E enjte, 25.04.2024, 07:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Daut Maliqi

E diele, 05.04.2009, 01:01 PM


Daut Maliqi
Daut Maliqi
U lind më 25.11.1939 në Busavatë të Dardanës.(ish Kamenicës} Shkollën fillore e kreu në vendlindje, progjimnazin në Gjilan, ndërsa shkollën normale në Prishtinë. Nga shtatori i vitit 1960, deri në janar të vitit 1975 punoi  mësues e arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollat fillore: në Koretin, në Strezoc dhe në Dardanë. Prej vitit 1975, e deri në mbylljen e saj, punoi gazetar profesionist në të përditshmen “Rilindja”. Një kohë punoi kryeredaktor i radios lokale “Radio Premiera” në Dardanë. Është marrë kryesisht me gazetari e publicistikë, me çka është bërë i njohur për tërë trevën tonë.
Daut Maliqi filloi të merret me shkrime qysh si nxënës i progjimnazit shqip të Gjilanit. Vjershat e para i botoi më 1957 në gazetën “Rilindja. Është njëri ndër themeluesit e klubit letrar “Nositi” dhe anëtar i redaksisë së revistës letrare kulturore me të njëjtin emër, të cilën revistë e boton klubi në fjalë. Nga “Nositi” i janë botuar përmbledhjet me poezi: “Rrjedhë lumi” Dardanë 2005 dhe “Gjuhën ma patën prerë që në fëmijëri” Dardanë 2006. Klubi i gazetarëve”D.Press”ne Dardanë,e nderoi Daut Maliqin, me çmimin per veper jetesore ne gazetari,me rastin e pervjetorit te pestë te punes qe mbajti me 24 janar 2009
Daut Maliqi jeton dhe vepron në Dardanë.

 

NË DUART E MIA

 

Në duart e mia fle qyteti,

Flenë ëndrrat e mia,

Flenë bukuritë natyrore,

Fle ardhmëria,

Flenë vrazhdësitë shekullore.

     

RRJEDHË LUMI

 

Eci unë,

Ecën lumi,

Ndalem unë,

Vazhdon lumi,

Vdes unë,

Rrjedh lumi,

Lind Arti,

Fluturon pëllumbi,

Tërë tradhtinë,

E marrtë lumi.

 

BREDHJE

 

Pimë ujë nga legjenda,

Pushojmë buzë lumit të tharë,

Bredhim nëpër mote

Pa e ditur fundin.

 

NGUTIA

 

Mos u dëshpëro,

Mos e humb orientimin

Kur të qortojnë

E të akuzojnë

Pa argumente.

 

Qëndro stoik,

Mos u gëzo shumë,

Edhe kur të lavdërojnë

E të avancojnë.

 

Kuptoje,

Miku im i mirë,

Jeta është sfidë,

Nuk e do ngutinë.

 

BOTA SHUMË VONË NA KUPTOI

 

Nuk janë rrezet e ftohta të Diellit dimëror

Ato që ngrijnë lotët e buzëqeshjen e lëvruar,

Dhembjen nuk mund ta parandalojë

As bora, kjo dendësi e pafund bardhësie,

Që do të thithë toka nga gjiri i saj.

 

Në dritaren e imagjinatës sime

I shoh fytyrat e dikurshme

Të shokëve e shoqeve të mia,

Që kurrë më nuk do të qeshin.

 

Kam frikë se në librin e kujtimeve

Nuk do të gjej asnjë shpjegim,

Pse bota shumë vonë na kuptoi

Pas aq shumë sakrificash

Për një jetë më të lumtur,

Për një gjakim.

 

LOTËT E LOKES

 

Nënëlokja

dy pika loti

i lëshoi,

ofshau thellë,

nuk tha asnjë fjalë,

për vuajtjet shekullore

flasin rrudhat e saj.

 

JETA NUK ËSHTË POEZI

 

Më thoshe,

Jeta nuk është poezi,

Ajo i ka rrugët e veta

Si lumi rrjedhat.

 

Më thoshe,

Atdheu nuk mbrohet me fjalë,

E lufta i ka sfidat e veta,

Të djeg si zjarri e uji i valë.

 

Më thoshe,

Dashuria e sinqertë të begaton,

Tradhtia shpirtin ta lëndon,

Jetën ta shkatërron.

 

Më thoshe,

Jeta nuk është poezi(!),

Ajo i ka rrugët e veta

Si lumi rrjedhat.

 

FATIN TËND KËRKOJE

 

Ec, o Balë, ec,

Rrugës mos u ndal,

Kur ta kalosh lumin,

Ruaju, mos të rrëmbejnë valët.

 

Retë ngriten lart në qiell,

Një erë e lehtë fryn,

Rigat e shiut lagin tokën.

 

Ec edhe Ti, moj Dritë,

Ylberin shikoje,

Rrugës mos u ndal,

Fatin tënd kërkoje.

 

HAPËRIM

 

Aroma e luleve,

ajri i freskët,

kambanat e bagëtive,

lojërat baritore,

gurrat e ujit

kthjellët si loti,

në ballë të livadheve

jehona e kosarëve

odat e hapura

të burrave,

këngët e vashave

si sorkadhe,

bujaria e fisnikëria

e nënave tona

të urta,

përherë më kujtojnë

bardhësinë e jetës

në fshatin tim të lindjes.

 

TI JE SI RREZJA

 

Ti je si lule,

Jetës i jep aromë,

Ti je si rrezja,

E ngroh vatrën tonë.

 

                 QIRIRIT

 

                Ti nuk me le në terr,

                Nuk më lë në vetmi.

                Jemi bërë shok të mirë,

                Ty të kallet trupi,

                Mua më digjet truri.

 

                 KOHE E AKULLT

 

                 Cka po ndodhë

                 Me njeriun tonë,

                 Askush-askujt

                 Nuk i beson.

                 Tradhtia rrënjet,

                 Thell po i lëshon

                 Lakmia për pasuri,

                 Po na verbon.

                 Kohë e akullt,

                 As qenit

                 Nuk i besohet më... 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora