E marte, 27.01.2026, 10:43 PM (GMT)

Kulturë

Albert Vataj: Laver Bariu, ustai i madh i sazeve të Përmetit

E marte, 27.01.2026, 06:54 PM


Laver Bariu, ustai i madh i sazeve të Përmetit, madhështia e një shpirti të bukur që ka mbetur i gjallë në muzikën e tij

Nga Albert Vataj

U bënë 12 vite që kur ustai i sazeve të Përmetit, i është bashkuar varganit të gjatë të atyre; zëri, përkushtimi dhe vepra e të cilëve është shprehje e thesarit tonë kombëtar.

Po, është dhe do të mbetet një tempull i lartë i vetëdijes dhe përkatësisë sonë.

Është ajo çfarë ushqen shpirtin e gjithësisë me vezullimin e aktit sublim të krijimit.

Është zëri dhe thirrja e thellë e gjeneratave që na fton në kujtesë dhe përshpirtje, nderim dhe mirënjohje, sepse ishin ata, dhe Laver Bariu mes tyre, që e bënë muzikën tonë më autentike, më të pasur, më përfaqësuese.

Edhe pse kanë kaluar dymbëdhjetë vite nga ndarja e tij nga jeta, Laver Bariu nuk i përket së shkuarës. Ai vazhdon të jetojë në ndërgjegjen e gjallë të kulturës sonë, si një prani që nuk shuhet, por përforcohet me kohën. Tingulli i gërrnetës së tij nuk ishte thjesht muzikë, ishte një frymë, një gjuhë e padukshme që lidhi njerëzit me kujtesën, mallin, dhimbjen dhe bukurinë. Sot, ai është përjetësuar edhe në bronz, në një statujë që e tregon ashtu siç ishte gjithmonë, duke i rënë gërnetës, sikur të mos kishte pushuar kurrë.

Ai është aty, në zemër të Përmetit të luleve dhe dashurisë, në qytetin ku u lind ai tingull që mbushi eterin dhe u shndërrua në kujtesë shpirtërore të një kombi. Aty ku tradita nuk tretet, por merr frymë; ku muzika nuk është argëtim, por identitet; ku bukuria nuk shihet, por dëgjohet. Përmeti është gjeografia e zërit të tij, ndërsa gërrneta, alfabeti i shpirtit të tij.

Laver Bariu lindi më 2 maj 1929 dhe u shua më 26 janar 2014, por jeta e tij nuk u mat me vite, por me tinguj. Ai ishte dhe mbetet një nga figurat më të ndritura të muzikës popullore shqiptare, mjeshtër i pakontestuar i gërnetës dhe një nga zërat më autentikë të këngës tradicionale të Toskërisë. Si themelues dhe udhëheqës i Sazeve të Përmetit, ai e çoi këtë formacion në një shkallë të re artistike, duke i kthyer në ambasadorë të kulturës sonë brenda dhe jashtë kufijve.

Që në fëmijëri, muzika ishte për të një instinkt. Veglat e para i ndërtonte vetë, nga degë pemësh, kallam gruri, nga çdo material që mund të shndërrohej në zë. Pas zhvendosjes së familjes në Korçë, ai përthithi ndikime vendimtare nga mjeshtër të njohur dhe, rreth moshës dhjetëvjeçare, nisi të formësonte atë që do të bëhej më vonë gjuha e tij muzikore. Kthimi në Përmet në fund të vitit 1944 shënoi kthimin në rrënjë, por edhe nisjen e një udhe të re: aty ku gërneta u bë zëri i shpirtit të tij.

Me themelimin e Sazeve të Përmetit në vitin 1951 dhe fitoren në Festivalin e parë Folklorik Kombëtar më 1952, nisi një rrugëtim i gjatë dhe i ndritur. Regjistrimet historike, kabatë përmetare të incizuara në Radio-Tirana, pjesëmarrjet në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, e kthyen emrin e Laver Bariut në një pikë referimi të pakapërcyeshme të folklorit shqiptar.

Formacioni i tij i konsoliduar, i njohur si “Bilbilat e Përmetit”, ishte unik jo vetëm për virtuozitetin, por për autenticitetin: saze që këndonin vetë, që rrëfenin përmes veglave dhe zërave një botë të tërë ndjenjash. Ai ishte krijues, riformatues, mësues. Nga duart e tij dolën hyrje këngësh, kaba, valle dhe reinterpretim i trashëgimisë së vjetër, duke formësuar identitetin e këngës popullore përmetare.

Laver Bariu ishte gjithashtu një shpirt kërkues. I apasionuar pas astronomisë dhe parapsikologjisë, ai shihte përtej dukjes, sikur edhe muzika për të të ishte një mënyrë për të depërtuar në misteret e qenies. Bashkëpunoi me estradën, me artistë të rinj, dhe performoi me emrat më të mëdhenj të këngës popullore shqiptare për më shumë se katër dekada.

Muzika e filmit “Gjeneral Gramafoni”, dokumentari “Këngët e zemrës”, disqet e realizuara në Angli, Greqi e Australi, janë dëshmi se vepra e tij e tejkaloi hapësirën lokale dhe u bë pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare në diasporë. Dekorimet dhe titujt nderues ishin vetëm një formalitet institucional për atë që populli e kishte shpallur prej kohësh: një mjeshtër të madh.

Laver Bariu mund të quhet me të drejtë i fundit i ustallarëve të traditës së madhe të sazeve të Jugut. Ai nuk ishte thjesht interpretues i muzikës popullore; ai ishte ruajtësi i një fryme, arkitekti i një identiteti muzikor dhe dëshmia se tradita, kur bie në duar të tilla, nuk ngurtësohet, por rilind.

Sot, kur tingulli i gërinetës së tij dëgjohet ende në kujtesën kolektive, Laver Bariu mbetet një figurë emblematike, jo vetëm mjeshtër i sazeve, por simbol i shpirtit krijues shqiptar, që di të ruajë rrënjët dhe t’i kthejë ato në art të përjetshëm.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx