E shtune, 31.01.2026, 08:47 PM (GMT)

Mendime

Ndue Dedaj: “Puna e mbarë!” – atyre që punojnë

E shtune, 31.01.2026, 03:57 PM


“PUNA E MBARË”! - ATYRE QË PUNOJNË

- Përvoja që vijnë nga provinca në kryeqytet -

NGA NDUE DEDAJ

Shkruajmë rregullisht për të këqiat që e kanë mbërthyer vendin dhe nuk kemi si të mos e bëjmë, pasi mjerisht ato janë bërë “mal”. Por nuk është vetëm çështja “Balluku”, nuk është vetëm qeveria me disa ministra në burg, nuk është vetëm politika e mbrapshtë që na e ka zënë diellin. Është dhe puna, aq sa është, për të cilën dikur populli përdorte shprehjen “Puna e mbarë” tek ara e mistrit, te vija e ujit, te tufa e dhive etj.

Doemos që Shqipërinë e duan të gjithë shqiptarët, por disa vetëm me fjalë e gjeste “patriotike” e të tjerë me vepra në dobi të komunitetit, për më tepër, nga këta të fundit, jo pak sosh që kanë punuar për vite e vite në emigracion.

“Buk e gjath” nga Zadrima në Tiranë

Vërtetë i sheh tokat djerr nga Tirana në Lezhë, por është një njeri që e ka futur në punë Zadrimën, pa qenë ministër i Bujqësisë, që e njohin të gjithë, Altini i “Mrizit të Zanave”. Falë inkurajimit dhe mbështetjes së tij, tash në atë zonë nuk është vetëm agroturizmi i tij i famshëm, që mban emrin e njërës prej veprave letrare të Gjergj Fishtës, por dhe disa agroturizma të rinj, një rrjet i tërë veprimtarish prodhuese në bujqësi e blegtori. Befas ai ngrihet e “pushton” dhe Tiranën, duke  e vënë kryeqytetin në radhë për “bukë e djath”.

Kjo është gjë e thjeshtë në dukje, por në të vërtetë diçka e madhërishme, pasi u kujton njerëzve se janë shkëputur nga rrënjët, kinse në emër të modernitetit. Ky kthjellim i atyre vjen nga një njeri i shquar i punës, me vizionin e kohës, që agroturizmin e sheh si biznes përmes risimit të traditës. Ai nuk eksperimenton në kuzhinën e tij atë çka është e “huaj”, edhe pse e njeh mirë atë, por i mëshon asaj që është autoktone, thënë në mënyrë të figurshme, përpiqet të sjellë gjellët e “gjyshes”. Dhe nuk dëshiron që të jetë i “vetmi trim në luftë”, por “trimi i mirë me shokë shumë”. Thënë ndryshe, i pari ndër të parët...

“Rapsodia” nga Shëngjini në Kodrën e Diellit

Çuarjen e biznesit të tij në Tiranë e ka bërë dhe një tjetër mastershef nga Shëngjini, Alfredi i mirënjohur i “Rapsodisë”, që së fundi ka hapur një restorant te “Kodra e Diellit”. Prej vitesh restoranti i tij buzë detit ka tërhequr vëmendjen për risitë dhe cilësinë e gatimit të recetave unike shqiptare, kulturën e shërbimit etj., përvojë që tash e shpie dhe në kryeqytet me mjaft sukses.

Të dy këtë bisnesmenë të zot, Afredi dhe Altini nuk kanë marrë ndonjëherë tendëra nga qeveria, çdo gjë e kanë me mundin e krahëve të tyre. Ti mund të prisje që të ishte kryeqyteti shembulli i një punë të tillë, që agrobiznese të Tiranës që kanë bërë përpara dhe me grante të organizmave qeveritare e donatorë, të shtriheshin në “bazë”, mirëpo ka ngjarë e kundërta.

Njerëz të tillë, të dhënë pas punës, nuk janë oligarkë, nuk përflitën për afera, nuk “ftohen” në SPAK për t’u pyetur për ndonjë çështje, këta e kanë lopatën në bagazhin e makinës, se mos në ndonjë rast iu duhet me mbushë ndonjë gropë në rrugë, sipas shembullit të Dom Antonio Sharrës së Zadrimës, kumbona e Paqes e të cilit gjendet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si një kujtesë se paqja, jo lufta, është e mbara e një populli e kombi dhe se ajo meriton gjithë përkushtimin njerëzor.

Jetëzimi i kullave nga banorët, para projektit të Qeverisë

Ndërsa kryeqyteti lartëson kullat qiellzënëse e frymëmarrëse në qendër të tij, shumë dukagjinas, kelmendas, mirditorë, pukjanë, hasjanë, matjanë, dibranë etj. janë kthyer pa kurrëfarë zhurme në vendlindjen e tyre dhe kanë rivitalizuar kullat e të parëve, më e pakta që ajo trashëgimi të mos bjerret më shumë. Dhe nuk janë një e dy për katund, por shumë, që i kemi parë me sytë tanë, nga Skuraj në Lekbibaj e nga Lëpusha në Shishtavec.

Ndërkohë qeveria ka paraqitur pak kohë më parë “Programin për Rijetëzimin e Kullave në disa rrethe në bashkëpunim me GIZ Shqipëri, i cili synon të kthejë kullat tradicionale të veriut në hapësira të gjalla të turizmit, kulturës dhe ekonomisë lokale, duke i restauruar, përshtatur dhe përfshirë në itinerare turistike që ofrojnë përvoja autentike për vizitorët vendas dhe të huaj”. Edhe pse banorët janë një hap para qeverisë në këtë nismë të rëndësishme, ka prapë vend për zbatim, veçse duke uruar që të mos ketë fatin e dështimit të “100 fshatrave”.

Të përfshirë nga përditshmëria, kulisat e politikës, shpesh jemi të pavëmendshëm ndaj dukurive të reja që lindin në jetën tonë. Duket e çuditshme kjo që sapo pohuam për kullat, pasi askush nuk i ka bërë objekt “promovimi” nga ato emisionet televizive shëtitëse lart e poshtë, ngaqë të zotët nuk paguajnë për reklamimin e asaj që kanë bërë.

Vërtetë kullat e maleve tona mund t’i marrë në mbrojtje UNESKO një ditë prej ditësh, por kjo do të ishte shumë më pak sesa rikthimi ynë te kullat, dikush për të ribanuar aty, dikush për t’i kthyer në muze familjar, dikush për të kaluar fundjavat apo fundvitin atje, dikush për të bërë një vreshtë rrushi, dikush për të mbarështuar tufat e dhive, dikush për t’i kthyer në agroturizëm etj. Jo pak kullave në skajet më të largëta të Mirditës iu ka mundësuar çatinë e re, çisternat me uji shiu etj. shoqata e mirënjohur Austri-Mirditë, për të cilën kemi shkruar herë pas here. Nuk është fjala për fshatra turistikë me kulla që ju keni parë nga afër, si Thethi, Tamara, Vermoshi, Valbona, Katundi i Vjetër, Lura etj. simbole të turizmit malor shqiptar, por për kulla të “vetmuara” bjeshkësh që janë kthyer në identitet në katundet e epërme.

Shqipëria kështu punohet, jetëzohet, mbrohet (nga shëpërdorimi, grabitja), integrohet dhe trashëgohet; e dëgjon përherë e më pak fjalën shpopullim, braktisje etj.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Isuf B. Bajrami: Në Kosovë, duhet mbisundimi i ligjit si mbizotërim i normës juridike mbi arbitraritetin dhe presionin jashtëinstitucional Shefqet Dibrani: Doktrina e titizmit jugosllav ndaj shqiptarëve dje dhe sot Lëvizja për Rikthim: Ideologjia islamike dhe policia e moralit Albert Zholi: Prof. Dr. Enriko Ceko - Ekonomia shqiptare ka krizë pasi ka marrë tiparin e një ekonomie konsumi, me pothuajse aspak tipare prodhimi Fritz Radovani: 115 vjet, O Ded Gjo’ Luli (3) Rejhane Rexhepi: Bashkësia Shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë – Ura e kujtesës, kulturës dhe identitetit kombëtar në Sarajevë Asllan Dibrani – Luani: Bota përgatitet për banim në Hënë, hoxhë efendi – “akademik” Feti Mehdiu mbetet bredharak nëpër xhami Kalosh Çeliku: Babës t’i ngjash adet t’ia kalosh marifet Gjon Keka: Djegja e librit do të thotë rënie e njeriut në errësirë dhe në demonizëm Asllan Dibrani (Luani): Shqiptarët nuk djegin libra – alarm pa prova: kur feja keqpërdoret për përçarje Shefqet Dibrani: Portret i Mërgimtarit – Fatmir Thaqi Ilir Çumani: Paradoksi dhe amnezia politike e Ramës – kur dhuna dënohet vetëm nga karrigia e pushtetit Rrezart Kalaja: Kur Gazeta Impakt dhe Rexhep Elezaj shpallin luftë kundër shqiptarëve Milazim Zeqiraj: LDK pas Rugovës në udhëkryq mes trashëgimisë rugoviane dhe rrugës së re Asllan Dibrani – Luani: Reagim publik kundër shpifjeve, etiketimit ideologjik dhe propagandës antikombëtare të gazetës “Impakt Kalosh Çeliku: Patriotë të vonuar me brekë mbi pantollona Idriz Zeqiraj: Dr. Vjosa Osmani, presidente brilante e pakonkurrencë Florim Zeqa: Nga sot përballë dy kandidaturave! Isuf B. Bajrami: Qytetarët shqiptarë janë për një shtet të fortë ligjor dhe demokratik - prandaj nuk duan të përkulen para padrejtësisë së keqqeverisjes Fahri Xharra: Si u "krijuan" serbët në Bosnje dhe Hercegovinë?

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx