur më e shumta që është bërë për këtë ikonë të futbollit shqiptar vitet e fundit, ka qenë përmendja e emrit të tij, në një kronikë televizive të ditëve të fundit, ku njoftohej se bashkë me ekipin përfaqësues për në Maltë, po udhëton edhe Panajot Pano. Kishte vite që teleshikuesit nuk e kishin dëgjuar këtë emër të dashur. Për të qenë të saktë, veprimtaria e fundit për nder të tij, ishte organizuar para katër vjetësh, në Hotel "Tirana Internacional". Edhe në këtë rast, jo se u kujtua kush për atë, por ishte ai që i mblodhi të tjerët... Federata Shqiptare e Futbollit do të bënte të ditur për publikun shqiptar një vlerësim të UEFA-s. Mes 50 futbollistëve më të shquar të kontinentit për shekullin edhe emri: Panajot Pano. Eshtë momenti, të kujtojmë edhe atë xhest të jashtëzakonshëm, të Franc Bekenbauerit, kur erdhi në Tiranë para disa vitesh, jo si lojtar, por si trajner. I ishte lutur përkthyesit që të interesohej, për të gjetur mundësinë që të takohej me Panajot Panon. 20 minuta bashkëbisedim me mbretin e futbollit gjerman, mjeshtrit tonë i dhanë emocione, më shumë se 90 minutat e fushës së blertë... Jo pak, shpreh edhe dëshira e të madhit Platini, i cili gjatë vizitës në Shqipëri, dëshiroi të kishte një kujtim edhe me Panajot Panon. Me të dëgjuar, e kishte edhe Berti Vogst, emrin e shqiptarit aq të njohur për gjermanët, por me shumë dëshirë kërkoi të takohej me të, pak minuta para se të fillonte takimi mes dy ekipeve në vitin 1996. Ja pra, deri ku shkon rrezja e madhështisë të yllit të futbollit tonë. Ndaj mundej të kishim bërë më shumë për të, aq më tepër që edhe koha shkon...
Me "17 Nëntorin" nis udha e gjatë 18-vjeçare e futbollit, për Panajotin. Por në këtë kohë "Partizani" ishte më i miri. U quajt rastësi në vitin 1959, kur bardheblutë u shpallën fitues ndaj tyre, në atë finale për kupën e gazetës "Sporti Popullor". Por, pak javë më pas, në ndeshjen e kampionatit "Partizani" nuk mund të fitonte përsëri me ta. Një barazim që u ndje më shumë se sa humbje. Por dhe një lojtar shtatshkurtër ra në sy të gjeneralëve... Fillojnë të pyesin për moshën e tij. Pa mbaruar faza e parë, i mbushnin fletëthirrjen për ushtar... Si për t'i thënë ekipit bardheblu që harrojeni këtë djalosh, e caktojnë të shërbejë për katër vjet në marinë. Pa i dalë ende floku, Ministria e Mbrojtjes urdhëron komandën e repartit që, rekruti Panajot Pano, të paraqitet urgjentisht pranë klubit "Partizani". Nuk vonoi dhe më 14 shkurt 1960, sportdashësit kryeqytetas e shikojnë të veshur jo bardheblu por në të kuq. Madje dhe e duartrokitën kur me golin e tij të parë, lajmëroi fitoren 3 me 0 ndaj "Dinamos". Kështu, nisi të shpalosë mjeshtërinë e lartë ky futbollist, duke e bërë të lavdishëm emrin e ekipit dhe të vetin.
Ishim kurioz të mësonim diçka për marrëdhëniet e këtij lojtari të madh me gjyqtarët. Fillimisht, përmend Shefqet Çasllin, për kartonat e verdhë që ja nxirrte pa takt. Vetëm e vetëm pse i diskutonte faullat, që i jepte me pa të drejtë, në dëm të tij. Nuk zgjatet shumë në këtë histori, pasi e di që më e bukura, ka ndodhur me të ndjerin Shazivar Grudën. "Prishja" me të ka nisur pas mbarimit të një takimi mes "Partizanit" dhe "17 Nëntorit". 2 me 1 e fituan këtë ndeshje të kuqtë. Golin e fitores e shënoi Pano... Pas një krosimi nga krahu i majtë, ai zhytet dhe në vend të kokës përdor grushtin, për të çuar topin në rrjetë. Tifozat bardheblu të tribunës A dhe karshisë e dalluan qartë këtë skenë dhe shpërthejnë fuqishëm për të vërtetën. Por, më kot! Atë e vendoste vetëm durrsaku Shazivar Gruda. Ndërsa të kuqtë gëzonin fitoren, gjyqtari zjente nga dyshimi... Ndaj tek ecnin për te dhomat e xhveshjes, i bën shenjë Panajotit dhe i pëshpërit me ngadalë:
- Të lutem, ke kurajo të më tregosh të vërtetën, me kokë apo me dorë e bëre golin?
Nuk kishte pse të bënte gabimin e dytë Panajoti, për më tepër që nuk e kishte për natyrë dhe pa u menduar, duke buzëqeshur i thotë:
- Me dorë!
Dhe kur priste të mirrte ndonjë ledhatim, veshët dëgjuan bubullimën e Shazivarit:
- Dëgjo Panajot Pano! Po ta them që sot, se do ma paguash shtrenjtë, këtë që më ke bërë sot. Mbaje mend...
Për gati tre vjet rresht, në të gjitha ndeshjet që ishte gjyqtar Gruda, Pano në të shumtën e kërcimeve me kokë do të dëgjonte vërshëllimën e bilbilit, për faull në dëm të tij. Ndryshe nga Çaslli, këtë nuk mund ta kundërshtonte, pasi Gruda ja kishte dhënë "paradhënie" që nga ajo ndeshje. Me atë gjyqtar në çdo takim, "Partizani" luante me dy kundërshtarë... Po në fushën e lojës, i doli inati Shazivar Grudës. Po merita e të madhit Pano ishte sa edhe e atij gjyqtari shumë korrekt dhe me kulturë. Luhej në Shkodër. Pa kaluar tre minuta, Panajoti gjuan fort nga 35 metra, duke e çuar topin atje ku bashkohen dy shtyllat. Ka ngelur historik ai gol alla Pano. Të gjithë u mrekulluan dhe u befasuan. Mes tyre edhe Shazivari... Aq sa harroi që ishte gjyqtari kryesor i takimit, ndërsa i zgjati dhe shtrëngoi dorën lojtarit. Madje edhe duke i thënë:
- Edhe me dorë, t'i bësh të gjitha golat, kam për t'i bërë hallall...
"Partizani" e ndjeu si fitore të dyfishtë atë takim...
Ka qenë 23 maj 1975. Luhej derbi kryeqytetas "Partizani"- "17 nëntori". Stadiumi si gjithmonë i mbushur plot e përplot. Lojë e bukur dhe tërheqëse për të dy ekipet... Kur topi është në mes të fushës dhe nuk kishte faull, krejt papritur, gjyqtari kryesor Ramiz Pregja, ndërpret lojën... Ishte minuta e 21. E, ndërsa fëmijët pyesnin të rriturit ç'kishte ndodhur, duke e përjetuar këtë çudi, me logjikën e moshës së tyre, të rriturit po e përjetonin si fëmijë... Në drejtim të Panajotit, nuk shkonte topi, por...një tufë me lule. Lotë dhe ngashërim te të gjithë tifozët. Ishte buqeta më e trishtuar për atë, por dhe për sportdashësit që nuk deshën të besonin se kishte ardhur lamtumira e mjeshtrit me fushën e blertë. Nuk mbahet mend, të ketë ndodhur ndonjë herë, një ndërprerje e lojës prej dhjetë minutash. I gjithë stadiumi tashmë oshëtin nga duartrokitjet e mallit dhe mirënjohjes. Të gjithë më këmbë, me sy e zemër te ai njeri i dashur që herë pas here fshin lotët... Për fat, këtë skenë mallëngjyese e zbuti rendja pas mjeshtrit e një fëmijë katër vjeçar. U shijua, por më tepër u dëshirua që në gjurmët e të madhit Panajot mund të ecte, i biri Ledio. Edhe ky, si të kopjonte të atin, mbante sytë nga tifozat, duke valëvitur tufën e tij të luleve...
Krahas golave dhe mjeshtërisë, Panajoti ushqente edhe ëndrrën për të patur një trashëgimtar që t'i dorëzonte stafetën. Kur ishte në Bruksel, bleu një top në të cilin ishin vendosur 12 stemat e ekipeve pjesëmarrëse të kampionatit belg. Në Turqi, bleu kompletin sportiv. Gjithçka e kishte gati fëmija, që ende nuk kishte lindur... Më pas, të gjithë lusnin që Ledio të shkonte më lart se i ati. Sot, kur edhe ai i ka dhënë lamtumirën fushës së blertë, mjeshtri ndjehet krenar për të birin. Jo thjesht, se për të Ledio është njeriu më i shtrenjtë, por edhe për atë që mundi të prekë si futbollist. Kujtojmë se ai ka luajtur dhjetra takime me fanelën e ekipit kombëtar. Nuk "e kupton" pyetjen tonë, pse Ledio nuk u bë po aq i madh sa dhe Panajoti. Na thotë se Ledio, ka qenë shumë herë më i mirë se unë, në ekzekutimin e goditjeve të dënimit, shikimin periferik, aftësitë organizuese dhe komunikim me shokët, kundërshtarët e gjyqtarët... Mezi i shkëpusim një të metë për të birin krahasuar me veten e tij. Ndoshta duhej të dërsinte më shumë në stërvitje... Por, nuk harron të tregojë edhe një arsye të asaj pyetje që nuk "e dëgjoi" mirë... Nuk ju dha shansi i duhur nga trajnerët e kombëtares. Nëse ai do të ishte aktivizuar dhe vlerësuar ashtu siç e meritonte, do të kishte dhënë më shumë për atë fanelë, që i ati e ka përfaqësuar aq madhërishëm. Veç të ndjerit Agron Sula, të tjerët preferuan mbiemrat, para talentit dhe mjeshtërisë së trashëguar dhe të përsosur nga vetë Ledio. I vjen keq kur në Greqi, gjatë aktivizimit sidomos me skuadrën e "Skoda Ksanthi" e quanin "Platinia shqiptar", ndërsa në vendin e tij e privonin nga mundësia e shpalosjes së talentit të tij të lindur...
Devijojmë bisedë. Jo thjesht se ishte në Maltë, por sepse askush më saktë se Panajoti, nuk mund të përcaktojë gjendjen e ekipt tonë përfaqësues. Ndjen keqardhje kur te ata djelmosha që u është besuar fanela e kombëtares, mungon shpirti luftarak, entuziazmi dhe dëshira për të fituar. Fajtor kryesor për atë dështim, bën trajnerin. Nuk arrin të konceptojë ato ndërrime të pa motivuara, në një ndeshje që vetëm duhej fituar. Në Maltë, trajneri duhej të punonte jo për fitoren e ditës, por për atë me Hungarinë. Duke aplikuar variantet dhe lojtarët, duhej të kishte siguruar të fituar edhe gjysmën e ndeshjes. Me këtë gjysëm, nënkupton entuziazmin me të cilin ata tifozë të shumtë do të mbështesnin lojtarët e tyre aq të motivuar në një objektiv ëndërr. Nuk i vjen mirë që edhe Federata jonë ndjek të njëjtën "modën" si disa vende të tjera që preferojnë trajnerë jo nga vendi. Në rastin tonë, arrin të kuptojë edhe shkakun. Duke mos disiplinuar veten, për ndërhyrjet te trajnerët dhe vendosur një disiplinë "më të rreptë" në ekip, federata bën zgjidhjen e gabuar. Madje, kur puna nuk ecën, as trajneri nuk ka frikë, por dhe federatës as që i shkon ndërmend prishja e kontratës, pasi fatura rëndohet. Ndaj është i mendimit që trajneri duhet të jetë doemos shqiptar. Ka rezerva edhe për besimin e tepruar te lojtarët që luajnë jashtë. Gati gjysma e ekipit në Maltë, përbëhej nga lojtarë që nuk ishin aktivizuar në ekipet e tyre përkatëse. I bie që kjo të ishte për ta, ndeshje stërvitore dhe stimuluese për t'u aktivizuar atje ku luajnë. I vjen keq që nuk besohet te Memelli, lojtar i fuqishëm dhe me shumë ego. Shpreson dhe garanton edhe në teknikën e Sukajt të "Vllaznisë". Po ka dhe të tjerë në kampionatin tonë që dërsijnë, përgatiten me dëshirën se një ditë mund të veshin atë fanelë të nderuar. Presin e presin dhe asnjë nuk i vëzhgon dhe inkurajon. Pse me një ndeshje që ndjek Hani në Lushnjë, dhe këtë nuk e shikon deri në fund, do të përzgjidhet e ardhmja e futbollit tonë (?!)
o Hobi: muzika popullore shqiptare dhe ajo greke
o Idhulli: si futbollist, Pele; si skuadër, Gjermania
o Gjendja sociale: i martuar me Rebekën, ekonomiste; baba i dy fëmijëve: Ledio, ish-futbollist, që u aktivizua në kampionatin shqiptar dhe atë grek, por edhe në kombëtaren shqiptare; Nertila, vajza, ka mbaruar Fakultetin Ekonomik, e martuar, jeton në Amerikë.
o Karriera si futbollist: e filloi në vitin 1954 dhe e mbylli në maj 1975.
o Trajnerët, të cilët e kanë stërvitur: A.Karapici (në moshën 14-15
vjeçare), Xh.Demneri (16-17), M.Alla (18-19), R.Spahiu (trajner i parë te Partizani), L.Boriçi, R.Resmja, K.Kraja, B.Birçe, I.Shuke, Z.Konçi (trajner i parë me kombëtaren), Bolanesku (rumun).
o Ndeshja e parë zyrtare me të rinjtë e Tiranës: ndaj të rinjve të
Peshkopisë, 18 korrik 1956, për kampionatin kombëtar
o Goli i parë i karrierës me të rinjtë: ndaj Kukësit, 5 gusht 1956
o Ndeshja e parë me të rriturit: ndaj Besës, në vitin 1957, për Kupën e Republikës, me fanellen e 17 Nëntorit (Tiranës).
o Ndeshja e parë në kampionatin kombëtar me 17 Nëntorin: më 4 maj 1958, ndaj Dinamos (4-0). Pano shënon dhe golin e tij të parë.
o Ndeshja e fundit, si futbollist i 17 Nëntorit të Tiranës: ndaj Besës,
më 9 dhjetor 1959 (4-2), ku ka shënuar golin e fundit për bardheblutë.
o Ndeshja e parë me Partizanin: më 14 shkurt 1960, ndaj Dinamos (3-0), ku dhe ka shënuar golin e tij të parë për të kuqtë.
o Ndeshja e parë ndërkombëtare me Tiranën: ndaj skuadrës sovjetike
"Krahët e Sovjetëve" (Kujbishev), në vitin 1957.
o Ndeshje si përforcues me 17 Nëntorin: më 6 mars 1960, ndaj rusëve
të Admiraltejec; më 28 gusht 1969, ndaj Standart Liezh (Belgjikë)
o Ndeshja e parë ndërkombëtare me Partizanin: mars 1960, ndaj Nojebrandenburg (e fituar 3-2), në turneun në RDGJ.
o Goli i parë i karrierës: ndaj Besës, më 1957, për Kupën e Republikës.
o Goli i parë në takime ndërkombëtare: ndaj Moldava të Kishinjevit, në turneun e 17 Nëntorit në BS, në vitin 1958.
o Goli që i ka sjellë më shumë kënaqësi e sukses: ai i shënuar ndaj
Dinamos, në vitin 1961, në finalen me dy ndeshje, që zgjati 242 minuta. Ky gol e shpalli Partizanin kampion, titulli i parë dhe për Panon.
o Goli më i bukur: i shënuar ndaj kombëtares së Danimarkës (1963).
o Më tepër gola në një ndeshje: 4, ndaj Vllaznisë së Shkodrës; në takimet ndërkombëtare, ka shënuar 3 gola ndaj Forverts të Berlinit, në turneun e Vietnamit.
o Diziluzioni më i madh: kur, nga një distancë fare pranë portës së
boshatisur, nuk mundi të shënojë ndaj Torinos, në një ndeshje për Kupën e Kupave, në "Qemal Stafa" (1968)
o Gola nga distanca mbi 20 metra: ndaj Olimpikes bullgare, Vakerit,
Advidabergut, ndërsa ndaj Vllaznisë mbetet ndër më të bukurit.
o Penallti të humbura: vetëm tri gjuajtje nga 11 metërshi.
o I përjashtuar nga gjyqtari: dy herë.
o Ndeshja e lamtumirës: Partizani -17 Nëntori, më 23 maj të vitit 1975.
o Titulli i parë kampion kombëtar: me Partizanin, në vitin 1961.
o Kupa e parë e Shqipërisë e fituar: me Partizanin, në vitin 1961.
o Zhgënjimi më i madh gjatë karrierës: kur gazeta "Zëri i Rinisë" e cilësonte Panon, "Ylli i venitur". Por, pas këtij shkrimi, "i venituri" shkëlqeu dhe disa vite të tjera, duke arritur pika kulmore.
o Më tepër vështirësi në lojë: i krijonin mbrojtësit Halili, Bylyku, Sejdini, Kasmi.
o I ka pëlqyer të kombinojë: me Resmen, Krajën, Jasharin, Bushatin,
Bizin, A.Jankun, Rragamin, Haxhiun, Zhegën.
o Më të "bezdisshëm" për të: Halili, Bylyku, Sejdini, Kasmi, Leka, Çapaliku, Dembos, M.Gjika, Stringa.
o Fushat, që e tërhiqnin më shumë: ato të stadiumeve "Qemal Stafa",
"Dinamo", të Korçës dhe Elbasanit.
o Fushat që nuk i kanë pëlqyer: e Kuçovës, Kavajës dhe e Fierit.
o Duelet më intriguese e më emocionuese: me Skënder Halilin, Fatmir
Frashërin, Teodori Vason, Xhavit Daiun, ndërsa në takime ndërkombëtare, me Shulcin, Shnelingerin, Veber, Pua (i Torinos).
o Numri i fanelles: 10.
o Ndeshja e parë me ekipin kombëtar: më 24 qershor 1963, me
Danimarkën, në Kopenhagë (0-4).
o Ndeshja e fundit me kombëtaren: më 7 nëntor 1973, ndaj përfaqësuese kineze.
o Më shumë gola në takime ndërkombëtare: në vitin 1963 (11).
o Gjithsej gola në takimet ndërkombëtare: 34
o Skuadra, me të cilën është ndeshur më tepër: me Fenerbahçen, 7
herë (3 herë më 1961 me Partizanin, 2 herë me Dinamon, në vitin 1962, dhe 2 herë me Partizanin, në vitin 1967).
o Vlerësime që i janë bërë: "Pushkash i vogël", "Pele", "Eusebio", "Krojf', "Mit", "futbollist i përmasave evropiane e botërore", "supercilësor", "ylli i futbollit shqiptar", "futbollist me cilësi të rralla teknike e fizike", "legjendë", "stili Pano", "futbollist e kapiten i madh", "futbollisti i papërsëritshëm", "futbollist universal".
o Qytete të botës, ku ka luajtur gjatë karrierës: 50
o Nga 115 ndeshjet ndërkombëtare: 51 i ka luajtur në Shqipëri, ndërsa 64 në stadiumet e vendeve të Evropës, Azisë, Afrikës.
o Loro Boriçi: "Kur në skuadër kemi futbollistë me cilësi shumë të larta fizike dhe teknike, si Pano, atëherë lehtësohet mjaft puna e trajnerit dhe, me pak kujdes, mund të arrish deri në majat më të larta".
o Rexhep Spahiu: "Më mirë një Pano me një këmbë në fushën e lojës, se një tjetër, me dy".
o Xhavit Demneri: "Për një seleksioner, mendoj se është mjaft, të thuash: Kam nxjerrë Panajot Panon".
o Refik Resmja: "Pano luajti me një skuadër me emër të madh, me Partizanin, me futbollistë cilësorë, por, ai vetë ishte supercilësor, duke mbetur më i madhi midis të mëdhenjve".
o Myslym Alla: "Në historinë e futbollit tiranas, më të shkëlqyerit kanë qenë Panjot Pano dhe Skënder Halili. Panon do ta krahasoja me një nga futbollistët më të mëdhënj të Europës, si Krojfi".
o Zihni Gjinali: "Nuk e kam drejtuar asnjëherë, por e kam parë nëpër stadiume si trajner, futbollist e specialist. Do të thoja se është futbollisti më i mirë i vendit".
o Miço Papadhopulli: "Autoriteti sportiv, talenti dhe kontributi i Panajot Panos në futbollin shqiptar është i madh dhe shumë i çmuar, që maten me emrat e mëdhenj të fushave të tjera. Ne, që kemi luajtur me të, emocionoheshim, mahniteshim me virtuozitetin e tij. Ah! Sa dëshirë do të kisha që ta shihja përsëri, duke luajtur në fushë".
o Ismet Bellova: "Pano është ylli i futbollit tonë. Me atë çka bënte në fushë, jo vetëm të frymëzonte, por dhe të detyronte të flisje, apo të shkruaje gjëra të bukura, në superlativa".
o Miço Ndini: "Një futbollist me cilësi të rralla fizike e teknike, që, në çdo moment, me fantazinë dhe krijimtarinë e tij, përshtatej ndaj kundërshtarëve dhe terrenit, duke arritur qëllimin final, shënimin e golave".
o Mehdi Bushati: "Lojtarë si Pano i vijnë rrallë futbollit tonë. Nëse në ato vite, kur luajti, do të ishte mundësia e lëvizjes së lirë, me cilësitë e shkëlqyera fizike e teknike, që ai zotëronte, me siguri ai mund të luante edhe me skuadrat e mëdha të Evropës, si Milan, Juventus e deri te Real i Madridit. I tillë "prodhim" brilant i futbollit shqiptar ishte Pano. Ndoshta, do të duhen dekada të tërë, që të lindë një tjetër futbollist si ai.
o Medin Zhega: "Pano dinte gjithçka, që duhet të dinte një futbollist i klasit të lartë. Pano realizoi gjithçka, që mund të realizonte një futbollist i klasit të lartë në karrierën e tij".
o Mexhit Haxhiu: "Të luaje me Panon, ishte më tepër se një kënaqësi e dëshirë. Me Panon mund të luaje i qetë, pasi ta lehtësonte shumë lojën. Ai ishte kryefjala e futbollit shqiptar, duke realizuar të pabesueshmen, ishte i thjeshtë dhe jo egoist, saqë asnjëherë nuk e përdori fjalën "Unë", "unë gjuajta", "unë pasova", "unë shënova"... Kjo modesti ia rriti më tepër personalitetin".
o Fatmir Frashëri: "Pano është një nga legjendarët e futbollit shqiptar, i pakrahasueshëm për kohën, kur luajti si sulmues. Spikaste për aftësinë e jashtëzakonshme në shpejtësinë me top, që do të ishte dhe arma kryesore e tij. Edhe kur triblonte kundërshtarin, e bënte në mënyrë origjinale, që mund të quhet "stili Pano".
o Helmut Shën (ish-trajner i përfaqësueses së RFGJ):
"Ju keni një kapiten të madh, Shllakun, dhe një futbollist të madh, Panon".
o Bekenbauer (ish-kapiten i përfaqësueses së RFGJ):
"Të gjithë lojtarët më pëlqyen, sa e kam të vështirë të bëj dallime. Megjithatë, më pëlqeu kundërshtari im, Bizi, ndonëse në Gjermani njohim më shumë Panon".
o Shulc (qendërmbrojtës i përfaqësueses së RFGJ):
"Askush, në vendin tim dhe jashtë tij, nuk ka guxuar të më sjellë rrotull, të më kalojë dorë për dorë, të më gjunjëzojë, ashtu si Pano. Ai është një lojtar i madh në fushën e lojës".
o Overat (mesfushor i përfaqësueses së RFGJ):
"Skuadra juaj është shumë e fortë, sidomos në fushën e saj. Më pëlqyen, sidomos, Pano e Bizi".
o Shnelinger (mbrojtës i përfaqësueses së RFGJ):
"Pano mbetet një "lepur i vjetër", siç i themi ne, në Gjermani".