E hene, 29.12.2025, 09:47 PM (GMT)

Mendime

Ilir Çumani: Përse “Vëllai i vogël” Albini duhet të marrë për dore “vëllanë e madh” Edin…!?

E hene, 29.12.2025, 07:00 PM


PËRSE “VËLLAI I VOGËL” ALBINI DUHET TË MARRË PËR DORE “VËLLANË E MADH” EDIN…!?

Nga Ilir Çumani

Zgjedhjet në Kosovë na paraqitën një model normaliteti të thjeshtë demokratik që, në vend të ishte i tillë edhe për Shqipërinë, shndërrohet në pasqyrë të një krize ciklike dhe të thellë politike e morale.

Ironia është e madhe dhe domethënëse: Kosova, një shtet i ri, ende në proces konsolidimi ndërkombëtar, arrin të zhvillojë zgjedhje me rregull, qartësi dhe brenda një kohe të arsyeshme, ndërsa Shqipëria, me 113 vite shtet, ndodhet në një rreth vicioz dhe vazhdon ende të prodhojë paqartësi, zvarritje dhe konflikt të përhershëm.

Ky kontrast nuk është më vetëm institucional. Ai ka marrë formë të qartë edhe përmes dy modeleve të lidershipit politik, që sot mishërohen nga Albin Kurti në Kosovë dhe Edi Rama në Shqipëri. Dy figura, dy stile, dy mënyra krejtësisht të ndryshme të të bërit politikë dhe të raportit me kundërshtarin, me institucionin dhe me pushtetin.

Albin Kurti, “vëllai i vogël” në kronologjinë shtetërore shqiptare, drejton një shtet të ri, me plagë të hapura historike dhe presione të vazhdueshme politike. Megjithatë, ai ka ndërtuar një raport më të disiplinuar me procesin demokratik. Zgjedhjet nuk shihen si luftë për shkatërrimin e kundërshtarit, por si mekanizëm legjitim për të marrë dhe ushtruar pushtetin.

Humbja pranohet si pjesë e rregullit demokratik, ndërsa fitorja nuk shndërrohet automatikisht në arrogancë institucionale. Ky qëndrim nuk e bën politikën kosovare të përsosur, por e bën funksionale.

Në anën tjetër, Edi Rama, drejtues i një shteti me mbi një shekull histori, shfaq një model lidershipi të ndërtuar sipas një tipologjie neo-otomane, mbi konfliktin dhe intriga të vazhdueshme, mbi personalizimin ekstrem të pushtetit dhe përçmimin e hapur ndaj kundërshtarit politik.

Në Shqipëri, zgjedhjet nuk përjetohen si akt normal demokratik, por si betejë ekzistenciale, ku fituesi merr gjithçka dhe humbësi delegjitimohet. Ky model sjelljeje politike ka prodhuar një kulturë tensioni të përhershëm, ku institucionet politizohen, proceset zvarriten dhe besimi publik shkatërrohet.

Paradoksi është i fortë dhe i dhimbshëm: vëllai i vogël, Kosova, i jep model dhe leksion demokracie vëllait të madh, Shqipërisë. Dhe në këtë kontekst lind natyrshëm pyetja: pse Albin Kurti duhet t’i japë dorën Edi Ramës? Jo për ta ndihmuar politikisht, por për t’i treguar rrugën e duhur dhe për t’i kujtuar rregullat elementare të të bërit politikë edhe me kundërshtarin — ato rregulla që Shqipëria, pavarësisht moshës së saj si shtet, duket se i ka harruar.

Në Kosovë, pavarësisht retorikës së fortë politike, ekziston një vijë ndarëse mes garës dhe shtetit. Në Shqipëri, kjo vijë është fshirë prej kohësh. Politika është në fushatë të përhershme, institucionet janë zgjatim i pushtetit dhe zgjedhjet shndërrohen në procese të errëta, të zgjatura dhe të kontestuara. Ky nuk është problem teknikaliteti, por problem kulture politike.

Albin Kurti përfaqëson një model shtetari që kërkon të legjitimohet përmes procesit. Edi Rama përfaqëson një model sundimtari, ku procesi i shërben legjitimimit të pushtetit të kapur prej tij. Këtu qëndron dallimi thelbësor.

Njëri ndërton raport me rregullin, tjetri me kontrollin. Njëri pranon kufijtë e lojës demokratike, tjetri i shtyn ose i deformon ato.

Pas 113 vitesh shtet, Shqipëria nuk ka më justifikime historike. Ajo nuk është viktimë e rinisë së vendit, por e një klase politike që refuzon të maturohet dhe të piqet. Dhe për sa kohë ky model lidershipi mbizotëron, çdo zgjedhje do të prodhojë më shumë kriza se demokraci, më shumë tension se besim. E për rrjedhoj edhe më shumë korrupsion dhe destabilitet, paqe sociale të munguar.

Modeli ekziston. Është aty, në Kosovë, në një shtet më të ri, por më të disiplinuar në respektimin e rregullit demokratik. Ndoshta ka ardhur koha që vëllai i madh të pranojë se ka humbur busullën dhe të dëgjojë vëllain e vogël. Jo për krenari, por për më shumë kulturë demokratike. Jo për pushtet, por për SHTET!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx