E merkure, 14.01.2026, 10:24 PM (GMT)

Kerko: a

Milazim Zeqiraj: LDK, parti e idealit kombëtar

E merkure, 14.01.2026, 06:55 PM


LDK, parti e idealit kombëtar

Nga Milazim Zeqiraj

Më 23 dhjetor 1989, në skenën politike të Kosovës u shfaq një lëvizje me emrin Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që do ta ndryshonte përfundimisht historinë tonë.

Deri në atë kohë, populli shqiptar i Kosovës ndodhej në një udhë pa dalje. Protestat dhe demonstratat në rrugë ishin përpjekje të dëshpëruara për liri, ndërsa dhuna e regjimit serb vetëm sa shtonte dhunën. Në mungesë të një drejtimi politik, ne ishim si “pika në lis” – të shpërndarë, në ikje, të lodhur dhe pa busullë.

LDK nga Rugova deri mision kombëtar

Në vitet ’90, demokracia perëndimore po frymëzonte Evropën Lindore, por edhe te intelektualët shqiptarë lindi ideja se Kosova kishte nevojë për një lëvizje që do ta artikulonte politikisht kërkesën për liri, pavarësi e barazi, pasi shteti jugosllav kishte marrë rrugën e ndarjes.

Elita intelektuale shqiptare filloi të mendojë për krijimin e një partie politike që do ta përfaqësonte kauzën kombëtare me mjete paqësore e demokratike.

Pas shumë konsultimeve, me mbështetje edhe nga diplomatë ndërkombëtarë, siç ishte z. Zimmerman, ambasadori amerikan në Beograd, më 23 dhjetor 1989 në Prishtinë u shpall themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me kryetar Ibrahim Rugovën.

Ibrahim Rugova ishte ai që çështjen e Kosovës e largoi nga rruga dhe e paraqiti në kancelaritë perëndimore si një çështje që kërkonte zgjidhje.

LDK është më shumë se një parti politike

LDK, që nga themelimi, nuk ishte thjesht një parti politike; ajo ishte fryma e rezistencës kombëtare. Ishte organizimi i parë i madh politik shqiptar që u përball me regjimin serb.

Në krye të saj qëndronte Ibrahim Rugova, lider karizmatik me vizion të qartë kombëtar e demokratik. Ai e ktheu kauzën e Kosovës nga çështje lokale dhe e ngriti në çështje ndërkombëtare, duke fituar respektin e botës demokratike përmes durimit, qetësisë, urtësisë dhe qëndrueshmërisë së tij.

LDK, partia që ngriti shtetin e Kosovës

Brezi që e ndoqi idenë e Rugovës nuk e bëri për pushtet apo privilegje, por sepse ishim lodhur nga dhuna serbe dhe ideologjia komuniste. Ne besonim në projektin e tij për liri, pavarësi dhe demokraci.

Historia dëshmoi se nuk gabuan.

Presidenti Ibrahim Rugova mbetet lideri i pakontestueshëm i shqiptarëve të Kosovës, një misionar politik që ngriti themelet e shtetit të Kosovës.

Pas Rugovës, në LDK përçarje dhe rënie

Pas ndarjes nga jeta të Presidentit historik Ibrahim Rugova, më 21.01.2006, LDK duhej të ruante unitetin, frymën dhe vizionin rugovian. Por kjo nuk ndodhi.

Kryetarët pasues, z. Fatmir Sejdiu dhe z. Isa Mustafa, erdhën me shumë zhurmë, e përçanë partinë dhe u larguan me zhurmë, duke e dëmtuar rëndë partinë.

Në vend të përbashkimit të partisë dhe ndjekjes së frymës rugoviane, ata e mbushën partinë me karrieristë pa vizion politik. Krijuan grupacione dhe koalicione të dëmshme, vepruan kundër strukturave të partisë dhe, pas një kohe, e sollën partinë në gjendje agonie.

Anëtarët e brezit të parë, ata që e ndërtuan partinë, u përjashtuan ose u margjinalizuan. Strukturat që mbanin gjallë frymën e Rugovës u shkatërruan nga klanet brenda partisë.

LDK, në dekadën e tretë të jetës, filloi ta humbte identitetin e vet, jo nga e majta, por nga vetë klanet brenda partisë për interesa personale.

Nga zhgënjimi, disa struktura të larta të partisë kaluan në të majtën për një grimë pushtet.

Partia nuk u mund nga e majta; ajo në zgjedhje u ndëshkua nga anëtarësia e vet, me qëllim që kryetari dhe kryesia të dorëhiqeshin.

Kur ata nuk u dorëhoqën me kohë, atëherë anëtarësia reagoi me mosvotim, për shkak të lidershipit.

Mosvotimi i LDK-së në zgjedhje ishte reagim për mosmarrjen e përgjegjësive nga kryetari dhe kryesia.

Nëse lidershipi do të vazhdojë tutje pas humbjeve, ka rrezik që zemra demokratike e saj të shkrihet.

Në zgjedhjet e vitit 2021, LDK pati rënie në 12%, që nuk reflektonte mungesën e anëtarësisë, por mungesën e përgjegjësisë së lidershipit dhe përçarjet e brendshme.

Kjo krizë arriti kulmin kur një pjesë e anëtarësisë së LDK-së iku duke votuar të majtën, e një pjesë e madhe abstenoi nga votimi.

Pas zgjedhjeve dhe rënies së madhe, kryetari dhe kryesia bënë reflektim me zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së re.

Me zgjedhjen e kryetarit të ri, z. Lumir Abdixhiku, në fillim pati entuziazëm. Anëtarësia mendoi se ishte njeriu i duhur.

Ky entuziazëm u vërejt në zgjedhjet lokale të vitit 2021, ku LDK pati rritje në nivel vendi.

Pas zgjedhjeve lokale, LDK nuk vazhdoi me reforma të thella në parti.

Kryetari Abdixhiku u mundua të bënte diçka, por anëtarësia nuk e mori për bazë. Ajo priste reforma në frymën rugoviane.

Ai punoi sa mundi e sa diti, por kurrë nuk e mori seriozisht LDK-në, nuk e kuptoi shpirtin e anëtarësisë. Është normale, sepse ai ka ardhur në parti si prurje, pa bërë mund.

Sjellja burokratike e tij dhe e kryesisë e zhgënjeu anëtarësinë. Pastaj edhe shtjellimi i temave në parlament, edhe pse ishin të drejta, prapë anëtarësia nuk i mori seriozisht, sepse e kishte humbur besimin.

Disa veprime dhe slogani për zgjedhjet e shkurtit 2025 “Rruga e re” ose “Lidhja” shkaktuan huti te anëtarësia.

Udhëheqja pretendonte fitore jo nga puna e tyre, por duke u bazuar në dështimet e qeverisë Kurti, që nuk ishin të pakta.

Anëtarësia, në zgjedhjet e 9.2.2025, dha sinjalin e qartë, por kryetari dhe kryesia nuk e kuptuan zhgënjimin e anëtarësisë. Ata ndiheshin komodë në opozitë; humbjen e vlerësuan si fitore, pasi LDK kishte bërë një ngritje të lehtë në 18%.

LVV arriti ta bindte masën se LDK është fajtore për bllokimin e Kuvendit, çka nuk ishte e vërtetë.

Lista Guxo arriti ta fragmentojë anëtarësinë e LDK-së.

Krejt heshtazi, kryesia e LDK-së humbi kontaktin me anëtarësinë dhe devijoi nga rruga rugoviane, duke u marrë me defektet e të majtës dhe duke u kënaqur në opozitë, ndërsa fushata bëhej sa për sy e faqe.

Kur lidershipi nuk merr përgjegjësi

Kryetari i LDK-së, pas zgjedhjeve të 9.2.2025, pasi nuk arriti premtimet e dhëna, në vend që t’i merrte përgjegjësitë me votëbesim ose dorëheqje për humbjet, ai dhe kryesia qëndruan tutje dhe u munduan ta bindnin anëtarësinë se kishte ngritje dhe se nuk ndiheshin fajtorë.

Kjo sjellje krijoi moskënaqësi te anëtarësia dhe, në zgjedhjet lokale të nëntorit 2025, anëtarësia ia dha sinjalin e qartë lidershipit.

LDK i humbi disa komuna, por prapë lidershipi nuk reflektoi dhe sillej si fitues.

Për mosreflektim, anëtarësia krijoi bindjen se kryetari Abdixhiku po vazhdon avazin e kryetarëve të mëparshëm, duke u kënaqur në opozitë si një parti minore.

Në zgjedhjet e 28.12.2025, anëtarësia e ndëshkoi partinë për shkak të lidershipit që nuk mori përgjegjësi për humbjet serike.

Pse po hesht lidershipi

Z. Abdixhiku, pas disfatës në zgjedhjet e 28.12.2025, në mbrëmje, në konferencën para gazetarëve, nuk pati guxim të japë dorëheqje, edhe pse ishte momenti.

Me dorëheqje ai do t’i bënte nder vetes, partisë dhe anëtarësisë. Vonesa e dorëheqjes po e dëmton rëndë partinë dhe po e zhgënjen anëtarësinë.

LDK ka nevojë të fillojë menjëherë me reforma, sa më parë aq më mirë, që partia të mos ndahet ose të mos shndërrohet në parti individësh për interesa personale.

Çdo vonesë në zgjedhje ka pasoja të mëdha.

Koha për përgjegjësi dhe rikthim të vizionit rugovian

LDK është dhe mbetet partia që ndërtoi shtetin e Kosovës, në kohë dhune, lufte e paqe. Ajo ka edukuar breza të tërë në frymën e demokracisë, respektimit të institucioneve dhe mendimit të lirë kritik.

LDK nuk mund të reduktohet në ambiciet e një individi apo grupi të ngushtë.

LDK-së i duhet frymë e re përbashkuese, kthim te rrënjët e veta dhe te vizioni rugovian – fryma që e mbante LDK-në të bashkuar dhe e bënte simbol të maturisë politike shqiptare.

Kryetari i LDK-së, pas çdo pale zgjedhjesh, duhet të reflektojë para partisë për premtimet e realizuara dhe të parealizuara.

Kur partia ka rënie, kryetari duhet të japë dorëheqje; kjo është rregull e partive të djathta demokratike.

Partia duhet të fillojë menjëherë me zgjedhje të lira nga baza, që të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa kryetari të ketë kompetenca të plota.

Vetëm përmes një procesi zgjedhor demokratik, LDK mund ta rifitojë besimin e qytetarëve dhe të rikthehet aty ku i takon vendi: në qendër të jetës politike në Kosovë, si parti e vizionit, e përgjegjësisë dhe e shtetndërtimit.

LDK dhe fryma rugoviane janë vlerë kombëtare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx