E hene, 20.04.2026, 10:16 PM (GMT+1)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Paradoksi i lutjes së Jezusit: “Fali, o At, sepse nuk dinë çfarë bëjnë”

E hene, 20.04.2026, 06:57 PM


Paradoksi i lutjes së Jezusit: “Fali, o At, sepse nuk dinë çfarë bëjnë”

Nga Albert Vataj

Shprehja legjendare e Jezusit në kryq, "Fali, o At, sepse nuk dinë çfarë bëjnë" (Luka 23:34), është një nga momentet më të thella dhe tronditëse të narrativës ungjillore. Ajo mbart një peshë të madhe religjioze dhe filozofike që përshkon thelbin e krishterimit dhe sfidon mendimin etik të njeriut përtej shekujve.

Dymijë vjet më pas, kjo lutje duket se është kthyer në një paradoks të hidhur.

A nuk është një absurd i thellë që njerëzimi, që atë ditë e deri sot, vijon të mos dijë çfarë bën?

Apo, më tragjikisht ende, bën sikur nuk di, për të mos u përballur me pasojat e veprimeve të veta?

Kjo është thirrje për falje, por në të njëjtën kohë është një akt gjykimi që hesht, por godet.

Fjalia më e mëshirshme në histori është bërë pasqyra më e zymtë ku reflektohet rrëmuja njerëzore.

Ajo nuk është më një kërkesë për mëshirë, por një dëshmi e shurdhërisë morale të një bote që as nuk mëson, as nuk kujton, dhe as nuk zgjohet.

Ata që kryqëzojnë nuk janë më vetëm ushtarë romakë apo autoritete fetare të kohës, ata janë përkthyesit modernë të fuqisë, ndërtuesit e miteve të rreme, fabrikuesit e ligjit që maskojnë padrejtësinë dhe justifikojnë luftrat dhe mizoritë, shkatërrimin e qyteteve dhe depërtimin masiv të civilëve nga tokat e tyre.

Ndërsa ata që kryqëzohen, nën të njëjtin gjykim absurd, bie pre e padrejtësisë emblematike, janë ende të drejtët, të pafajshmit, poetët, disidentët, dëshmitarët, ata që sot jo vetëm harrohen, por edhe përdoren si dekor për ndjeshmëri të rreme dhe retorikë boshe.

Kjo lutje e Jezusit, “Fali, o At…”, shndërrohet kështu në një akuzë ndaj njerëzimit. Jezusi nuk i gjykon me fjalë ata që e kryqëzojnë, por mëshira e Tij, i ekspozon në gjithë paturpësinë e tyre. Dhe kjo është ndoshta forma më e lartë e dënimit, të përballesh me faljen kur meriton ndëshkimin.

Por çfarë ndodhi pas kësaj faljeje?

Njerëzimi nuk u përkul. Ai vazhdoi të ndërtojë kryqe të rinj, të projektojë konflikte për një rend të ri dhe dominim, të ndezi luftra absurde që vrasin fëmijët, të ngre kampe për të dëbuarit, të pasurojnë armët dhe frikën që rrafshojnë qytete dhe vrasin shpresën, të legjitimojnë ligje që mbulojnë padrejtësinë me ngjyrat e të drejtës.

Kjo lutje për mëshirë dhe zgjim... vazhdon të vrasë, të heshtë, të justifikojë. Vazhdon të jetë një aktor në një skenë dhune, ku mëshira përflitet dhe mëkatet fshihen pas dogmave.

A është kjo ende mosdije? Apo tashmë është zgjedhje për zgjidhje?

Dhe, nëse është zgjedhje, a do të thoshte Jezusi sot të njëjtën gjë?

Ndoshta sot, në vend të: “Fali, o At, sepse nuk dinë çfarë bëjnë”, do të thoshte: “Dinë çfarë bëjnë, por nuk duan të dinë pasojat.” ose: “Bëjnë si të paditur, për të mos u përballur me përgjegjësinë.”

Në këtë dritë, lutja e Krishtit në kryq nuk është më vetëm një akt faljeje. Është një akt profetik, një mallkim i dashurisë që nuk detyron, por shpon ndërgjegjen. Është gjykimi i heshtur që nuk vjen nga hakmarrja, por nga falja që nuk kuptohet dhe nuk pranohet.

Në çdo Krisht të kryqëzuar sot, në çdo fëmijë të vrarë nga një bombë, në çdo grua të shkelur nga një regjim, në çdo burrë të burgosur për fjalën, në çdo shpirt të lënë në harresë, kjo lutje ringjallet si plagë e hapur mbi ndërgjegjen kolektive.

Sepse po, ata që kryqëzohen mund të përfundojnë si statistikë, por çdo statistikë fsheh një Krisht tjetër, një të drejtë të mohuar, një shpirt që lutet për ne. Për ne që nuk dimë çfarë bëjmë. Për ne që e pamë kryqëzimin dhe nuk mësuam asgjë.

Dymijë vjet më pas, a jemi të falur nga mëshira hyjnore, apo të ndëshkuar nga vetëdija jonë e përgjumur?

Në një botë që ulëret për drejtësi, por hesht përballë kryqëzimit të së vërtetës, kjo pyetje është më e fortë se çdo thirrje biblike.

Kujt ju drejtua Jezusi me lutjen “Fali, o At, sepse nuk dinë çfarë bëjnë”?

Kush ishte ai që duhej falur?

Kush është ai që duhet të zgjohet sot?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Jonuz Delaj nuk është më, por telat e lahutës së tij do të vibrojnë në shpirtin e paepur të përkatësisë Albert Vataj: Ne i përkasim vetes, aq sa i përkasim njëri-tjetrit Albert Vataj: Shkodra e 40 viteve më parë, kur kënga shkruante historinë përmes virtuozitetit të mjeshtërve Pjetër Gaci dhe Zef Çoba Albert Vataj: Simone de Beauvoir, ndërgjegjja që guxoi të jetë grua dhe njeri në të njëjtën kohë Albert Vataj: Dervish Shaqa, rapsodi që skaliti monumentin e tij me zë dhe tingull, shpirt dhe qëndresë Albert Vataj: 'Gegnisht' bjen në Shkodër penat dhe parmendat e lëvrimit geg Albert Vataj: Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis” Albert Vataj: Luftëtarët shqiptarë që fshehin municionin nën urë, një gravurë që rrëfen historinë e vitit 1903 Albert Vataj: 'Nënë Dolores', Hyjlindësja Mari e shenjtëruar nga dhimbja dhe trishtimi Albert Vataj: Ikja qiellore e Don Kelmend Spaçit, meshtarit të shpirtit të shenjtë dhe shërbestarit të shqiptarisë Albert Vataj: “Drita” e Mimoza Hafizit, ku fotonet kalojnë përmes thjerrëzave të shpirtit, për t’i dhënë kuptimësi qenies Albert Vataj: Fryma e mermerit që të lë pa frymë Albert Vataj: Letra e fundit si akt i dashurisë dhe dorëzimit të Virginia Woolf për Leonard Woolf Albert Vataj: Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në "Majat e Shalës" dhe historia një komiti Albert Vataj: Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë Albert Vataj: “Puthja e Jetës”, kur guximi mposht vdekjen dhe fotografia bëhet dëshmi e pavdekshme Albert Vataj: Rilindasit, ata që e blenë kombin... dhe këta që e shesin Albert Vataj: Leximi si dashuria, një përjetim përtej kohës dhe hapësirës Albert Vataj: William Shakespeare për gruan, një mesazh i pavdekshëm i shpirtit Albert Vataj: George Orwell dhe Aldous Huxley, ata që paralajmëruan për një botë që kërcënohej nga dhimbja dhe kënaqësia

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx