Speciale » Basha
Reagim ndaj ekspozitës që mohon gjenocidin e Serbisë në Kosovë!
E diele, 29.03.2026, 06:54 PM
Që nga themelimi i saj, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur” ka tërhequr vërejtjen rreth interpretimeve të pasakta dhe përdorimit të gabuar të terminologjisë për të përkufizuar krimet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Në
funksion të harmonizimit dhe përdorimit të saktë të terminologjisë që duhet të
përdoret, sidomos nga politikanët dhe gazetarët, si dhe për të shmangur grackën
e mohimit të gjenocidit përmes një terminologjie të papërshtatshme, Qendra
“Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur” ka publikuar doracakun “Kurthet
terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”, nga autori
Bardhyl Mahmuti, si dhe fejtonin në 46 vazhdime të librit që do të botohet në
një të ardhme të afërt, “Krimi i gjenocidit – aspekte teorike dhe studime
rasti”, nga i njëjti autor.
Fatkeqësisht,
me vetëdije apo pa vetëdije, një numër i konsiderueshëm librash të publikuar
nga autorë shqiptarë, apo të huaj e të përkthyer në gjuhën shqipe, hyjnë në
funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë.
Qendra
“Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur” shpreh revoltën e saj ndaj këtij
aktiviteti të autorit Shkëlzen Gashi, i cili, përmes ekspozitës, me paratë e
taksapaguesve të Kosovës, shpërndau sajesa të tilla që jo vetëm e shtrembërojnë
realitetin, por hyjnë edhe në funksion të mohimit të gjenocidit.
Ky
akt i papërgjegjshëm, i realizuar përmes kësaj ekspozite, ka shkaktuar një
reagim të madh të qytetarëve, aktivistëve të shoqërisë civile dhe politikanëve.
Urojmë që ky reagim të mos mbetet vetëm një reagim çasti, por të shndërrohet në
një vigjilencë të përgjithshme ndaj çdo publikimi që ka të bëjë me plagën tonë
të hapur, e cila vazhdon të kullojë gjak në pritje të ngadhënjimit të
drejtësisë.
Gjenevë, 28 mars 2026
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”
https://www.facebook.com/kosovogenocide











