E diele, 12.04.2026, 10:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Tefë Topalli: Rreth librit "Kohë të trazuara" të autorit Gjon Marku

E diele, 12.04.2026, 06:50 PM


Rreth librit "Kohë të trazuara" të autorit Gjon Marku

(TRAZIRA NË KOHË)

Nga Prof. Dr. Tefë Topalli

Lloji i shkrimit që përcakton "ese-ja" më së shumti nuk pret të shtjellohet për t'ia kaluar lexuesit; ajo duhet kënduar drejtpërdrejt, sepse zakonisht nuk ka zhvillime ngjarjesh. Eseja vjen e formohet nga përshkrime, opinione, problematika, ndjesi, satirë, humor, karakterizim etj. Prandaj, njohjen e shkurtër të lexuesit me artin që përdor shkrimtari në këto ese do ta konkretizojmë me fragmente tipike për secilën ndarje tematike.

Autori ka gjetur një titull interesant dhe koherent me kohën e këtyre viteve të tranzicionit dhe, me sa lexojmë, lëvrimi i kësaj gjinie prej Gjon Markut ka nisur që kur ai ishte për studime të larta. Përndryshe, në vitin 1997, prej ku ai sintetizon katër grupime. Në ndarjen e parë, autori nënvizon se serenata e dhimbjes i ushton në veshë, ngaqë...

Shteti zhvoshket dhe bie(2)

Prandaj autori shtjellon tema të tilla si:

·         Tranzicioni po zgjatet pa kufi.

Pushteti po absolutizohet në një dorë.

Gjithçka është përqendruar te një dorë pushteti.

Qeveria kishte rënë, populli në delir çmendie u armatos!

Shteti ishte korruptuar së tepërmi.

Kishin ardhur kohë të trazuara në çdo lëmë të jetës.

Një vështrim historik i jetës në Mirditë.

Përgjegjësia shtetërore dhe puna me gjykatat.

Militantët servilë e puthadorë.

Pandëshkueshmëria që po përhapet.

Arbitri moral.

Pavetëdija kolektive dhe harresa e vetëdijshme.

Shpërdorimi i fjalës, kuvendet e munguara.

Shpopullimi në ekzod... etj.

Për lexim-1:

"...Po atë vit që kisha përfunduar studimet, tek pija kafe me Prof. Dr. Qefqep Kambon kishim folur edhe për bibliotekën më të famshme dhe më të njohur ndër të gjitha kohërat, Bibliotekën e Aleksandrisë, e cila nuk ishte vetëm një bibliotekë e famshme si vetë Aleksandria, por edhe një qendër krijimtarie, kulture, dijeje dhe tolerance. Ishte një humbje e madhe. Qyteti u zgjodh prej Aleksandrit të Madh si kryeqytet i perandorisë së tij në vitin 320 para Kr., dhe shumë shpejt u shndërrua në qytetin më të fuqishëm dhe me influencë në rajon. Biblioteka u themelua në vitin 288 para Kr. nga Ptolemeu I. Ajo ishte ndër tempujt më të mëdhenj që ka njohur historia e mendimit dhe funksionoi si akademi, qendër studimi dhe bibliotekë, e vendosur në rajonin mbretëror të qytetit. Nuk është krejtësisht e qartë kur u shkatërrua Biblioteka e Aleksandrisë. Mendohet të jetë dëmtuar nga zjarri gjatë pushtimit të Jul Çezarit në vitin 48 para Kr. dhe gjatë ekspeditës ushtarake të Aurelit në vitin 272 para Kr. Në vitin 391 u dogj edhe ndërtesa në Serapium, çka shënon edhe fundin e këtij institucioni. Ndërtesa në Serapium ishte quajtur me emrin e qytetit. Bota e qytetëruar e kishte cilësuar si një humbje të madhe. Ajo ishte e ndërtuar në brigjet e detit Mesdhe, në udhëkryqin midis Europës, Azisë dhe Afrikës, duke gjetur pikën kyçe për të vendosur bibliotekën më të madhe të botës antike. Në Mesjetë, në vendin tonë, kur manastiret u kthyen në qendrat kryesore të kulturës dhe dijes, ndër to nisi edhe grumbullimi i librave dhe formimi i bibliotekave. Gjurmët e organizimit të tyre i gjejmë në shek. XII, në kohën kur Papa i Romës, duke dashur të rrisë ndikimin e Selisë së Shenjtë dhe të forcojë kishën katolike në Shqipërinë e Veriut, vendosi themelimin e disa kuvendeve dhe manastireve për përgatitjen e klerikëve; kështu, në Mirditë kanë ekzistuar kuvendet benediktine të Shpalit (në Peshqesh), Shën Mëria e Ndërfanës (Gëziq), të Shelbuemit (Rubik) dhe të Shën Llezhdrit (në Malin e Shenjtë) në Orosh..." (3)

Autori vë në dukje se shndërrimet sociale, me përmbysje, siç ngjanë në vendin tonë, bënë të lindin ëndrra, por ai e sheh se kjo nuk u realizua; kështu që pyet:

Vallë kush e vrau ëndrrën?

·         I drejtohet Mirditës me një apostrofë.

Ai shqetësohet se kullat e moçme po shemben nga ikja.

Ai pyet dhe mendohet pse u vra ëndrra, veçanërisht te mirditorët.

Intelektualit-shkrimtar i dhemb zemra se shkollat po mbyllen.

Shkruan për një Stemë Bashkie në Mirditë.

"Ç'është ngritja kur s'di të rëzohesh?" thotë Gjon Marku, etj.

Për lexim – 2:

"Në fillimshekullin XI, procesi i dhënies së titullit dhe stemës ishin të lidhura drejtpërdrejt me njëra-tjetrën, edhe pse investitura nobiliare (dhënia e titullit) ishte parësore. Procesi i marrjes së një titulli të lartë fisnikërie kishte një ecuri të gjerë, që lidhej edhe me ndarjet dhe ndikimet e mëdha të perandorive të ndryshme. Kështu, për titullin 'Mbret', si titull më i lartë, e drejta e dhënies së tij lidhej me krerët më të lartë të dy hierarkive të mëdha:

Në Perëndim, Kreu i Kishës Katolike (Papa).

Në Lindje, Perandori Bizantin, me mbështetje të Kishës Ortodokse.

Emblema që shoqëronte këtë titull të lartë vendosej më pas në mburojat e ushtarëve, në veshjet e korrierëve, gdhendej në gurë veçan, vihej në harqet e portave të kështjellave apo ndërtesave të rëndësishme, mbi varret e princave dhe në dyert e mëdha. Emblema ngrihej edhe në hyrje të qyteteve mesjetare.

Investitura mbretërore në Shqipëri jepej kryesisht nga Papa për Veriun, gjë që lidhej me ndikimin e tij mbi territoret tona. Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, asnjëherë zyrtarisht nuk disponoi titullin "Mbret", edhe pse investitura e tillë ishte merituar nga Papa Piu II, por nuk arriti t'ia dorëzonte, sepse Papa vdiq.

Në titujt e fisnikërisë dhe të mbretërve në vendin tonë, gjithçka vjen e turbullt dhe e paargumentuar, ngaqë ata janë vetëshpallur. Topiajt, për shembull, e kishin investitur titullin nga Mbreti i Anzhuinëve të Napolit. Sistemi monarkik i Ahmet Zogut nuk mundi të krijojë një sistem heraldik për vendin tonë, edhe pse nisi një proces rudimentar.

Bazuar në dokumentacion të veçantë, Bashkia e Mirditës sot ka një stemë të sajën: Shqiponjën njëkrerëshe, quajtur Stema e Arbërit, më vonë e vërtetuar si stemë e Dukagjinëve. Kjo është krejt e natyrshme për t'u përdorur, sepse Mirdita ka privilegjin që Principata e Arbërit e ka pasur qendrën në Gëziq, e cila konsiderohet edhe si zemra e territorit të saj, dhe vetë shqiponja është gjetur në hapësirën e këtij territori."(4)

Sythi më i shkurtër (III), vetëm me dy ese:

Nuk ka gjë më të shtrenjtë se liria:

"Lëndina e Pikëllimit" – lidhja me Kosovën.

"Ne prapë i rrëmbejmë armët... për liri..."

Për lexim – 3

"Gjithnjë në këto anë, kësaj cope toke në brigjet e Adriatikut, e quajtur Shqipëri, i është dashur të luftojë në vazhdën e kohës për jetë a vdekje me armiq e barbarë të egër, sa s'thuhet. Aq e egër është barbaria, sa duket si një legjendë e largët, që ka ndodhur në kohë kryqëzatash tej Mesjetës, por në fakt nuk është e tillë. Nuk ka ndodhur as në fiset ku janë shfaqur kanibalët, atje në cepin e sipërm të Azisë, por në mesin e Europës së qytetëruar, në shekullin e 20-të, mbi njerëzit më të pafajshëm në botë, në shtëpitë e tyre, në truallin e tyre.

Si nëpër film, më kalon në mendje Sarajeva, ku çdo mur ka plumba e shenja barbarie dhe krimi, por këtu, në Kosovë, te Jasharajt, ky krim është edhe më i madh, më i paimagjinueshëm dhe më i pamëshirshëm, një realitet i përgjakur. Kulla e vjetër e Jasharëve mbahet si dëshmia më tronditëse e ndodhur në kapërcyellin e shekullit që lamë pas, shekullit të përgjakur prej luftërash botërore.

Kjo është lufta jonë, që habit çdo njeri që sheh dëshmitë e saj, shkaktuar prej fisesh të ardhura nga stepa të egra, vrasës foshnjash të pafajshme, vetëm se ishin shqiptarë! U vranë njëherësh pesëdhjetë e shtatë pjesëtarë të një familjeje, pa pyetur për asgjë, për Zot a Krisht. Por "Bac u krye!" Kështu ka ndodhur edhe me familjen e Engjëll Berishës në Gjakovë, ku vëllezërit e tij u vranë dhe u prenë, por barbarët nuk u ngopën; hodhën mbi ta librat e bibliotekës së tyre dhe u vunë zjarrin librave – njerëzit u përplasën nga egërsia! Por përsëri, "Bacë u krye!"

A thua nuk është një rast më vete Raçaku, Lëndina e Mejës, Drenica apo Gryka e Cernalevës, Krusha e Madhe apo ajo e Vogël - çdo cep e pëllëmbë e tokës së Kosovës, çdo shkëmb e gur..."(5)

Në sythin e 4-t, "Mjafton të shpërfillet gjaku për të mos qenë më arbër", ka vetëm tre ese, ku e para bën një bashkëshoqërim paralel idesh, duke luajtur me sintagmën "8 Nëntor", e cila, për dy breza që jetojnë ende në Shqipëri, na kujton ditën e themelimit të PPSh, grupimit politik ndjellazi për fatet e një populli që do të vuante një diktaturë të gjatë, nën regjimin komunist të një sistemi antinjerëzor. Mirëpo këtu, fjala është për datën e Kuvendit të Matit, kur lindi Formula e Pagëzimit nga Ipeshkvi Pal Engjëlli, 1462. Një ese mjaft e qëlluar është ajo e fundit, "Kur Papa Gjon Pali II viziton Otranton", ku autori nis e shtjellon historikisht raportet e popullit shqiptar me Papatin dhe mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë PF dhe Selia e Shenjtë.

Për lexim – 4

"Ajo për të cilën do të ndalemi së pari, është raporti i vendit tonë me Papatin, në mënyrë të veçantë me Papa Gjon Palin II, i cili hyri në historinë e njerëzimit si një reformator i madh dhe si një njeri me kontribut të pazakontë për Kishën dhe Paqen. Papa, i cili ka pasur një lidhje shqipërishte me Shqipërinë dhe shqiptarët, qysh në fillim të Papnisë së vet, gjatë një vizite në Otranto, kujton për herë të parë Shqipërinë, bash në vendin e 800 martirëve të vrarë e të mbytur në thellësinë e detit, 1480, me urdhër të renegatit shqiptar Xhedik Ahmet Pashës, admiral në flotën e Mehmetit II, sulltan. Papa foli:

"Me ditën e sotme nuk mund të rrimë pa i sjellë sytë, përtej detit, te Kisha jo e largët heroike në Shqipëri, e shkatërruar prej një përpjekjeje të randë e të zgjatur, por e pasuruar prej dëshmisë së martirëve të vet: Ipeshkvij, Meshtarë, Rregulltarë e besimtarë të thjeshtë. Përveç këtyre, mendimi im shkon edhe te vëllezërit e tjerë të krishterë dhe te të gjithë besimtarët në Zotin, të cilët pësojnë një fat të ngjashëm mungesash në atë Komb."

Vizitën në Otranto, Ati i Shenjtë do ta kujtonte edhe në fjalën që mbajti kur zbriti prej avionit në Tiranë, më 25 prill 1993. Papa Gjon Pali II do të theksonte edhe forcën me të cilën arbënorët mbrojtën identitetin e tyre, të përmbledhur në një figurë madhore si ajo e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili, si "Atleta di Christi", ishte i respektuar nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtesën e popullit shqiptar.

Në Gjenacan, Papa kishte thënë:

"Kam ardhur në këmbët e Zojës së Këshillit të Mirë, për t'iu bashkuar juve në mbrojtjen amënore të Mërisë gjatë udhëtimit apostolik, që, nëse Zotit do t'i pëlqejë, do ta kryej të dielën e ardhshme. Do të shkoj në Shqipëri, vend që ka pësuar vite të gjata shtypjeje dhe përndjekjeje të vërtetë fetare... Shqipëria, që ka vuajtur peshën e një diktature mbytëse, është thirrur të ndërtojë të ardhmen e vet, duke vlerësuar edhe disa përvoja jo gjithmonë nxitëse të botës, të ashtuquajturit të lirë demokratike... Na i quajmë si martirë ata të krishterë që gjatë historisë kanë pësuar vuajtje, shpesh të tmerrshme, për shkak të mizorisë së tyre... Të falëndrojmë Hyun që ata e kanë kapërcyer sprovën fitimtarë."

Ndërsa Mirdita kishte mbetur si "kështjellë ku kishte gjetur strehë katolicizmi në Shqipëri..."(6)

¹?? Po ai, po aty, f. 225–228.

Literatura e përdorur:

1.      Gjon Marku, Kohë të trazuara, EMAL, Tiranë, 2022.

2.      zhvoshk – zhvoshkem: qëroj, rrjep, zhvesh misrin, gështenjën; më rripet lëkura etj.

3.      Po ai, po aty, f. 17–19.

4.      Po ai, po aty, f. 153–156.

5.      Po ai, po aty, f. 190–191.

6.      Po ai, po aty, f. 225–228.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx