E diele, 06.10.2024, 11:29 AM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Besnik Dizdari: Përse nuk është “i rëndësishëm” Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë

E marte, 28.04.2009, 06:10 PM


Përse nuk është “i rëndësishëm” Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë

Nga Besnik Dizdari

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë nuk është assesi “i rëndësishëm”, sepse ai nuk është as trajneri i Anglisë, as ai i Gjermanisë, as i Spanjës, as i Italisë, as i Francës. Madje ai nuk është as trajneri i Kombëtares së Hungarisë për të cilën po vuan kaq shumë Shqipëria, që nuk e mposhti në Tiranë, duke harruar se Hungaria ka qenë dy herë Nënkampione e Botës.

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë nuk është ”i rëndësishëm” sepse Shqipëria e vogël (thonë se sapo i ka kaluar 4 milion banorët), deri më sot jo vetëm që nuk ka qenë ndonjëherë Nënkampione e Botës, por nuk ka marrë pjesë asnjëherë në histori në ndonjë turne fundor të Kampionatit Botëror dhe natyrisht as të ndonjë Kampionati të Evropës.

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë nuk është assesi “i rëndësishëm” sepse deri më sot Shqipëria asnjëherë nuk ka mëtuar për të qenë qoftë dhe një herë të vetme në një turne fundor të Kupës së Botës apo të Evropës.

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë nuk është “i rëndësishëm”, sepse deri më sot Shqipëria asnjëherë nuk ka mundur të jetë mëtuese (pretendente) për të shkuar në një Kampionat Botëror apo Evropian.

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë nuk është “i rëndësishëm” sepse për fat, atij i takon të jetë trajner i një Kombëtareje “të parëndësishme”.

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë nuk ka sesi të jetë “i rëndësishëm” sepse deri më sot Shqipëria asnjëherë nuk ka qenë më tepër se e 3-ta e një grupi kualifikues me 4 skuadra pjesëmarrëse; dhe po asnjëherë nuk ka qenë më lart se sa e 4-ta në një grup kualifikues me 5 skuadra pjesëmarrëse, e asnjëherë nuk ka qenë më lart se e 5-ta në një grup me 6 skuadra dhe asnjëherë më lart se e 5-ta në një grup me 7 skuadra pjesëmarrëse.

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë nuk ka sesi të jetë “i rëndësishëm” sepse deri më sot në të 20 pjesëmarrjet e saj për kualifikimet evropiano-botërore, përfaqësuesja e “vendit të shqiponjave” plot 12 herë ka dalë e fundit në grup.

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë nuk është “i rëndësishëm” sepse kurrnjiherë, në asnjë edicion deri më sot Shqipëria nuk ka mundur të fitojë mesatarisht më shumë 0.75 pikë për ndeshje. Edhe kaq e ka fituar vetëm në tre turnetë e fundit kur është drejtuar nga trajnerë të huaj, të cilët një pjesë e mirë e shtypit shqiptar me shkruesat e tij ka gjashtë vjet që i mallkon, duke harruar se sa pak mundën të bëjnë trajnerët shqiptarë, në të shumtën jo për fajin e tyre, por për fajin “e parëndësisë” së tyre.

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë nuk mund të jetë “i rëndësishëm” përderisa ai është trajneri i një Shqipërie e cila deri më sot, tash plot 47 vjet që merr pjesë në kualifikimet evropiano-botërore, ajo ka mundur të fitojë vetëm 11 ndeshje për Kampionatin Botëror dhe vetëm 10 ndeshje për Kampionatin Evropian.

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë nuk mund të jetë “i rëndësishëm” përderisa atij i takon të jetë trajneri i një skuadre si Shqipëria, e cila deri më sot ka pësuar 106 humbje vetëm për Kupën e Botës dhe të Evropës. Ose 70 për qind të ndeshjeve.

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë nuk mund të jetë “i rëndësishëm” përderisa atij i takon të jetë trajneri i një skuadre si Shqipëria, e cila deri më sot nuk ka arritur të shënojë mesatarisht më tepër se një gjysmë goli për ndeshje.

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë nuk mund të jetë “i rëndësishëm” sepse asnjëherë askush, qoftë qeveritar komunist në diktaturë, qoftë qeveritar apo president i vendit në demokraci, qoftë popull a tifoz, qoftë shqiptar i Shqipërisë apo shqiptar i jashtë Shqipërisë, qoftë atdhetar i vjetër apo i ri, por me mend në krye, nuk i ka dhënë urdhër ndonjëherë Shqipërisë që të shkojë detyrimisht në një turne fundor të një Kampionati Botëror apo të një Kampionati Evropian. Çka do të thotë se ndaj saj nuk ka pasë deri më sot asnjë urdhër qeveritar, shtetëror, kombëtar, popullor, atdhetar, futbolldashës për një synim të tillë, kur dihet se nga Evropa e 54 shteteve vetëm 13 mund ta fitojnë këte të drejtë.

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë nuk mund të jetë “i rëndësishëm” për sa kohë ate askush nuk guxon ta urdhërojë që ta bëjë aq të rëndësishme Shqipërinë sa ta çojë patjetër në një Kampionat të Botës apo të Evropës.

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë nuk mund të jetë “i rëndësishëm” përderisa ai është trajneri i një Kombëtareje që është e 80-ta në Botë.

XXX

Nuk mund të jetë “i rëndësishëm” trajneri i Kombëtares së Shqipërisë për sa kohë që Shqipëria nuk e ka skuadrën e saj përfaqësuese të futbollit si një përparësi jetike të një demonstrimi gjeopolitik a politik përballë fuqive të botës.

Nuk mund të jetë “i rëndësishëm” trajneri i Kombëtares së Shqipërisë për sa kohë Shqipëria më të rëndësishëm se sa Kombëtaren e futbollit, ka:

- Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë.
- Kupën e Shqipërisë.
- Lëvizjen kombëtare të futbollit në Shqipëri.
- Zhvillimin e futbollit kombëtar shqiptar.
- Modernizimin e stadiumeve të Shqipërisë.
- Luftën për të mbrojtur zhdukjen e terreneve të futbollit për moshat e reja.
- Zhvillimin e vrullshëm të futbollit te fëmijët dhe te të rinjtë.
- Luftën kundër braktisjes që spektatori shqiptar i ka bërë veprimtarive kombëtare të futbollit deri në atë tjetërsim sa dhe skuadra që synon titullin nuk ka as 2000 shikues mesatarisht për një ndeshje.
- Ngritjen e kulturës së futbollit në stadiume, mbrenda e jashtë tyre.
- Luftën në mbrojtje të etikës që kundërshton dhunën në ndeshjet.

Nuk mund të jetë “i rëndësishëm” trajneri i Kombëtares së Shqipërisë për sa kohë ai është dukshëm më pak “i rëndësishëm se ky “dekalog” i mësipërm që sapo rreshtuam.

Nuk mund të jetë “i rëndësishëm” trajneri i Kombëtares së Shqipërisë edhe për faktin se shumë më i rëndësishëm se ai, janë trajnerët e klubeve të Shqipërisë në duart e të cilëve ndodhet fati i zhvillimit të futbollit në Shqipëri.

Nuk mund të jetë “i rëndësishëm” trajneri i Kombëtares së Shqipërisë edhe për faktin se më i rëndësishëm se ai janë trajnerët e ekipeve të të rinjve të Shqipërisë në duart e të cilët ndodhet fati i ruajtjes së asaj pasurie kulturore e shpirtërore bashkë që është popullariteti i madh i futbollit në masën e brezit të ri shqiptar.

Nuk mund të jetë “i rëndësishëm” trajneri i Kombëtares së Shqipërisë për sa kohë më të rëndësishëm se ai dhe 5 apo 6 ndeshjet në vit që drejton ai, janë e pakta 26 ndeshjet e tre kampionateve kombëtare që luhen anë e kënd Shqipërisë vetëm në një javë, që përfaqësojnë spektaklin e humbur çlodhës dhe edukues të përjavshëm të shqiptarëve qysh më 1930.

Nuk mund të jetë “i rëndësishëm” trajneri i Kombëtares së Shqipërisë për sa kohë ai nuk ndikon assesi në zhvillimin e futbollit kombëtar teksa e ka mendjen dhe synimin për të gjetë futbollistë kryesisht jashtë futbollit të Shqipërisë, siç e kemi vitet e fundit, më shumë se gjysmën e titullarëve; dhe nuk po e quajmë diçka fort të keqe, natyrisht.

Nuk mund të jetë “i rëndësishëm” trajneri i Kombëtares së Shqipërisë përderisa ai nuk mund të marrë përsipër që:

* T’i japë nxitje futbollit në Korçë, Gjirokastër e Berat që kanë qenë qendra, sot të zhdukura, të zhvillimit të futbollit në Shqipëri.
* Të nxjerrë nga prapambetja futbollin e Vlorës, po dhe të Durrësit, e ndoshta edhe të Partizanit, që kanë qenë epiqendra, sot të drobitura të zhvillimit të futbollit në Shqipëri.
* Të mënjanojë lëshimin e rezultateve të ndeshjeve kombëtare në Shqipëri.

Nuk mund të jetë “i rëndësishëm” trajneri i Kombëtares së Shqipërisë përderisa ai nuk mund të bëjë asgjë për pavarësinë financiare të klubeve të futbollit në Shqipëri ose që nuk mund të bëjë asgjë për:

1. Themelimin e pavarur juridiko-ekonomiko-financiar të stilit evropian të klubit të futbollit në Shqipëri.
2. Ligjshmërinë e përfshirjes së sponsorit në Kampionatet Shqiptare.
3. Ligjshmërinë e shitjes të së drejtës televizive të ndeshjeve të Kampionateve Kombëtare shqiptare.

Nuk mund të jetë “i rëndësishëm” trajneri i Kombëtares së Shqipërisë për sa kohë ai nuk mund të luajë asnjë rol në:

1. Ndërtimin e një Federate Shqiptare të Futbollit më kombëtare se kjo “kryeqytetase” e njëanshme që është sot.
2. Ngritjen e një Këshilli Drejtues të saj.
3. Formimin e një Komiteti Ekzekutiv mbarë kombëtar të tij.
4. Themelimin e Lidhjes Kombëtare Profesioniste të futbollit.
5. Themelimin e Shkollës Kombëtare të Trajnerëve.
6. Themelimin e Qendrës Teknike Kombëtare të futbollit.
7. Vendosjen e ligjshmërisë në veprimtarinë autoritare të Shoqatave të Trajnerëve, të Futbollistëve dhe të Gjyqtarëve.

XXX

Mirëpo, duke e fryrë deri në qiell përditë “çështjen” e mësimit të përgjigjes së pyetjes se “cili do të jetë trajneri i Kombëtares së Shqipërisë”, duan të na e mbushin mendjen se trajneri i Kombëtares së Shqipërisë është “i rëndësishëm” tejet.

Dhe qenka aq “i rëndësishëm tejet”, saqë përditë në Shqipëri mbërrijnë lutjet prej personaliteteve të trajningut evropian për të marrë drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë, të 80-tës së botës, të mospjesëmarrëses asnjëherë deri më sot në një Kupë të Botës apo të Evropës, të humbëses së rregullt të tash gati pesëdhjetë vjetëve, të Kombëtares së vogël të Shqipërisë së vogël.

Dhe qenka aq “i rëndësishëm tejet” trajneri i Kombëtares së Shqipërisë saqë gjithë fushatën për ricaktimin e tij, Shqipëria e futbollit apo lidershipi i saj, ta paraqesë si një “sekret” të madh disaditor, si një “enigmë” evropiano-botërore, të një problemi të Evropës Qendrore e Ballkanike, perandorake austrohungareze, nordike, sllave a indogjermane. Si dramë racash që kur këto ditë t’i ngrihet sipari e “shpëtimtari i kombit të vogël futbollistik” të bëhet i njohur, të trondisë zemrat e shqiptarëve që kanë nisur të rrahin aq fort edhe për tri ndeshje të Kupës së Botës që kanë mbetur për t’u zhvilluar me tre kundërshtarë disa herë më të fuqishëm se Shqipëria.

Ndonëse, siç u munduam ta spjegonim, u pa qartë se trajneri i Kombëtares së Shqipërisë nuk është ”i rëndësishëm”. Madje edhe nëse vjen e qëndron në Shqipëri për 365 ditë të vitit, edhe nëse vjen në Shqipëri me grua e me fëmijë, edhe nëse bën qytetarë të Shqipërisë nënë e babë, axhë e gjysh, nipa e mbesa, ai prapë nuk është aq “i rëndësishëm” sa që t’i bëjë shqiptarët të mbajnë kësisoji frymën në ankth për të pritur, për të mësuar me padurim emrin e tij.

Sepse ky trajner i Kombëtares së Shqipërisë nuk mundet të rregullojë dhe as të zgjidhë asnjë prej morisë së pafund të problemeve të mësipërme.

XXX

Megjithate Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë është “i rëndësishëm”. Eshtë “i rëndësishëm” vetëm aq sa ç’është e rëndësishme vetë Kombëtarja e Shqipërisë e cila është shumë më pak e rëndësishme se sa të gjitha ato çka ne rreshtuam në këte shkrim qëllimmirë dhe nëpërmendës të së të vërtetës mbi gjendjen e futbollit në Shqipëri, pjesëz e të cilët është natyrisht edhe Kombëtarja e Shqipërisë. Dhe këtu na duket se qëndron edhe vetë rëndësia e vërtetë e saj që doemos e bën po aq të rëndësishëm (pa thojza) edhe trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë: pjesëz. Dhe vetëm kaq.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora