| E marte, 27.01.2026, 06:54 PM |
Laver Bariu, ustai i madh i sazeve të Përmetit, madhështia e një shpirti të bukur që ka mbetur i gjallë në muzikën e tij
Nga
Albert Vataj
U
bënë 12 vite që kur ustai i sazeve të Përmetit, i është bashkuar varganit të
gjatë të atyre; zëri, përkushtimi dhe vepra e të cilëve është shprehje e
thesarit tonë kombëtar.
Po,
është dhe do të mbetet një tempull i lartë i vetëdijes dhe përkatësisë sonë.
Është
ajo çfarë ushqen shpirtin e gjithësisë me vezullimin e aktit sublim të
krijimit.
Është
zëri dhe thirrja e thellë e gjeneratave që na fton në kujtesë dhe përshpirtje,
nderim dhe mirënjohje, sepse ishin ata, dhe Laver Bariu mes tyre, që e bënë
muzikën tonë më autentike, më të pasur, më përfaqësuese.
Edhe
pse kanë kaluar dymbëdhjetë vite nga ndarja e tij nga jeta, Laver Bariu nuk i
përket së shkuarës. Ai vazhdon të jetojë në ndërgjegjen e gjallë të kulturës
sonë, si një prani që nuk shuhet, por përforcohet me kohën. Tingulli i
gërrnetës së tij nuk ishte thjesht muzikë, ishte një frymë, një gjuhë e
padukshme që lidhi njerëzit me kujtesën, mallin, dhimbjen dhe bukurinë. Sot, ai
është përjetësuar edhe në bronz, në një statujë që e tregon ashtu siç ishte
gjithmonë, duke i rënë gërnetës, sikur të mos kishte pushuar kurrë.
Ai
është aty, në zemër të Përmetit të luleve dhe dashurisë, në qytetin ku u lind
ai tingull që mbushi eterin dhe u shndërrua në kujtesë shpirtërore të një
kombi. Aty ku tradita nuk tretet, por merr frymë; ku muzika nuk është argëtim,
por identitet; ku bukuria nuk shihet, por dëgjohet. Përmeti është gjeografia e
zërit të tij, ndërsa gërrneta, alfabeti i shpirtit të tij.
Laver
Bariu lindi më 2 maj 1929 dhe u shua më 26 janar 2014, por jeta e tij nuk u mat
me vite, por me tinguj. Ai ishte dhe mbetet një nga figurat më të ndritura të
muzikës popullore shqiptare, mjeshtër i pakontestuar i gërnetës dhe një nga
zërat më autentikë të këngës tradicionale të Toskërisë. Si themelues dhe
udhëheqës i Sazeve të Përmetit, ai e çoi këtë formacion në një shkallë të re
artistike, duke i kthyer në ambasadorë të kulturës sonë brenda dhe jashtë
kufijve.
Që
në fëmijëri, muzika ishte për të një instinkt. Veglat e para i ndërtonte vetë,
nga degë pemësh, kallam gruri, nga çdo material që mund të shndërrohej në zë.
Pas zhvendosjes së familjes në Korçë, ai përthithi ndikime vendimtare nga
mjeshtër të njohur dhe, rreth moshës dhjetëvjeçare, nisi të formësonte atë që
do të bëhej më vonë gjuha e tij muzikore. Kthimi në Përmet në fund të vitit
1944 shënoi kthimin në rrënjë, por edhe nisjen e një udhe të re: aty ku gërneta
u bë zëri i shpirtit të tij.
Me
themelimin e Sazeve të Përmetit në vitin 1951 dhe fitoren në Festivalin e parë
Folklorik Kombëtar më 1952, nisi një rrugëtim i gjatë dhe i ndritur.
Regjistrimet historike, kabatë përmetare të incizuara në Radio-Tirana,
pjesëmarrjet në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, e kthyen emrin e Laver
Bariut në një pikë referimi të pakapërcyeshme të folklorit shqiptar.
Formacioni
i tij i konsoliduar, i njohur si “Bilbilat e Përmetit”, ishte unik jo vetëm për
virtuozitetin, por për autenticitetin: saze që këndonin vetë, që rrëfenin
përmes veglave dhe zërave një botë të tërë ndjenjash. Ai ishte krijues,
riformatues, mësues. Nga duart e tij dolën hyrje këngësh, kaba, valle dhe
reinterpretim i trashëgimisë së vjetër, duke formësuar identitetin e këngës
popullore përmetare.
Laver
Bariu ishte gjithashtu një shpirt kërkues. I apasionuar pas astronomisë dhe
parapsikologjisë, ai shihte përtej dukjes, sikur edhe muzika për të të ishte
një mënyrë për të depërtuar në misteret e qenies. Bashkëpunoi me estradën, me
artistë të rinj, dhe performoi me emrat më të mëdhenj të këngës popullore
shqiptare për më shumë se katër dekada.
Muzika
e filmit “Gjeneral Gramafoni”, dokumentari “Këngët e zemrës”, disqet e
realizuara në Angli, Greqi e Australi, janë dëshmi se vepra e tij e tejkaloi
hapësirën lokale dhe u bë pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare në diasporë.
Dekorimet dhe titujt nderues ishin vetëm një formalitet institucional për atë
që populli e kishte shpallur prej kohësh: një mjeshtër të madh.
Laver
Bariu mund të quhet me të drejtë i fundit i ustallarëve të traditës së madhe të
sazeve të Jugut. Ai nuk ishte thjesht interpretues i muzikës popullore; ai
ishte ruajtësi i një fryme, arkitekti i një identiteti muzikor dhe dëshmia se
tradita, kur bie në duar të tilla, nuk ngurtësohet, por rilind.
Sot, kur tingulli i gërinetës së tij dëgjohet ende në kujtesën kolektive, Laver Bariu mbetet një figurë emblematike, jo vetëm mjeshtër i sazeve, por simbol i shpirtit krijues shqiptar, që di të ruajë rrënjët dhe t’i kthejë ato në art të përjetshëm.