E premte, 30.01.2026, 11:49 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: 115 vjet, O Ded Gjo’ Luli (3)

E premte, 30.01.2026, 06:54 PM


Pergatiti Fritz RADOVANI: Pjesa III.

115  VJET
O, DED  GJO’ LULI

DED  GJO’  LULI  (1840 – 1915)

PO  EMNI  I  YT  ASHT
I   PERJETSHEM!

Duhej kalue nëpër disa gryka malesh me mbërrijtë në ato Malësi!

Duhej çue Flamuri i Shqipnisë...Atje! Duhej ra rrugë pa rrugë!

Gratë shkodrane kishin qëndisë me durt’ e tyne t’ arta dhe kurr të lodhuna nën dritën e zbehtë të kandilit der sa errej nata vonë, tue këndue lehtë nën za pranë djepit ku do të përkundej Liria, mbi shtrojen e kuqe të cohës së trashë e të derdhun një Shqipe të madhe e të zezë me Dy krena, si dikur motit, ku kishin shkri gjithë dijen e vet.

Nën xhamadanin e artë të Dedë Gjo’ Lulit, tashma rrahte ma fort se kurrë “Ora” e Shqipnisë. Aty ishte Gjaku i kulluem i Asaj zemre që nuk e njohi tutën...E malet e atyne Alpeve të pashkeluna nga kamba e thundra e dhunuesit turk e shkja, si gomna mu në zemer të Ballkanit, ishin që thithnin Atdhetarët tanë me vrapue mbathë e zbathë, mbërthye në armët e të Parëve, e me u gjetë në Atë Maje të Bratilës, ku Lirisë tash i kishte ardhë minuti i saj gati i harruem në shekuj.

Të parët që u gjetën pranë Malësorëve Trima ishin Françeskanët Shqiptarë, që me sandalet e tyne dhe kambët e dermishuna e të gjakosuna, nuk kishin lanë rrugë kali e mushku pa shkelë ndër ato anë plot ferra e murriza, atëherë kur nuk shihej asnjë shenjë se ndonjëherë aty do të bulonte Liria e Atdheut...E cili nga ata shtigje nuk ishte i lamë me gjakun e Tyne?

At Mati Prennushi OFM. (Foto Marubi).

Françeskanët ishin Ata që do ta çonin të ngjeshun për parzëm Atë cohë si zhguni i tyne  mu në maje të malit të Deçiqit. Dokumentat e asaj kohë flasin ma saktë se të gjithë librat e botueme mbas 1944 me mohimet e shtrembnimet e tyne të fakteve historike. Janë revistat “Hylli i Dritës”, “L.E.K.A.” e sa fletore të tjera që përfshijnë ndër faqet e tyne atë moment historik, i cili asht faktori vendimtar  dhe i pamohueshëm i shpalljes së Pavarësisë sonë kombëtare, në vitin pasues mbas 1911.

Po filloj me ate që kam zgjedhë nga leteratura moderne, nga një artikull që u botue në vitin 1994 nga Profesor Gjon Sinishta, në revistën e drejtueme prej Tij, Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San Francisco USA, dokument që u pat shkrue nga amerikani Profesor Dr. Stephen Schwartz: “On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit.” Që në gjuhën shqipe domethanë: Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me shqiponjën dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani At Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij.” (Përkthye nga E. Radovani. 2004.)

Në vitin 1981, në TV e Podgoricës (atëherë Titograd) në muejn mars, asht dhanë një program i shkurtë për këte ngjarje dhe, për çudi unë krejt rasësisht kam pa një dokument të ruejtun atje, ku tregohej nga një autor malazez, se “kjo ngjarje asht pregatitë nga At Mati Prennushi OFM (1881 – 1948) dhe At Buon Gjeçaj OFM (1870 – 1957), miq të Dedë Gjo’ Lulit, që kanë krye shërbime fetare e atdhetare në ato krahina.” Çudia qendronte në foton e At Mati Prennushit, që ishte marrë nga filmi i xhiruem në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, nga një oficer operator jugosllav, që ndodhej në Shkodër me rastin e “futjes së armëve nën Elterët e asaj Kishë nga vetë sigurimi i shtetit komunist, që zbatonte urdhnat e dhanuna nga Beogradi, me datën 16 nandor 1946, në të dalun të dritës së datës 17 në mengjes.” Po ajo foto (vetëm koka me kapuçin e zhgunit) asht tek “Dosja 1302”, Arkivi i M. Mbrend. Tiranë, viti 1998).

At Buon Gjeçaj OFM.(Foto Marubi).

Edhe At Buon Gjeçaj në vitin 1951 u arrestue dhe u dënue 5 vjet pse u shpreh kundër “Statutit të Kishës”, që hartoi shteti komunist. Jetoi pak vite mbasi u lirue se mosha bani punën e vet. Vdiq në vitin 1957.

Bana këte shpjegim për me ba ma të kjartë qendrimin e atyne  komshijve, që gjithnjë kanë kambngulë me mohue veprimet e veta në të gjitha aktet antishqiptare kundër Klerit Katolik Shqiptar dhe Popullsisë Katolike Shqiptare në të gjitha Trojet tona. Ata edhe sot flasin për 1911 me foto të viteve 1946...ashtu si shërbëtorët e tyne tradhëtarë në Tiranë.

Ndoshta ky veprim ka për qellim me tregue dy variante nga ata: I pari ishte atëherë kur At Mati Prennushin e kapin dhe e dënojnë me varje në litar. Gjatë zhvillimit  të gjyqit një anëtar i  trupit gjykues, i thotë: “E sheh litarin që ke në brez, në atë litar do të varim!”....dhe At Matia, me buzë në gaz i përgjigjët: -“Jua dij për nder me më varë në konopin tem mbasi me siguri litari em ka me ma falë jetën!” Thanja kishte dy kuptime: Së parit, konopi i Françeskanit do të këputej, mbasi nuk do të pranonte që të varet kush në atë litar; dhe së dyti, litari i tij nuk kishte si me bajtë peshën e randë të trupit të madh e të shëndetshëm të At Matisë. Asht e vërtetë që me At Fishtën ishin miq, por ishin edhe bashkëpunëtorë. Për hir të asaj dashnije që ruente në zemër At Fishta për té, Ai ndërhyni tek Krajl Nikolla për me i falë jetën At Matisë. Krajli jo vetëm i fali jetën, por edhe e liroi dhe ia dha me vete. Erdhën në Shkodër ku për pak kohë At Matia do t’ ishte profesor në Gjimnazin Françeskan, për me u shmangë nga tokat tona afer Malit të Zi, por shumë shpejt shkoi prap ndër çerdhet e maleve në mes të atyne Malësorëve besnikë ku jeta i zgjatej me rritjen e fidanave të rij.

Varianti i dytë lidhet me qellimin e vjeter djallzor të shovenistëve serbomalazez, të cilët gjithnjë janë shprehë se “Kleri Katolik Shqiptar duhet qitë fare” mbasi Ai ka luejtë rol kryesor në lëvizjet Atdhetare antishoveniste serbe e antiturke, tue formue në Popullsinë Katolike të Veriut ndjenjat e Tyne Atdhetare dhe tue i edukue me dashninë e madhe për Liri, të cilën Malësorët gjithmonë e kanë ruejtë me pushkë në dorë. E mandej delnin tek qellimi i tyne kryesor për të cilin punuen për zhdukjen e këtij Kleri, se ky jo vetëm i ka furnizue gjithnjë Malësorët me armë, por edhe Kishat e Tyne Katolike i kanë kthye në “depo armësh”...

Me këte shpifje shovenistët serbomalazez arritën me sherbëtorët e vet komunistët anadollakë të Tiranës, me pushkatue At Mati Prennushin, Imz. Frano Gjinin, At Çiprian Niken, Imz. Gjergj Volaj, Imz. Nikoll Dedën nga Prelatët e Kishës Katolike Shqiptare, me 11 Mars 1948.

Në dy raste që di unë kjo thanje kishte “njëfarë” baze, deri aty ku ata kërkojnë me njollosë pastertinë e Kishës Katolike Shqiptare.

Armë mbanin të gjithë Klerikët për siguri rruge, ashtu si edhe vetë Malësorët që i shoqnonin Ata në rrugët e vështira të maleve. Por kur vinin kambën në shkallët e prakut të Kishës, arma duhej lanë jashtë dhe për këte qellim kishte tek dera vendin ku vareshin armët në kohën kur hynin ndër Kisha. Ndërsa ndër qela jo, mund ta mbanin armën me vete, me përjashtim kur shkonin me krye ndonjë shërbim fetar, që nuk iu lejonte me kenë i armatosun askush i pranishem aty e as vetë prifti.

Kjo nuk donte me thanë se njerzit e priftit nuk kishin të drejtë me pasë armë ose me ua çue armët Malësorëve dhe, me i përdorë për qellimin e naltë të Lirisë së Atdheut dhe mbrojtjes së Tij nga anmiqtë që i kishin edhe rreth e rrotull shtëpisë së vet.

Kështu për shembull, unë kujtoj tre emna që përmendeshin për furnizimin e Malësorëve të Veriut me armë: Kin Nikaj (Duçja), Rrok Shtjefen Gjonej dhe Zef Shantoja (plaku). Kini kishte lidhje me Don Ndoc Nikaj dhe emni i tij u ba shkak me u akuzue Don Ndoc Nikaj nga komunistët në 1946, dhe me u shetitë ndër rrugët e Shkodrës i hypun në gomar dhe i ngarkuem krah e qafë me armë gjoja të mëshefuna prej tij. Edhe Zef Shantoja (plaku) ishte i trollit të vjeter prej nga vjen Atdhetari i Madh Don Lazer Shantoja...

Ndërsa, Rrok Shtjefen Gjonej...ishte që dikund larg lidhej me At Mati Prennushin... Rrok Shtjefen Gjonej asht kenë vëllau i Ndrekë Gjonej në Shkoder. Rroku asht kenë marrë edhe me rrugë tregtare nga ana e Kosovës, ku e kanë vra serbët tradhëtisht si gjithmonë, dhe mbasi e kanë therë me bajoneta, i kanë pasë nxjerrë edhe sytë, gati mos me u njohë.

Këte vdekje makaber e di nga gjyshja eme, Nine Prennushi, e cila e kishte pasë nip Rrokun nga motra e vet e martueme me Shtjefen Gjonej, emen të cilin e mban edhe sot rrugica përballë Argjipeshkvisë së Shkodres, rrugica “Gjonej”, ku kanë pasë edhe shtëpinë e vet të madhe.

Këta tre përsona kanë furnizue Malësorët e Veriut me armë që i kanë pasë sjellë nga Venediku nëpër lumin Buna dhe i shkarkonin në fshatin e Darragjatit ndër të njohun të tyne, prej andej i kalonin nëpër liqe të Shkodrës prej nga i transportonin ndër male ku atëherë po pregatitej kryengritja e tyne kundër turqëve.

Sigurisht, as për këta emna nuk asht ba fjalë dhe as nuk janë zanë me gojë kurrë. Për këto armë ka pasë shkrue atdhetari Risto Siliqi, po ai liber u ndalue se përmendej emni i njëfarë Bekteshit, që hypte ndër tribuna dhe rreshtohej me E. Hoxhen, e ky ishte pikrisht ai për të cilin kishte shkrue zotni Risto Siliqi, sesi ky tradhëtar kishte spijunue Malësorët tek turqit dhe ata, mbasi e kishin zbulue, e kishin zanë atje, e kishin rrah për me e zhburrnue, e kishin çveshë në brekë dhe e kishin sjellë nëpër liqe të Shkodres tek ura e Bunës.

Aty. para se me e zbritë tek molo e Pazarit, kishin qitë pushkë. Kur janë mbledhë shumë njerëz të ndodhun në Pazar, Malësorët e kanë zbritë të çveshun dhe zbathë para molos dhe janë kthye në Malësi. Këte Bekteshin që na pat lanë edhe mustakë... për këta vepra e merrte “shoku” i tij spijun në tribuna dhe i pat dhanë edhe “armët trofe” që i pat marrë Malësia...

Këto armë vazhduen me kenë objekti i të huejve për me akuzue Malësorët tanë dhe me u veshë atyne rrobat e “kusarisë”, dishka krejt e trillueme prej dashakqijve tanë shekullorë.

Këtyne armëve dhe të gjithë mbajtësve Malësorë çka nuk i asht vue epitet nga të gjithë krahët përrreth nesh nga veriu, jugu e perëndimi, vetem sepse Malësori ato i ka përdorë për tre qellime, me ruejtë Tokën e të Parëve, Fenë e Krishtit dhe Nderën e rrezikueme në të gjitha kohët.

Asht e dijtun se asnjëherë ndaj këtyne tre qellimeve nuk ka pasë kundërshtue asnjë Klerik Katolik, kjoftë edhe nga misionarët e shumtë që kanë ardhë ndër male prej vendeve të tjera.

Duhet shtue se aq janë pajtue me ta, sa mbanin edhe vetë armë.

Këtu zen fillë ardhja e Françeskanëve në Shqipni në Shek. XIII.

Kalimi i tyne për shërbime fetare ndër malet e Veriut, duhet që të plotsohet si frazë mbasi do t’ ishte shumë e mangët mos me zanë në gojë rolin e madh human që ata kanë luejtë në pajtimet e gjaqeve, formimin e Malësorëve me tipare të qytetnimit dhe dashuninë për shkolla, veti me të cilat prëgatitej rruga e tyne për me kenë pjesë e vërtetë e Europës.

Palok Traboini (Gojçaj) (Foto Marubi)

Një nga figurat e njohuna, edhe ky si të tjerët i lanun në harresë, asht edhe mësuesi i nderuem Atdhetar, Palok Traboini (1888 – 1951). Ky mësues mbijetoi deri në vitin 1951, edhe pse në trupin e Tij ishin ende shenjat e plumbave të marrun në Luftat e Malësorëve të Hotit, në 1911.

Ishte djal i Atyne Maleve. Dedë Gjo’ Luli, tue pa squtsinë e Tij, e çoi me u shkollue në shkollen italiane të Shkodrës, ku ishte mësues A. Skanjeti. Mbasi përfundoi, u pat kthye në Hot dhe ishte sekretar pranë Trimit të Traboinit, për të cilin ka lanë edhe një poemë, “Lufta e Maleve”, me 1700 vargje. Luftoi përkrah vllazënve të vet Malësorë në Deçiq dhe ishte ndër luftëtarët ma besnikë të Dedës, që e mbajti pranë në të gjitha kuvendet deri në ditën e fundit. Vitët e fundit i mbylli si mësues në Shkodër, Shirokë etj...por gjithmonë mbas vitit 1944, asht konsiderue “Djal’i Hotit dhe armik i serbëve e turqëve” dhe si i tillë, kuptohet ka vdekë i Nderuem si shumica e bashkluftarëve të vet, pa u njollosë dhe zhigatë në gjoksin e Tij me “urdhna e dekorata” komunistësh.

Ai ruente të ngjeshun fort për parzëm idealin e paster dhe të çmueshem të Malësorëve të Traboinit, Flamurin e Gjergj Kastriotit.

Në vitin 1962 kam pasë fatin me njohë edhe zonjën Norë Kolja, e reja e Dedë Gjo’ Lulit, pak ditë mbasi ishte kthye nga Vlona. Ishte atje me rasën e festës së 28 Nandorit 1912, dhe më ka tregue sesi në banketin e madh të shtruem për nder të Luftëtarëve të Lirisë dhe të Pavarsisë në Vlonë, ku kishte gjallë endè edhe Malësorë Luftëtarë Trima të Veriut.

Malësorët, dhe në përgjithsi Populli Shqiptar, i ka nderue dhe i ka respektue shumë klerikët e të gjitha besimeve; kjo ndoshta ishte edhe një arsye tjetër që edhe klerikët janë tregue të pakursyem me ua plotsue mjaft mungesat e tyne me mundësitë e pakta që kishin, mbasi kudo e kurdo Ata janë kenë të përndjekun dhe të survejuem nga pushtuesit.

Lufta, vepra heroike Atdhetare e Malësorëve dhe e Klerit Katolik Shqiptar në Deçiq asht ndër ma të randësishmet për vuemjen e themelit të Shtetit të  Parë Shqiptar mbas sa shekujsh robni turke. Po të mos kishte ngritë atë Flamur të Gjergj Kastriotit në Deçiq Dedë Gjo’ Luli me Trimat e vet me 6 Prill 1911, jo vetem mund të vonohej ardhja e Pavarësisë së vitit 1912, por do të vehej një pikpyetje e madhe se, “cila do t’ ishte ajo Pavarësi... që ma vonë do të na ‘dhuronte’ne pushtuesi turk..apo serb..?”Në kjoftë se Shqiptarët ruejtën në shekuj ndër zemrat e veta ato ndjesi që një ditë jo vetem u zgjuen, por edhe shpërthyen si vullkan në Alpet tona, asht Dedë Gjo’ Luli e vetem Dedë Gjo’ Luli, që shpërthej si lava nga Maja e Bratilës dhe u përhap në të gjitha Trojet Shqiptare, tue ra mbi kokat e pushtuesëve dhe “felëshuesëve” tradhëtarë të vendit, tue i përvlue e zharitë si dikur po në Ata gryka e lamije Prel Tuli i Selcës...

Dedë Gjo’ Lulit në betejën kundër turqve iu pat vra djali i vogel... Po, Deda nga kjo vrasje e të birit a u topit...? At Viktor Volaj tregon në komentin e librit “Mrizi i Zanave” të At Gjergj Fishtës: “Kur me 26 Qershor 1912, iu vra i biri Gjergji në një luftim kundër Tuzit, kështu u munduen me i diftue: - Dedë kanë mbetë 20 vetë të Hotit... Ai u përgjigjë: “E po, në luftë njeriu do të vdesë”; - mirëpo, me ta ka mbetë edhe djali i yt, i thanë – Ai atëherë, me sy kokerr e pa dhanë asnjë shenj turbullimi, ua priti: “Edhe tjerët janë djelm nanash si i emi!” Dhe nuk u ligshtue aspak, por ngjau ajo qi nuk pritej, me u dhanë zemër shokëve me qindrue...

Ai kje anmik i rrebtë i çdo anmiku të Shqipnisë.”

Boll u vranë djelmë Malësorësh për Liri t’ Atyne Trojeve...

E prap... sa vinin e shtoheshin...si kokrra e grunit!

Si për inat të turkut e të sllavit...Edhe sot!

1913. Tavani i Kishës Kathedrale i hapun nga gjylet e topave të malazezëve…

Melbourne, 28 Janar 2026. Vazhdon Pjesa IV



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx