Speciale » Basha
Sabile Basha: Programet dhe elaboratet serbe antishqiptare (2)
E hene, 16.03.2026, 07:00 PM
DËSHMIA E NJË ROBËRIE TË IMPONUAR
(Programet
dhe elaboratet serbe antishqiptare – II)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Ne
nuk kemi qenë vetëm viktima të një politike të egër, por edhe dëshmitarë të një
sistemi të pamëshirshëm që na ka vënë vazhdimisht në provë. Dhe pikërisht për
këtë arsye, të vërtetën tonë duhet ta tregojmë me zërin e fortë të historisë,
që ajo të mos mbetet as e shtrembëruar nga ata që duan ta fshijnë, as e harruar
nga ata që e kanë jetuar. Sepse lufta jonë nuk ka qenë vetëm për mbijetesë, por
edhe për të mos lejuar që e vërteta të mbytet në harresën e kohës.
Jo,
kjo robëri nuk ishte zgjedhja jonë. Ajo na u imponua si një prangë e rëndë mbi
duart e një populli që nuk pati të drejtën të vendoste për fatin e vet.
Historia nuk na pyeti, as nuk na la të zgjedhim rrugën tonë — ajo u shkrua mbi
ne me dorën e huaj, me vendime të marra larg nesh, në tryeza ku ne nuk kishim
vend.
Nuk
e deshëm atë shtet — ish-Jugosllavinë dhe Serbinë — nuk e pranuam si shtëpinë
tonë, sepse nuk ishte ndërtuar për ne, por mbi ne. Ishte një konstruksion i
ngritur mbi mohimin tonë, një sistem që qëndronte në këmbë duke na shtypur,
duke na përjashtuar, duke na bërë të ndiheshim të huaj në tokën tonë. Dhe
megjithatë, askush nuk na pyeti. Askush nuk e dëgjoi zërin tonë kur donim të
shpëtonim nga zgjedha, askush nuk e njohu të drejtën tonë për të zgjedhur
lirinë.
Kështu,
ne u detyruam të jetonim në një realitet që nuk ishte i yni, nën një flamur që
nuk na përfaqësonte, brenda kufijve të një shteti që nuk na pa kurrë si popull.
Ne ishim aty, por jo si zot të tokës sonë — ishim të detyruar të qëndronim, por
gjithmonë në pritje të çlirimit. Dhe ajo pritje, ndonëse e gjatë, ndonëse e
mbushur me dhimbje, asnjëherë nuk e shuajti besimin tonë se një ditë ne vetë do
ta shkruajmë fatin tonë, me duart dhe me zërin tonë, ashtu siç na takon.
Me
kujdes iu ktheva programeve dhe elaborateve serbe antishqiptare, duke e ndier
peshën e shkrimeve të tilla si një testament të një kohe të errët. Tekst pas
teksti, në dritën e fjalëve të shkruara, bëra një përzgjedhje të menduar mirë,
një mozaik materialesh që, më shumë se tekste të thjeshta, ishin pasqyra e asaj
mendësie që e kishte gdhendur fatin tonë ndër shekuj.
Ashtu,
spontanisht, vura theksin aty ku historia kishte ngjizur tragjeditë më të mëdha
— te shkrimet e Ilija Garashaninit, Ivo Andriqit, Vlladan Gjorgjeviqit, Vaso
Çubrilloviqit, Sllobodan Millosheviqit e shumë të tjerëve — emra që në histori
nuk janë thjesht figura të largëta, por arkitektë të një politike që e pa
ekzistencën tonë si një pengesë, si një prani që duhej të fshihej, të
shpërbëhej, të largohej.
Këto
faqe nuk ishin të zakonshme — ato flisnin me zërin e dokumenteve që kishin
ndikuar mbi fatet e qindra e mijëra njerëzve, mbi territore të djegura, mbi
identitete të mohuara. Dhe nuk është thjesht përzgjedhja e materialeve ajo që e
bën këtë shkrim të veçantë, por mënyra se si do t’i vendos para lexuesit, për
të dëshmuar se si një ide e mbjellë në shekullin XIX u shndërrua në makthin
tonë historik.
Në
këtë shkrim do të mundohem t’i paraqes programet dhe elaboratet jo vetëm si
dokumente arkivore të së shkuarës, por edhe si një paralajmërim të fuqishëm se
historia nuk është e largët, se mendësitë që dikur u shkruan në elaboratet e
ftohta burokratike, në memorandumet dhe letrat politike, ende jetojnë në hije,
ende mund të zgjohen në kohë të liga. Dhe prandaj, ato nuk janë vetëm dokumente
për t’u hulumtuar e për t’u lexuar thjesht si një rrëfim i së shkuarës, por si
një detyrim për të kuptuar dhe për të mos harruar.
Këto
dokumente nuk janë thjesht të dhëna të një kohe, por dëshmi të rënda historike,
një përmbledhje materialesh që, ndonëse të ndara në kohë, përbëjnë një rrjedhë
të pandalshme të mendimit dhe të politikës shtypëse serbe ndaj shqiptarëve.
Përveç një hyrjeje të thjeshtë, pak më të zgjeruar, që e bëra, këtu po mundohem
të shpalos një histori të errët, të dokumentuar në elaborate dhe memorandume
që, përtej fjalëve, mbartnin qëllime të ftohta dhe të pamëshirshme.
Në
qendër të këtij shkrimi do të vendos “Naçertaninë” e Ilija Garashaninit —
draftin e vitit 1844, një program themelor të politikës së jashtme dhe
kombëtare serbe, një projekt që, edhe pse i formuluar më shumë se një shekull
më parë, vazhdoi të mbetej udhërrëfyes i shtetit serb në të gjitha kohërat.
Prej tij buronte filozofia e shtrirjes territoriale dhe e spastrimit etnik, e
cila më vonë u mishërua në veprat dhe qëndrimet e ideologëve të mëvonshëm.
Pastaj,
si një gur i rëndë mbi peshën e historisë, do të paraqes edhe “Draftin për
Shqipërinë” të Ivo Andriqit, të shkruar në vitin 1939 — një plan i errët që e
shihte kombin shqiptar si një pengesë gjeopolitike dhe ekonomike, e cila duhej
të asimilohej ose të zhbëhej në emër të interesave serbe.
Ky
shkrim e çon lexuesin më tej, duke i shpalosur programin e Vlladan
Gjorgjeviqit, “Arnautët dhe Fuqitë e Mëdha”, një tjetër dokument që përpiqej
t’i paraqiste shqiptarët si një pengesë për ekspansionin serb, si një element
që duhej kontrolluar ose zhdukur. Po këtu do të trajtoj edhe memorandumin
famëkeq të Vasa Çubrilloviqit, “Dëbimi i shqiptarëve” i vitit 1938, një plan
që, me një cinizëm të ftohtë, përshkruante metodat për shpopullimin e trojeve
shqiptare dhe që kulmoi me marrëveshjen për dëbimin e popullsisë myslimane në
Turqi. Çubrilloviqi, i cili mbeti zë i politikave shfarosëse për dekada, kishte
formuluar më vonë edhe një tjetër dokument, “Problemet e pakicave në Jugosllavinë
e re: Memorandum”, ku përpiqej të justifikonte fushatat e spastrimit etnik si
një domosdoshmëri shtetërore.
Dhe
krejt në fund, si një përmbyllje e një tradite të gjatë të strategjive
shfarosëse, ishte Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, i
vitit 1986 — një dokument që do të shndërrohej në gurthemelin e politikave të
Millosheviqit, një thirrje për të realizuar ëndrrën e kahershme të Serbisë së
Madhe.
Ky
shkrim nuk do të jetë vetëm një përmbledhje dokumentesh, por një dëshmi e
drejtpërdrejtë e një politike të pandërprerë të zhdukjes, e një qëllimi të
strukturuar ndër shekuj, që nuk ishte as spontan dhe as i rastësishëm. Ai është
një ftesë për ta kuptuar të vërtetën, për të parë se si ideologjia shndërrohet
në krim dhe për të mos harruar kurrë se historia përsëritet vetëm atëherë kur e
vërteta mbetet e pazbuluar dhe e pashkruar.
Por
historia nuk përfundon në padrejtësi. Ajo përkulet vetëm para qëndresës dhe
vazhdon të shkruhet nga ata që nuk dorëzohen. Dhe për sa kohë që gjaku shqiptar
pulson me të njëjtën dëshirë për liri, për bashkim, për drejtësi, amaneti i
Lidhjes së Prizrenit nuk do të shuhet kurrë. Ai mbetet një flakë që nuk tretet,
një betim që nuk thyhet, një e drejtë që nuk mund të mohohet.
Nuk
ishin vetëm lufta dhe pushtimi mjetet e tyre; ishin trysnia dhe dhuna, terrori
dhe vrasjet, zhbërja e identitetit dhe zhdukja e kujtesës. Ata përdorën
shpërnguljet masive, duke i dëbuar shqiptarët nga shtëpitë e tyre, duke i
detyruar të iknin larg, në udhë të panjohura, pa të drejtë kthimi. Dhe ata që
mbeteshin, ata që zgjidhnin të mos largoheshin, përballeshin me një tjetër
formë dhune: shkombëtarizimin, shuarjen e gjuhës, të emrit, të historisë, një
shndërrim të ngadaltë e të dhimbshëm në një tjetër popull që nuk ishte i tyre.
Në anën tjetër, tokat që mbeteshin bosh mbusheshin me kolonë serbo-sllavë, që
vinin jo si fqinjë, por si zëvendësues të një populli që duhej të zhdukej.
Por
historia nuk i harroi këto plagë, nuk i fshehu në harresë. Sepse toka që ka
njohur gjakun e të parëve, gjuha që ka mbijetuar mes furtunave, kujtesa e një
populli që ka parë padrejtësi të panumërta, nuk mund të zhduken kurrë. Edhe pse
shtypja ishte e egër, edhe pse dhuna ishte e pandërprerë, shqiptarët nuk u
shuan, nuk u zhbënë. Ata i mbijetuan furtunës, sepse ishin më të vjetër se ajo,
më të fortë se ajo, sepse ishin të lidhur me tokën e tyre në një mënyrë që
asnjë pushtues nuk mund ta zhbënte. Dhe kështu, ata vazhduan të jetojnë, të
ruajnë gjuhën, të ruajnë emrin, të ruajnë kujtimin — sepse historia mund t’i
ndryshojë sundimtarët, por kurrë nuk mund t’i fshijë rrënjët e një kombi të
vjetër sa vetë drita e parë e këtij trualli.
Historia
shpesh i maskon padrejtësitë e saj, duke i fshehur pas retorikës së fqinjësisë,
pas hartave të vizatuara me dhunë, pas kronikave që nuk e rrëfejnë të vërtetën
e atyre që i përjetuan mbi shpatullat e tyre.
Tkurrja
e hapësirës shqiptare nuk ndodhi në mënyrë të natyrshme, por si rezultat i një
skenari të shkruar me gjak, me deportime, me asimilim dhe shfarosje, një
strategji që përsëritej me një saktësi të ftohtë, një skenar që historia e
njohu dhe e pa në shumë vende, por rrallëherë me kaq qëndrueshmëri e egërsi.
Pushtimi nuk ishte vetëm ushtarak, por edhe kulturor, gjuhësor dhe shpirtëror —
një përpjekje e qëllimshme për të zhdukur çdo gjurmë të shqiptarëve, për t’i
zhbërë nga kujtesa historike, për t’i bërë të padukshëm në vendin e tyre.
Nuk
ishte vetëm dhuna e çastit ajo që e plagosi këtë komb, por një dhunë e
planifikuar, e legjitimuar, e shkruar me rregull e me kujdes në programet e
pushtetit serb, duke e bërë shfarosjen dhe dëbimin e shqiptarëve politikë
shtetërore, një mision që kalonte nga një brez në tjetrin, duke u bërë pjesë e
çdo projekti politik që Serbia ka hartuar kundër shqiptarëve.
Jo
një, jo dy, por tridhjetë e dy programe të plota mbajnë brenda tyre aktin e një
gjenocidi të përhershëm, një dokumentim të planeve që s’lanë rrugë pa provuar —
nga vrasjet në masë, nga dëbimet e dhunshme, deri te zhdukja e gjuhës dhe
identitetit të atyre që mbeteshin. Këto dokumente gjenden sot në arkivat e
Serbisë dhe të ish-Jugosllavisë, si dëshmi të një krimi të vazhdueshëm, të një
projekti që nuk u ndal kurrë, që ndryshonte formë, por jo përmbajtje.
Në
këtë kronikë të errët të Ballkanit, shqiptarët nuk janë thjesht viktimat e një
agresioni, por edhe dëshmia e një qëndrese që nuk u shua kurrë. Për çdo copë
toke të marrë, për çdo brez të përzënë, për çdo emër të ndaluar e për çdo varr
të rrënuar, ka një kujtesë që nuk fshihet, një histori që nuk shuhet, një
popull që mbetet në këmbë, për të treguar se toka e të parëve nuk mund të
tjetërsohet, se historia mund të përpiqet të heshtë, por e vërteta gjithmonë
flet më fort.
Edhe
pse shumë projekte, plane dhe elaborate serbe kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë
janë endur si fije të errëta nëpër pëlhurën e historisë, duke u shkruar qysh në
kohët më të hershme, si vdekje të kurdisura për një popull të tërë, zbatimi i
tyre nuk mbeti kurrë peng i së kaluarës. Përkundrazi, si një hije e rëndë mbi
fatin e shqiptarëve, ato gjetën jetë dhe formë edhe pas Luftës së Dytë
Botërore, kur shteti i “ri” socialist, që pretendonte barazi dhe vëllazëri
midis popujve, u shndërrua në një skenë të errët të gjenocidit dhe krimeve të
papara.
Në
emër të një ideologjie që shpallte emancipimin dhe të ardhmen e ndritur, në
prapaskenat e saj u zgjatën duar të ftohta që shtrëngonin fytin e një populli,
duke ia cunguar të drejtën për të ekzistuar. Elaboratet nuk mbetën vetëm letër
e shkruar, por u bënë udhërrëfyes për masakra, dëbime dhe asimilim të heshtur,
për burgje që mbusheshin me njerëz vetëm pse flisnin gjuhën e tyre, për toka që
thaheshin jo nga dielli, por nga mungesa e duarve që dikur i punonin me
dashuri.
Shteti
i “ri” socialist, i ngjizur mbi premtime të rreme, u bë skenë e një tragjedie
të përsëritur: qytetet shqiptare u zbrazën me dhunë, mbi fshatrat e vjetër ranë
hije të reja, dhe mbi të gjitha u tentua të shuhej vetë shpirti i një kombi. Në
heshtje ose me britma që thyenin muret e burgjeve, shqiptarët u bënë viktima të
një plani që nuk njihte as mëshirë, as drejtësi. Gjenocidi nuk kishte më
fytyrën e përbindëshit që vjen me shpata dhe zjarr, por atë të burokratëve të
ftohtë, të vendimeve të nënshkruara në errësirën e zyrave dhe të urdhrave të
dhëna në gjuhën e një pushteti që ushqehej me mohimin e tjetrit.
Dhe
kështu, historia vazhdoi të lëndohej, e kombi vazhdoi të paguante çmimin e
mbijetesës, ndërsa të vërtetat e këtyre krimeve u përpoqën të mbuloheshin me
pluhurin e harresës. Por, si çdo plagë e hapur, as kjo nuk mund të mbetej
përgjithmonë e padukshme — ngjarjet e dhimbshme, të gdhendura në kujtesën e
brezave, e tregojnë me zë të lartë se edhe pas Luftës së Dytë Botërore, edhe në
shekullin e lirisë së shpallur, zinxhirët e robërisë u ndërruan vetëm me emra
të rinj.
Urrejtja,
e fshehur nën petkun e studimeve akademike dhe e artikuluar në gjuhën e
mendjemadhësisë intelektuale, nuk ishte thjesht një ndjenjë kalimtare, por një
projekt i menduar thellësisht, i kodifikuar në dokumente e plane që synonin
eliminimin e një populli të tërë. Programet antishqiptare nuk mbetën vegla të
errëta të politikës së ditës, por u sofistikuan, u stilizuan dhe u legjitimuan
nga vetë institucionet më të larta të shkencës dhe artit në Serbi. Akademia e
Shkencave dhe Arteve e Serbisë, që duhej të ishte një tempull dijesh, u bë një
punishte ku farkëtoheshin strategji për zhdukjen e një kombi, ku hartat nuk
shërbenin për të studiuar gjeografinë, por për të vizatuar kufijtë e zhdukjes,
ku gjuha nuk ishte mjet komunikimi, por armë për të mohuar ekzistencën e një
historie.
Këto
projekte nuk ishin thjesht teori të ftohta të mendjeve të izoluara në zyrat
akademike, por udhërrëfyes konkretë për copëtimin, uzurpimin, shpërnguljen dhe
eliminimin e shqiptarëve nga trojet e tyre. Nuk ishte vetëm një propagandë
kalimtare, një valë armiqësie që do të shuhej me kohën — ishte një doktrinë e
mirëmenduar, e dokumentuar dhe e përjetësuar në radhët e akademikëve,
politikanëve dhe ideologëve që nuk njihnin kufij në përpjekjet e tyre për ta
bërë shqiptarin të huaj në tokën e vet. Nuk u ndalën në të kaluarën;
përkundrazi, urrejtja e tyre vazhdoi të ushqehej, duke u ringjallur në çdo
epokë me emra të rinj dhe me metoda gjithnjë e më të sofistikuara.
Dhe
edhe pse historia ka shkruar shumë për këto përpjekje të pamëshirshme, pena e
helmatisur nuk është ndalur as sot. Edhe tani, në kohën e globalizimit dhe të
ligjëratave për të drejtat e njeriut, në akademitë serbe ende hartohen skenarë
për mohimin e shqiptarëve, ende mbushen faqet me argumente të rreme për të
justifikuar krime të mohuara, ende kërkohet një mënyrë për ta mbajtur të hapur
plagën e një kombi që nuk pranoi të shuhet. Dhe kështu, historia nuk bëhet më e
lehtë, por më e rëndë, sepse padrejtësia e pashlyer nuk vjetrohet — ajo vetëm
grumbullon dhimbje të reja mbi supet e një populli që ende lufton për të qenë
zot i vetes në tokën e tij.
Pas
përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vend që të lulëzonte liria dhe të
triumfonte e drejta, mbi shqiptarët u derdh një perandori e re padrejtësish.
Kosova, e cila u aneksua nga Serbia me pahir, nuk u pa më si një tokë me
histori e me njerëz që kishin të drejtë mbi të, por si një hapësirë që duhej
kontrolluar, nënshtruar dhe zbrazur. Nuk ishin më vetëm vendime të fshehta apo
ide që përvijoheshin në heshtje; programet serbe kundër shqiptarëve u
shndërruan në sistem, u futën në ligj dhe morën vulën e legalitetit, duke u
bërë mekanizma të institucioneve, të shkollave, të policisë, të ushtrisë dhe të
akademive.
Asgjë
nuk mbeti jashtë rrjetës së këtij plani famëkeq. Ishte një projekt i gdhendur
në vetë trupin e shtetit, një orvatje e organizuar për ta bërë shqiptarin të
huaj në shtëpinë e tij. Dhe kështu, çdo tragjedi që pasoi — çdo dhimbje, çdo
zhdukje, çdo shtypje — nuk ishte veçse pjellë e programeve që synonin shuarjen
e qenies shqiptare në Jugosllavi. Jo një aksident i historisë, por një veprim i
ftohtë, i qëllimshëm dhe i orkestruar.
Përmes
një rrjeti të shtrirë në të gjitha sferat e jetës, çdo hap që bënte shqiptari
mbikëqyrej, çdo ëndërr e tij kufizohej, çdo përpjekje për dinjitet shtypej.
Gjuha e tij shihej si kërcënim, flamuri i tij ndalohej si herezi, kultura e tij
përballej me përpjekje për asgjësim. Dhe kur këto metoda nuk mjaftonin, dhuna
merrte skenën. Kampet e punës, burgjet politike, shpërnguljet e organizuara,
masakrat e heshtura — të gjitha ishin vetëm aktet e një drame të shkruar në
zyrat e akademikëve dhe politikanëve që nuk shihnin shqiptar, por vetëm një
pengesë që duhej fshirë.
Vijon









