E premte, 13.02.2026, 02:04 AM (GMT)

Kulturë

Sef Krasniqi: “Lufta ime për Kosovën” e Rexhep Shahut

E enjte, 12.02.2026, 06:54 PM



''LUFTA IME PËR KOSOVËN'' e Rexhep SHAHUT

Nga Sef Krasniqi

Një rrëfim ndryshe, pa zbukurime, pa mite dhe legjenda të trilluara.

Libri "Lufta ime për Kosovën" i Rexhep Shahut është më shumë se një vepër letrare; është një dëshmi e drejtpërdrejtë e një periudhe vendimtare për historinë e çlirimit të Kosovës, për historinë kombëtare. Është një libër që lind në zjarrin e luftës ku s'ka dragojë që fluturojnë, as zana mali, por ushtarë - të ardhur nga katër anët e botës - që luftojnë me shpirt për çlirimin e Kosovës.

Forca kryesore e librit është besueshmëria, sepse autori flet si dëshmitar dhe si patriot, si shqiptar (i Kosovës) duke e lënë realitetin të shfaqet pa zbukurime dhe pa gjykime të imponuara. Shkrimet janë të bëra aty për aty – reportazhe, shënime, portrete – që ruajnë freskinë dhe sinqeritetin e çastit, që kur i lexon, edhe pse kanë kaluar më shumë se një çerek shekulli, fiton përshtypjen që kanë ndodhur dje.

Stili i Rexhep Shahut është i thjeshtë, i rrjedhshëm dhe kështu ai arrin të përcjellë dramën, dhimbjen dhe paradokset e luftës. Personazhet paraqiten si individë të ndryshëm, me karaktere të veçanta, larg skemave artificiale, të zmadhuara për hir të një patriotizmi të sajuar, as të zvogëluara për mungesë të simpatisë ndaj ndonjë luftëtari apo grupi.

Libri ka vlerë të veçantë edhe si burim për studiuesit, sepse sjell detaje dhe ngjarje të rëndësishme të treguara me përpikshmëri, duke e ndihmuar lexuesin të kuptojë më thellë kohën dhe rrethanat e luftës.

Në përfundim, "Lufta ime për Kosovën" është një libër që nuk duhet anashkaluar. Është një dëshmi e ndershme dhe e domosdoshme, që meriton të lexohet nga çdo shqiptar kudo që jeton.

Krahasim

Edhe pse krahasimet shpesh nuk janë të lavdishme, « Lufta ime për Kosovën » e Rexhep Shahut dhe Iliada e Homerit, ndonëse të ndara nga mijëra vite dhe kontekste të ndryshme historike, lidhen nga tema e përbashkët e luftës për nder, atdhe dhe identitet. Derisa Homeri  te Iliada e trajton, luftën në mënyrë epike e mitike, që do të lë vulën te popujt e Ballkanit, duke u fokusuar te heronjtë, fati dhe lavdia personale, libri i Rexhep Shahut, « Lufta im për Kosovën », është një dëshmi reale, autobiografike, jasht shablloneve glorifikuese të heronjve, jasht ideologjive të ndryshme të luftëtarëve, që pasqyron vuajtjen, sakrificën dhe rezistencën konkrete të popullit të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi!

Siç e ka parë dhe përjetuar secili të njëjtën ngjarje, betejë apo luftë, ashtu edhe unë e kam parë librin "Lufta ime për Kosovën" të Rexhep Shahut.

Rexhepi e bën luftën për Kosovën si kur është mirë, me shëndet,  ashtu edhe kur është keq – madje në spital. E bën luftën për Kosovën ditë e natë, si kur nxeh dielli, ashtu edhe kur bie borë e shi. Rexhepi është vetë Kosova.

Shkurt

Një libër me deshmi të përjetuara, të prekura me dorë, me zemër, me shpirt. Dhe, kjo është deviza më domethënëse e epigramit: « Liria ka emër: çlirimtarë »!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx