E hene, 16.03.2026, 10:04 PM (GMT)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Programet dhe elaboratet serbe antishqiptare (2)

E hene, 16.03.2026, 07:00 PM


DËSHMIA E NJË ROBËRIE TË IMPONUAR

(Programet dhe elaboratet serbe antishqiptare – II)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Ne nuk kemi qenë vetëm viktima të një politike të egër, por edhe dëshmitarë të një sistemi të pamëshirshëm që na ka vënë vazhdimisht në provë. Dhe pikërisht për këtë arsye, të vërtetën tonë duhet ta tregojmë me zërin e fortë të historisë, që ajo të mos mbetet as e shtrembëruar nga ata që duan ta fshijnë, as e harruar nga ata që e kanë jetuar. Sepse lufta jonë nuk ka qenë vetëm për mbijetesë, por edhe për të mos lejuar që e vërteta të mbytet në harresën e kohës.

Jo, kjo robëri nuk ishte zgjedhja jonë. Ajo na u imponua si një prangë e rëndë mbi duart e një populli që nuk pati të drejtën të vendoste për fatin e vet. Historia nuk na pyeti, as nuk na la të zgjedhim rrugën tonë — ajo u shkrua mbi ne me dorën e huaj, me vendime të marra larg nesh, në tryeza ku ne nuk kishim vend.

Nuk e deshëm atë shtet — ish-Jugosllavinë dhe Serbinë — nuk e pranuam si shtëpinë tonë, sepse nuk ishte ndërtuar për ne, por mbi ne. Ishte një konstruksion i ngritur mbi mohimin tonë, një sistem që qëndronte në këmbë duke na shtypur, duke na përjashtuar, duke na bërë të ndiheshim të huaj në tokën tonë. Dhe megjithatë, askush nuk na pyeti. Askush nuk e dëgjoi zërin tonë kur donim të shpëtonim nga zgjedha, askush nuk e njohu të drejtën tonë për të zgjedhur lirinë.

Kështu, ne u detyruam të jetonim në një realitet që nuk ishte i yni, nën një flamur që nuk na përfaqësonte, brenda kufijve të një shteti që nuk na pa kurrë si popull. Ne ishim aty, por jo si zot të tokës sonë — ishim të detyruar të qëndronim, por gjithmonë në pritje të çlirimit. Dhe ajo pritje, ndonëse e gjatë, ndonëse e mbushur me dhimbje, asnjëherë nuk e shuajti besimin tonë se një ditë ne vetë do ta shkruajmë fatin tonë, me duart dhe me zërin tonë, ashtu siç na takon.

Me kujdes iu ktheva programeve dhe elaborateve serbe antishqiptare, duke e ndier peshën e shkrimeve të tilla si një testament të një kohe të errët. Tekst pas teksti, në dritën e fjalëve të shkruara, bëra një përzgjedhje të menduar mirë, një mozaik materialesh që, më shumë se tekste të thjeshta, ishin pasqyra e asaj mendësie që e kishte gdhendur fatin tonë ndër shekuj.

Ashtu, spontanisht, vura theksin aty ku historia kishte ngjizur tragjeditë më të mëdha — te shkrimet e Ilija Garashaninit, Ivo Andriqit, Vlladan Gjorgjeviqit, Vaso Çubrilloviqit, Sllobodan Millosheviqit e shumë të tjerëve — emra që në histori nuk janë thjesht figura të largëta, por arkitektë të një politike që e pa ekzistencën tonë si një pengesë, si një prani që duhej të fshihej, të shpërbëhej, të largohej.

Këto faqe nuk ishin të zakonshme — ato flisnin me zërin e dokumenteve që kishin ndikuar mbi fatet e qindra e mijëra njerëzve, mbi territore të djegura, mbi identitete të mohuara. Dhe nuk është thjesht përzgjedhja e materialeve ajo që e bën këtë shkrim të veçantë, por mënyra se si do t’i vendos para lexuesit, për të dëshmuar se si një ide e mbjellë në shekullin XIX u shndërrua në makthin tonë historik.

Në këtë shkrim do të mundohem t’i paraqes programet dhe elaboratet jo vetëm si dokumente arkivore të së shkuarës, por edhe si një paralajmërim të fuqishëm se historia nuk është e largët, se mendësitë që dikur u shkruan në elaboratet e ftohta burokratike, në memorandumet dhe letrat politike, ende jetojnë në hije, ende mund të zgjohen në kohë të liga. Dhe prandaj, ato nuk janë vetëm dokumente për t’u hulumtuar e për t’u lexuar thjesht si një rrëfim i së shkuarës, por si një detyrim për të kuptuar dhe për të mos harruar.

Këto dokumente nuk janë thjesht të dhëna të një kohe, por dëshmi të rënda historike, një përmbledhje materialesh që, ndonëse të ndara në kohë, përbëjnë një rrjedhë të pandalshme të mendimit dhe të politikës shtypëse serbe ndaj shqiptarëve. Përveç një hyrjeje të thjeshtë, pak më të zgjeruar, që e bëra, këtu po mundohem të shpalos një histori të errët, të dokumentuar në elaborate dhe memorandume që, përtej fjalëve, mbartnin qëllime të ftohta dhe të pamëshirshme.

Në qendër të këtij shkrimi do të vendos “Naçertaninë” e Ilija Garashaninit — draftin e vitit 1844, një program themelor të politikës së jashtme dhe kombëtare serbe, një projekt që, edhe pse i formuluar më shumë se një shekull më parë, vazhdoi të mbetej udhërrëfyes i shtetit serb në të gjitha kohërat. Prej tij buronte filozofia e shtrirjes territoriale dhe e spastrimit etnik, e cila më vonë u mishërua në veprat dhe qëndrimet e ideologëve të mëvonshëm.

Pastaj, si një gur i rëndë mbi peshën e historisë, do të paraqes edhe “Draftin për Shqipërinë” të Ivo Andriqit, të shkruar në vitin 1939 — një plan i errët që e shihte kombin shqiptar si një pengesë gjeopolitike dhe ekonomike, e cila duhej të asimilohej ose të zhbëhej në emër të interesave serbe.

Ky shkrim e çon lexuesin më tej, duke i shpalosur programin e Vlladan Gjorgjeviqit, “Arnautët dhe Fuqitë e Mëdha”, një tjetër dokument që përpiqej t’i paraqiste shqiptarët si një pengesë për ekspansionin serb, si një element që duhej kontrolluar ose zhdukur. Po këtu do të trajtoj edhe memorandumin famëkeq të Vasa Çubrilloviqit, “Dëbimi i shqiptarëve” i vitit 1938, një plan që, me një cinizëm të ftohtë, përshkruante metodat për shpopullimin e trojeve shqiptare dhe që kulmoi me marrëveshjen për dëbimin e popullsisë myslimane në Turqi. Çubrilloviqi, i cili mbeti zë i politikave shfarosëse për dekada, kishte formuluar më vonë edhe një tjetër dokument, “Problemet e pakicave në Jugosllavinë e re: Memorandum”, ku përpiqej të justifikonte fushatat e spastrimit etnik si një domosdoshmëri shtetërore.

Dhe krejt në fund, si një përmbyllje e një tradite të gjatë të strategjive shfarosëse, ishte Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, i vitit 1986 — një dokument që do të shndërrohej në gurthemelin e politikave të Millosheviqit, një thirrje për të realizuar ëndrrën e kahershme të Serbisë së Madhe.

Ky shkrim nuk do të jetë vetëm një përmbledhje dokumentesh, por një dëshmi e drejtpërdrejtë e një politike të pandërprerë të zhdukjes, e një qëllimi të strukturuar ndër shekuj, që nuk ishte as spontan dhe as i rastësishëm. Ai është një ftesë për ta kuptuar të vërtetën, për të parë se si ideologjia shndërrohet në krim dhe për të mos harruar kurrë se historia përsëritet vetëm atëherë kur e vërteta mbetet e pazbuluar dhe e pashkruar.

Por historia nuk përfundon në padrejtësi. Ajo përkulet vetëm para qëndresës dhe vazhdon të shkruhet nga ata që nuk dorëzohen. Dhe për sa kohë që gjaku shqiptar pulson me të njëjtën dëshirë për liri, për bashkim, për drejtësi, amaneti i Lidhjes së Prizrenit nuk do të shuhet kurrë. Ai mbetet një flakë që nuk tretet, një betim që nuk thyhet, një e drejtë që nuk mund të mohohet.

Nuk ishin vetëm lufta dhe pushtimi mjetet e tyre; ishin trysnia dhe dhuna, terrori dhe vrasjet, zhbërja e identitetit dhe zhdukja e kujtesës. Ata përdorën shpërnguljet masive, duke i dëbuar shqiptarët nga shtëpitë e tyre, duke i detyruar të iknin larg, në udhë të panjohura, pa të drejtë kthimi. Dhe ata që mbeteshin, ata që zgjidhnin të mos largoheshin, përballeshin me një tjetër formë dhune: shkombëtarizimin, shuarjen e gjuhës, të emrit, të historisë, një shndërrim të ngadaltë e të dhimbshëm në një tjetër popull që nuk ishte i tyre. Në anën tjetër, tokat që mbeteshin bosh mbusheshin me kolonë serbo-sllavë, që vinin jo si fqinjë, por si zëvendësues të një populli që duhej të zhdukej.

Por historia nuk i harroi këto plagë, nuk i fshehu në harresë. Sepse toka që ka njohur gjakun e të parëve, gjuha që ka mbijetuar mes furtunave, kujtesa e një populli që ka parë padrejtësi të panumërta, nuk mund të zhduken kurrë. Edhe pse shtypja ishte e egër, edhe pse dhuna ishte e pandërprerë, shqiptarët nuk u shuan, nuk u zhbënë. Ata i mbijetuan furtunës, sepse ishin më të vjetër se ajo, më të fortë se ajo, sepse ishin të lidhur me tokën e tyre në një mënyrë që asnjë pushtues nuk mund ta zhbënte. Dhe kështu, ata vazhduan të jetojnë, të ruajnë gjuhën, të ruajnë emrin, të ruajnë kujtimin — sepse historia mund t’i ndryshojë sundimtarët, por kurrë nuk mund t’i fshijë rrënjët e një kombi të vjetër sa vetë drita e parë e këtij trualli.

Historia shpesh i maskon padrejtësitë e saj, duke i fshehur pas retorikës së fqinjësisë, pas hartave të vizatuara me dhunë, pas kronikave që nuk e rrëfejnë të vërtetën e atyre që i përjetuan mbi shpatullat e tyre.

Tkurrja e hapësirës shqiptare nuk ndodhi në mënyrë të natyrshme, por si rezultat i një skenari të shkruar me gjak, me deportime, me asimilim dhe shfarosje, një strategji që përsëritej me një saktësi të ftohtë, një skenar që historia e njohu dhe e pa në shumë vende, por rrallëherë me kaq qëndrueshmëri e egërsi. Pushtimi nuk ishte vetëm ushtarak, por edhe kulturor, gjuhësor dhe shpirtëror — një përpjekje e qëllimshme për të zhdukur çdo gjurmë të shqiptarëve, për t’i zhbërë nga kujtesa historike, për t’i bërë të padukshëm në vendin e tyre.

Nuk ishte vetëm dhuna e çastit ajo që e plagosi këtë komb, por një dhunë e planifikuar, e legjitimuar, e shkruar me rregull e me kujdes në programet e pushtetit serb, duke e bërë shfarosjen dhe dëbimin e shqiptarëve politikë shtetërore, një mision që kalonte nga një brez në tjetrin, duke u bërë pjesë e çdo projekti politik që Serbia ka hartuar kundër shqiptarëve.

Jo një, jo dy, por tridhjetë e dy programe të plota mbajnë brenda tyre aktin e një gjenocidi të përhershëm, një dokumentim të planeve që s’lanë rrugë pa provuar — nga vrasjet në masë, nga dëbimet e dhunshme, deri te zhdukja e gjuhës dhe identitetit të atyre që mbeteshin. Këto dokumente gjenden sot në arkivat e Serbisë dhe të ish-Jugosllavisë, si dëshmi të një krimi të vazhdueshëm, të një projekti që nuk u ndal kurrë, që ndryshonte formë, por jo përmbajtje.

Në këtë kronikë të errët të Ballkanit, shqiptarët nuk janë thjesht viktimat e një agresioni, por edhe dëshmia e një qëndrese që nuk u shua kurrë. Për çdo copë toke të marrë, për çdo brez të përzënë, për çdo emër të ndaluar e për çdo varr të rrënuar, ka një kujtesë që nuk fshihet, një histori që nuk shuhet, një popull që mbetet në këmbë, për të treguar se toka e të parëve nuk mund të tjetërsohet, se historia mund të përpiqet të heshtë, por e vërteta gjithmonë flet më fort.

Edhe pse shumë projekte, plane dhe elaborate serbe kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë janë endur si fije të errëta nëpër pëlhurën e historisë, duke u shkruar qysh në kohët më të hershme, si vdekje të kurdisura për një popull të tërë, zbatimi i tyre nuk mbeti kurrë peng i së kaluarës. Përkundrazi, si një hije e rëndë mbi fatin e shqiptarëve, ato gjetën jetë dhe formë edhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur shteti i “ri” socialist, që pretendonte barazi dhe vëllazëri midis popujve, u shndërrua në një skenë të errët të gjenocidit dhe krimeve të papara.

Në emër të një ideologjie që shpallte emancipimin dhe të ardhmen e ndritur, në prapaskenat e saj u zgjatën duar të ftohta që shtrëngonin fytin e një populli, duke ia cunguar të drejtën për të ekzistuar. Elaboratet nuk mbetën vetëm letër e shkruar, por u bënë udhërrëfyes për masakra, dëbime dhe asimilim të heshtur, për burgje që mbusheshin me njerëz vetëm pse flisnin gjuhën e tyre, për toka që thaheshin jo nga dielli, por nga mungesa e duarve që dikur i punonin me dashuri.

Shteti i “ri” socialist, i ngjizur mbi premtime të rreme, u bë skenë e një tragjedie të përsëritur: qytetet shqiptare u zbrazën me dhunë, mbi fshatrat e vjetër ranë hije të reja, dhe mbi të gjitha u tentua të shuhej vetë shpirti i një kombi. Në heshtje ose me britma që thyenin muret e burgjeve, shqiptarët u bënë viktima të një plani që nuk njihte as mëshirë, as drejtësi. Gjenocidi nuk kishte më fytyrën e përbindëshit që vjen me shpata dhe zjarr, por atë të burokratëve të ftohtë, të vendimeve të nënshkruara në errësirën e zyrave dhe të urdhrave të dhëna në gjuhën e një pushteti që ushqehej me mohimin e tjetrit.

Dhe kështu, historia vazhdoi të lëndohej, e kombi vazhdoi të paguante çmimin e mbijetesës, ndërsa të vërtetat e këtyre krimeve u përpoqën të mbuloheshin me pluhurin e harresës. Por, si çdo plagë e hapur, as kjo nuk mund të mbetej përgjithmonë e padukshme — ngjarjet e dhimbshme, të gdhendura në kujtesën e brezave, e tregojnë me zë të lartë se edhe pas Luftës së Dytë Botërore, edhe në shekullin e lirisë së shpallur, zinxhirët e robërisë u ndërruan vetëm me emra të rinj.

Urrejtja, e fshehur nën petkun e studimeve akademike dhe e artikuluar në gjuhën e mendjemadhësisë intelektuale, nuk ishte thjesht një ndjenjë kalimtare, por një projekt i menduar thellësisht, i kodifikuar në dokumente e plane që synonin eliminimin e një populli të tërë. Programet antishqiptare nuk mbetën vegla të errëta të politikës së ditës, por u sofistikuan, u stilizuan dhe u legjitimuan nga vetë institucionet më të larta të shkencës dhe artit në Serbi. Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë, që duhej të ishte një tempull dijesh, u bë një punishte ku farkëtoheshin strategji për zhdukjen e një kombi, ku hartat nuk shërbenin për të studiuar gjeografinë, por për të vizatuar kufijtë e zhdukjes, ku gjuha nuk ishte mjet komunikimi, por armë për të mohuar ekzistencën e një historie.

Këto projekte nuk ishin thjesht teori të ftohta të mendjeve të izoluara në zyrat akademike, por udhërrëfyes konkretë për copëtimin, uzurpimin, shpërnguljen dhe eliminimin e shqiptarëve nga trojet e tyre. Nuk ishte vetëm një propagandë kalimtare, një valë armiqësie që do të shuhej me kohën — ishte një doktrinë e mirëmenduar, e dokumentuar dhe e përjetësuar në radhët e akademikëve, politikanëve dhe ideologëve që nuk njihnin kufij në përpjekjet e tyre për ta bërë shqiptarin të huaj në tokën e vet. Nuk u ndalën në të kaluarën; përkundrazi, urrejtja e tyre vazhdoi të ushqehej, duke u ringjallur në çdo epokë me emra të rinj dhe me metoda gjithnjë e më të sofistikuara.

Dhe edhe pse historia ka shkruar shumë për këto përpjekje të pamëshirshme, pena e helmatisur nuk është ndalur as sot. Edhe tani, në kohën e globalizimit dhe të ligjëratave për të drejtat e njeriut, në akademitë serbe ende hartohen skenarë për mohimin e shqiptarëve, ende mbushen faqet me argumente të rreme për të justifikuar krime të mohuara, ende kërkohet një mënyrë për ta mbajtur të hapur plagën e një kombi që nuk pranoi të shuhet. Dhe kështu, historia nuk bëhet më e lehtë, por më e rëndë, sepse padrejtësia e pashlyer nuk vjetrohet — ajo vetëm grumbullon dhimbje të reja mbi supet e një populli që ende lufton për të qenë zot i vetes në tokën e tij.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vend që të lulëzonte liria dhe të triumfonte e drejta, mbi shqiptarët u derdh një perandori e re padrejtësish. Kosova, e cila u aneksua nga Serbia me pahir, nuk u pa më si një tokë me histori e me njerëz që kishin të drejtë mbi të, por si një hapësirë që duhej kontrolluar, nënshtruar dhe zbrazur. Nuk ishin më vetëm vendime të fshehta apo ide që përvijoheshin në heshtje; programet serbe kundër shqiptarëve u shndërruan në sistem, u futën në ligj dhe morën vulën e legalitetit, duke u bërë mekanizma të institucioneve, të shkollave, të policisë, të ushtrisë dhe të akademive.

Asgjë nuk mbeti jashtë rrjetës së këtij plani famëkeq. Ishte një projekt i gdhendur në vetë trupin e shtetit, një orvatje e organizuar për ta bërë shqiptarin të huaj në shtëpinë e tij. Dhe kështu, çdo tragjedi që pasoi — çdo dhimbje, çdo zhdukje, çdo shtypje — nuk ishte veçse pjellë e programeve që synonin shuarjen e qenies shqiptare në Jugosllavi. Jo një aksident i historisë, por një veprim i ftohtë, i qëllimshëm dhe i orkestruar.

Përmes një rrjeti të shtrirë në të gjitha sferat e jetës, çdo hap që bënte shqiptari mbikëqyrej, çdo ëndërr e tij kufizohej, çdo përpjekje për dinjitet shtypej. Gjuha e tij shihej si kërcënim, flamuri i tij ndalohej si herezi, kultura e tij përballej me përpjekje për asgjësim. Dhe kur këto metoda nuk mjaftonin, dhuna merrte skenën. Kampet e punës, burgjet politike, shpërnguljet e organizuara, masakrat e heshtura — të gjitha ishin vetëm aktet e një drame të shkruar në zyrat e akademikëve dhe politikanëve që nuk shihnin shqiptar, por vetëm një pengesë që duhej fshirë.

Vijon



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Basha: Programet dhe elaboratet serbe antishqiptare (1) Sabile Basha: 11 marsi – dita kur Kosova tha 'Boll më' Sabile Basha: Kujtesa e një barbarie shtetërore - homazh për Epopën e Prekazit Sabile Basha: Bacë Adem Demaçi – historia që ecën mes nesh Sabile Basha: Nataliteti – lindshmëria në Kosovë në optikën e demografit Prof. Dr. Tefik Bashës Sabile Basha: E vërteta për UÇK-në nuk guxon të heshtë Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha: Kosova 1950–1969 në dritën e dokumenteve arkivore Sabile Keçmezi-Basha: Kombi im i mrekullueshëm në mbrojtje të së vërtetës Sabile Basha: Në Hagë po gjykohet liria Sabile Basha: Universiteti i Prishtinës në rrugën drejt lirisë – 56-vjetori i themelimit Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (62) Sabile Basha: Kur drejtësia flet ftohtë, dhimbja flet shqip Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (61) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (60) Sabile Basha: Një klithmë për të mos harruar Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (59) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (58) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (57) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (56) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (55)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx