Mendime
Idriz Zeqiraj: Dr. Vjosa Osmani as “notere e Kurtit”, as “karrieriste”, por presidente unike e Kosovës
E premte, 10.04.2026, 06:56 PM
DR. VJOSË OSMANI AS "NOTERE E KURTIT", AS "KARRIERISTE", POR PRESIDENTE UNIKE E KOSOVËS
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Qysh dy vjet më parë, opozita
destruktive ka lansuar idenë e zgjedhjeve për presidentin. Qëllimshëm donin
bllokadën, për rrjedhojë zhbllokimin me zgjedhje të reja.
Shpifjet korale, akuza të poshtra e
kriminale, nuk kanë rreshtur, që kur krerët e LDK-së, të prirë nga Isa Mustafa,
si argatë të Hashimit dhe të PDK-së së tij, filluan goditjet e rugovistëve
idealistë. Krimi në pushtet kishte prekur çdo qelizë të klasës politike dhe të
shoqërisë kosovare. Ndryshimi ishte domosdo e kohës. Binomi Vjosa dhe Donika
ishte i duhuri, për ta nismuar ndryshimin. LVV ishte rishtare në politikë, e pa
inkriminuar, e pa shantazhuar dhe e gatshme për t`u angazhuar, për ndryshimin e
madh - largimin nga pushteti të krerëve pushtetarë e shtetërore, të zhytur në
krime vrastare, hajnore zyrtare dhe rrast të shantazhuar nga Serbia dhe
ndërkombëtarët.
Dr. Vjosë Osmani me përgatitje supreme
politike, diplomatike dhe intelektuale e kompletuar, mençurisht, u zgjodh në
kreun e shtetit - presidente e Republikës të Kosovës. Këtë detyrë e ushtroi me
dinjitet dhe parime me integritet të plotë. Ajo dëshmoi se nuk ishte as
"notere e Kurtit" dhe as "karrieriste".
Përkundrazi, ajo shkëputi çdo lidhje
partiake me LDK-në, LVV dhe, së fundi, edhe partinë e themeluar dhe të
pagëzuar nga ajo, me emërtesën adekuate
"GUXO".
"Amerika është partnere e luftës,
partnere e së kaluarës, por jo partnere e së tashmes dhe të ardhmes", -
kishte blasfemuar dhe shkretuar Albin Kurti! Kjo edhe mund të përligjej, nëse
Kosova do të kishte një shtet partner rezervë, me fuqi ekonomike, ushtarake dhe
miqësore, më të madh se sa Amerika. Por, kundërpeshë mund të aludohet Rusia dhe
Kina të marra së bashku për forcë ekonomike dhe ushtarake, ndërsa me zero (o)
miqësi për Kosovën.
Që këtej shpërthimi i presidentes Vjosë
Osmani: "Nuk luhet bixhoz me ndërkombëtarët", - e thënë në sallën e
Kuvendit, për ta stopuar Albinin në kryeneçësinë në raport me Amerikën. Shto
këtu edhe marrëveshjen e në Bruksel dhe Ohër, të biseduar me Vuçiq, të
monitoruar nga Borrel dhe Lajçak, e panënshkruar nga palët. Ndryshimi nga
asociacion në "vetë-menaxhim", ka ngjallur huti dhe dyshime.
Megjithatë, kryeministri Albin Kurti ka
reflektuar dhe Amerikën, tashmë, e ka vënë "në ballë të oxhakut",
duke e konsideruar si partnere "të tashme dhe të ardhme". Kjo duhet
vlerësuar dhe besuar, sepse Albini llogaritet si djalë bollshëm i lexuar dhe i
shkolluar, andaj ka fituar zemrat e shqiptarëve vendorë dhe botërorë.
"Shqiptarët e duan Amerikën nga
frika dhe jo për dashurinë e natyrshme", - është shprehur Kurti.
Përgjithësimi është i gabuar, por, realisht, ai e ka fjalën për njerëzit
e shantazhuar, për "madurotë" shqiptarë, të cilët ekzekutuan si
"derrat e egër" bashkëkombasit kundërshtarë politikë, me qëllim
të marrjes dhe të mbajtjes të pushtetit dhunshëm. Dhe, këta janë disa
"komandantë" kriminelë dhe hajna zyrtarë, sojin e të cilëve Amerika
po e lufton anekënd Globit.
"Amelika, Amelika",
përsëritë, vend e pavend, opozita e ardhur në pushtet, me dhunë e përgjakje, e
ka plotë gojën, përjashto LDK.në, e cilat ka qasje të siqertë për miken
Amerikë. Subjektet ultra-komuniste, PDK, AAK, NISMA, të koalicionuara në PAN,
tipike enverhoxhiste e staliniste, te ekstremit të majtë, i kanë konvertuar në
emërtesa fallso të djathta!? Por, ato kanë qenë dhe mbeten të majta, partnere
të Lindjes komuniste dhe kurrë të Amerikës dhe të Evropës Perëndimore. Këto
subjekte kanë lindur nga mitra e përgjakur e LPK-së, e cila, dikur protestonte
kundër bashkimit të dy Gjermanive, "sepse po dobësohet komunizmi në
shkallë botërore", arsyetonin militantët e LPK-së!
Kishte një parashikim të bazuar se
Albini nuk e donë Vjosën për presidente, ngaqë parapëlqen bashkëpunëtorë të
bindur. Lojërat me numra të Kurtit u lexuan lehtësisht edhe nga populli. Edhe
opozita ka të drejtë, të mos këtë tri postet kryesore pozita, pavarësisht
fitores së madhe, vazhdon të bllokojë. Mund t`i lihet posti i krye kuvendarit
opozitës, ndërsa kryeministri është i padiskutueshëm për pozitën.
Tashmë, është pranuar nga pozita dhe
opozita, plus populli i Kosovës dhe shqiptarët, se Vjosë Osmani ka përmbushur
në plotëni detyrën e Presidentit/es
të vendit, pas Presidentit historik Dr.
Ibrahim Rugova. Ajo arriti të krijojë një lidhje ndryshe me SHBA dhe BE-ë. Që
këtej pasoi heqja e sanksioneve dhe një serë procesesh të tjera, duke ndikuar edhe
në rehabilitimin e Kurtit dhe të qeverisë së tij.
Nuk ka asnjë mëdyshje se mandati i dytë
presidencial për Vjosë Osmanin, është interes shtetëror. Dhe, kushdo që
kundërshton këtë, mendon për përfitime personale dhe aspak për interesin
shtetëror.
Është neveritëse të thuhet se Albini
nuk i ka asnjë borxh Vjosës, për ta kandiduar për presidente, ndërkohë që ajo i
ka dhuruar shumë-mijëra votues atij, madje në tri palë zgjedhjet radhazi. Kjo
do të ishte jo vetëm mosmirënjohje ndaj një presidente krejt të veçantë, por
edhe një fyerje dhe zhgënjim skajor i shqiptarëve të kudondodhur. Inati dhe
xhelozia e pa motivuar, do t`i turpëronte të gjithë kontestuesit e kandidaturës
të Vjosës, madje, për jetë e mot!
Intervista e Vjosë Osmanit, dhënë Çim
Pekës, ishte sqaruese, e sinqertë se Albin Kurti nuk i dha ofertë serioze asaj
për postin e Presidentes. Përndryshe, ai duhej dhe duhet ta propozon Vjosën,
duke "e justifikuar për punën e shkëlqyer; e donë populli, e duan
shqiptarët, e donë Amerika, e duan ndërkombëtarët.
Për 5 (pesë) vjet ishte jashtë
angazhimit partiak. Madje, është propozim jashtë-partiak. Kandidat tjetër nuk
do të kemi nga ana e qeverisë dhe as nga LVV".
Ky do të ishte propozimi dhe
arsyetimi i Kurtit, për kandidaturën e vetme të Vjosës për Presidente.
Dhe, nëse ky propozim nuk do të
refuzohet, atëherë fajësia do t`i mbetet opozitës dhe LVV do të dilte
faqebardhë, edhe nëse vendi do të shkonte në zgjedhje.
Veprimtaret e shquara, Vjosë Osmani dhe
Donikë Gërvalla provuan "ta çajnë" bllokadën, për ta pavarësuar
partinë famoze, LDK-në e Ibrahim Rugovës, e cila e bëri paqen, respektivisht,
rezistencën aktive paqësore dhe luftën çlirimtare të Kosovës. Por karrocimi i
klanit të Isa Mustafës ishte i hekurt dhe i goditi, deri në përzënien nga
LDK-ja, për rritjen dhe qëndresën e së cilës kishin investuar shumë.
Megjithatë, me punë dhe vullnet klasik,
në koalicion me LVV, e cila, të paktën, nuk ishte pjesë e përgjakjes të LDK-së
dhe Kosovën, arritën të shporrin nga pushteti i përgjakur
"komandantët" vrastarë, hajna zyrtarë, haraçxhinj,
makro-kontrabandistë, në bashkëpunim me Listën Serbe. Por edhe klanin patericë
të PDK-së, brenda Lidershipit të LDK-së.
E ardhmja u përket reformatorëve.
Historia ka lënë në harresë perandorë, mbretër, shefa shtetërorë, gjeneralë...!
Por, reformatorët mbijetojnë shekujt, epokat. Andaj, pavarësisht anatemimit,
mallkimit të padrejtë dhe idiotesk, të bërë nga lakenjtë e Isa Mustafës, në
adresë të Vjosë Osmanit dhe Donikë Gërvallës, ato kanë qenë dhe do të mbetën
reformatore heroina.
Guximshëm dhe dinjitetshëm denoncuan
krimin dhe kriminelët, sepse është cinizëm dhe skajshëm kriminale, të vazhdojnë
ta sundojnë popullin e përvuajtur të Kosovës vrasësit e kundërshtarëve
politikë, përkatësisht, ushtarakët luftë-bërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës;
veprimtarët e LDK-së; gazetarët e "Bota Sot"; por, edhe brenda
llojit - veprimtarët e hershëm të LPK-së, për ta pamundësuar konkurrencën në të
ardhmen.
"Ata që po i vret UÇK-ja, po i
vajton LDK-ja", - është titulli i një shkrimit, i
shkruar nga kryetari i LPK-së, pikërisht, kur vrasjet cilësore, të
përzgjedhura, të listuara u bënë normë-masive. Shkrimi u botua në njërën nga
gazetat më përçarëse "shqip-folëse!" Ujdia, dakordimi për marrjen e
pushtetit,
dhunshëm e përgjakshëm, nga LPK-ja
ishte arritur ndërmjet - Shërbimeve Informative - të Francës, Serbisë, Kosovës
dhe Shqipërisë! Paraprakisht, është
uzurpuar udhëheqja e hershme e LPK-së,
nga udhëheqja e re e kompozuar në Tiranë; është pushtuar gazeta e LPK-së; janë
sekuestruar Fondet e Mërgatës, nën kërcënimin klishe "ose Fondin, ose ta
vras djalin e hasretit"! Këto janë të dhëna, fakte, nga dorë e parë, nga
palët në përballje! Klikoni, i gjeni dhe kontaktoni dëshmitarët okularë.
Veprimtaret e dëshmuara për Kosovën,
për lirinë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, si dhe për demokracinë. Sepse
"liria pa demokraci është një përrallë dimri", - ka thënë poeti
gjerman Getë.
Prandaj, veprimtaret Vjosë Osmani dhe
Donikë Gërvalla sikur sot të pensionohen nga politika, ato kanë kryer detyrën
qytetare dhe atdhetare, më mirë se askush tjetër. Ato do ta gëzojnë
përjetësisht respektin e shqiptarëve vendorë dhe botërorë, për shërbimin e
madh, unik, në favor të popullit, Atdheut-Kosovë dhe më gjerë në
Shqiptari.
Një mësim të veçantë, të dhënë
shqiptarëve, nga Vjosa dhe Donika, është përzgjedhja e aleancave, koalicioneve
partiake, për bashkëqeverisje. Mjerisht, kryetari i partisë, Isa Mustafa, është
katapultuar në krye të LDK-së nga Hashim Thaçi dhe SHIK-u i tij kriminal.
Rrjedhimisht, LDK-ja ishte bërë bisht dhe patericë e PDK-së. Dhe, hisedar në
udhëheqje ishte edhe Hashimi. Këtë turpërim "me tupan" nuk mund ta
duronin veprimtaret dinjitare dhe vendosen ta bëjnë ndryshimin e madh, andaj
gëzojnë lavdinë e reformatoreve, pavarësisht çmimit që mund ta paguanin.










