E hene, 06.04.2026, 12:44 AM (GMT+1)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: 'Nënë Dolores', Hyjlindësja Mari e shenjtëruar nga dhimbja dhe trishtimi

E diele, 05.04.2026, 06:55 PM


“Nënë Dolores”, Hyjlindësja Mari e shenjtëruar nga dhimbja dhe trishtimi

Nga Albert Vataj

Piktura, dhe arti në tërësi, e kanë mbrujtur përfytyrimin e Virgjëreshës Mari me një shpirt të etur për tragjizëm, duke e vendosur atë në një piedestal ku dhimbja bëhet shenjtërim. Ajo nuk është vetëm Hyjlindësja, por arketipi i çdo nëne, bartësja e jetës dhe njëherazi e barrës së sakrificës, e një dashurie tokësore që, në përmasën e saj më sublime, ngrihet në hyjni. Në këtë kuptim, Maria nuk përfaqëson thjesht një figurë teologjike, por një gjendje universale të qenies njerëzore që shenjtërohet përmes vuajtjes.

Kjo vepër na qaset si një altar i besimit, një gjunjëzore e përkorë e shpirtit, ku njeriu gjen prehjen e tij më të thellë. Ajo është një strehë ku barra e trazimtë e jetës mbështet kokën, për t’u përulur jo vetëm para hyjnores, por edhe para së vërtetës së vet të brendshme.

“Nënë Dolores” (rreth 1670–1675), një nga realizimet më të ndjera të Bartolomé Esteban Murillo, përfaqëson një nga kulmet e trajtimit piktorik të dhimbjes së Virgjëreshës. Dikur pjesë e një koleksioni privat holandez, kjo tablo mishëron me një intensitet të rrallë dramën e brendshme të nënës hyjnore. Sfondi i errët, i zhveshur nga çdo përcaktim hapësinor apo kohor, është një zgjedhje e vetëdijshme e mjeshtrit për ta bërë këtë përjetim të përhershëm, të gjithëkohshëm. Nuk kemi të bëjmë me një moment të historisë, por me një gjendje të përhershme të shpirtit.

Fytyra e Mariës, e përshkuar nga një dritë e brendshme, dhe duart e saj të shtrënguara në një gjest lutjeje, nuk janë thjesht elemente kompozicionale; ato janë gjuhë e një dakordësimi tragjik me fatin. Është një lutje që nuk kërkon ndryshim, por pranim. Një pajtim i dhimbshëm me një realitet të shkruar me shkronja gjaku dhe lotësh.

Edhe pse një vepër me tematikë fetare, ajo mbetet thellësisht njerëzore. Në strukturën e saj kompozicionale dhe në fuqinë përshkuese të emocionit, tabloja dëshmon një besnikëri të rrallë të penelit ndaj përjetimit të brendshëm. Këtu Murillo duket i pushtuar nga një yshtje intime krijuese, që e detyron të skalitë në dritë dhe hije jo vetëm figurën, por vetë stuhinë e shpirtit.

Dramaciteti i kësaj tabloje nuk është i zhurmshëm; ai është i përmbajtur, por depërtues. Dhimbja dhe pikëllimi janë trajtuar me një përkujdesje të tillë, sa bëhen të pashmangshme për çdo shikues. Nuk është thjesht një vëzhgim estetik, është një përfshirje emocionale. Ne nuk e shohim vetëm dhimbjen, ne bëhemi pjesë e saj. Përtej çdo doktrine fetare, kjo është një përvojë e pastër njerëzore, ndjesia se përmes nënës, dhimbja mbetet e ngulitur në ne si një energji e përhershme, një llavë që rrezikon të shpërthejë, jo për të shkatërruar, por për të na kujtuar mënyrën se si jeta na përfshin përmes vuajtjes.

Murillo e ka ndjerë këtë thellësisht dhe e ka materializuar me një mjeshtëri që i reziston kohës. Ai na e ofron këtë përjetim si një afërsi të përhershme me tragjiken, si një thirrje për reflektim, pendesë dhe, ndoshta, për një lloj shpagimi shpirtëror.

Historia e atribuimit të kësaj vepre është po aq intriguese sa vetë përmbajtja e saj. Në vitin 1939, kur piktura u ble në Amsterdam nga tregtarët e artit de Boer, u ngritën dyshime mbi autorësinë. Megjithatë, historiani gjerman i artit August Lieberman Mayer, një nga njohësit më të shquar të artit spanjoll të shekullit XVII, i shkroi pronarit të ri duke shprehur bindjen se ajo ishte një vepër autentike e Murillos. Në letrën e tij të 12 korrikut 1939, ai e cilësonte tablonë si një realizim të shkëlqyer, të ruajtur mirë dhe karakteristik për periudhën më të fuqishme krijuese të artistit, rreth vitit 1668.

Megjithatë, debatet mbi atribuimin nuk u shuan plotësisht. Ironikisht, vetë Mayer nuk arriti kurrë të botojë një studim të ri mbi Murillon. Si hebre, ai u përndoq nga regjimi nazist, u detyrua të largohej nga Mynihu, më pas u arratis në Paris, por përfundimisht u arrestua dhe u deportua në Auschwitz concentration camp, ku humbi jetën në vitin 1944, një fat tragjik që, në një mënyrë të dhimbshme, i përgjigjet vetë temës së kësaj pikture.

Sa i përket mjeshtrit, Bartolomé Esteban Murillo mbetet një nga figurat më të rëndësishme të pikturës baroke spanjolle. I ndikuar fillimisht nga Francisco de Zurbarán dhe më pas nga Peter Paul Rubens dhe Federico Barocci, ai zhvilloi një stil të veçantë ku realizmi ndërthuret me një ndjeshmëri të butë lirike. Përdorimi i mjeshtëruar i chiaroscuros dhe aftësia për të krijuar një dritë të mjegullt, thuajse qiellore, i japin veprave të tij një karakter të dallueshëm dhe thellësisht emocional.

“Nënë Dolores” mbetet kështu jo vetëm një vepër arti, por një përvojë e përjetshme shpirtërore, një pasqyrë ku njeriu sheh dhimbjen e shenjtëruar dhe, përmes saj, vetveten.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Ikja qiellore e Don Kelmend Spaçit, meshtarit të shpirtit të shenjtë dhe shërbestarit të shqiptarisë Albert Vataj: “Drita” e Mimoza Hafizit, ku fotonet kalojnë përmes thjerrëzave të shpirtit, për t’i dhënë kuptimësi qenies Albert Vataj: Fryma e mermerit që të lë pa frymë Albert Vataj: Letra e fundit si akt i dashurisë dhe dorëzimit të Virginia Woolf për Leonard Woolf Albert Vataj: Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në "Majat e Shalës" dhe historia një komiti Albert Vataj: Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë Albert Vataj: “Puthja e Jetës”, kur guximi mposht vdekjen dhe fotografia bëhet dëshmi e pavdekshme Albert Vataj: Rilindasit, ata që e blenë kombin... dhe këta që e shesin Albert Vataj: Leximi si dashuria, një përjetim përtej kohës dhe hapësirës Albert Vataj: William Shakespeare për gruan, një mesazh i pavdekshëm i shpirtit Albert Vataj: George Orwell dhe Aldous Huxley, ata që paralajmëruan për një botë që kërcënohej nga dhimbja dhe kënaqësia Albert Vataj: Këndimi i Himnit të Flamurit në Shkolla, detyrues me qarkore shtetërore që nga 3 marsi i vitit 1937 Albert Vataj: Ndahet nga jeta Mane Lumani, këputet zëri i dytë i "Katërshes Magjike" të "Parodistëve të Vlorës" Albert Vataj: Si e sfidoi Vatikanin, Mozarti, në moshën 14-vjeçare, duke i "vjedhur" pjesën e famshme korale Albert Vataj: Ermal Meta, me “Stella Stellina” solli në Sanremo një akt besimi në fuqinë e artit Albert Vataj: Shkodra... Shkodra asht kafshim malli Albert Vataj: Hannah Arendt, një predikuese e kurajshme e besimit te e vërteta dhe të menduarit Albert Vataj: O zog shtegtimtar, mësoja fluturimin e ardhjes dhe këndimin e shqipes, zogjve Albert Vataj: Gjurme në historinë e një kremteje Albert Vataj: Virginia Woolf mbi vetësakrifikimin e grave, si normalitet në marrëdhënie me burrat

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx