E marte, 15.10.2024, 07:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjuha shqipe, Berisha ndan më dysh Akademinë (Flasin Emil Lafe dhe Kolec Topalli)

E premte, 03.04.2009, 06:56 PM


Gjuha shqipe, Berisha ndan më dysh Akademinë

Nga Gazeta Shqiptare

Emil Lafe: Një standard ndryshohet kur nuk funksionon

Kryeministri Sali Berisha është shprehur se duhet të rishqyrtohet standardi i gjuhës shqipe. Sipas jush, a duhet të bëhet kjo?

Unë nuk e di se në çfarë konteksti e ka thënë kryeministri Berisha këtë, por unë mund të them se jam i mendimit se standardi ynë nuk duhet të ndryshohet. Një standard ndryshohet kur nuk funksionon.

Sipas Berishës, gjuha shqipe po varfërohet. Sa e vërtetë është kjo?

Gjuhët edhe varfërohen, edhe pasurohen, megjithatë, duhet bërë çmos që të mos varfërohet gjuha jonë. Ndodh që gjuha të varfërohet, sepse brezat e rinj i harrojnë ose nuk i përdorin fjalët e vjetra për arsye subjektive dhe objektive. Në çdo gjuhë hyjnë e dalin fjalë. Lëvruesit e gjuhës janë ata që duhet ta pasurojnë një gjuhë, dhe kjo është një “detyrë” që më së shumti iu takon shkrimtarëve dhe letërsisë artistike, por edhe përkthyesve dhe gazetarëve. Roli i këtyre ka qenë gjithnjë i madh, dhe këta kanë ndihmuar më shumë në pasurimin se sa në varfërimin e gjuhës.

Kryeministri ynë nuk shprehet se duhet të vendoset si standard dialekti i Shkodrës, por thotë se gjuha e nobilitetit është ajo e Shkodrës, duke e mbështetur idenë e tij më tej, me faktin se sipas tij, në atë dialekt ka fjalë fisnikërie. Çfarë mendoni ju mbi këtë?
 
Nuk e di se cila është domethënia e kësaj. Pjetër Bogdani, që ishte nga Hasi i Kosovës, tek vepra e tij “Çeta e profetëve” thotë që me shumë mundim, shumë fjalë i ka shprehur sipas dialektit të Shkodrës. Por, kjo i përket shekullit të 17-të. Lëvruesit e gjuhës në Shkodër kanë dhënë një ndihmesë të madhe në gjuhën shqipe. Në gjuhën e sotme shqipe ka shumë terma e po ashtu edhe shumë fjalë që kanë lindur pikërisht në atë krahinë, pra në atë të Shkodrës, nga lëvruesit e zonës. Mund të them se fisnikëri nuk ka pasur vetëm Shkodra, por edhe krahina të tjera të vendit.

Në fjalën e tij Berisha ka thënë se nga gjuha shqipe është përjashtuar gjuha liturgjike, e cila është më e rrjedhshme. Ai ka shtuar se duhen bërë korrigjime. Ju si mendoni për këtë çështje?

Gjuha liturgjike i takon liturgjisë, që është veç një nga sferat e shoqërisë shqiptare. Liturgjia është e besimeve të ndryshme, siç janë të krishterët, ortodoksët dhe myslimanët dhe secili prej këtyre besimeve ka edhe librat e vet. Gjuha e feve është përpunuar nga njerëzit më të zgjuar, dhe kjo nuk mund të mohohet. Liturgjia ortodokse ka pasur Fan Nolin, ajo e krishterë ka pasur Pjetër Bogdanin, Pjetër Budin, etj. Megjithatë, shumë fjalë të liturgjisë kanë hyrë në gjuhën e përgjithshme shqipe. Veprimtaria liturgjike është e pandarë nga veprimtaria e shoqërisë shqiptare. Ajo u ndalua në vitet 1967-1990, por fjalët e saj dhe librat ishin. Kësaj gjuhe duhet t’i jepet rëndësi, dhe unë mendoj se duhet të bëjmë thirrje që kjo gjuhë të mësohet më shumë në shkolla.
 
Sipas tij, ndryshimet e sipërpërmendura duhet t’i bëjnë akademikët. Si mund ta bëjnë ata këtë gjë?

Çështja e gjuhës është një çështje kombëtare, jo vetëm e akademikëve. Kryesorja është mbrojtja e gjuhës nga vërshimi fjalëve të huaja, padija, gabimet dhe kultura gjuhësore e dobët e shumë njerëzve. Shteti në veprimtarinë e vet duhet të bëjë çmos që të zbatojë rregullat gjuhësore, sidomos në dokumentet shtetërore, sepse vihet re që nuk përdoren shkronjat ç dhe ë. Pra, si fillim, duhet të zbatohet alfabeti i gjuhës shqipe.

Kolec Topalli: Përfaqësuesit e elitës kanë bazë shkodranishten

Kryeministri Sali Berisha është shprehur se duhet të rishqyrtohet standardi i gjuhës shqipe. Sipas jush, a duhet të bëhet kjo?

Standardi është në radhë të parë një gjuhë e gjallë në zhvillim, e cila sigurisht bën ndryshimet e saj. Ajo duhet të studiohet me qëllim përmirësimin e dijes si standard gjuhësor. Ky përmirësim ka si qëllim jo përmbushjen e tij, jo krijimin e ndonjë standardi tjetër, por rregullimin e tij me qëllim që ai të ketë mundësi të përfshijë gjithë pasurinë e madhe të gjuhës shqipe, dhe njëkohësisht të mund t’i bëjë ballë edhe globalizmit që sot është më afër se asnjëherë dhe njëkohësisht dhe më i rrezikshëm për varfërimin e shqipes dhe mbushjen e saj me fjalë të huaja. Qëndrimi ndaj standardit gjuhësor për përmirësimin e tij dhe rishikimin e disa normave që do ta bëjnë atë më të aftë, është njëkohësisht qëndrim i drejtë kombëtar dhe detyrë qytetare e çdo shqiptari që gjuhën shqipen e ka gjuhë amtare.
 
Sipas Berishës, gjuha shqipe po varfërohet. Sa e vërtetë është kjo?

E vërteta është se pasuria leksikore e gjuhës shqipe nuk është derdhur e gjitha në standardin e sotëm, dhe kjo sidomos vlen për pasurinë e madhe të gegërishtes. Një ndikim negativ ka pasur edhe mënjanimi i shumë shkrimtarëve dhe poetëve në regjimin komunist, veprat e të cilëve nuk janë bërë të njohura për arsye politike dhe ideologjike. Të tillë janë Gjergj Fishta, Faik Konica, Martin Camaj, Ernest Koliqi, Zef Skiroi, Ethem Haxhiademi, Arshi Pipa, Qemal Draçini dhe shumë të tjerë.

Kryeministri ynë nuk shprehet se duhet të vendoset si standard dialekti i Shkodrës, por thotë se gjuha e nobilitetit është ajo e Shkodrës, duke e mbështetur idenë e tij më tej, me faktin se sipas tij, në atë dialekt ka fjalë fisnikërie. Çfarë mendoni ju mbi këtë?

Është e vërtetë se e folmja e Shkodrës është një nga ato që janë më të përpunuara në gjuhën shqipe, sepse në atë dialekt kanë shkruar shumë shkrimtarë e poetë me vlera të mëdha kombëtare, duke filluar që nga autori i parë i letërsisë, Gjon Buzuku. Ai përfaqëson pikërisht një të folme rreth trevës së Shkodrës, e duke vijuar me autorë të tjerë, për të ardhur deri tek përfaqësuesit e elitës së shkrimeve që kanë për bazë shkodranishten, siç janë Fishta, Mjeda, Migjeni, Koliqi, Zadeja dhe shumë të tjerë. Ajo është një e folme mbi të cilën është ngritur një letërsi e tërë, është një e folme shumë e përpunuar, prej së cilës duhet të marrë shumë standardi i sotëm.

Në fjalën e tij Berisha ka thënë se nga gjuha shqipe është përjashtuar gjuha liturgjike, e cila është më e rrjedhshme. Ai ka shtuar se duhet rikthyer. Ju si mendoni për këtë çështje?

Gjuha liturgjike nuk është ndonjë gjuhë e veçantë, por ajo ka një pasuri të madhe e cila është lënë jashtë, sepse feja për regjimin e kaluar komunist ka qenë e papranueshme. Gjuha liturgjike dhe ajo e librave fetarë nuk është studiuar dhe nuk është mirëpritur në standardin e sotëm. Ajo është një pasuri dhe duhet të rikthehet, sepse një standard nuk mund të lërë jashtë pjesë të veçanta të gjuhës shqipe.

Sipas tij, ndryshimet e sipërpërmendura duhet t’i bëjnë akademikët. Si mund ta bëjnë ata këtë gjë dhe a do të binin të gjithë dakord?

Këtë sigurisht që duhet ta bëjnë njerëzit më të përgatitur në fushën e gjuhësisë dhe njerëzit më të interesuar për zhvillimin e mëtejshëm dhe pasurimin e standardit të sotëm. Të tillë nuk janë vetëm gjuhëtarët, por edhe intelektualët e tjerë. Unë besoj se në radhën e gjuhëtarëve, por edhe të intelektualëve, nuk mund të ketë të tillë që të mos iu interesojë evoluimi, pasurimi dhe zhvillimi i gjuhës me të cilën shkruajmë dhe komunikojmë çdo ditë. Ky është një problem që ka vlera kombëtare në vetvete, prandaj edhe i intereson të gjithë shoqërisë. Shqetësimi i kryeministrit është ngritur me të drejtë. Ai është rrahur dhe vijon të rrihet në shtypin tonë, nëpër media, madje është ngritur edhe një komision ndërakademik me gjuhëtarë shqiptarë dhe kosovarë për këtë. Ky komision, kohët e fundit nuk ka funksionuar, sepse të dyja akademitë, si ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë, kanë qenë në fazën e ristrukturimit dhe të zgjedhjeve të reja. Është e domosdoshme që ky komision të ristrukturohet dhe të fillojë punën, me qëllim që t’i shtrojë problemet, t’i diskutojë ato dhe të marrë vendime përkatëse.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora