E enjte, 07.11.2024, 09:00 AM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Dashuro një minutë (Cikli: Aromë shiu)

E merkure, 15.04.2009, 05:39 PM


Sejdi Berisha

DASHURO NJË MINUTË
- Poezi dashurie -

AROMË SHIU

Shikimin tënd dëshiroj ta harroj
Kurse ti nxjerr heronj nga varri
Vdekja më bëhet aromë lulesh
Që s’u mora erë
Po e diktoj flakën tënde
Thellë në mua depërton
Nuk dua të besoj
Se lojë është jeta
Fati shëtitës tinëzar
Aq shumë shprusha
Nëpër buzët tuaja
Tash po e mbledh
Aromën e shiut
Blozë në krahët e jetës

Sa dëshirë kam t’i harroj
Pritjet për të hyrë në ëndërr
Qëllim harresa
Ç’e do kur arriti
Shumë para mëngjeseve
Na hasi lakuriq
Në fshehtësitë e qiellit
Toka u dalldis për ne
Kush ka gabuar
Ti apo unë
Apo të dy bashkë morëm rrugë
Dëshiroj të harroj

MA PUTH FLOKUN E THINJUR

Gjithmonë galuc
Agun e kam pritur
Deri sa zbardhte
Putha tokën e pragun e shtëpisë
Braktisa gjumin përgjithmonë
Shikova qiellin
Sikur ma treguan ferrin
Nga lart më zbriti fjala
Më binden se nëna
Kurrë s’kishte qenë imja
Flakë e mallëngjimit më kaploi
Theva xhamin e inkubatorit
Depërtova nëpër plasjet e gjakut
Damarët më rrihnin
Për lulet pranverore
Pingul rashë
Në vendin ku puthja tokën
Prapë isha lagur
Tash nuk e kisha
As nënën as babain
Burgosur më kishin thinjat
Fëmijët ishin bërë gjyshër
Çfarë pritje
Me kitarë nëpër shi
O, sa kam zjarr për dashuri
M’i puthni duart
Edhe flokët e thinjura
Dielli paska arritur
Diku kah perëndimi
I është afruar lindjes së re
Çfarë pritje
Edhe kur të vdes
Unë dashuroj
Hiqni pluhurin nga partiturat
Ekzekutoni valsin
Valsin për mua
Se unë amshueshëm dashuroj
Kush të dojë
Le të vjen me mua

SA MË DHEMB SHIKIMI

Tërë jetën ta kam borxh
Si dëmshpërblim
Merre zemrën time
Hidhe në greminë
Por mos vrapo pas saj
Se me përqafime
Nuk ngopet dot
O, trëndafili im i kuq
Mbi borë
Syrin e plasa në shikim
Shkurt qenka, shkurt
Pa zërin tënd
Pa këngën time

O, sa më vranë diçka për ty
Kthema rininë plakë
Në telat e violinës
Shoqëroje
Qoftë vetëm me një varg
Me një varg poezie
Sa shkurt është
Shumë është shkurt
Rrugë të gjata
Në rrudhat e ballit tim
Serembe* ende qanë
Mbi varrin e të dashurës
Shpejto ose kthehu prapa
Në pikë ka vdekje
Shkurt është, shkurt
Ora ecën me tik-take malli
Sa më dhemb shikimi
Në horizont pika valë
Ndoshta do të na takojë

*Serembe – Poet arbëresh, i cili tërësisht është viktimizuar për vajzën të cilën e kishte dashuruar.

JETA NË DRITARE

Nxirre lotin nga thellësia e tokës
Vajtoje rininë time
Se përherë isha i vjetër
E shpirtin axhami
Sytë stolisi me mallin e luleve
Që kurrë nuk m’i pranove
Sa e gjatë jeta në dritare
Në lule të gjeta
Në polenin e tyre të lash
Sa dhimbje
Ikja edhe më shumë
Ma rritë dashurinë
E toka më shikon
E toka më përcjell
Lindje e diellit je ti
Edhe plagë që më forcon

Buqetë lulesh rri zvarrë
Për kohën që është
Para dhe pas nesh
Jo, jo
Nuk shlyhen kujtimet
Do kërkosh ndonjëherë
Sërish si librin të më shfletosh
Aty do të më gjesh
Me të dashurat fortë në përqafim
Atëherë të gjitha së bashku
Si librin do më shfletoni
Nga një faqe do ta merrni
Për kujtim
Do më përkujtoni
Nganjëherë jeta në dritare
Ka më shumë se kuptim

