E shtune, 11.04.2026, 11:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Lazim Miftari: Lahuta e gurit të Dardanisë

E shtune, 11.04.2026, 06:50 PM


Lazim Miftari

LAHUTA E GURIT TË DARDANISË

Në majat e larta qëndron kujtimi,

në zemër të bjeshkëve rron përjetësia.

---

KËNGA E PARË – ASHTI I GURIT

Kush prek gurin në këtë tokë,

në shpirt ndien peshë të vjetër;

s'është kjo tokë që tretet në shokë,

por rron si zë i gdhendur në letër.

O udhëtar që shkon përpjetë,

ndale hapin e preke këtë gur;

mos kërko atë që s'ke me gjetë,

këtu flet koha me zë të pjekur.

Kjo s'është dhé që era e shkund,

as fushë e butë ku mjegulla bie;

këtu rrufeja përplaset në gur,

këtu zë rendin, këtu nis çdo hije.

Historia s'shkruhet në fletë e bojë,

se boja thahet e letra digjet;

ajo gdhendet me teh e me mburojë,

në gur të lashtë që kurrë nuk hiqet.

Ky gur që sheh, o udhëtar i mirë,

ka parë botët që u bënë pluhur;

ka parë ferrin, ka parë errësirë,

kurrë s'është tundur, as përulur.

Ai nuk flet, por kohën e sheh,

si lum i heshtur që rrjedh ngadalë;

në heshtjen e tij Iliria rreh,

Pellazgu rron në shpirt të gjallë.

---

KËNGA E DYTË – MBUROJA E DARDANISË

Lart në majë, ku retë prekin ballin,

ngrihet Kalaja – dhëmb në këtë tokë;

muret janë gurë që e mbajnë malin,

që s'i përkul dot as koha, as shokë.

Kur bie muzgu mbi ato rrasa,

hijet që shihen s'janë hije varri;

janë rojtarë që s'njohin plasën,

që ruajnë pragun me sy prej zjarri.

Hap pas hapi, në gurë të lëmuar,

ndjen nxehtësinë e një bese të fortë;

ky shkëmb mban emrin e pashkruar

të fisit dardan që s'njohu kurrë lot.

Shpatat dikur këtu kanë kërcyer,

zjarr kanë marrë këto mure guri;

gjak burrash këtu është përzier,

dhe mbi atë gjak rri gjallë flamuri.

Hap sytë mirë kur të ngjitesh lart,

se nëpër hije, aty ku s'hyn dielli,

enden hijet e mbretërve të lashtë,

me kurora pluhuri – i sheh veç qielli.

Ata s'flasin, se fjalët janë pak,

por të vështrojnë drejt e në sy:

"Këtë tokë e mbrojtëm me gjak,

kthim prapa s'ka për ne, as për ty!"

---

KËNGA E TRETË – BISHAT E GURIT

Nuk pati nevojë për thirrje e kushtrim,

Dardani nuk priste që dikush ta zgjonte;

ai ishte i zgjuar gjithëherë në agim,

si bisha që gjahun në terr e kërkonte.

Kur këmba e huaj preku këtë dhé,

toka u ça si rrufe në verë;

s'dolën njerëz, por flakë mbi re,

nga çdo gur dolën zëra të prerë.

S'u fol me fjalë, as urdhër s'u dha,

veç një gjëmim që çau thellë qiellin;

si britmë mali që veten e vrau,

u ngrit gjaku që ndizte diellin.

"URRAAA!" – oshëtiu si det i trazuar,

dhe zëri i tyre tronditi kufijtë;

me sy prej zjarri, me shpirt të tërbuar,

u lëshuan si rrufe mbi armiqtë.

S'ishin ushtri me radhë e me rend,

por forcë natyre që s'njeh kufi;

ishin bijtë që rriti ky vend,

në gur, në stuhi, në zjarr e në hi.

S'ktheheshin mbrapa, s'njihnin mëshirë,

as numër, as frikë, as lodhje në trup;

veç sulmin mbanin si ligj të mirë,

që shemb çdo mur e rrëzon çdo grup.

---

KËNGA E KATËRT – ROJA PELLAZG

Në hyrje të asaj kështjelle të vjetër,

aty ku koha të shkelë s'ka guxim,

rrinte ai që s'ngjan me asgjë tjetër:

Gjarpri i Gurit – rojë pa mbarim.

Gjarpri i Gurit, me trup të përdredhur,

me luspa hiri e sy që përvëlon;

mbi ballë dielli i lashtë i gdhendur,

që rrugën e bijve përjetë ua ndriçon.

Ai s'njeh gjumë, as lodhje, as frikë,

rri si dëshmi e tokës së parë;

në heshtjen e tij një ligj që nuk ikën,

që s'është shkruar, por rron në damarë.

Rreth tij janë shenja të gdhendura rëndë,

si fjalë të moçme që koha s'i tret;

janë besa e parë, janë rrënjë në vend,

që lidhin të gjallët me të parët e vet.

Kush vjen me zemër e gjak të pastër,

kalon pa drojë në pragun e tij;

por këmba e huaj, pa rrënjë në vatër,

digjet në heshtje pa lënë njeri.

Gjarpri ruan çelësin e përjetësisë;

pa lejen e tij, as dielli s'lind dot;

vetëm ata që kanë forcën e Ilirisë,

kalojnë pragun pa vrer e pa lot.

---

KËNGA E PESTË – ASHTI QË NUK THYHET

Doli përballë në fushë të gjerë,

ku ajri rëndohej me erë metali;

erdhi ai çast që s'njeh mëshirë,

kur mali përplaset i egër me malin.

S'kishte më radhë, as rend, as fjalë,

veç vrull që shpërthen si llavë e flakur;

gjoksi i tyre – një tokë e gjallë,

që thithte armikun si humnerë e hapur.

"URRAAA!" – oshëtiu nga lug në lug,

që shkundte dheun si bubullimë;

shpatat u thyen në gur e në trup,

por vrulli i tyre i shpejt si vetëtimë.

Si dallgë të zeza mbi brigje shkëmbi,

u derdhën mbi çdo hap të huaj;

as frikë, as lodhje s'u hyri në mendje,

veç sulmi që digjte si zjarr i pashuar.

Ra Dardani – u bë shkëmb në vend,

ra Iliri – u ngrit si kështjellë;

as vdekja s'e thyen atë qëndrim,

që rron më fort se çdo fjalë e gjallë.

S'ka kthim prapa në këtë përballje,

as mend që thyen këtë rrënjë të fortë;

kjo racë ngrihet mbi çdo rrëzë mali

dhe mbetet në kohë si shtyllë e botës.

Kush mendoi se këtë tokë pushtoi,

u gëzua shumë dhe ra në gjumë.

Por natën Dardani nga toka doli,

e bëri pluhur – e bëri shkrumb.

Kur heshti fusha pas gjëmës së madhe,

një zë i thellë mbeti në gur:

se ai që bie për këtë dhe të lashtë,

nuk vdes kurrë – por bëhet flamur.

---

KËNGA E GJASHTË – AMANETI I GURIT

Pluhuri i kohës mbulon mbretëri,

emrat i tret, në lashtësi mbulohen;

por drita e gurit për këtë liri

kurrë nuk fiket, por veç forcohet.

Në çdo cep të kësaj toke të shenjtë,

në mal e në fushë, në rrasa e në dhe,

rri një ligj i lashtë dhe shumë i drejtë:

liria pa kushte – mbi gjithçka atje.

Guri rri zgjuar në heshtje të thellë,

si zemër e vjetër që rreh pa pushim;

dhe në kraharorin e këtij vendi të rrallë,

ai mban gjallë shekuj pa perëndim.

Gjarpri i lashtë ende ruan pragun,

dhe dielli i gdhendur lëshon ende dritë;

çdo plagë e tokës, çdo gjurmë e gjakut,

bëhet kujtesë që kurrë nuk ikën.

O brez që vjen pas nesh në këtë dhe,

këtu i ke rrënjët, këtu ke fuqinë;

kur bota të tundet e humbet mbi re,

kthehu te guri – aty gjen lirinë.

Vëre veshin mbi gjoksin e tij,

dëgjo si rreh thellë në heshtësi:

bum... bum... si hap i një ushtrie,

që marshon drejt në përjetësi.

Kjo është lahuta e gurit të lashtë,

këngë që s'thyhet, as shuhet kurrë;

kush e mban gjallë në shpirt këtë zjarr,

bëhet vetë gur – bëhet vetë flamur.

Lazim Miftari

Prishtinë 10 Prill 2026



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx