Sport » Futbolli Shqiptar
Besnik Dizdari: Revolta “popullore” kundër Kombëtares...
E premte, 10.04.2009, 09:55 AM
Revolta “popullore” kundër Kombëtares dhe nënshtrimi “skllavërues” ndaj Kampionatit Kombëtar
Nga Besnik Dizdari
Asnjëherë nuk ka ndodhur në historinë e Shqipërisë sportive një sulm kundër një trajneri të Kombëtares, si javën që shkoi. Asnjë trajneri të Kombëtares prej të 15-tëve të deritashëm nuk i është bërë thirrje për ikje me kaq egërsi sa hollandezit Arie Haan, mbas dy ndeshjeve të humbura të tij ndaj Hungarisë dhe Danimarkës. Duket se kemi të bëjmë me një revoltë, që shoqëria e dikurshme socialiste (lexo komuniste) e përcaktonte si “revoltë popullore”, duke nënkuptuar shpirtin dhe përmbajtjen e revolucionit që proletariati duhej të bënte kundër borgjezisë dhe kapitalizmit.
Çka nuk u tha këto dit për këto dy humbje. U tha se këto dy ndeshje ishin një turp i madh, i papamë, i pandodhur kurrnjiherë më parë. Duket se një pjesë e shqiptarëve kishin harruar të mëparshmet, sepse dihet, asnjë popull tjetër në Evropë nuk harron sa shqiptarët.
1.
Kështu futbolldashësit tonë të flaktë harruan se Shqipëria është eliminuar nga Kampionati Evropian i futbollit qysh ditën e parë të pjesëmarrjes së saj më 1963 mbas një 4-0 të pamëshirshëm, të dhënë jo prej Danimarkës 2009, e cila të shtunën që shkoi përballë Shqipërisë kishte 4 lojtarë të Kampionatit të Anglisë, 2 të atij të Gjermanisë, 2 të Italisë dhe 2 të Francës, por Danimarkës 1963, e cila asokohe ishte një Kombëtare amatore. Kësisoji, historikisht, jo aktualisht, humbja 0-3 me Danimarkën 2009, të një 11-shi shqiptar pa tre më të mirët e tij Cana, Lala e Beqaj, mungesa të jashtëzakonshme, që nuk iu bën buza ta përmendin sidomos ata të cilët komentojnë si specialistë e teknikë të futbollit, në të vërtetë është një ndodhi normale futbolli. Për shembull, shqiptarët kanë harruar se një ndër shkaqet e barazimit të RF të Gjermanisë 0-0 në Tiranë 1967 ka qenë se në 11-shin e saj munguan jo pak, por 4 titullarë të rangut botëror: Tillkovski, Beckenbauer, U.Seeler dhe G.Muller! Çka duhet të bëjë, bie fjala, Turqia e katërshes së Botës dhe të Evropës që u dorëzua në minutën e 93-të prej Spanjës në fushën e vet, teksa kryesonte 1-0?
Por shqiptarët si gjithnjë harrojnë. Harrojnë se deri më 1990 Kombëtarja e tyre kishte arritur të fitonte vetëm 5 ndeshje për gati 30 vjet qysh nga pjesëmarrja e parë. Shqipëria harron se në tanësi tash gjysmëshekulli që luan për Kampionatet e Botës dhe të Evropës ka vetëm 21 fitore në 154 ndeshje të saj, çka përfaqëson bilancin më të varfër midis shteteve të vjetra të Evropës, përjashto Luksembugun e Maltën. Kjo është Shqipëria e futbollit kombëtaras. Veçse pa harruar se në tre edicionet e fundit ajo ka marrë rezultatet më të larta në historinë e saj modeste, duke ia mbërritur ta ndërtojë deri diku në mënyrë moderne Kombëtaren e saj. Dhe me sa duket është m? ky ndërtim apo rindërtim, që ka çue peshë ndjenjën kombëtare të shqiptarëve kur kjo ndjenjë lind asisoj prej një ndeshje futbolli. Tjetër punë mandej që shumë kritika të këtyre ditëve, me sa duket të çojnë te një lloj nacionalkomunizmi, i cili edhe sportin e shihte si një flamur të dinjitetit të shoqërisë socialiste të asokohe. Po flitet këto dit për mërzi emigrantësh, për shqetësim të pamatë trajnerësh, thuajse për një “zí” sportive mbarëkombëtare!
Kjo tregon se shqiptarët kanë harrurar se Shqipëria e tyre ndër kohna, ka humbur 4-0 në Danimarkë, 6-0 në RF Gjermane, 4-0 në Jugosllavi, 4-1 me Rumaninë dhe me RDGj-në në Shqipëri. Shqipëria ka humbur 5-0 në Austri dhe 8-0 në RF Gjermane, e prap 5-0 në Austri. Ajo ka humbur 5-1 në Rumani dhe 5-0 në Spanjë e Angli. Kujtojmë ndërkaq se ka humbur 9-0 në Spanjë e 5-0 në Francë. Ka humbur prap 4-0 në Danimarkë e 5-1 në Spanjë. Shqipëria ka humbur 4-1 në Rusi. Madje jo shumë larg, por vetëm para nja 16 muajve Shqipëria është mundur 2-4 në Tiranë deri prej Biellorusisë. Edhe kjo është harruar shumë shpejt. Por më e pafalshmja është se është harruar edhe humbja pasuese 6-1 në Rumani e po e atyre ditëve të dyshimta bjelloruse!
Të gjitha këto humbje të rënda janë harruar sepse shqiptarët e kanë kujtesën tejet të shkurtër. Ata kanë harruar ndërkaq, se në 19 edicione pjesëmarrje të Shqipërisë për KB dhe KE, në plot 12 herë Shqipëria ka zënë vendin e fundit në grupet e saj dhe 4 herë vendin e parafundit. Kjo është historia që harrohet dhe kur harrohet historia është tejet e vështirë të ndërtohet një e ardhme përsëmbari. Eshtë e pafalshme kur këte harresë e ka edhe shtypi apo televizioni kaq i dhënë mbas futbollit të Kombëtares. Nëse kujtesa do të kishte funksionuar mirë këto dit, natyrisht që nuk do të ishin quajtur të turpshme humbjet 0-1 me Hungarinë dhe 0-3 me Danimarkën dhe shqiptarët nuk do ta kishin përzânë asisoji trajnerin Haan, kur dihet se mikpritja shqiptare ka mbushur vëllime librash të autorëve evropianë tash e pakta nja 300-400 vjet. Dhe po me siguri nuk do të ishte bërë fajtori i vetëm njriu emri i të cilit është Arendt “Arie” Haan, i cili merret me mend se nuk mund të përjashtohet si një nga përgjegjësit kryesorë për këto dy humbje të padëshirueshme që pësoi Kombëtarja modeste e Shqipërisë në rritje e sipër. Çka mund të pranohet si krejt normale që të të çojë edhe te një dorëheqje apo shkarkim i tij, siç e kemi theksuar në editorialin tonë të së enjtes që shkoi.
Ajo që nuk pranohet është sulmi revolucionar që i bëhet atij, dhe vetëm atij, përmes “revoltës popullore”, stil dhe mënyrë e mirënjohur e nacionalkomunizmit. Eshtë vërtet interesant, që gjithë këto ditë vetëm forumi drejtues iu ka shpëtuar kritikave: Federata Shqiptare e Futbollit. Kur dihet se në raste të tilla “dështimesh kaq të mëdha”, siç po citoj cilësimet e “revoltës popullore” ndaj Kombëtares, së bashku me trajnerin e Kombëtares bie edhe vetë Federata Shqiptare e Futbollit. Ndonëse asesi nuk jemi për kso përmbysjesh, që nuk i shkojnë jo më Shqipërisë së vogël, por ndoshta as Anglisë e Italisë.
Nuk ka asnjë dyshim se një pjesë e shkakut të kësaj “revolte popullore” të skajshme vjen edhe prej faktit të rritjes së Kombëtares së Shqipërisë në 4 edicionet e saj të fundit, kur është drejtuar prej trajnerëve të huaj, duke përfshirë edhe këte edicion të trajnerit Haan. Bie fjala, është vërtet e çuditshme se si mbrenda vetëm pak muajve atij iu harrua ndeshja e madhe në Portugali (0-0), kur padrejtësisht u ngrit në qiell, m? prej opinionit “revolucionar” të këtyre ditëve që po e fut shtatë pash nën dhé.
Kaq. Nuk duam ta zgjasim më tej për mendime që po shtérrojnë për shkak të tematikave të njëjta, që pjell një imagjinatë “revolucionare”. Ajo që vërtet na bën përshtypje të madhe është diçka tjetër, që na duket më e rëndësishmja: ndërsa ka pra, një “revoltë popullore” për dy humbje të Kombëtares, nga ana tjetër ka një nënshtrim të papamë ndaj rënies historike të rolit, nivelit, përmbajtjes, psikologjisë dhe sociologjisë “së re” të gjeopolitikës kombëtare, ecurisë, të simpatisë, ndjekjes, vlerësimit të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, i cili në më shumë se 90 pëqind të të gjitha shteteve të Evropës, për të mos shkuar te Bota, vlerësohet shumë më tepër se Kombëtarja e çdo vendi. Dhe besojmë se e merrni me mend se për ç’shkak. Thjesht për ate se një Kampionat Kombëtar përbën një spektakël javor sportiv për popujt. Një spektakël që dëfren, edukon, gëzon, kulturon duke krijuar kënaqësi të mëdha të përjavshme estetike, shpirtërore. Që u bënë do kohë bukur të mira që gara e madhe kombëtare nuk po ia blaton shqiptarëve.
2.
Kështu pra, e vërteta është se ndërsa kemi një “revoltë popullore” kundër Kombëtares, kemi një nënshtrim ”skllavërues” ndaj Kampionatit Kombëtar, që është shfaqja sportive më e vjetër dhe më e dashur e shqiptarëve. Mirëpo, ndaj rënies të tij të paimagjinueshme jo më që nuk ka një “revoltë popullore” (dhe themi fat i madh që nuk ka sepse dihet, revolucionet përmbysin e shuajnë gjithça), por ka një nënshtrim apo pajtim të pashembullt me situatën e përgjumur që ky Kampionat ka krijuar. Për fat të keq është një nënshtrim i të gjithë kaheve: shtypi, televizioni, radio dhe deri te vetë FSHF apo shteti, të cilin FSHF-ja me kundërshtimet që ka pasë me te, e ka bindur mesa duket, që “ti përveç se të do të më japësh stadiumet e do të më çosh policinë për ruajtjen e rendit, nuk ke punë tjetër me futbollin: as me Kombëtaren e tij dhe aq më pak me Kampionatin Kombëtar”.
Të dielën Java 26 e Kampionatit që konfirmoi epërsinë e treshes SK Tirana – Vllaznia – Dinamo mbas tri fitoreve të fuqishme të tyre, me pasqyrën që përmbarësoi, shfaqi si gjithnjë problematikën e përsëritur. Nga ana e kompozicionit të Renditjes ajo ravijëzoi një situatë elektrizuese për garën e rënies, ku tashmâ plot 7 skuadra, më shumë se gjysma e 12-shes pjesëmarrëse do të përfshihen në një rrugëtim dramatik: Flamurtari (29), Partizani (29), KS Elbasani (27), KS Lushnja (26), Apolonia (25), Bylis (24)! Ky është ndërkaq paralajmërimi i frikshëm i një rrjedhe ngjarjesh të paparashikueshme, kur kujton skemën për mosrënie që përfshin katër të fundit, një shpikje “vrasëse”, që veç FSHF ia dhe ia kupton përmbajtjen.
Dhe tema e njohur “Kombëtarja dhe futbolli i Republikës së Shqipërisë”, që në dukje të jashtme përbëjnë një dyshe të njinjishme, në të vërtetë, kështu siç kanë shkuar punët, rrëshqet në dy gjëra të ndryshme, ose të largëta me njëra tjetrën. Kujto vetëm lojtarët e viteve të fundit të cilët kanë luajtur mbi 10 ndeshje me Kombëtaren. Dhe vërejmë se prej tyre, kryetitullarët e saj nuk janë formim i Kampionatit Shqiptar: Hasi, Murati, Dragusha, Myrtaj, Lala, Tare, Aliaj, Cana, Dallku, Curri, Berisha, Rustemi, Vangjeli. Ndoshta një përjashtim mund t’i bëjmë vetëm Tares e Aliajt, të cilët kanë luajtur vetëm nga 9 ndeshje në Kampionatin e Shqipërisë, ndërsa të gjithë të tjerët, nuk kanë luajtur në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë, e pra nuk janë prodhim i tij. Kjo është shkëputja e madhe midis Kombëtares së Shqipërisë dhe Kampionatit të Shqipërisë, Çka nënkupton se Shqipëria është absolutisht i vetmi shtet në Evropë midis të 53-tëve që marrin pjesë në “SOUTH AFRICA 2010”, e cila më shumë se gjysmën e titullarëve të tashëm, pa shkuar te të mëparshmit, nuk i ka krijuar vetë, nuk i ka krijuar futbolli i saj i rangut më të lartë kombëtar që është Kampionati i saj.
Autori i këtij shkrimi ka qenë partizani më i madh që të përfshihen sidomos futbollistë të Kosovës në Kombëtaren e Shqipërisë. Dhe është gjithnjë. Mirëpo, kurr deri aty saqë sytë e atyre të cilët në Shqipëri janë ngarkuar të drejtojnë futbollin, të shohin vetëm jashtë kufijve, kur fjala është për Kombëtaren. Tashmâ po kërkohen lojtarë jashtë Shqipërisë edhe për skuadrën e 21-vjeçarve, edhe për ate NEN 19, e ndoshta deri edhe për ate NEN 17. Ndjenja e masës po bie në greminë kësisoji. Le të kërkohen natyrisht, dhe nëse ka talente të mëdha, edhe pse kanë lindë bie fjala, në Greqi e nuk dijnë as të flasin shqip, nëse duan të luajnë me Shqipërinë, nëse vërtet ajo është ende e tyre, mirë se të vijnë. Por jo synim në vete e gjithë kjo, deri aty sa kur përshembull, një Behrami, apo një tjetër që papritmas i thotë “jo” Kombëtares së Shqipërisë, gati konsiderohet fatkeqësi kombëtare.
Eshtë vërtet vështirë, që një Kampionat Kombëtar të luajë rolin e tij të madh formues kur ai braktiset prej spektatorëve.
Edhe Java 26 ishte një tjetër vazhdimësi e kësaj prove: mjafton ndeshja “e famshme” Partizani – Dinamo, e cila vështirë se i kishte 800 shikues.
Ky është Kampionati me numrin më të pakët të spektatorëve në histori, ndoshta as 1500 për ndeshje.
Ky është Kampionati me numrin më të paktë të golave: vetëm pardje falë 16 golave të shënuar mundi të arrijë në mesataren e 2 golave për ndeshje, prapseprap më e ulta e 34 vjetëve të fundit (më 1973-74 ishte 1.67 gola për ndeshje). Dhe vështroni për një çast: vetëm 5 skuadra kanë shënuar 1 gol për ndeshje. Ndërsa 7 të tjerat janë nën 1! Futbolli kombëtaras ka humbë spektaklin, po aq sa dhe cilësinë e ritmin.
Ky është Kampionati me shkarkime të vazhdueshme trajnerësh, e pardje me Sejdinin arriti në 28 trajnerë të ndërruar! Kampionati Kombëtar i Shqipërisë, i cili në gjashtë edicionet e fundit ka regjistuar 240 ndërrime trajnerësh, deri ditën e pardjeshme, është bërë vërtet i rrezikshëm për drejtuesit teknikë të skuadrave të tij, të sunduar keqas prej drejtuesve biznesmenë të klubeve, pavarësisht rolit të rëndësishëm që ata luajnë. Dhe gati- gati ndodhemi përballë një tiranie sui generis, që sidomos futbollit modest shqiptar nuk i shkon asesi. “Një kërcënim i rëndë shfaqet qartë në horizontin e zhvillimit të futbollit evropian: gjithëprania ogurzezë e parasë”, siç shkruan Presidenti i UEFA-s, Michel Platini në letrën e njohur që iu ka dërguar kryeministrave të shteteve të Evropës.
Ky është një Kampionat ende me shfaqje të papranueshme etike në stadiumet.
Ky është një Kampionat me një promovim të nivelit të ulët kulturor, dhe nuk ngjan asesi një Kampionat jubilar. Me ahistori e harresë të paraardhësve të tij, me një nxitje uniform të publicitetit e pasqyrimit, nuk mund të themi se ky Kampionat ka një rritje sado të vogël në krahasim me të të tjerët e viteve të fundit.
I dështuar me periudhën e tij të tretë që nuk i vë skuadrat në pozita të barabarta gare. Shihni me vemendje. Duke filluar nga kjo javë Nr. 27, mëtuesja kryesore e titullit Sportklub Tirana, në 6 prej 7 ndeshjeve të fundit të Kampionatit, do t’i luajë në qytetin e saj, duke vendosur Shqipëria një rekord evropian të llojit në njëanshmërinë e një gare Kampionati. 11 prill: SK Tirana - KS Elbasani, 18 prill: SK Tirana – Partizani, 25 prill: SK Tirana – Teuta, 9 maj: SK Tirana – Shkumbini, 16 maj: SK Tirana – Dinamo, 23 maj: SK Tirana – Vllaznia! I mbetet vetëm Besa në Kavajë më 2 maj 2009. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e futbollit shqiptar. Kjo njëanshmëri nuk është parë asnjëherë në asnjë fund Kampionat Kombëtar në Evropë.
Nuk i kemi rregulluar punët e futbollit sportit më popullor në vend që me fillimet “antike” të tij ka një shekull jetë edhe ndër ne. Forca e tij paraqitet tejet e brishtë dhe shumë ndikuese edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të futbollit kombëtar. Vështroni se çka ka ndodhur vetëm në 10 vjet:
* 1997-98 Kampionat me 18 skuadra
* 1998-99 Kampionat me 16 skuadra
* 1999-00 Kampionat me 14 skuadra
* 2003-04 Kampionat me 10 skuadra katër periudha
* 2006-07 Kampionat me 12 skuadra me tri periudha
Një dështim i papamë sidomos ky me tri periudha.
E pra, shërbimi i fundit i mirë i kësaj FSHF do të ishte që duke mbyllë Kampionatin e 70-të jubilar, t’i rikthehet qysh në stinën 2009-10 Kampionatit klasik të Shqipërisë, atij me vetëm dy periudha (faza) me shkuarje-ardhje. Sepse Kampionati dështoi me formulën e 10 skuadrave me katër periudha, dështoi me formulën me 12 skuadra e tri periudha. Madje ky dështoi keq. Historia na thotë se kampionatet më të mirë në Shqipëri kanë qenë vetëm ato “klasikë”, me vetëm dy periudha, shkuarje e ardhje, siç i kanë sot e kësaj dite mbi 90 përqind e 53 shteteve të Evropës - anëtarë të UEFA-s.
Guximi e kërkon, që pa shumë ceremoni t’i kthehemi Kampionatit me dy periudha dhe me numër të shtuar skuadrash. Dhe të mirat do të jenë jo të vogla. Përfitimi më i madh do të jetë ai qytetar. Do t’i kthehemi Kampionatit të Qyteteve edhe me Korçë, Berat e Gjirokastër dhe do “t’i ikim” Kampionatit të Kryeqytetit. Edhe ky duket si një revolucion, por një revolucion i përsëritur në fund të fundit, ndoshta i vetmi revolucion që për çudi nuk përmbys, por ndërton dhe rimëkëmbë. Kemi bindjen se ai do të pranohet prej bashkësisë së futbollit. Teoria se “bie cilësia” kur kemi një Kampionat me shumë skuadra, tashmâ është krejt e çvleftësuar në Shqipëri. U pa se çka qe Kampionati me 10 skuadra, i cili goditi rëndë m? cilësinë. E shihni këte me 12 skuadra me tri periudha (faza) që është një nga dështimet më të mëdha në histori.
Mos iu larguam temës sonë? Nuk e besojmë. Vetëm duke e mbyllur me retorikën e titullit tonë: “Revolta “popullore” kundër Kombëtares dhe nënshtrimi “skllavërues” ndaj Kampionatit Kombëtar”, vërtetojmë të kundërtën.
E pra, përse nuk ka një “revoltë popullore” për rënien e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë deri aty ku nuk mban më?
Përgjigja është e thjeshtë: sepse Kampionati ka kohë që ka rënë dhe kjo ka bërë që edhe ai të harrohet.
Për fat, ne e dime se FSHF nuk na dëgjon. Kemi vetëm një kërshëri: kë dëgjon Federata Shqiptare e Futbollit?...