VALS I KËNGËS SË DHIMBSHME

Këtu më ke
Vetëm për të ta shijuar
Aromën e trupit
Në shkrumbin e zemrës
Për t’u djegur
Për të pritur në urën
Ku puqen pjekjet
Të ecim deri në bebëzën e syrit
Dritaret plot shi
Nata kurrsesi nuk vjen
Hëna qan për kujtimet
Mëngjeset janë të largëta
E, më merr malli për ylberin
Që asnjëherë nuk e kapërceva

Në sy flakë
Në vesh dihama jote
O, shi po bie në dhomën time
Kthehu nëse rruga të bie këndej
Përqafohemi
Për t’u gurëzuar së bashku
Si gjinjtë për besën
Në Urën e Shenjtë
Këtu jam
Vetëm për t’u djegur
Në zjarrin tënd
Për t’i ngritur urat e rrënuara
Për ta prekur ylberin e ëndrrave
Këngë për të bërë
Për urat e reja
Atëherë
A do të takohemi
Sërish ndonjëherë
O, vals i këngës së dhimbshme

BALADË

Nëse kthehem ndonjëherë
Mos u bë acar
Se kënga do të bëhet thikë
Nëse kthehem ndonjëherë
Do të jetë pranverë
Kur lulet kanë aromë kujtimi
Ndoshta kthehem edhe në qershor
Me datën dhjetë
Piqen qershizat
Me to do t’i ngrohim buzët
Puthjet s’kanë ku të ikën
Nëse kthehem ndonjëherë
Si gjithmonë e dashur
Takohemi te Uji i Zi*
Bjeshkët e Nemuna
Do t’i bëjmë një
Baladë e shpirtit më je

Përreth meje
Qirinjtë duke u shkrirë
Nëse kthehem ndonjëherë
Vrapoj te Kroi i Mulla Dërvishit*
Me puthjet tuaja
Ballin për ta freskuar
Të kujtohet shamia
Puhizë ere s’e lente
Në qafën tënde
Pluhur, shkrumb në burim
Preku ballin ujë
Ndalem dhe puth shaminë
Kur të kthehem
Nëse kthehem ndonjëherë
Nga larg puthma syrin
Se më kthehet drita
O, kurrë s’do të kthehem
Se kam frikë
E dashur...
Mallkoje hidhërimin
Në Ulpianë sërish jemi bashkë
Pas ikjes
Kthimi ç’mendshëm vjen
Nëse kthehem ndonjëherë
Do të kthehem
Vetëm në gjirin tënd

 *Uji i Zi – Burimi kryesor i ujit të pijshëm në Pejë
*Kroi i Mulla Dërvishit – Krua i njohur në kodrinat përbri qytetit
 të Pejës.

PËR TË FJETUR QETË

Diçka në mua
Po digjet flakë
Për t’u ngritur
Ndoshta për t’u fikur
I daltë zjarri ndrydhjes
Për të fjetur qetë
Në flakën e dashurisë

KATARAKT

Sy të bukur ke
Edhe vetulla gajtan
Shumë ta kam lakmi
Edhe zili
Por, ç’e do
Kur ke zemër boshe
E shpirt të zi

Unë vdes për të bukurën
Për dashuri pa urrejtje
Rrugë e vështirë
Për të bukurën
Kush nuk vdes më tregoni
Me te kurrë të mos takohem

VETËM SONTE

Sjelli të çmendurit tek unë
Duke shikuar kopshtin
Do të dashurohen
Sa e kthjellojnë mendjen
Derisa unë digjem për ty
Kujtimet udhëtojnë
Tej maleve fushave
Tej dritës dhe deteve
Bile sonte stolismi sytë
Me ngrohtësinë që ke
Vetëm sonte
E, nëse do kurrë më
Mblidhe guximin
Të udhëtojmë së bashku
Vetëm sonte
E, nëse do kurrë më
Më prano në gjirin tënd
T’i shpaloj ëndrrat tona
Atëherë, nëse do
Silli të çmendurit
Se me ty do të shërohen
E, unë do çmendem

PRITJE

Pse kaq gjatë bie shi
E, unë rri në dritare
Me sy valë

NATA KA DRITË

S’mund të fshihemi
Hëna na përcjell me bukurinë e saj
Nata ka dritë
S’mund t’i fshehim puthjet
As belbëzimet
Hëna ka shumë libra
Në to janë emrat tanë
E të gjithë atyre që dashurojnë
Vaj medet për ata
Që nuk janë në këto vepra

PAS BUZËQESHJES NË LUMË

Pesë lumenj
Sonte shkruajnë elegji
Për shtretërit e tyre
Unë sonte
Të gjitha vashave
Do t’ua dhuroj një pikë loti
Për të prekur zjarrin e dashurisë
Kahet e ujit për t’i ditur
Gjithçka e lumtur
Pas buzëqeshjes në lumë
Sonte lumenjtë
Këndojnë vetëm për ne

TE SHKËMBI

Këtu baresha ka shtrydhur gjinjtë
Qumësht valë kanë qitur
Toka dridhet
Edhe më shumë
Për të zënë vend shkëmbi
E quajtën
Shkëmbi i vashës
Ai besë madhi
Gojë s’ka çelur
Për vjedhjet e natës
Mirë a keq
Tash vetë lë të flasë
Shkëmbi i vashës

KËNGË PA FUND

Nuk dëshirova të thur vargje sot
Këtë këngë nuk desha ta shkruaj
Por ajo shpejtë vjen më troket
Bjeshkët përqafohen
Brigjet rrjedhin qumësht
Të vashave llastare
Ato shenjtërisht më trokitën
Ndoshta do të kthjellet moti
Buzët do të shkrihen në puthje
Të nxitojmë
Syrin ta ruajmë në gji
Me te vashat i mbushin gurrat
Për të ma shuar etjen
Si ta përfundoj këngën
Lë të jetë e pafund
Lumë do bëhem
Vashat në mua për t’u larë

MBI TY QËNDRON TRENDAFILI

Sonte aq shumë
U ngushtua nata
U derdhen shkronjat e vargjet
Mbi ty qëndron trëndafili
Sa keq o mike, sa keq
Bile përgjithmonë të kishe vdekur
Se më rrëqeth me pavdekësinë
Më shkruaj edhe poezi
Pres vargun tënd të ri
Me vargun tim plasarak
Po të pres
Sikur kurrë s’të kam parë
Mu në ditëlindjen time
Më shtyre të shkruaj
Shkronjat e vargjet
U derdhen mbi ty

(Pejë, 10 qershor ...)

NË LITARIN E ZEMRËS

Edhe nga ferra
Mund të lind dashuria
Nga lulet urrejtja
E dashur
Të mbjellim lule apo ferra
Çfarë kaosi i krijojmë vetvetes
Me ikjen nga trupi shpirti
S’mund t’i ikim litarit të zemrës

KOHË PËR MEDITIM

Pse vetëm dy qirinj
Të ndezur kujdestar
Pse njëri kuq e tjetri bardh
Nëse njëherë puthemi
Qirinjtë kanë për t’u shkrirë
Çfarë ngjyre do të ketë
Bashkimi ynë

KUJTIME PËR LUMIN
 
Shtrati i tij
Si shtrat drenushe
Ujin e ka tretur
Pas shtatë bjeshkësh
Të eturit janë gurëzuar
Në breg duke pritur
Peshqit dhe algat
Si gaforre janë rreshkur
Gjelbërimi në eshkë
Është shndërruar
Ku është shelgu
Nën të cilin i tregonim
Përrallat e dashurisë
Zogjtë dhe bilbilat
Kanë ngelur në ajër
Pa këngë as cicërimë
Në baltën për çerdhe
Dallëndysheve u është ngrirë sqepi
Të gjithë evokojnë
Kujtime për lumin
Askush nuk thur elegji
Pse s’ka lumë
Shtrat as brigje
Përrallë hidhërimi
E quajnë dashurinë
Sa gjallëri kur bie shi
Shtrati i tij me shpresë
Kujtim buzët e lumit

DIÇ MË SHOQËRON

Dhembshëm jetën e harxhova
Plak në rini
Plak në mesjetë
Plak ndoshta në pleqëri
Prore ngela duke kërkuar rininë
Pse kështu gjithnjë i ri
Nuk plakëm dot
Se diç më shoqëron
Si në vegjëli
Si në rini
Edhe tani
Në udhëkryqin e dashurisë
Jam përkulur për këngën
E pa kënduar
Se për të vajtuar
Janë vajtoret

KUR DO TË VJEN...

Sa vapë e mërzi
Zukamë mizash
Kur do të vijë ajo stina
Për të ma dhuruar
Lulen dhe polenin
Lëngun e rrëshqitjeve
Ti lindja ime
Ti vdekja ime
Ti jeta ime
Kur do të vjen...

TA KAM RUAJTUR
ZJARRIN TIM

M’i hiqni nga fytyra e trupi
Ç’janë këto gjethe vjeshte
Stinët nuk i kam gabuar
Blozë në dhomën ku dergjet Eremiti
Ëndrra ime e pambaruar
Velat e bardha t’i kam ruajtur
Vështirë ta përqafosh zjarrin tim
Ç’janë këto gjethe vjeshte
Që më kanë kapluar në pranverë
Mirë e di
Stinët kurrë nuk i kam gabuar
As përqafimin e etur
Ëndrra ime e pambaruar
Ta kam ruajtur zjarrin tim
Mos u vono
Të pres



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora