Kulturë
Cikël poetik nga Hajdin Morina
E merkure, 25.03.2009, 08:13 PM
Hajdin Morina, punon në DKAK-në në Klinë, ka botuar një libër me poezi, vazhdon të shkruaj.
Është Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
MALLI PËR ÇAMËRINË
Nuk më mjafton Toka
Ta bëj një rrugëtim me ty Çamëri
Shumë e vogël mbeti toka
Për ta përjetuar gjithë atë Tragjedi
Dhe gjithë atë Bukuri o Çamëri
Kënga ime kurrë nuk fillon me fillimin e saj
Vaji im kurrë nuk mbaron me mbarimin e vet
Ti me atë Bukuri të përzjarrtë mijëra vjet
Gjuhës Sofrës vetë Bukurisë i mungon bukuria
Trup-trungut tim cung nuk i qarkullon gjaku deri në fund
Në të gjitha dasmat e Fisit na ka munguar vallja jote
Në të gjitha vajet për më të mirin na ka munguar loti yt
Por një erë gjithmonë ka fryrë me tuat këngë
Me atë lot që është bërë shi për blerim për shpëtim
Të shpirtit tonë o Çamëri
Nuk kam Iliri për një rrugëtim me ty o Çamëri...
PËRMALLIM
Edhe po ta kisha Nënën gjallë
Fëmijërisë sime
Nuk do t’i ngjitja më asnjë arnë
As ëndrra më shumë as shpresa
Fëmijëria ime Mbibukuria e Bukurisë
Me gjithë ato ëndrra dhe me ata arna
Që pas kaq vitesh të rrinë aq bukur
Si yje ngjitur për qiellin e muzgut
Si nuk më thoshe
Se kurrë më nuk hapet dera jote
Fëmijëria ime larg meje qindra vjet
Afër meje në çdo moment
As Borëbardha as Kësulkuqja askund
Nuk kishte Lizë në botën e çudirave
Këtu ujku e dhelpra nuk rrinin në përralla
Hanin gjumin e fëmijëve shkolla e dasma
Pastaj Nëna me frymën e zemrës
Ma zbuste të çarën në thembër
Dhe nuk ndieja fare dhembje
Tek ma hiqte ferrën me majën e gjilpërës
Edhe po të ishte Nëna gjallë
Fëmijërisë nuk do t’m’i vinte asnjë arnë
Asnjë ëndërr më shumë asnjë shpresë
Fëmijëria nuk është vjershë
Nuk e di kurrë nuk e mora vesh
Si më ike moj mike aq shpejt
Si ma mbylle përgjithmonë derën
Me barrë ngarkuar larg teje gjithmonë
Tërthoreve të botës tërthoreve të jetës
MBIDASHURIA
(Atyre që i dhanë gjak (I)lirisë
Kur perëndon dielli
Sytë tuaj ngjiten lartësive
Të mos bjerë asnjë pikë terr
MERR UDHË ME DRININ
(Poetit Agim Vinca)
Mbi Dri të Zi
Larg Drinit të Bardhë
Farë poezie mbjell
Farë dashurie
Për shqiptarë
Nëpër vargje fryn
Frymë e Kosovës
Mbi Dri të Bardhë
Larg Drinit të Zi
Fëmijët seç i rrit
Ai shi në atë lirikë
Seç na djeg bukuria
Seç na përvëlon malli
Në orën letrare
Të orëve shqiptare
Zana e moçme
Ta reciton dashurinë
Aty ku bëhen një
Dy Drinat e Shqipërisë
STRUGA
Poezi që nuk lexohesh kurrë
Kurrë nuk shkruhesh deri në fund
Këto ura mbi Dri
Duar të shtrënguara në Iliri
Buzëqeshja e Pogradecit dhe syri yt
E përflakin Qafë-Thanën
Poezi që nuk lexohesh kurrë
Kurrë nuk shkruhesh deri në fund
Strugë
SËRISH MUNGON
Sërish mungon
Një pemë e plagosur në Tetovë
Një arë djerre në Preshevë
Shkrumbi i një libri në Kosovë
Mungon sërish vetmi e Malësisë
Një fjalë çame e një murane
Një vështrim arbëresh i mbytur në det
Në buzë të mëngjesit
Gjumë i vjetër na tradhton
Sërish mungon sërish mungon
DËBIMI
Ti lumë nuk je më Drin
Por shi mbi lehona mbi fëmijë
Ti hënë nuk je më hënë
As nuse në qiell
Nuk je më atje lart
Por poshtë në Liqen
Të kanë përzënë
Ti Liqen i Pogradecit
Nuk je më syri i Lasgush Poradecit
(Strugë, prill 1999)