Udhëpërshkrim
“Faleminderit president, për atë që bëre për Kosovën dhe shqiptarët!”
E shtune, 21.03.2009, 09:51 PM
Nga Hamdi Tovërlani, BOTA SOT
Dega e Tretë “Presidenti Rugova” shënoi nëntëmbëdhjetë vjetorin e themelimit
Ishte impozante atmosfera në Villa “Venera”, në mbrëmjen e organizuar,
Me rastin e shënimit të nëntëmbëdhjetë vjetorit të Degës së Tretë të LDK-së në Prishtinë, që mban emrin e ish-presidentit historik dr.Ibrahim Rugovës, nënkryetarja e LDK-së, njëherësh ministrja e Drejtësisë, znj.Nekibe Kelemndi, me plot entuziazëm iu drejtua të pranishmëve që përlot mbushën sallën, se kjo atmosferë dëshmon për rrugën të drejtë që është ndërmarrë, për rikthimit e imazhit të LDK-së, gjë që me siguri do të ndodhë. ”Duhet të punojmë edhe më shumë, ta forcojmë partinë dhe ta ndërtojmë shtetin, me të cilin duhet të qeverisim”, tha znj. Kelmendi.
Ndërkaq kryetari i Degës së Tretë, z..Agim Krasniqi, fjalën e rastit të formimit të kësaj dege, e ndërlidhi me personalitetin e dr.Ibrahim Rugovës, punën e tij, sakrificën, dhe idealit për çlirimin e popullit shqiptar, dëshirë kjo që u realizuar falë ideologjisë së shëndoshë, që ai diti ta përdorë, dhe që me vizionin e vet, e bëri drejtimin e partisë më të madhe të LDK-së, pikërisht në realizmin e kësaj ëndrre, por edhe të formimit të Kosovës, shtet sovran dhe të pavarur. “Jo rastësisht kjo degë, në mënyrë simbolike, e mban emrin e dr.Ibrahim Rugovës, themeluesit, drejtuesit politik të LDK-së, dhe udhëheqësit të madh të popullit shqiptar, si dhe krijuesit të Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur. Dr.Rugova ishte personaliteti më emblematik, ngase diti t`i ofrojë miqtë ndërkombëtarë, që dukshëm ndikuan që Kosova të formohet shtet i pavarur dhe sovran, por edhe të pranohet ndërkombtarisht”, tha z,Krasniqi. Ai përkujtoi flijimin e shumë anëtarëve të LDK-së dhe të kësaj dege për të sotmen, si dhe sakrificat nëpër të cilat ka kaluar kjo parti, që nga formimi në vitin 1989. “Fill pas kësaj, është themelua Dega e Tretë, si përgjigje e kërkesave të shumta të popullatës shqiptare në Prishtinë, në rrethanat e reja historike të udhëhequra nga dr.Rugova. Ishte ky një moment tejet i rëndësishëm për fatin e popullit. Kjo degë është më e madhja, dhe ndër më të organizuara në Kosovë, nga e cila kanë rrjedhë, dhe janë jetësuar shumë procese politike, edhe nga fakti se anëtar i Kuvendit të kësaj dege, ishte dr.Ibrahim Rugova. Nga kjo degë kanë dal kuadro, që kanë dhanë kontribut të çmueshëm, në të gjitha fazat e aktivitetit të LDK-së, edhe sot. LDK-ja ka potencial të mjaftueshëm që të përballojë humbjen nga zgjedhjet e kaluara, dhe me reformat e propozuara, dhe me strukturim autoritativ dhe pragmatik, ta rikthej imazhin e së kaluarës. Konsiderojmë se kryetari i tanishëm dr.Fatmir Sejdiu, është pasardhës i denjë i dr.Rugovës, dhe se së bashku me anëtarët dhe simpatizantët, si dhe bashkëpunëtorët e afërm, do të këtë forcë dhe potencial energjik, që ta rikthej LDK-në në binare të duhura, për ta vazhduar edhe në të ardhme t`i prij popullit shqiptar. Më lejoni, që për të gjitha ecuritë e mbara të kësaj partie, t`i dërgoi edhe një mirënjohje ish-presidentit Rugova, dhe betim që do të ecim rrugës së tij, dhe do ta respektojmë tashmë moton e jetësuar: “Faleminderit President”, tha në fund z.Agim Krasniqi.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm të kësaj dege ishin të pranishëm ministri Skënder Hyseni, kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, Ismet Beqiri, Melihate Tërmkolli, si dhe shumë mysafirë të tjerë. Por kaptinë e veçantë ishte edhe prezenca e dy djemve të ish-presidentit dr.Ibrahim Rugovës, Mendimit dhe Ukës, të presidentit aktual, dr.Fatmir Sejdiut, Bardhylit dhe Yllit, të familjeve të respektuara, Agani dhe Maloku. Në fund u dha një program artistik nga shoqëria “Minatori”.